Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Kosovė

artikuj
 

BE-ja shpreson pėr kompromis me Serbinė


E marte 7 Shtator 2010 10:23

 

BE shpreson se ka gjetur çelësin e pajtimit të Serbisë për kompromis rreth rezolutës për Kosovën. Nga burimet e BE-së “Koha Ditore” mëson se kompromisi mes 27 vendeve anëtare është që me rezolutë të mos përmenden negociatat për statusin, por të mos përmendet as shtetësia e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, sonte, në orët e vona të mbrëmjes do të bisedojë në Bruksel me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, në një përpjekje për të gjetur kompromis, i cili do të mundësonte shmangien e përplasjes së Serbisë me shumicën e vendeve të BE-së në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që mbahet të enjten. Këtë ditë Asambleja e OKB-së do të diskutojë dhe eventualisht do të votojë për rezolutën e propozuar nga Serbia, rezolutë e cila ka për qëllim të zhbëjë vlerën e Mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 22 korrik kishte dhënë mendimin, pikërisht duke u përgjigjur në pyetjen e Serbisë, se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare. Propozimi i Serbisë kishte irrituar vendet kryesore të BE-së, sepse ajo kishte paraqitur rezolutën e saj prapa shpine, në kohën kur me BE-në konsultohej për një paraqitje të përbashkët. Vendet si Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Austria ia kishin bërë të qartë Serbisë se do të ketë pasoja serioze në rrugën e saj drejt BE-së nëse insiston që të nxirret një rezolutë, e cila do të ishte kundër qëndrimit të këtyre vendeve të BE-së që e kanë njohur Kosovën. Por BE-ja nuk qe në gjendje të kishte një qëndrim të përbashkët, për shkak se vendet si Qiproja dhe Spanja u paraqitën qartë në anën e Serbisë.

Tash në BE thonë se „kanë një qëndrim të përbashkët“, por sqarojnë se kjo vlen vetëm për pikat e përgjithshme parimore rreth të cilave janë pajtuar të 27 vendet anëtare. Por në pyetjen se „cili është qëndrimi i përbashkët i BE-së?“ vetëm përgjigjen se ai qëndrim është deklarata të cilën në emër të të gjitha 27 vendeve anëtare e kishte dhënë përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton. Edhe pse Ashton, duke u përgjigjur në një pyetje të “Kohës Ditore” para më shumë se një muaji kishte thënë se „qëndrimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka qenë i qartë“, ajo nuk qe atëherë në gjendje të sqaronte se cili është qëndrimi i BE-së rreth Mendimit të GJND-së. Ashton vetëm tha se „BE-ja mbështet dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës dhe është e gatshme të ndihmojë në këtë dialog“ dhe pati shtuar se „këtë gatishmëri ua ka kumtuar edhe presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, edhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi“.

Nga burimet e BE-së mësohet se kompromisi mes 27 vendeve anëtare është se me rezolutë të mos bëhet ftesë për negociata për statusin, por të mos përmendet as shtetësia e Kosovës. Besohet se kjo do të jetë e mjaftueshme për të siguruar edhe pajtimin e Serbisë për kompromis.

Vendet kryesore të BE-së kanë thënë qartë se linja të kuqe për to janë dy parime: nuk mund të ketë më negociata për statusin e Kosovës dhe nuk mund të ketë ndarje territoriale të Kosovës. Por edhe vendet e BE-së që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, dhe që kanë bërë të qartë se as Mendimi i GJND-së nuk ua ndryshon mendjen, kanë insistuar që të mos vihet në pikëpyetje qëndrimi i tyre kundër pavarësisë së Kosovës. Diplomatët në Bruksel pranojnë se BE-ja është jashtëzakonisht e interesuar që të arrihet kompromis me Serbinë rreth propozimrezolutës së saj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së edhe për të evituar situatën në të cilën disa vende të BE-së do të paraqisnin qëndrime të kundërta në këtë organ të OKB-së dhe para botës do të dëshmonin se sa e ndarë është BE-ja për një çështje që e quan problem evropian.

Si opsione për kompromis nga ana e BE-së përmenden amendamentet që do të pranoheshin përbrenda propozimit serb që të hiqet fjalia ku thuhet se secesioni i njëanshëm nuk është zgjidhje dhe që zgjidhja „e pranueshme për të dyja palët“ të gjendet nëpërmjet dialogut.




Pyetja me poshte eshte per te evituar spam emailat te gjeneruara nga robotet.

2 + 2 = ?


Komentet

Nuk ka komente per kete artikull
REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i lajmeve