Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Artikuj

artikuj
 

Ngrihu, muzgu i zgjimit!

"Dhe jam i urdhėruar tė jem i pari i muslimanėve!" – Kur'an, 39:12

E shtune 13 Shkurt 2010 21:58

Bëhu i pari që lind me ditën e re, me muzgun e lindjes së diellit: i bindur plotësisht në Zotin e vet, i përkushtuar plotësisht në fjalët e Tij, i palëkundur në bindjen se Zoti është me të, është me ty, muzgu i lindjes erdhi: nënshtroja tërë qenien tënde Zotit të saj, ji musliman i devotshëm!

O njeri i bindur në Zotin e vet, ngrihu, mposhte epshin, mposhte armikun, ti ke Zot që dëgjon, sheh, të mbikëqyrë, përkujdeset për ty; ke Zot që të premtoi ty dhe vetëm ty, që të ngadhënjesh mbi çdo gjë!

Po duken shkëlqesat e para të diellit; rrezet e zgjimit! Qielli po hapet. Mendja po kthjellet. Nuk ka më ç'të pritet. Fundi i muzgut të errësirës po ikën, e muzgu i lindjes, zgjimit, po duket. Ti po kupton, ti po arsyeton, ti po ndjen fuqinë tënde; tani, ngrihu, e thuaj: jam zgjuar, jam i fuqishëm, unë kam Zot që më mbron e më ndihmon: jam musliman, krenar e i palëkundshëm!

Ajo ditë e re me diell të ri që po fillon, për ty ka një porosi! Pranoje, mos e refuzo, qëndro, mos prit më, se: Zoti yt të do, Zoti yt të mëshiron, Zoti yt të premton: ti kurrë nuk do të jesh i poshtëruar përderisa Zot ke Atë, Allahun, që gjithçka filloi prej Tij!

Mesazhi: Nuk je vetëm. Nuk je i gjorë. Nuk je i paaftë. Je njeri i dalluar. Je më i miri i njerëzimit. Ti mund të shpëtosh drejtësinë. Ti mund të ndryshosh botën. Ti mund t'i bashkosh njerëzit. Ti mund të përhapësh fjalën e bukur. Ti mund t'i përfitosh zemrat e njerëzve që ato të mos e adhurojnë askënd përveç Krijuesin e tyre, Allahun e Gjithëpushtetshëm!

Ka mesazh, për ty është, e për askënd tjetër, e kush tjetër, përveç për atë që iu premtua ngadhënjimi e triumfi. Ti je, sepse Zoti yt drejtësinë në tokë do ta kthej, drita e Tij nuk shuhet kurrë! Ti nën atë dritë do të zgjohesh. S'ka dritë më të fuqishme se Drita e Zotit; ajo përfshin gjithçka. Përfshinë çdo gjë; ti jeto me të, jeto nën të, merre, sepse Allahu ty të zgjodhi!

Je njeri i bindur, që nuk pranove të adhurosh kë tjetër përveç Zotit tënd, Krijuesin e jetës, të tokës e të qiejve; të Gjithëpushtetshmin, që gjithçka i nënshtrohet Atij me vullnet apo pa vullnet. Po, Atij i takon sundimi! Qëndro nën sundimin e Allahut me ndjenjat, mendjen, zemrën, shpirtin; lëviz me emër të Allahut, ndih për hir të Allahut, mendo për hir të Allahut, duaj të tjerët për hir të Allahut; ti je nën Pushtetin e Tij të pakufishëm e të pafundmë!

Ti nuk je i huaj! Ke Zot, e kjo tokë ty të takon! Ngrihu, agonia po zhduket, papërgjegjësia po shkulet, pandërgjegjshmëria po çrrënjoset! Ti ke rrënjë, ke identitet; trashëgimtar i tokës je! E kush përveç teje, o besimtar, o i bindur ndaj Krijuesit të jetës!

Po fundoset errësira e errësirave, po ndriçon drita e Islamit; ti je ai që do të mbash atë dritë në dorë! Po, ti je, e kush tjetër përveç teje, ty Zoti të emëroi të vësh drejtësinë në tokë, të shkulësh errësirën e të ujitësh bimën e dritës. Fjala e bukur, e a ka fjalë më të bukur se Fjala e Zotit të tokës e të qiejve e ç'ka mes tyre, Jetëdhënës i gjithçkaje!

Ngrihu, koha erdhi! Fjala e Allahut kurrë nuk ka qenë e mposhtur. Kurrë ISLAMI nuk iu pengua shkëlqimi i dritës, është fjalë që nuk shuhet, është fjalë që nuk vdes, është fjalë që përfiton zemra, mendje, shpirtra! Është Islami, që secili njeri prej tij nuk pavarësohet kurrë! Dritë, njeriu nuk mund të jetojë në errësirë. Nuk mund t'i bëjë ballë humnerës. E do gjerësinë, e do të pastrën, e do të bukurën, e do paqen shpirtërore!

Jo, mos shiko ç'thonë gojët e njerëzve. Ata gënjejnë. Ata nuk e dinë se ç'është ISLAM, mos i dëgjo ç'pëshpëritin mendjet e tyre! Ti qëndro kokëlartë, qëndro krenar, qëndro zemërgjerë, qëndro i ngritur; ti je i madh, ti je i fuqishëm – nuk ka madhështi e fuqi mbi fuqinë e atij njeriu që është i lidhur me të Gjithëfuqishmin!

Ti ke Zot që dëgjon, ke Zot që sheh, ke Zot që të mbikëqyrë, ke Zot që nuk e merr gjumi e as nuk kotë kurrë! Ke Zot që është i Gjallë, për asnjë çast fare nuk mund t'i ik gjë kurrë. Gjithnjë je nën përkujdesjen e Tij – Ai është Allahu, emër që çdo shpirt ishte i devotshëm ndaj Tij, por padrejtësia e errësira e vullnetit të ulët njerëzor e ndryshoi këtë dashuri që ka për Zotin e tij. Ti ke shpirt që e do Zotin e vet, ke zemër që rrah për Të, ke mendje që i përkulet Zotit të vet, ke trup që e ke nënshtruar në adhurim ndaj Zotit të tij!

Njeri i madh je! Mposhte epshin. Mposhte armikun! Ti nuk ndërrove Kënaqësinë e Zotit tënd me asgjë. I the "Jo!" fjalës së tjerëve, e iu binde me arsye të zgjuar e me zemër të pastër, dhe u përqendrove vetëm në Fjalën e Tij. O njeri madhështor, ke një trashëgimi që nuk shuhet, ke një burim që nuk shteret, ke Kur'anin, ke një Libër që askush nuk mund ta sfidoj, jo kurrë! Një libër që kur ti i përmbahesh, je i dëgjueshëm dhe e respekton atë me përpikëri, edhe ti je i pasfidueshëm, i pamposhtur!

Nuk ka më agoni të pritjes! Agonia është për njerëzit e vdekur, njerëz pajetë, njerëz që nuk njohin Zotin e tyre!

S'ke ç'pret, mjafton të thuash: O Allah! Në Ty mbështes qenien time, mbështes çështjet e mia, për Ty jetoj, për ty sakrifikoj, për Ty lëviz, për Ty shpenzoj, për Ty këshilloj, për Ty edhe vdes; pa Ty jeta s'ka kuptim, pa Ty jam asgjë! Më përqendro në rrugën Tënde, që Ty në xhennet të të shoh! Ja Allah!

Ti, o musliman i dashur, pasha Atë që krijoi jetën time, e krijoi jetën tënde, e krijoi jetën e çdo gjëje, me Të ke për të qenë njeri i pandalshëm, i papengueshëm, i pamposhtur; plot vendosmëri, plot shpresë, plot gëzim, plot fuqi, plot lumturi!

Ty të do Allahu, ty të mëshiron Allahu, ty të zgjodhi Allahu: je musliman!

MUSLIMAN, kodi i zgjimit, kodi i ngadhënjimit, kodi i jetës së gjallë! /zgjim.org/

Shkruan: Avni TAFILI

 




Pyetja me poshte eshte per te evituar spam emailat te gjeneruara nga robotet.

8 + 9 = ?



Për të dërguar koment së pari duhet të Kyçeni ose të Regjistroheni në mesazhi.com

Arkivi i artikujve