"Ajo që muslimanëve u ofrohet sot në botë nuk i përgjigjet natyrës së tyre", thotë prof. Dr. Abdulhamid ebu Sulejman, mendimtari i shquar musliman, duke theksuar që çelsi për zgjidhjen e problemit të dekadencës së muslimanëve është në duart e intelektualëve, të cilët nuk do të imitojnë verbërisht mënyrën e të menduarit perëndimor, dhe që reforma mendore detyrimisht duhet të jetë e shoqëruar nga reforma e sistemit edukativ dhe arsimor.
Cilat janë përgjithësisht shkaqet e ngecjes muslimane në krahasim me të tjerët?
- Çështja kryesore për ummetin është që ne akoma nuk e kemi kuptuar pozitën ku gjendemi. Situata më e rëndë dhe më e keqe është që mendimtarëve dhe njerëzve të kulturës nuk mund t’u dëshmosh faktin që nuk janë të vetëdijshëm se në çfarë situate vërtet ata gjenden, sepse po të ishin të gatshëm dhe të guximshëm të kuptonin një gjë të tillë, atëherë do të mund të fillonin me parapërgatitjet për tejkalimin e asaj gjendjeje. Prandaj, ne në institutin Ndërkombëtar për studime islame në Vashington jemi duke punuar që t’i shikojmë këto raporte dhe këto probleme nga të gjitha aspektet. Pikërisht për shkakun se nuk kemi qenë të sinqertë dhe të guximshëm që të ballafaqohemi me vetveten, që ta pranojmë para vetes në ç‘situatë jemi dhe që të marrim përgjegjësinë, ne kemi një reformë të pasuksesshme që zgjatë tashmë një mijë vjet. Dua të them që ato reforma nuk kanë qenë edhe krejt të pasuksesshme, ato kanë reformuar vetëm lëvozhgën, por esenca e problemit ka mbetur e paprekur.
Ç’është, pra esenca e këtij problemi?
- Që ta keni parasysh këtë problem, patjetër duhet të keni një vizion të qartë, univerzal, patjetër duhet ta shikoni problemin në tërësinë e tij dhe vetëm ateherë të futeni në detaje. Fillimisht duhet të shikojmë pozitën ku gjendet ummeti. Të gjithë e dimë se ummetit nuk i mungojnë resurset natyrore, as potencialet njerëzore, pastaj që ummeti akoma vazhdon të ruajë sistemin madhështor të vlerave islame. Islami është koncept human gjithnjerëzor. Njeriu si qenie humane njerëzore kujdeset për të mirën në këtë botë. Islami respekton mendjen dhe arsyen njerëzore. E drejta dhe drejtësia në islam janë parime themelore dhe vlera themelore. Në islam gjithashtu ekziston lidhja në mes vëllazërisë njerëzore si qenie humane dhe lidhjes ideologjike, përkatësisht fetare, lidhjes së vlerave, vëllazërisë në mendime. Mirëpo, islami respekton specifikat (veçantitë) dhe ruan pluralizmin, nuk rekomandon, përkundrazi ndalon përdorimin e metodave të dhunshme ndaj të tjerëve dhe ndaj të ndryshmeve. Ai i jep prioritet humanizmit ndaj islamizmit. Do të thotë respekton të drejtën e tjetrit që të jetë ndryshe. Për këtë arsye kur qenia njerëzore ose një njeri i cilësdo fe qoftë, gjendet në pozitën e atij që i bëhet keq, i bëhet padrejtësi, dhe kjo zgjatë, dhe kjo është evidente, atëherë përgjigjia e njerëzve të tillë nuk niset nga pozicioni i asnjë feje, kurrfarë islamizmi, por përgjigjia vjen nga natyra e tij e pastër njerëzore si nevojë që t’i bëjë rezitencë një gjëjë që është zullum, që është padrejtësi. Atëherë, për shkak të përgjigjies së tillë natyrore askënd nuk duhet të padisim për mospunë.
Devijimet në mendim dhe kulturë
Muslimanët sot, kryesisht akuzohen nga ky aspekt ?
- Disa gjëra që i bëjnë individë të caktuar që kanë emra muslimanë dhe të cilët i takojnë islamit, i bëjnë ato, sepse atyre u bëhet padrejtësi, sepse ata gjenden në joliri, sepse mbi ta bëhet presion – ato nuk mund t’ia mveshim islamit. Sepse, sistemi islam i vlerave është i drejtë dhe ideal, por rrethanat shoqërore duhet të jenë optimale që ai të manifestohet e të dalë në dritë. Në qoftë se problemet e tilla të individëve të caktuar ua mveshim mësimeve, kulturave, feve, me këtë rast, vërtet, bëjmë një të keqe edhe më të madhe duke implikuar me pa të drejtë njerëz të tjerë, të cilët fare nuk kanë lidhje me gjërat e tilla. Meqë e thamë që gjendja në botën muslimane është e keqe dhe e rëndë, atëherë cila është zgjidhja. Për këtë kemi një përgjigjie të vetme: ajo është –duhet patjetër të pajtohemi që esenca e problemit është në mënyrën e të menduarit, përkatësishtë në kokat e njerëzve. Thjesht, një mendim që është interpretuar keq, një mendim që është shtrembëruar, është pikërisht ai që ka ndikuar në destruksionin e nivelit të kulturës. E njëjta gjë ndodhi edhe me kulturën tonë. Muslimanët e dinë që kjo është e saktë. Me siguri që këto dy probleme: devijimi në mendim dhe devijimi në kulturë kanë shkaktuar probleme tjera sekondare që janë të shumta.
Si të zgjidhen, atëherë këto devijime?
- Problemi ynë është që ne i zgjidhim vetëm pasojat dhe problemet e dorës së dytë, e ato janë vetëm fenomene ose reflektime të problemit kryesor esencial. Ne veprojmë gabimisht duke i zgjidhur vazhdimisht pasojat. Natyrisht nuk duhet t’i ikim zgjidhjes së atyre problemeve dhe efekteve sekondare. Mirëpo, cilido trajtim në zgjidhjen e këtyre problemeve, i cili nuk fillon nga zgjidhja e çështjeve esenciale nuk do të sjell rezultate të rregullta. Ai do të ketë disa efekte të kufizuara, por nuk do të ketë ato rezultate që ne i kërkojmë. Qysh herët muslimanët dhe popujt musliman, të cilët duke pranuar islamin hynë në islam, dhe me vete sollen trashëgimitë e tyre. Pastaj pas atyre kulturave lokale, interpretimeve lokale të të kuptuarit të islamit, pasuan poashtu nga jashtë ndikimet tjera, por ajo që është më e rrezikshmja dhe që duhet theksuar, është që interpretimi i keq, përkatësisht devijimi në mendim dhe dekadenca në kulturë shkaktojnë çrregullime psikologjike, përkatësisht gjendje të këqija psikologjike të njerëzve. Me këtë njeriu arrinë në një situatë shumë të pakëndshme kur vetëm është i vetdijshëm se është i sëmur dhe si tillë i vetëdijshëm se problemi është në të menduarit e gabuar, por që ai edhe më tej nuk bën asgjë për ta ndryshuar atë gjendje. Faktikisht bëhet i detyruar të gënjejë dhe kështu të bëhet edhe hipokrit. Së këndejmi të gjitha problemet që sot i shqetësojnë popujt musliman janë dykuptimore: nga njëra anë mendor – kulturor dhe nga ana tjetër psikologjik-kulturor. Mendoj që çelsi i zgjidhjes së këtyre problemeve është në duart e mendimtarëve, intelektualëve dhe punëtorëve kulturor, e kurrsesi në duart e zyrtarëve, institucioneve apo qeverive. Sepse, sistemet politike dhe qeveritë janë pasoja të atyre shkaqeve. Natyra e çdo institucioni, shtetëror e tjerë, është që të ruajë status quo-në, e nuk është që të rregullojë e të zgjidh problemin. Edhe nëse bëhet ndonjë lloj ndryshimi ai bëhet vetëm për të forcuar edhe më tepër kuantitetin dhe vazhdimësinë e atyre institucioneve. Konsideroj që ndryshimi në botën muslimane duhet të fillojë nga mendimtarët. Më pas, ai shkon drejt reformimit të mendimit, e pas kësaj ai ka nevojë për aktivistë, të cilët do ta përcjellin në një bazë më të gjerë njerëzish me qëllim që t’u bëhet trysni përfaqësuesëve dhe simboleve të institucioneve e sistemeve, në mënyrë që ata të pranojnë ndryshimin. Shkurt, duhet përsëri ta sjellim misionin e islamit në pozicionin e universalitetit dhe humanitetit, mision i cili e shikon njeriun si mëkëmbës të All-llahut në tokë, si ai që jetëson drejtësinë dhe si ai që është përgjegjës për gjendjen. Patjetër duhet të unifikojmë sistemin e vlerave në njerën anë dhe praktikën që e aplikon atë sistem nga ana tjetër.
Ju po flitni për nevojën e kuadrit dhe njerëzve, të cilët duhet të marrin përsipër këtë mision ?
- Po. Na duhet kuadër në kuptimin më të gjerë të fjalës, të cilët do të duhej të përgatiteshin në mënyrë të rregullt që të marrin përsipërr këtë mision. Kjo do të thotë që duhet patjetër të shikojmë trashëgiminë tonë ashtu që të mos e glorifikojmë e të mos e shenjtërojmë, por të shqyrtojmë atë në hapësirën e caktuar gjeografike dhe vendin e caktuar duke i marrë parasysh edhe rrethanat e caktuara. Patjetër duhet të shërbejmë si shembull në këtë. Sot do të duhej t’i zgjidhim problemet duke reinterpretuar traditën dhe klasikën, e jo duke i kopjuar tekstualisht zgjidhjet e kahershme. Thjesht, duhet të bëjmë spastrimin e përmbajtjeve kulturore. Prej tyre duhet evituar çdo ekstremizëm, çdo nacionalizëm, çdo lokalizëm. Përmes kulturës duhet t’ia kthejmë besimin njeriut në vetvete, t’ia kthejmë pozicionin e mëkëmbësit të All-llaht në tokë që është i përgjegjshëm, duhet të vëmë në spikamë tek ai humanitetin dhe humanizmin si qenie që është përgjegjëse dhe kompetente në këtë botë. Kjo është thirrje humane për njeriun dhe ajo që nga fillimi i saj është pluraliste dhe e pranon tjetrin dhe u garanton ekzistencë të gjitha diversiteteve. Kjo do të thotë që reforma mendore nënkupton ridefinimin – leximin e serishëm të burimeve të të menduarit, spastrimin e përmbajtjeve kulturore si dhe studimin e metodologjisë, përkatësisht përmirësimin e premisave tona epistemologjike. Me këtë duhet të ndërprehet praktika e njerëzve , të cilët jetojnë në kasollë kashteje dhe adhurojnë historinë duke jetuar nga riinterpretimi i vazhdueshëm i përmbajtjeve historike. Nga ana tjetër po ashtu nuk duhet së tepërmi të glorifikojmë mendimin e atyre që janë shekullaristë apo ata të cilët aktrojnë njerëzit e kulturuar apo të civilizuar, modernë dhe përparimtarë, sepse edhe ata janë një ekstrem tjetër. Domethënë, ne duhet të kemi mendimtarë, të cilët janë të aftë dhe janë në gjendje të mendojnë nga brenda vetë nesh duke mos ndjekur as duke mos imituar mendimtarët nga Lindja apo Perëndimi. Vetëm mendimtarët e këtillë do të arrijnë të kuptojnë që çdo rreth kulturor është sistem në vete, i cili në fund shpie tek i njëjti qëllim, e ai është përmirësimi i qenies njerëzore (ndonëse rrugët për të humaniteti dhe humanizmi i njeriut janë të ndryshme). Kjo është vetëm faza e parë, e cila na mundëson t’i qasemi zgjidhjes së këtyre problemeve psikologjiko-shpirtërore. Më duhet patjetër të them, që nga ky aspekt, potenciali kadrovik-mendor është i dobët kështu që e tërë situata është e keqe.
Pasivizmi – fenomen karakteristikë për shërbetorin edhe për padronin
Ç’është duke u bërë në këtë aspekt?
- Është e njohur që sistemet e pushtetit në nivelin shoqëror dhe politik janë bërë despotike dhe tiranike. Do të thotë që shura si parim demokratik është zhdukur dhe interesi i përgjithshëm është vënë në shërbim të interesit individual. Meqë me këtë edhe pushtetari edhe mendimtari janë vënë në pozicionin e më të dobëtit, e jo të fuqishmit, atëherë në bazë të psikologjisë së më të dobëtit, lind ekstremizmi i ashpër. Për këtë shkak, ajo rrezikshmëri tek pushtetari apo vetëizolimi tek mendimtari, ka bërë që ata të përdorin metoda të dhunshme për të dalur nga situata e tillë. Përdorin forcën që t’i mbulojnë dobësitë e tyre. Religjioni dhe simbolet e tij, terminologjia e tij, shfrytëzohen për të frikësuar, tmerruar dhe rrënuar. Atëherë, besimtari i thjeshtë – muslimani, gjendet në pozicionin midis burgut me të cilin e kërcnon qeveria dhe Xhehennemit me të cilin e kërcnojnë teologët. Thjeshtë, qeveria kërcnon, e ulemaja qorton. Ata nuk e bëjnë këtë pse janë të fuqishëm dhe të pushtetshëm, por pse janë të dobët dhe të rrezikuar. Po t’u ndihmojmë edhe të parëve edhe të dytëve, mendimtarëve dhe pushtetarëve që të ndjehen jo të rrezikuar, që nga pozicioni i rrezikshmërisë të dalin në pozicionin e normalitetit, atëherë do të ishte e mundur që gjërat gradualisht të fillojnë të lëvizin nga vendi. Kjo situatë që është e keqe dhe të cilën janë munduar shumë që ta përmirësojnë, e nuk kanë arritur, është përpjekur Gazaliu me “ripërtëritjen e diturive fetare”. Mirëpo, pavarësisht nga këto orvatje edhe më tej ka vazhduar despotizmi i pushtetarëve. Dhe kjo tashmë vazhdon një kohë të gjatë, sa që ka dobësuar vullnetin te poulli i thjeshtë, tek Ummeti. Individi në shoqërinë e tillë është bërë konsumator, nuk është ndërmmarrës dhe nuk është më optimistë. Ai me këtë është bërë konsumues i atyre vlerave, të cilat kryesisht na vijnë nga Perëndimi. Ky pasivizëm është fenomen karakteristikë për sherbëtorin edhe për zotëriun. Robi, përkatësisht shërbetori është pasiv dhe ai s’ka iniciativë. Karakteristika themelore e shtetasit-shërbetor është që ai vazhdimisht rri në frikë.
Si të tejkalohet kjo gjendje?
Kjo mënyrë jo e lirshme e të menduarit nuk mud të evitohet te njerëzit të cilët tashmë janë të pjekur, të formuar. Edukimi i personit të lirë (kjo ndjenjë) mund të formohet tek fëmija dhe atë në një periudhë të caktuar të zhvillimit të tij. Të themi, dikush e përdor alkoolin dhe drogën dhe me këtë e di se është i varuar për to, por vetëm dija se ai është i varur për to nuk është e mjaftueshme. D.m.th. kjo duhet të zgjidhet në mënyrë pedagogjike. Është i njohur hadithi që thotë: “Më i miri, më i suksesshmi në xhahilijjet do të jetë më i suksesshmi në islam”. D.m.th. kjo komponent mendore – njohëse mund të ndryshojë gjatë tërë jetës. Mirëpo, kjo e dyta – komponenta edukativo psikoligjike, përkatësisht mentaliteti i shtetasit – rob nuk mund të ndryshojë. Ja, ky është procesi për këtë gjeneratë muslimanësh. Reformën mendore duhet ta shoqërojë reforma e sistemit edukativ dhe arsimor. E ky sistem edukativ duhet të jetë i orientuar nga fëmija, nga interesat e tij. Shikojeni Evropën – sapo realizuan reformën e mendimit, bën përpjekje kolosale në reformën e edukimit dhe pedagogjisë. Ajo reformë nuk duhet të jetë vetëm mendore apo kulturologjike, por ajo duhet të ketë edhe dimensionin pedagogjik dhe psikologjik. Kur’ani kerimi shumë qartë na tregon për këtë fenomen. Kur Izraelitët ishin robër në Egjipt, dhe kur tek ata ishte formuar mentaliteti i shtetasit-rob, kur All-llahu (xh. sh.) deshi të jetë i drejtë ndaj tyre, deshi t’u ndihmojë – e urdhëroi Musaun që t’i shpjerë në Sina. Atje prej tyre kërkoj që të punojnë, të ndërtojnë, të prodhojnë. Ata u përgjigjen si të nënshtruar, si robër. Thanë a ka në Palestinë territor për popullin dhe u frikësuan të shkonin atje. Ata i thanë Musaut: shkoni ju dhe zoti juaj dhe luftoni kundër atyre popujve. Ky, pra është pasivizëm. All-llahu (xh. sh.) atij pasivizmit të tyre i dha zgjidhje në dy mënyra. Së pari ua mbolli përsëri mendimin, vizionin universal, dhe nga ana tjetër, kulturalisht i pastroi. Për këtë arsye i shpalli Musaut psalmë-pllakat ku çdo gjë që duhet të bëjnë ishte shkruar dhe urdhëruar aty. Me këtë faktikisht praedukoi tërë popullin dhe i urdhëroi që 40 vjet të bredhin nëpër Sina, e kjo me qëllim që të edukojë gjeneratën e re të njerëzve të lirë. Sfida jonë për Ummetin është si të edukojmë gjeneratën e re të njerëzve të lirë.
Si të edukojmë njerëz të lirë
Vërtet si?
- I kam ndërmend rastet – nëse ne jetojmë me mentalitetin e të nënshtuarit dhe nëse jemi skllevër aspektësh të ndryshme – si është e mundur që një gjeneratë e këtillë njerëzish të edukojë një gjeneratë njerëzish të lirë. Kjo është e mundur. Një njeri me këmbën e thyer mund të jetë trajner shumë i suksesshëm i një skuadre që luan mirë. Ne ptajetër duhet të vëmë dorën në çelsin e zgjidhjes së problemeve në shoqëri. Duhet ta rrotullojmë çelsin. Kjo duhet të bëhet me urdhëresë – direktivë, e cila në rrugë jo të dhunshme do ta lëvizte një procs të tërë, me kusht që ndryshimet të fillojnë nga koka dhe zemra, nga ndryshimi i vetë psikës. Çelsi i ndryshimeve, thamë, nuk janë zyrtarët dhe nuk janë institucionet, nuk është qeveria, por qeveria është ajo që duhet t’u përgjigjet presioneve. Kështu institucionet e shtetit dhe zyrtarët pashmangshëm duhet t’i përgjigjen presionit të intelektualëve dhe të tjerëve të cilët do të kërkojnë reforma dhe ndryshime. Çelsi i këtyre ndryshimeve gjendet te prindërit. Prindërit kanë simpatinë dhe dashurinë natyrore ndaj fëmijëve për çka edhe ata do të bëjnë këtë ndryshim. Nëse mendimtarët, punëtorët kulturor, nëse intelektualët, nëse pedagogët dhe reformistët zhvillojnë metodën pedagogjike, e cila do të ishte e pranueshme për prindërit – ata këtë do ta bëjnë, ndonëse dhe vetë privatisht të mos pajtohen me të. Prindërit do të bëjnë çdo gjë që është e mundur që të jenë të sigurtë që fëmijët e tyre të jetojnë në një gjendje dhe mjedis më të mirë. Gjashtë vitet e para në edukim janë periudha më e ndjeshme dhe më e rezikshme për formimin e fëmijës pozitiv – negativ. Prindërit, pra janë çelsi i çdo gjëjë. Për këtë arsye mendimtarët, punëtorët kulturor dhe veprimtarët shoqëror nuk do të duhej që sistemin politik të pushtetit dhe institucionet t’i kuptonin si armiqë dhe që me ta të mos hapin front, por ata duhet kuptuar si rrethi më i gjerë, të cilët duhet t‘i mbrojnë dhe t’i ndihmojnë që të kryhet procesi i reformës. Fërkimet, konfliktet dhe armiqësitë që i shohim tani tek Ummeti as nuk ndihmojnë as nuk do t’i zgjidhin këto probleme. Ata vetëm duhet të mundësojnë punën, zhvillimin dhe reformën. Këtu patjetër duhet pasur kujdes në ekuilibrin e aspektit politik dhe mendor. Politikani nuk e duron kritikën dhe ai vetëm mobilizon njerëz rreth vetes. Politikanit i intereson masiviteti, e mendimtarit shkenca. Prandaj duhet të ketë shkenca të specializuara, të cilat do të vendosin ura bashkëpunimi. D.m.th. ky është rast për mendimtarin dhe mendimin që të kryeje funksionin e vet në reformën dhe zhvillimin e atij potenciali, e për politikanin dhe qeverinë e tij që të përkrahe atë proces. Reforma fillon nga mendmtarët, të cilët duhet t’u ndihmojnë politikanëve, sepse ata duhet t’ua mundësojnë që të zbatohet reforma, e cila do të jetë në interes të shoqërisë dhe qeverisë. Koncepti i konfliktit i cili është aktual tani në botë, e ka sjell njerëzimin në një situatë shumë të vështirë. Të gjithë njerëzit e mençur duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë dramë. Islamit duhet t’i jepet rasti që të vendos paqen e vërtetë, e cila mbështetet në bashkëjetesën e civilizimeve dhe dialogun, e jo në përplasjen e tyre.
Muslimanët në botë gjtihnjë e më shumë imitojnë perëndimin...?
- Imitimi është kryesisht pasimi i verbër pas dikuj. Kjo zaten është zgjidhja më e lehtë. Imitimi bëhet kryesisht në mënyrë të pavetedijshme. Nuk jemi të vetdijshëm çka marrim dhe prej kujt marrim. Në këtë mënyrë natyra e interaksionit njerëzor, shkatërron një sistem të tërë kulturor që ekziston. Ai i cili nuk është i vetëdijshëm se çfarë duhet marr prej Perëndimit është i ngjashëm me një njeri i cili qendron para dollapit plot ilaqe dhe merr vetëm ato që i pelqejnë nga ngjyra. Çdo gjë në këtë botë është një sistem. E natyra e sistemit është që ai ka mënyrën e vet të funksionimit, d.m.th. ka rregullat si punon. Çdo mospërfillje e atyre rregullave dhe e mënyrës së funksionimit shkakton destruksionin e sistemit. Ajo që Perëndimi ka arritur në fushën e shkencave natyrore bazën e ka në konceptin e pranimit të sistemit. Në realitet, kulturat dhe civilizimet janë sisteme.
Fjala është për rrezikshmërinë e të kuptuarit të tillë jo të plotë. A mund të na sqaroni këtë më për së afërrmi?
Per shembull – e dimë se organizmi njerëzor është një sistem. Ai ka rregullat sipas të cilave funksionon. Çdo veprim i pamatur ndaj atij sistemi është i dëmshëm. Ja, per shembull të marrim oksigjenin. Nëse mendoni se oksigjeni është i dobishëm në çdo situatë gaboheni. Nëse e marrim oksigjenin nëpërmjet hundës, atëherë është i dobishëm, por nëse e marrim nëpërmjet venave do të jetë vdekjeprures për njeriun. Thjesht, nuk ka rëndësi çfarë marrish, apo çfarë mësosh, por si e marrësh dhe si e mësosh. Dhe kjo i përgjigjet sistemit tënd sipas të cilit funksionosh. Civilizmi modern Perëndimor në disa segmente pajtohet me civilizimin islam, por në disa tjera dallon. Kultura perëndimore është materialiste. Ato që i shohim nga dukuritë në rendin dhe sitemin ndërkombëtar, që shohim këta nacionalizma, politikën e forcës dhe të a.q. interesat nacionale dhe konflikte tjera, që të gjitha këto, që në të vërtetë, janë bërë legjitime, bëjnë një ligj, e ai është ligji, i cili i jep të drejtë forcës. Kuluta dhe civilizmimi islam është civilizim ku e drejta është premisa themelore. Premisë themelore është edhe vëllezërimi i njerëzve (humanizmi). Pluralizmi, poashtu është çështje esenciale, komunikimi gjithashtu. Prandaj, çdo transmetim dhe çdo kopjim dhe përvetësim që është i verbër është njësoj si transplantimi i organit të cilin organizmi s’mund ta pranojë. Shikoni, bota islame erdhi në kontakt me Perëndimin përpara Japonisë dhe popujve tjerë, por megjithatë, jemi të vërbuar nga ajo që ka arritur Perëndimi. Mirëpo, të arriturat materiale i përkasin trupit, kurse ato shpirtërore janë diçka tjetër. Këtu, për sa i përket të arriturave pozitive të Perëndimit, Japonia është shumë më lartë. Arsyeja është që ata moren atë që u duhej. Një gjë është të marrësh pa vetëdije, e diçka tjetër është të marrësh me vetëdije. Ne nuk i marrim të arrituart materiale nga Perëndimi në mënyrë që ato të jenë të përshtatshme për ne. Kjo shpjegon që musliamnët edhe përkundër të gjitha përpjekjeve të reformës së ssitemit arsimor dhe dërgimit të studenteve jashtë, janë të pasuksesshëm. Ajo që atyre u jepet nuk i përgjigjet natyrës së tyre. Duhet ndërprerë këtë sjellje imituese.
Bota islame e rrethuar nga aleancat e mëdha botëtrore
Paqja botërore është rrezikuar – është rrezikuar nga koncepti i konfliktit të a.q. civilizimeve të mëdha?
- Në shekullin e fundit kemi vërejtur zhvillimin e dukurive dhe fenomeneve të rrezikshme në Perëndim. Në Perëndim janë zhvilluar potenciale kolosale: ekonomike, ushtarake etj. mbi bazën e konfliktit dhe të luftës kundër tjetrit. Në qoftë se në themelin e kësaj aleance është lufta, atëherë kjo është shumë e rrezikshme për botën. Nga ana tjetër, bota islame është e rrethuar nga aleancat e mëdha botërore. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një aleancë, Evropa është një tjetër, aty janë edhe Rusia, India. Të gjitha këto aleanca në themel kanë një përcaktues të përbashkët që në mërrëdhëniet ndërkombëtare për bazë kanë – konfliktin dhe të gjithë ata e kanë sjell në rrethim botën islame. Bota islame është e ndarë edhepse ka potencial kolosal. Ky mosunitet dhe potenciali kolosal, pastaj aleancat e mëdha që i kanë rrethuar muslimanët, kanë bërë që ata faktikisht të jenë një botë –vakuumi. Të gjitha këto shtete të mëdha, aleanca të mëdha punojnë si ujqët që të mbushin atë zbrazëtirë. Dhe kjo është ajo përse është rrezikuar paqja botërore. Prandaj, uniteti i botës islame do të plotësojë atë vakuum dhe me këtë do të vendose përsëri ekuilibrin ndërkombëtar që pashmangshëm do të sjell bashkëpunimin dhe partneritetin, e të flakë konfliktin. Së këndejmi kjo gjysmëhënë e “mallkuar” nëse do të rezultojë me unifikimin dhe bashkimin e botës muslimane, do t’i shërbejë jo vetëm botës islame, por gjithë botës. Ummeti patjetër duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë kontribut të tij paqes botërore për të shpëtuar veten dhe poashtu për t’i mbrojtur tjerët prej vetes.
Ummeti nuk është unik?
- Me siguri që bota islame ka emruesin e përbashkët – ai është kultura. Po të shikojmë botën islame si shoqëri, do të shohim se atë nuk e bashkon asnjë komb, etnitet, gjuha as gjeografia. Por, gjithashtu do të vërejmë që e tërë ajo botë islame ka mbetur prapa dhe në dekadencë. Kjo do të thotë që kultura është struktura themelore që formon mentalitetin në çdo individ të atyre popujve. Shumë kultura në ato kultura janë unike. Ne këtë e quajmë – “uniteti në dallime”.
Çfarë përshtypjësh keni nga këto vende të Ballkanit?
- Unë jam nga Mekkeja. Në çdo vend musliman jam në vendin tim dhe në mesin vellëzërve të mij. Nëse ju, që jeni fisnikë, e shihni që është mirë, me siguri edhe përshtypjet e mia do të jenë të tilla.
Intervistë e huazuar nga: Preporod, nr. 15/ 2004.
Përktheu: Mr. Muhidin Ahmeti
Për të dërguar koment së pari duhet të Kyçeni ose të Regjistroheni në mesazhi.comReklama 229 x 170.png)
Mr. Bashkim Aliu
Nexhmedin Spahiu
Mr. Ajni Sinani
Mr. Muhidin Ahmeti
Nexhmedin Spahiu
Artan Musliu
Blerim Gashani
Mr. Iljasa Salihu
Xhevahire Abazi
Milazim MUSTAFA
Opinione te lexuesve
Merjem Gashi
Reklama 228 x 90.png)