Image 01 Image 02 Image 03 Image 03
echo content

artikuj
 

Ekonomia dhe Sistemi Financiar Islam


E enjte 22 Gusht 2013 10:05

 

Në dekadat e fundit jemi dëshmitar të rritjes së bankimit Islam,1 rritje të paparë deri me tani në industrinë bankare konvencionale. Ekspertët e Sheriatit2, ekonomisë, dhe financave janë bashkuar dhe kanë kontribuar që ky sistem të pastrohet prej gjërave të ndaluara3, në mënyrë që të jetë i pranuar edhe prej atyre të cilët për shkak të principeve dhe arsyeve fetare kanë hezituar t’i përdorin shërbimet e ofruara prej institucioneve financiare konvencionale.

Ekonomia Islame

Besimi dhe koncepti Islam se pronar absolut i gjithë pasurisë botërore4 është vetëm Allahu xh.sh. dhe se njeriu është vetëm shfrytëzues i përkohshëm, është indikator i mjaftueshëm që të ndryshoj qasjen e Islamit ndaj ekonomisë dhe çështjeve ekonomike. Barazia sociale/shoqërore është qëllimi dhe synimi final i ekonomisë Islame. Ndër veçoritë kryesore të ekonomisë Islame mund të përmenden si më poshtë:

1. E gjithë pasuria i takon vetëm Allahut (Allahu është pronar absolut)

2. Njeriut i është lënë pasuria në mirëbesim (që ta shfrytëzon sipas mësimeve të Zotit)

3. Grumbullimi i pasurisë është i ndaluar

4. Qarkullimi i pasurisë është detyrë dhe obligim për Muslimanin

Nëse i kuptojmë mirë dhe drejtë këto veçori të ekonomisë Islame do të jemi në gjendje t’i identifikojmë disa aktivitete ekonomike dhe financiare të cilat janë në pajtim apo kundërshtim me këto veçori. Allahu ka krijuar tokën dhe gjithçka përmban vetëm për njerëzimin, prandaj njeriu duhet të punoj në mënyrë që të siguroj pjesën e tij që i takon nga kjo pasuri si dhe ekzistencën e tij në këtë botë. Njeriu do të jap llogari para Allahut xh.sh. për pasurinë e tij, se si e ka fituar dhe si e ka harxhuar. Fitimi i cili vjen si rrjedhojë e punës personale është jo vetëm detyrë e Muslimanit por edhe virtyt i lartë njerëzorë. Varësia e atij që nuk mundohet (përtacit), në krahë të punëtorit (pa përtacit) është një mëkat fetarë, njollë shoqërore dhe përulësi e turpshme.

Të gjitha mësimet e përmendura më lartë mbështeten fuqishëm në pikëpamjen dhe qasjen e Islamit ndaj jetës së kësaj bote. Njeriu si krijesë është përgjegjës para Krijuesit dhe do të shpërblehet apo dënohet në botën tjetër për atë që ka bërë apo nuk ka bërë sipas mësimeve të ofruara prej Krijuesit. Secili prej nesh do të jap llogari para Allahut xh.sh. 1) si e ka fituar pasurinë; 2) si e ka ruajtur; 3) si e ka harxhuar? Mirëqenia sociale dhe shoqërore arrihet vetëm atëherë kur njerëzit lidhen fort për konceptin e vëllazërisë dhe drejtësisë si mjete esenciale që rrjedhin prej Islamit5. Lakmia dhe egoizmi janë sëmundje të cilat e prishin rendin shoqërorë dhe ekonomik të një vendi. (Chapra 1993) Përderisa shoqëritë sekulare/jofetare nënvlerësojnë nevojën për zhvillimin moral, tani të gjithë ata shprehin përkushtimin e tyre ndaj zhvillimit me drejtësi. Në këtë drejtim zhvillimi i drejtë material nuk është i mundur pa zhvillimin/formësimin moral të shoqërisë. Prandaj me zhvillimin moral të shoqërisë arrihet shfrytëzimi efikas dhe i drejtë i të gjitha resurseve shtetërore.

Në nivelin shtetëror, grumbullimi i pasurisë (Zekati, Sadakaja, Taksat etj) dhe shpërndarja e tyre duhet të bëhen në mënyrë të drejtë. Të gjitha kategoritë sociale të përmendura qartë në Kur’an duhet të përfshihen tërësisht në këtë shpërndarje.

Sistemi Financiar Islam

Bankat, Sigurimet (Tekaful), Tregu i Kapitalit, Tregu i Parasë, Kompanitë Financiare, etj. janë të gjitha pjesë e sistemit financiar Islam. Të gjitha këto entitete/institucione punojnë sipas principeve Islame të cilat janë rrjedhojë e vendimeve të bordeve të Sheriatit. Secili institucion financiar Islam është i obliguar ta ketë bordin e Sheriatit. Anëtarët e këtyre bordeve duhet të kenë njohuri përkatëse, aftësi krahasuese/analogji, si dhe të jenë njerëz me autoritet dhe besueshmëri në vendet ku punojnë dhe jetojnë.

AAOIFI6 është një organizatë ndërkombëtare me seli në Bahrejn e cila përpilon standarde financiare7 për institucionet financiare Islame e cila është themeluar në vitin 1999. Ndërsa, në vitin 2002 është themeluar IFSB8 në Malajzi e cila merret me përpilimin standardeve të ndryshme bankare dhe financiare të cilat rregullojnë operimin e institucioneve financiare Islame. AAOIFI dhe IFSB nuk kanë mekanizma që t’i detyrojnë institucionet financiare Islame që t’i zbatojnë këto standarde por ato merren nga bankat Islame dhe institucionet tjera financiare Islame me vetë dëshirë, edhe pse ekziston një gatishmëri nga Bankat qendrore të disa vendeve që t ‘i imponojnë këto standarde me ligj9.

Kontabiliteti që lidhet ngushtë me sistemin financiar Islam ka për detyrë: grumbullimin, evidentimin, verifikimin, analizimin, dhe përgatitjen e raporteve financiare me qëllim që të siguroj pronarët e institucioneve se biznesi dhe operimet e tyre janë në pajtueshmëri të plotë me rregullat e Sheriatit si dhe është duke i përmbushur objektivat e Sheriatit dhe ekonomisë Islame të vendit. Qëllim sekondar i kontabilitetit në Islam është të paraqesë gjendjen reale të një kompanie në raport me stabilitetin dhe profitin për periudhën e caktuar. Të gjithë kontabilistët dhe financierët duhet t’i kenë parasysh Ajetet Kur’anore gjatë kryerjes së punëve dhe detyrave të tyre:

* ‘O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë. dhe nga mesi juaj le të shkruajë një shkrues i drejtë dhe të mos ngurroj nga të shkruarit ashtu siç e ka mësuar Allahu10’...

* ‘E mos e ngatërroni te vërtetën me te pavërtetën dhe me vetëdije ta fshihni realitetin11

* ...’mos matni e as mos peshoni mangët12’...

Nëse këto mësime kuptohen drejt dhe fillohen të praktikohen së pari prej individit, respektivisht prej vet nesh, atëherë edhe si shoqëri e tërë do t’i përmirësojmë kushtet socio-ekonomike të vendit. Allahu xh.sh. e di më së miri!

 

Drejtor Ekzekutiv | Institucioni Mikro Financiar ‘START’ | Prishtinë

 

 


1 15%-20% në vit

2 Legjislacioni, jurisprudenca Islame

3 Kamatës, paqartësive, bixhozit, dhe elementeve tjera të ndaluara sipas Sheriatit

4 Jo vetëm pasurisë botërore por edhe gjithë universit

5 Mr. Umer Chapra – Islam and Economic Development

6 Audit & Accounting Organization for Islamic Financial Institutions

7 Auditim, Kontabilitet, Qeverisje, Sigurime, etj

8 Islamic Financial Services Board

9 Malajzia dhe Bahrejni i kanë vendosur këto standarde në ligjin e tyre

10 Kur’an (El-Bekare – 282)

11 Kur’an (El-Bekare – 42)

12 Kur’an (Hud – 84)

 



Ekonomia dhe Sistemi Financiar Islam

Pyetja me poshte eshte per te evituar spam emailat te gjeneruara nga robotet.

6 + 6 = ?