Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Shkencė

artikuj
 

Epidemia e rezultateve tė pavėrteta

Konkurrenca dhe konfliktet e interesave po i shtrembėrojnė shumė zbulime mjekėsore

E marte 27 Dhjetor 2011 11:48

Rezultatet pozitive të manipuluara si dhe konkludime të stërmadhuara në studimet shkencore kanë arritur shkallë epidemike viteve të fundit. Problemi është i pandalshëm, në ekonomi, shkenca shoqërore, madje dhe në shkenca natyrore, dhe veçanërisht skandaloz në bio-medicinë. Shumë hulumtime që pohojnë se disa barëra apo terapi janë dobiprurëse, kanë dalë të jenë të pavërteta. Mjafton që t’i shikojmë vetëm zbulimet kontradiktore në lidhje me beta-karotinën, vitaminën C, trajtimet me hormone, Vioxx dhe Avandia. Edhe atëherë kur ato barëra tregojnë efekt, vlera e atij efekti shpesh është më e vogël sesa e pohuar.

Problemi fillon që nga publiku i cili gjithnjë pret diçka sensacionale nga shkenca. Shkencëtarët joshen, dhe janë të shtyrë, që shoqërisë t’i tregojnë se dinë më shumë se sa që dinë në të vërtetë. Numri i hulumtuesve, eksperimenteve, observimeve dhe analizave është rritur gjithashtu eksponencialisht  në shumë fusha, por mbrojtja adekuate nga polarizimi dhe njëanshmëria mungon. Hulumtimi është i fragmentuar, konkurrenca është e ashpër, dhe theksi vihet shpesh mbi dimensione të caktuara të studimeve në vend se të vihet mbi pasqyrën e tërësishme të rezultatit.

Shumë nga hulumtimet kanë ndonjë qëllim tjetër nga ai i prezantimit te së vërtetës shkencore. Konfliktet e interesave janë prezent dhe ato ndikojnë në rezultatet e nxjerra. Në shëndetësi, hulumtime kryhen me rekomandimin e kompanive të mëdha të cilat janë shtyllë financiare dhe ndikuese në rezultate. Madje edhe suksesi akademik shpesh ndikohet nga publikimi i zbulimeve në favor të kompanive. Oligopoli i revistave shkencore publikuese me ndikim të lartë ka efekt shtrembërues në financim, në karrierat e shkencëtarëve dhe gjithashtu edhe në treg. Industria e përshtat agjendën e hulumtimeve sipas nevojave të veta, dhe kjo pastaj ua përcakton shkencëtarëve prioritetet, dhe gjithashtu edhe të ardhurat e revistave publikuese shkencore.

Megjithatë, kjo krizë nuk duhet ta lëkundë besimin tonë në metodat shkencore. Aftësia për të argumentuar diçka të pavërtetë vazhdon ende të jetë një veçori negative e shkencës. Për t’iu kundërvënë kësaj, shkencëtarët duhet t’i përmirësojnë mënyrat e hulumtimit dhe mbajtjes së evidencës.

Ne duhet vazhdimisht të kërkojmë vlerësime gjithëpërfshirëse nga një palë e dytë me kritere të larta – në formë të studimeve të mëtutjeshme – për çfarëdo raporti që pohon të ketë zbuluar diçka të re. Në shumë fusha, përsëritjes së analizave dhe hulumtimeve nuk i jepet rëndësi, ose ajo bëhet në masë të vogël dhe në mënyrë të rastësishme. Për çdo hulumtim shkencor duhet të kryhet një numër i mjaftueshëm i analizave në mënyrë që të verifikohet saktësia e rezultatit dhe të mënjanohet çdo dyshim. Mënyra më e mirë për verifikimin e rezultateve do të ishte, përgatitja detale e protokolleve të eksperimenteve qysh para fillimit të hulumtimit, dhe shpalosja e të gjitha të dhënave dhe rezultateve pas përfundimit të hulumtimit. Për momentin, rezultatet shpesh prezantohen pjesërisht, duke i theksuar ato më emocionueset, dhe të huajt nuk kanë qasje në atë të dhëna që u nevojitet për përsëritjen e hulumtimit. Revistat shkencore publikuese dhe fondacionet duhet ta nxisin me këmbëngulje bërjen publike te të gjitha të dhënave dhe metodave analitike për çdo punim të publikuar. Kjo gjithashtu do të ndihmonte të vërehet, nëse shkencëtarët janë bazuar në të dhëna të pamjaftueshme apo nëse kanë përdorur metoda jo të përsosura. Gjithashtu shkencëtarët dhe sponsorët duhet të jenë transparent në shpalosjen e të gjitha interesave të dyfishta që mund t’i kenë.

Në disa fusha shkencore gjejmë përvetësime të metodave të tilla. Revistat publikuese shkencore si “Annals of Internal Medicine” dhe “Journal of the American Medical Association” i udhëzojnë autorët t’i përfshijnë pengesat dhe kufizimet gjatë hulumtimit; dhe shumë revista të tjera kërkojnë të dinë për konfliktet e interesave - nëse lloji i rezultatit të hulumtimit përkatës sjell dobi materiale për sponsorin dhe hulumtuesin. Zbatimi praktik gjithëpërfshirës i këtyre mënyrave vlerësuese natyrisht se nuk do të jetë i lehtë.

Shumë shkencëtarë të punësuar në vende të rangut të lartë do të refuzojnë hapjen e plotë të dosjeve të tyre. Edhe më e rëndësishme se kjo është fakti se, hulumtimet rrënjësore janë braktisur që moti nga industritë farmaceutike dhe bio-medicinale, të cilat nganjëherë bëjnë dhe raportojnë për studime në mënyrën më të favorshme për shitjen produkteve të tyre. Kjo është për të ardhur turp! Hulumtimet që bazohen në evidenca klinike dhe hulumtimet mbi popullsinë dhe njerëzit, që janë në rritje e sipër, duhet të përpilohen dhe përgatiten jo nga industria por nga shkencëtarët që nuk kanë ndonjë interes material apo konflikt të interesave.

Duhet të tregohet pasaktësia e zbulimeve eventuale që kanë të bëjnë me vendimmarrjen gjatë mjekimit dhe strategjitë mjekuese. Është plotësisht e pranueshme si për pacientin ashtu edhe për mjekun që ta zbatojnë një terapi, duke u bazuar në informata, që për shembull e kanë shansin të jenë vetëm 1 % të sakta. Mirëpo, ajo që kërkohet nga shkencëtarët është të qëndrojnë të sinqertë gjatë prezantimit të këtyre statistikave.

 

Scientific American




Pyetja me poshte eshte per te evituar spam emailat te gjeneruara nga robotet.

5 + 5 = ?


Komentet

Ky artikull eshte komentuar 1 here
  • Sejdi Raci E marte 27 Dhjetor 2011 16:58

    Shume i qelluare ky artikull.

    Reply

REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i lajmeve