Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit

Muaji Sheval është muaj në të cilin instinkti për tu ushqyer forcohet, për arsye se ky muaj pasohet menjëherë pas agjërimit dhe agjërimi në përgjithësi është i lodhshëm dhe i mundimshëm, prandaj dhe shpërblimi është i madh.

Transmeton imam Muslimi, nga Ebu Ejub Ensari, se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Kush agjëron Ramazanin dhe e pason me agjërimin e gjashtë ditëve nga Shevali, sikur ka agjëruar gjithë vitin.”

Sakaq, në hadithin e Theuban, të transmetuar nga Ibnu Huzejme dhe të tjerë, Profeti a.s thotë:”Kush agjëron Ramazanin, ky muaj shpërblehet me dhjetë syresh. Kurse agjërimi i gjashtë ditëve pas Fitër Bajramit, plotëson një vit të plotë.” Pra, agjërimi i muajit të Ramazanit dhe gjashtë ditëve nga muaji Sheval, për nga shpërblimi është ekuivalent me agjërimin e të gjithë vitit. Vetë Ramazani është i barabartë me dhjetë muaj, pasi një e mirë shpërblehet me dhjetë, kurse gjashtë ditët me dy muaj, kështu plotësohet një vit i plotë.

Prandaj, kush agjëron gjashtë ditë nga Shevali, ka fituar shpërblimin dhe sevapin e agjërimit të një viti të plotë. Kurse agjërimi i Shevalit dhe i Shabanit, është i njëllojtë me namazet nafile që falen para dhe pas farzit dhe ato plotësojnë mangësitë e farzit. Të gjithë farzet (obligimet) plotësohen me nafile ditën e Kiametit. Pothuaj të gjithë njerëzit kanë mangësi në kryerjen e obligimeve, mangësi të cilat i plotësojnë veprat vullnetare. Të vazhdosh agjërimin pas Ramazanit, është një ndër treguesit se Zoti ta ka pranuar muajin e shenjtë, pasi Zoti kur ia pranon veprën e mirë një njeriu, e udhëzon për vepra të tjera të mira. Disa të mençur thotë:”Shpërblimi i veprës së mirë, është që ajo të ndiqet nga vepra të tjera të mira.” Prandaj, kushdo që vepron një të mirë dhe e pason me të tjera, është tregues se vepra e parë është pranuar. Po ashtu, kushdo që vepron një të mirë dhe e pason me një ligësi, është tregues se vepra e mirë është refuzuar dhe nuk është pranuar.

Agjëruesit e Ramazanit shpërblehen ditën e Fitër Bajramit, e cila është dita e çmimeve të mëdha. Prandaj, rikthimi tek agjërimi pas festës, është formë mirënjohjeje për begatinë dhe nuk ka begati më të madhe sesa falja e gjynaheve.

I dërguari i Zotit a.s falej derisa i ënjteshin këmbët. Kur e shoqja i thoshte:”Përse e bën këtë, ndërkohë që të janë falur gjynahet e kaluara dhe të pasme?!” Ai përgjigjej:”A nuk ia vlen të jem mirënjohës për këtë?!”

Vetë Zoti i lartësuar i urdhëron robërit e tij që të jenë mirënjohës për mirësinë e agjërimit të Ramazanit. Thotë Zoti në Kuran:”Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (Bekare, 185)

Pjesë e mirënjohjes së robit për suksesin që i dha Zoti për agjërimin e Ramazanit, faljen e gjynaheve dhe mbështetjen, është agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit.

Të parët tanë, kur u mundësohej të ngrihen natën dhe të falen, ditën tjetër e agjëronin si formë mirënjohjeje për mundësinë që iu dha për tu falur një natë më parë.

Vehip ibnu Verd, kur pyetej mbi shpërblimin e ndonjë vepre të caktuar si tavafi etj… u thoshte:”Mos pyesni për sevapin e këtyre veprave, por më pyesni si mund ta falënderojë Zotin, ai që është udhëzuar për këtë vepër.”

Për çdo mirësi që Zoti i jep robit të vet, duhet falënderuar. Por mos harrojmë se vetë udhëzimi për të qenë falënderues dhe mirënjohës, është një mirësi më vete, e cila duhet falënderua. Robi e ka të pamundur të jetë mirënjohës në formën më të plotë ndaj Zotit. Thelbi i mirënjohjes është të pranosh mangësitë e tua për të shprehur mirënjohjen ndaj Krijuesit.

Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit është një vepër e pëlqyeshme, sipas mendimit të imam Shafiut, Ahmedit, Is’hakut, Ibnu Abasit, Kab Ahbar, Taus, Shabij etj… Si argument për këtë gjykim, ata kanë hadithet e lartpërmendura. Sakaq, disa dijetarë të tjerë si Ebu Hanife dhe Malik, agjërimin e gjashtë ditëve të Shevalit e shohin si diçka të papëlqyeshme. Ata e arsyetojnë gjykimin e tyre me frikën se agjërimi i gjashtë ditëve mund të merret si obligim (farz) nga shumë njerëz të thjeshtë dhe të paditur. Veç kësaj, sipas tyre, agjërimi i këtyre gjashtë ditëve, bën që myslimanët tu ngjajnë ithtarëve të Librit, të cilët agjërojnë më shumë se agjërimi i një muaji farz.

Por, argumentet e tyre janë të pabazë, pasi tradita profetike nxit për agjërimin e këtyre ditëve. Nëse do distancohemi nga tradita profetike nga frika e keqkuptimeve, duhet të distancohemi nga të gjithë veprat e tjera të pëlqyeshme, si agjërimi i Ashurasë, ditëve të bardha të çdo muaji etj… Thuhet që vetë imam Malik i agjëronte gjashtë ditët e Shevalit, kurse dijetarët e medh-hebit hanefi që erdhën më vonë, mendonin se agjërimi i këtyre ditëve nuk prish punë.

Thotë Ibnu Abdil Berr:”Imam Maliku nuk është njohur me hadithin e Ebu Ejub Ensarit. Gjykimin e tij se agjërimi i këtyre ditëve është i papëlqyeshëm, ai e mbështet tek frika se mos shtresa të caktuara myslimanësh mund ta marrin si obligim dhe farz. Sakaq, agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit për të fituar sevapin e këtyre ditëve, nuk shihet si e papëlqyeshme nga imam Malik. Agjërimi është mburojë dhe sevapi i tij është i ditur nga të gjithë. Agjëruesi braktis ushqimin dhe pijen për hatër të Zotit dhe shihet si një vepër e mirë.

Kur duhet të fillojë agjërimi

Ka dijetarë të cilët mendojnë se agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit duhet të fillojë nga ditët e para të këtij muaji dhe të jetë në vijimësi. Ky është gjykimi i imam Shafiut dhe i Ibnu Mubarek. Sakaq, të tjerë nuk kanë bërë dallim mes vijimësisë dhe ndarjes së ditëve të muajit. Sipas tyre, ditët e këtij muaji janë të gjithë njëlloj dhe kurdo mund të agjërohen gjashtë ditë. Ky është medh-hebi i imam Ahmedit. Muamer dhe Abdu Rrezak mendojnë se këto ditë nuk agjërohen menjëherë pas Fitër Bajramit, pasi ditët pas festës janë ditë gëzimi dhe gostish. Prandaj, është mirë që tre ditë të agjërohen para ditëve të bardha, gjatë ditëve të bardha ose pas tyre.

Agjërimi kaza

Nga teksti i hadithit të Ebu Ejub Ensarij, kuptojmë se shpërblimin e gjashtë ditëve të Shevalit, nuk e fiton veçse ai që e ka agjëruar muajin Ramazan të plotë, pa e prishur qoftë dhe një ditë. Një person që ka ditë kaza për të agjëruar, nuk e ka të plotë Ramazanin.

Në fakt, sevapin e ditëve të Shevalit e fiton edhe ai që e ka prishur Ramazanin me arsye. Sipas dijetarëve, agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit ka specifikën e vet, ndërkohë që shlyerja e ditëve që nuk janë agjëruar nga Ramazani ka kohë të papërcaktuar. Shlyerja e këtyre ditëve nuk është kusht që të bëhet gjatë Shevalit. Thotë Zoti në Kuran:”Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.” (Bekare, 185)

Siç e pamë dhe në hadithin e mësipërm, Profeti a.s thotë:”Kush agjëron Ramazanin dhe e pason me agjërimin e gjashtë ditëve nga Shevali..” Profeti a.s e dinte shumë mirë që ka njerëz të cilët mund ta prishin agjërimin e Ramazanit ndonjë ditë dhe u duhet ta shlyejnë më vonë. Megjithatë, ai nuk e kushtëzoi në hadith shlyerjen e këtyre ditëve para agjërimit të gjashtë ditëve të Shevalit.

Prandaj, kushdo që ka ditë për të agjëruar nga Ramazani, të cilat i ka prishur me arsye dhe muaji Sheval i mjafton për ti agjëruar këto ditë, ky dueht të përvishet dhe fillimisht të agjërojë ditët e lëna nga Ramazani, mandej të agjërojë gjashtë ditët e Shevalit. Kështu, ai fillimisht shlyen obligimin dhe borxhin, mandej synon sevapin e gjashtë ditëshit. Kurse, ai që ka ditë për të agjëruar nga Ramazani, të cilat i ka prishur me arsye dhe muaji i Shevalit nuk i mjafton për ti shlyer të gjitha bashkë me gjashtë ditshin, fillimisht agjëron gjashtë ditshin e Shevalit, e mandej shlyen ditët e tjera, pasi e ka prishur agjërimin me arsye. Argumentet që flasin se shpërblimi është i plotë edhe për atë që i shlyen ditët e Ramazanit më vonë, por me arsye. Enes ibnu Malik, tregon se gjatë rrugës së kthimit nga beteja e Tebukut, Profeti a.s u thotë:”Në Medine, ka mysimanë të cilët kanë qenë pjesë e shpërblimit sa herë që jemi ngjitur dhe kemi zbritur nga ndonjë kodër.” Dikush e pyeti:”Edhe pse kanë qëndruar në Medine o i dërguar i Allahut?!” Profeti a.s u tha:”Edhe pse janë në Medine, pasi nuk i pengoi veçse arsyet e forta.”

Agjërimi i gjashtë ditëve jashtë muajit Sheval

Agjërimi i këtyre gjashtë ditëve është specifike vetëm për muajin Sheval.

Qëllimi i agjërimit në Sheval, është për t’ua lehtësuar besimtarëve, pasi kështu e kanë më të lehtë të agjërojë disa ditë pas Ramazanit. Profeti a.s citon Shevalin, duke nënkuptuar se agjërimi në muajt e tjerë është më i mirë. Ky është mendim i Karrafit nga dijetarët e malikive, i cili në fakt është një mendim i çuditshëm.

Sakaq, dijetarët e tjerë mendojnë se Profeti a.s specifikon muajin Sheval, me qëllim që besimtarët të shpejtojnë për ta kryer këtë vepër të mirë brenda muajit. “Pra, bëni garë me njëri-tjetrin për punë të mira.” (Bekare, 148) “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit” (Al Imran, 133)

Ky është arsyetimi i një grupi dijetarësh nga medh-hebi shafi, të cilët pohojnë se: Sevapi i agjërimit në Sheval, nuk i jepet atij që këto ditë i agjëron në një muaj tjetër, pasi mungon rivaliteti dhe shpejtimi për vepra të mira të dashura tek Zoti. Është e pamundur të shfuqizohet specifika e Shevalit, përndryshe përmendja e këtij muaji nuk do të kishte asnjë vlerë.

Disa dijetarë të tjerë thonë: Meqë agjërimi i Ramazanit mund të shoqërohet me të meta dhe mangësi, është parë e arsyeshme që Ramazani të pasohet me agjërimin e gjashtë ditëve nga Shevali, të cilat plotësojnë pikërisht këto mangësi.

Prandaj, agjërimi i këtyre ditëve është ekuivalent me faljen e namazeve nafile, të cilat plotësojnë mangësitë e namazeve farze.

Disa njerëz, mendojnë se nëse i agjërojnë një vit gjashtë ditët e Shevalit, duhet ti agjërojnë çdo vit, gjë e cila nuk është e vërtetë. Besimtari është i lirë mes dy alternativave; ti agjërojë këto gjashtë ditë ose jo. Imam Ahmedi transmeton se Profeti a.s ka thënë:”Agjëruesi vullnetar është i zoti i vetes, nëse dëshiron agjëron, në të kundërt e prish.” /ao