Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Artikuj

artikuj
 

Forca e sė drejtės

Pasha Zotin, imani nuk thyhet kurrė jo, nė histori ėshtė e vulosur kjo. Duart nė pranga, brinjėt mi copėto, nė qafė ma vėr thikėn, trupin ma fshikullo, por idenė time kurrė nuk e rrethon imanin dhe besimin kurrė se ndalon. Nė zemėr ka hedhur shtat drita e urtėsisė dhe zemrėn ia kam besuar Zotit tė gjithėsisė. Ndihmėsi mė i mirė ėshtė Ai pėr mua, si mbrojtės vetėm Atė unė dua. Do tė jetoj i kapur pas besimit tim do tė vdes i buzėqeshur qė tė rrojė besimi im.

E marte 7 Shkurt 2012 21:50

Nga Amër Halid

 

Menjëherë pas përfundimit të debatit, faraoni u çoi fjalë dhjetëmijë magjistarëve me qëllim që ta sfidojnë Musain (a.s.). Kurani fisnik e ka ilustruar këtë përballje mes profetit Musa (a.s.) dhe magjistarëve në suren Taha dhe Shuara.

Që ta keni më të lehtë të përfytyroni ditën kur Musai (a.s.) doli para dhjetëmijë magjistarëve, u kërkoj të imagjinoni një amfiteatër të madh, të mbushur plot me njerëz, të etur për të para se çfarë do të ndodhë. Në mes të amfiteatrit, ndodhet faraoni me elitën e tij të rrethuar nga eskorta e ushtarëve.

Vlera që duam të përcjellim nga përballja mes Musait (a.s.) dhe magjistarëve është se e drejta është më e fortë se çdo forcë tjetër. Nëse ke të drejtë, dije se ti je më i fuqishëm se kushdo tjetër. Prandaj kurrë mos kij frikë nëse je në të drejtë. Kurrë mos u druaj nga deklarimi i të drejtës. Kurrë mos i kthe shpinën të drejtës nga frika, apo nga ndonjë interes material. Kurrë mos e vendos të drejtën në një anë dhe interesin personal në anën tjetër dhe të zgjedhësh këtë të fundit. Dije se e drejta do të triumfojë sido qofshin rrethanat. Zoti thotë në Kuran:

"Por Ne e godasim të pavërtetën, me të vërtetën, e cila e shkatërron atë dhe ajo zhduket." (Enbija, 18)

"Thuaj: “E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket!" (Isra, 81)

Por kjo ndodh kur e drejta ka burra që e mbajnë dhe ua përcjellin brezave. Në të kundërt, e pavërteta i zë vendin të pavërtetës, e padrejta të padrejtës, zullumi zullumit, e liga të ligës.

 

Dita e premtuar

Siç e cekëm dhe më lart, faraoni bëri një gabim të madh kur pranoi që sfida mes profetit Musa (a.s.) dhe magjistarëve, të bëhej ditën e festës. Atë ditë kishin ardhur me mijëra njerëz dhe ishin në pritje të përballjes të së drejtës me të shtrembëtën.

Kjo ditë ishte festë kombëtare për egjiptianët dhe duke zgjedhur këtë ditë, Musai (a.s.) sikur u thoshte se Egjipti ishte vatani i tij dhe se ai nuk ishte kundër tyre, se ai ishte pjesë e Egjiptit dhe festonte të njëjtën festë si ata.

Njerëzit e shumtë kishin mbushur vendin, pasi kishin dëgjuar se një burrë i vetëm, po sfidonte faraonin dhe të gjithë magjistarët e tij. Veç kësaj, pjesëmarrja në këtë shfaqje ishte falas, pasi ishte në një ambient publik dhe jo në pallatin e faraonit.

Nga njëra anë qëndronin të gjithë njerëzit që ishin vendosur përreth, faraoni, ushtarët dhe magjistarët. Kurse nga ana tjetër, pala sfiduese ishte profeti Musa (a.s.), por që me vete kishte të drejtën dhe të vërtetën. Edhe pse i vetëm, ai nuk kishte frikë dhe droje, sepse ishte me të vërtetën e të drejtën. Kudo që të jesh, bëhu palë me të drejtën, në familje, në punë, në shkollë, në rrugë, në lagjen dhe qytetin ku jeton.

Në ballkonin kryesor të amfiteatrit qëndronte faraoni. Në krah kishte gruan e tij Asijen, të cilës i rrihte zemra fort për atë që mund t'i ndodhte djalit të saj të birësuar. Në krahun e majtë të faraonit qëndronte Hamani. Të dy kishin rënë në ujdi që me të triumfuar magjistarët, pasi ishin të sigurt për këtë, Musai (a.s.) do të ekzekutohej. Është e sigurt që edhe Musai (a.s.) e imagjinonte një përfundim të tillë. Asija ishte në siklet të madh, pasi edhe ajo e dinte se çfarë do të ndodhte nëse magjistarët triumfonin. I shqetësuar ishte edhe faraoni, i cili edhe pse i bindur se dhjetëmijë magjistarë do ta thyenin një person të vetëm, kishte dyshime se mund të ndodhte e kundërta. Atij i kujtohej shumë mirë shkopi i Musait (a.s.) që ishte shndërruar në një gjarpër të madh dhe të frikshëm.

Rreth faraonit kishin ardhur edhe oborrtarët e tjerë dhe burrat më të lartë të shtetit. Mes tyre ishte dhe kushëriri i faraonit, i cili do të besojë në mesazhin e Musait (a.s.).

Kur dhjetëmijë magjistarë dolën para faraonit dhe publikut, Hamani u thirri:

"Prandaj, bashkojini magjitë tuaja dhe ejani me radhë. Do të fitojë sot ai që ka epërsi!” (Taha, 64)

Të gjithë magjistarët u vunë në rreshta dhe prisnin ardhjen e Musait (a.s.). Që nga çasti kur hynë dhe më vonë, ata u shoqëruan me duartrokitje, fërshëllima dhe brohoritje. Skena ku do të zhvillohej sfida ishte e rrethuar plot e përplot me ushtarë, të cilët kishin marrë urdhër që me t'u thyer Musai (a.s.) ta ekzekutonin.

Pa dyshim që këtë sfidë duhet ta kenë ndjekur edhe një numër sado i vogël nga Benu Israilët. Edhe pse nuk kemi më shumë të dhëna, nëse kanë marrë pjesë apo jo, ata duhet të jenë vendosur në një qoshe, kokulur dhe të frikësuar, duke parë se çfarë do të ndodhte.

 

E vërteta triumfon në çdo kohë

Edhe pse i vetëm, para dhjetëmijë magjistarëve, faraonit dhe ushtrisë së tij, e vërteta triumfon. Prandaj kurrë mos të të vijë zor nga e vërteta dhe e drejta. Kurrë mos të vijë zor nga hixhabi yt oj motër! Kurrë mos të të vijë zor nga besimi që ke përqafuar! Nëse kompania ku punon të kërkon të falsifikosh dokumente, gjë e cila është e jashtëligjshme, mos e prano këtë! Thuaje të vërtetën siç është dhe vepro sipas saj! Thuaje të vërtetën në familjen tënde! Kurrë mos prano të dëshmosh rrejshëm! Bëje të vërtetën çështje të jetës tënde dhe jeto për të! Sido që të ndodhë, e vërteta do të triumfojë në fund. Mund t'i mashtrosh njerëzit për një farë kohe, por jo përgjithmonë. Sado e fortë të jetë e liga dhe zullumi, nuk krahasohet me të vërtetën. E vërteta është pjesë e një prej cilësive të Zotit.

 

Paraqitja e profetit Musa (a.s.)

Teksa shihte dhjetëmijë magjistarë, me shkopinj dhe litarë në duar dhe ushtarët e shumtë që kishin rrethuar vendin, faraoni mund të ketë menduar se Musai mund të mos shkonte. E si do të dilte i vetëm para dhjetëmijë magjistarëve më të mirë të Egjiptit?

A do paraqiteshe ti o vëlla dhe oj motër, po të ishe në vendin e Musait (a.s.)? Patjetër që duhej të shkoje. Duhet që dikush ta thotë dhe ta deklarojë të vërtetën ashtu siç është. Ti duhet të paraqitesh edhe pse mund ta dish se mund të humbasësh jetën. Por e vërteta është më e shtrenjtë se jeta dhe gjithçka tjetër.

I madh është profeti Musa (a.s.). Ajo që dëshmon madhështinë e tij është se pas vdekjes ai qëndron në qiellin e gjashtë, një stacion para Sidretul Munteha. Ai ishte shumë i shtrenjtë dhe i dashur për Zotin, i cili e ka deklaruar në Kuran: "Unë të kam zgjedhur ty për Vete." (Taha, 41)

Në çastin kur hyn profeti Musa (a.s.) i shoqëruar nga Haruni, ndoshta, i gjithë publiku ka mbajtur frymën duke pritur me habi dhe kureshtje se çfarë do të ndodhte më pas.

Qëllimi i magjistarëve me këtë përballje ishte që të fitonin ca të holla më shumë. Këtë e deklaruan kur dolën para faraonit të cilit i thanë: "Dhe kur erdhën magjistarët e Faraonit, thanë: “A do të shpërblehemi, nëse fitojmë?” Faraoni tha: “Po, dhe do të jeni nga më të afërmit e mi.” (Araf, 113-114)

Faraoni, jo vetëm që u premtoi shpërblim, por u premtoi edhe poste e privilegje të tjera. Ai do t’i caktonte në poste të larta në pallatin e tij. Magjistarët thanë: “Për madhërinë e Faraonit, me të vërtetë, Ne do të jemi patjetër fitues!” (Shuara, 44)

Shpeshherë, kur gjendemi në situata të vështira, edhe pse kemi të drejtë dhe jemi në anën e të vërtetës, na lidhet goja, nuk dimë ç'të themi dhe pyesim veten: "Po unë çfarë dua këtu?!". Ndërsa Musai (a.s.) vazhdonte me këmbëngulje dhe pa u lëkundur t'i qëndronte misionit me të cilin e kishte ngarkuar Zoti. Para se të fillonte sfida, Musai (a.s.) doli para të gjithë magjistarëve dhe pa iu dridhur qerpiku u foli: "Musai u tha atyre: “Të mjerët ju! Mos trilloni gënjeshtra për Allahun, duke bërë që Ai t’ju shkatërrojë me dënim. Do të dështojnë me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra!” (Taha, 61)

Në një rrëfenjë, thuhet se kur Musai (a.s.) iu drejtua magjistarëve me fjalët: "Musai u tha atyre: “Të mjerët ju! Mos trilloni gënjeshtra për Allahun, duke bërë që Ai t’ju shkatërrojë me dënim. Do të dështojnë me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra!” (Taha, 61), i erdhi Xhibrili (a.s.) dhe i tha: "O Musa! Sillu më butësisht me evliatë e Zotit (njerëzit e Tij më të dashur)!" Musai (a.s.) e kishte të vështirë ta kuptonte si ishin evlijatë e Zotit, magjistarët, që në fakt ishin armiqtë dhe kundërshtarët e Tij. I habitur nga kjo, Musai (a.s.) i tha: "O Xhibril! Këta janë armiqtë e Zotit!"

Xhibrili (a.s.) ia ktheu sërish: "O Musa! Sillu më butësisht me evliatë e Zotit! Nga paraditja gjer pasdite, ata do të jenë këtu me ju. Por më pas, do të jenë pranë Zotit, në xhenet."

E kujt mund t'i shkonte në mendje që ata të cilët kishin ardhur për të fituar simpatinë e faraonit dhe të mirat e tij materiale, në një çast do të shndërroheshin në njerëz të dashur tek Zoti?! Ti je shumë i dhembshur dhe i dashur me krijesat e Tua, o Zot! Shpresa jonë për të hyrë në xhenet është shumë e madhe, o Zot! Ne jemi të mbushur gjithë optimizëm dhe shpresë se do të na i falësh gjynahet tona! Është e vërtetë që kemi gjynahet dhe gabimet tona, por Ti o Zot je i dashur dhe i dhembshur. Ashtu siç u penduan dhjetëmijë magjistarë, edhe ne pendohemi o Zot.

Magjistarët i dëgjuan këto fjalë dhe i kuptuan. Menjëherë filluan të diskutojnë me njëri-tjetrin, gjë të cilën e përmend Zoti në Kuran ku thotë: "Ata diskutuan me njëri-tjetrin për punën e tyre, duke pëshpëritur fshehurazi." (Taha, 62)

Dikush mund të ketë thënë se fjalët që tha Musai (a.s.) ishin të vërteta. Të tjerët ndoshta i kanë kërkuar të heshtë, pasi aty ndodhej faraoni dhe elita e Egjiptit. Pra, sipas ajetit duket se filluan divergjencat mes tyre. Edhe pse të gjithë magjistarët kishin ardhur ta sfidonin Musain (a.s.) dhe të merrnin shpërblimin e faraonit, Musai (a.s.) u ishte drejtuar me fjalë të drejta. Sfidën e tij ai e kishte filluar me një këshillë të sinqertë. Nëse të jepet rasti ta thuash një fjalë të drejtë, thuaje sido që të jetë situata. Mos mendo se nuk do të bëjë dobi. Vetë rasti i Musait (a.s.) është tregues se fjala e drejtë ka peshë dhe zë vend.

Disa nga magjistarët e njohën Musain (a.s.) se nuk ishte magjistar, nga tiparet e fytyrës dhe nga fjalët që tha. E vërteta dallohet që nga mënyra si të ofrohet.

Abdullah ibnu Selam ishte rabin (dijetar çifut) dhe jetonte në Medinë. Kur i thanë që një profet do të shkonte në Medinë, ai përgatiti njëzet pyetje të ndryshme, të cilat do t’ia drejtonte Profetit (a.s.). Me këto pyetje ai do e dallonte nëse ishte me të vërtetë i dërguar i Zotit, apo ishte një mashtrues.

Me pyetjet në mendje, ai shkoi të takonte Profetin (a.s.) që sapo kishte arritur në Medinë. Me ta parë në fytyrë, ai pa ia bërë pyetjet tha: “Ky është i dërguari i Zotit”. Djali i tij i tha: “O baba, po ti nuk e pyete!”. Por ai ia ktheu: “O biri im, kjo fytyrë nuk është fytyrë e një mashtruesi”.

Debatet që lindën mes magjistarëve dhe pëshpëritjet e tyre, mesa duket u vunë re nga faraoni dhe paria e Egjiptit. "Njëri prej tyre tha: “Në të vërtetë, këta (Musai dhe Haruni), janë dy magjistarë, që duan t’ju shporrin nga toka juaj me magjitë e tyre dhe të shkatërrojnë fenë tuaj tejet të mirë." (Taha, 63)

Magjistarët sikur i mblodhi kjo fjalë dhe të vendosur ta çojnë sfidën gjer në fund, iu drejtuan Musait (a.s.): "Ata thanë: “O Musa, ose hidh ti, ose të hedhim ne të parët.” (Taha, 65)

Musai (a.s.) gjatë gjithë atyre viteve kishte marrë një përvojë të konsiderueshme. Ai tashmë e kishte të qartë kur duhej të ishte ai nismëtari dhe kur duhej ta linte kundërshtarin të fillonte i pari. Ai ishte nismëtar kur doli para magjistarëve dhe i këshilloi. Kurse kur magjistarët e kërkuan të fillojë ai ose ata, ai i la ata të demonstronin aftësitë e tyre. Ai nuk u druajt aspak si nga faraoni, elita apo nga publiku i shumtë. Ajo që e bënte të qëndrueshëm dhe të palëkundur ishte besimi dhe siguria se ishte në të drejtë. Ai kishte besim dhe siguri në ndihmën dhe përkrahjen e Zotit. Ai i ishte mbështetur tërësisht Zotit dhe nuk dyshonte aspak në ndihmën e Tij. Edhe ti o vëlla dhe oj motër, nëse keni besim dhe siguri tek Zoti, do ta thoni të vërtetën. Nëse keni besim dhe i jeni mbështetur Zotit, do ta refuzoni ryshfetin dhe pasurinë e fituar në rrugë haram.

"Ai tha: “Jo, hidhni ju!”. Dhe ja tek i dukeshin atij litarët dhe shkopinjtë e tyre se po rendnin vërtet, për shkak të magjisë së tyre." (Taha, 66)

Të gjithë shkopinjtë dhe litarët që hodhën magjistarët, i dukeshin Musait (a.s.) dhe njerëzve të tjerë sikur lëviznin dhe zvarriteshin. Në një ajet tjetër thuhet: "Kur magjistarët hodhën shkopinjtë e tyre, i magjepsën sytë e njerëzve, i frikësuan ata dhe shfaqën një magji të madhe." (Araf, 116)

Edhe pse i dërguar i Zotit, edhe pse i ishte mbështetur tërësisht Atij, Musai (a.s.) duket sikur u frikësua. Këtë e përmend Zoti në Kuran ku thotë: "Atëherë Musai ndjeu frikë në vetvete." (Taha, 67)

Është e vërtetë që ai ishte i dërguar i Zotit, por në fund të fundit ishte njeri. Në të kundërt, kushdo që gjendet në pozita të tilla mund të justifikohet se ai nuk është profet dhe i dërguar që të mos frikësohet dhe stepet. Ajo që i bën profetët modelin tonë më të mirë për t'i ndjekur dhe pasuar, është se ata janë njerëz si ne. Gjithçka ne e kemi të përbashkët me profetët, edhe mrekullinë, e cila është e vërteta e përbashkët, është Kuranin fisnik. Ajo që e dallon umetin e Muhamedit (a.s.) dhe atë të Musait (a.s.), është se Zoti na ka nderuar duke ia dhënë mrekullinë e tij të pashuar të gjithë ndjekësve të tij. Ndërkohë që mrekullia e Musait (a.s.) ishte vetëm e tij dhe e askujt tjetër nga pasuesit.

Sakaq Benu Israilët e paktë që kishin ardhur për të parë, po merrnin një mësim të fortë kur shihnin se një person i vetëm nga gjiri i tyre, kishte dalë kundër dhjetëmijë magjistarëve dhe faraonit. Atë nuk e kishte vendosur në atë pozicion asgjë tjetër, përveçse dëshira për të përkrahur të vërtetën. Vallë cilës kategori i përket ti o vëlla dhe oj motër? A je si Musai (a.s.), apo si Benu Israilët që nuk u thoshin dot "jo" krimeve monstruoze të faraonit? A je i bindur se mrekullia që na ka dhënë Zoti është më e madhe se shkopi i Musait (a.s.)? Atëherë, çfarë ke bërë për ta përcjellë tek njerëzit e tjerë?

Magjistarët që merrnin pjesë në sfidë u përkisnin dy kategorive: Magjistarët, të cilët bënin numra shpejtësie dhe njerëzve u dukej si diçka e vërtetë dhe magjistarët, të cilët njihnin mirë kiminë dhe ligjet e saj. Magjistarët e kategorisë së parë hodhën litarët që të dukeshin si gjarpërinj. Kurse kimistët kishin sjellë gypa të mbushur nga brenda me zhivë. Me të prekur tokën e nxehtë, zhiva fillon e bymehet, duke lëvizur gypin. Ishin dhjetëmijë gypa dhe litarë që zvarriteshin si gjarpërinj, gjë e cila e frikësoi Musain (a.s.). Kur njerëzit panë litarët në formë gjarpërinjsh duke u zvarritur, u çuditën, mbajtën frymën dhe më pas shpërthyen në brohoritma. Faraoni nga ana e tij buzëqeshi dhe mendoi me vete "Po i vjen fundi heroit tonë!". Ndoshta mund t'ua ketë bërë me shenjë ushtarëve që të jenë gati për ta mbërthyer dhe për ta vrarë.

 

E vërteta triumfon në çdo kohë

Por Zoti e qetësoi Musain (a.s.) me fjalët: "Ne i thamë: “Mos u frikëso, se, në të vërtetë, ti do të fitosh! Hidhe atë që mban në dorën e djathtë: do të gëlltisë gjithçka që kanë bërë ata, sepse ajo që kanë bërë ata, është vetëm një mashtrim i magjistarëve; e, magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet." (Taha, 68)

Në një ajet tjetër, Zoti përdor fjalën "e vërteta" kur përmend shkopin e Musait (a.s.) që u shndërrua në gjarpër dhe i gëlltiti të gjitha magjitë e tjera. "Në këtë mënyrë, doli në shesh e vërteta dhe dështoi ajo që kishin bërë ata." (Araf, 118)

Me ta hedhur shkopin përtokë, ai u shndërrua në gjarpër të madh dhe filloi të gëlltiste magjinë dhe mashtrimin e magjistarëve. Shkopi i Musait (a.s.) përfaqësonte të drejtën dhe të vërtetën, kurse litarët e magjistarëve të kotën dhe të pavërtetën. E drejta dhe e vërteta gjithmonë triumfojnë mbi të pavërtetën dhe të padrejtën. Shkopi i Musait (a.s.) i gëlltiti dhjetëmijë litarë dhe gypa, një e nga një. Magjistarët mbanin frymën nga habia, pasi e kuptuan se diçka e tillë nuk mund të ishte magji si e tyre. Nga dhjetëmijë gjarpërinj që sollën magjistarët, tashmë nuk mbeti as edhe një prej tyre. I gjithë sheshi u boshatis, ndërkohë që publiku mbeti pa fjalë.

Gllabërimi e të gjithë gjarpërinjve të magjistarëve, ishte mesazhi më i fortë që tregonte se kësaj loje i kishte ardhur fundi. Nëse Musai (a.s.) do të kishte hedhur shkopin dhe magjistarët litarët e gypat e tyre dhe të gjithë do të ishin shndërruar në gjarpërinj, nuk do të kishte kuptim. Por, duke i gëlltitur magjitë, mesazhi ishte i qartë dhe fitorja e dukshme. Magjistarëve nuk u mbeti gjë tjetër në dorë. Shkopinjtë, gypat, litarët dhe zhiva që kishin sjellë, ishin gëlltitur nga gjarpri i Musait (a.s.).

Përballë forcës së vërtetë, magjistarët mbetën të shtangur, pa ditur ç'të bënin. E vërteta po u thërriste me të madhe që ta ndiqnin. Ata e kuptonin këtë pasi ishin të gjithë të ditur dhe shkencëtarë. Për të vërtetuar këtë, Zoti thotë në Kuran: "Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët." (Fatir, 28)

E drejta dhe e vërteta ishin para syve të tyre. Për të treguar se magjistarët e pranuan menjëherë këtë të vërtetë, Kurani thotë: " Atëherë magjistarët ranë në sexhde dhe thanë: “Ne besojmë në Zotin e Harunit dhe të Musait.” (Taha, 70)

Sikur i kishte tërhequr një magnet i fuqishëm, të dhjetëmijë magjistarët ranë në sexhde, si shenjë e përuljes ndaj Zotit. Dhjetëmijë magjistarët thirrën: “Ne besojmë në Zotin e Harunit dhe Musait.”

Vallë si është ndjerë në ato çaste Musai (a.s.)? Ndoshta ka thënë: "Të falënderoj o Zot, ashtu siç e meriton! O Zot! Ti nuk më le në baltë! Ti je Bujar dhe Zemërgjerë, o Zot! Ti je madhështor, o Zot! Një ndër emrat dhe cilësitë e Tua është "I vërteti". Përderisa unë isha me të vërtetën, edhe Ti ishe në krahun tim."

Ndoshta edhe ajo pakicë e Benu Israilëve, të cilët ishin gozhduar në një qoshe, kanë marrë zemër dhe kanë thirrur: "La ilahe il-la Allah".

Ndërkohë,tek shkallët ku ishte faraoni, elita e Egjiptit dhe publiku egjiptian i thjeshtë, kishte pllakosur heshtja. Njerëzit sikur e shihnin me dyshim tashmë faraonin dhe me sy sikur i thoshin: "Ti nuk je zot. Ti na ke mashtruar gjer sot."

Faraonit duhet t'i jetë tharë pështyma dhe mezi do jetë përcjellë nga sikleti që e kishte kapluar në ato çaste. Ndërkohë që Asijes mund t'i kenë rrjedhur lot gëzimi. Ndoshta me vete ajo ka deklaruar për herë të parë "La ilahe il-la Allah”. Edhe unë besoj në Zotin e Musait". Nga ata që besuan në ato çaste, ishte edhe besimtari nga familja e faraonit. Ai ishte djali i xhaxhait të tij. Për faraonin, ai ishte nga njerëzit më të afërt të tij, me të cilin ndante çdo sekret. Askush tjetër nuk ishte më i afërt me faraonin se kushëriri i tij. Edhe pse ishte egjiptian dhe ishte njeriu më i afërt i faraonit, ai deklaronte në fshehtësi se nuk ka zot tjetër përveç Zotit të Musait.

Vallë si ndiheshin dhjetëmijë magjistarët në ato çaste? Çfarë duhet të bënin?

Ata e vendosën të vërtetën në njërën anë dhe të gjitha problemet që mund t'u ndodhnin nëse ndiqnin të vërtetën në anën tjetër, dhe zgjodhën anën e së vërtetës. Ata vendosën të vërtetën në njërën anë dhe të gjitha privilegjet që mund të gëzonin po të mos ndiqnin të vërtetën dhe sërish ndoqën të vërtetën. Po ti, o vëlla dhe oj motër, në cilën anë ndodhesh?

Në ato çaste, në zemrat e magjistarëve u ndez shkëndija e besimit. Është ajo shkëndijë, të cilën Zoti e ka ngulitur në zemrat e të gjithë njerëzve dhe që vjen një moment dhe i ndriçon rrugën njeriut. Për magjistarët e faraonit, mjaftoi kjo përballje me Musain (a.s.), që shkëndija të ndriçonte. Për Umer ibnul Hattabin mjaftuan ajetet e para të sures Taha, që shkëndija e tij t'i ndriçonte rrugën drejt besimit. Ishte e motra ajo që i dha të lexonte suren Taha dhe pasi lexoi ajetet e saj të para, dëshmoi se nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Kjo, sepse Umer ibnul Hattabi e donte të vërtetën.

"Atëherë magjistarët ranë në sexhde dhe thanë: “Ne besojmë në Zotin e Harunit dhe Musait.” (Taha, 70)

Ishte një moment shumë i rëndësishëm, pasi do të dallohej e vërteta nga magjia dhe e kota. "Në këtë mënyrë, doli në shesh e vërteta dhe dështoi ajo që kishin bërë ata." (Araf, 118)

 

Faraoni dhelprak

Po vetë faraoni si reagoi pas këtij rezultati të papritur? Kur pa që dhjetëmijë magjistarë ranë në sexhde dhe besuan në Zotin që ftonte Musai (a.s.), ai reagoi menjëherë. Ai e kuptoi se po të heshtte, të gjithë njerëzit që kishin mbushur vendin mund të ndiqnin shembullin e magjistarëve dhe mund të besonin Musanë. Ai duhej të reagonte menjëherë në atë formë që ta ndërpriste këtë linjë të re besimi. Ai u ngrit dhe iu drejtua magjistarëve me fjalët: “Çfarë?! Ju e besuat atë, para se t’ju jap leje unë?!" (Taha, 71)

Besimi është diçka e brendshme dhe vetëm për të nuk mund të nxirret leje nga dikush tjetër. Me këtë rast, me kujtohen disa vargje të doktor Jusuf Karadavit, i cili thotë:

 

Pasha Zotin, imani nuk thyhet kurrë jo,

në histori është e vulosur kjo.

Duart në pranga, brinjët mi copëto,

në qafë ma vër thikën, trupin ma fshikullo,

por idenë time kurrë nuk e rrethon

imanin dhe besimin kurrë se ndalon.

Në zemër ka hedhur shtat drita e urtësisë

dhe zemrën ia kam besuar Zotit të gjithësisë.

Ndihmësi më i mirë është Ai për mua,

si mbrojtës vetëm Atë unë dua.

Do të jetoj i kapur pas besimit tim

do të vdes i buzëqeshur që të rrojë besimi im.

 

Duke parë se kjo nuk i eci, faraoni i akuzoi magjistarët dhe Musain për komplot kundër tij dhe gjithë egjiptianëve. Me një shpejtësi të habitshme, ai u drejtohet magjistarëve me fjalët: "Në të vërtetë, ai është mjeshtri juaj, që ju ka mësuar magjitë." (Taha, 71)

Ky është një komplot që meriton ndëshkim të rreptë. Dhe menjëherë u kumton dënimin për veprën që kishin bërë: "Unë do t’jua këpus duart dhe këmbët tuaja të këmbyera dhe do t’ju var në trungjet e hurmave. Ju do ta merrni vesh, me siguri, se cili prej nesh është më i ashpër dhe më ngulmues në ndëshkim.” (Taha, 71)

Ai urdhëroi që të gjithë magjistarëve t’u prisnin njërin krah dhe njërën këmbë, me qëllim që të humbitnin forcën për të ecur dhe për të lëvizur.

Nëse do të ishe në pozitën e magjistarëve, si do të veproje? Çfarë do të thoshe?

Dikush mund të thoshte: “Nëse çështja arrin gjer këtu, unë më mirë i kthehem besimit të vjetër. Të paktën fëmijët e mi do të kenë dikë që u siguron ushqimin. Unë e dua të vërtetën, por nuk mund të jem unë ai që e përkrah. E vërteta ka nevojë për njerëz të tjerë, si Musai (a.s.) dhe magjistarët. Unë agjëroj dhe falem, por të dal në mbrojtje të së drejtës nuk e bëj dot.” Përveç prerjes së njërit krah dhe njërës këmbë, faraoni i kërcënoi se do t’i kryqëzonte në trungjet e palmave.

Ndërkohë, Musai (a.s.) nuk fliste fare. E drejta dhe e vërteta kishte dalë sheshit dhe të gjithë njerëzit e kishin parë me sytë e tyre. Faraoni kërcënonte magjistarët dhe nuk i fliste Musait. Edhe pse kishte ndërmend ta vriste, nuk e ndërmori një hap të tillë. Kjo, pasi nëse do e vriste, të gjithëve do t’u shtohej bindja se Musai (a.s.) kishte të drejtë dhe do ta konsideronin hero. I patëmeta je Ti o Zot! Ndihma e Zotit në ato çaste konsistonte në besimin e magjistarëve, të cilët kishin ardhur të merrnin shpërblimin e faraonit. Zoti iu gjend pranë Musait (a.s.) edhe kur e ëma e hodhi në Nil, edhe kur e gjetën shërbëtoret e faraonit. Ai e mbrojti edhe kur faraoni vendosi ta vriste pas vdekjes aksidentale të egjiptianit. Ai e mbrojti edhe gjatë rrugës për në Medjen. Në dorën e kujt është jeta jote o njeri? Në dorën e kujt është risku yt? Nëse përgjigjesh se është në dorën e Zotit, atëherë dil në mbrojtje të së drejtës. Edukoji fëmijët e tu o motër me vlerën e të vërtetës! Thuaju atyre se e vërteta është gjëja më e shtrenjtë në jetën e njeriut!

 

Dëlirësia ka shpërblim xhenetin Adn

Përgjigjen e magjistarëve ndaj akuzave dhe kërcënimeve të faraonit do ia lëmë Kuranit:

"(Magjistarët) u përgjigjën: “Ne kurrë nuk do të të japim ty përparësi ndaj provave që na kanë ardhur neve dhe ndaj Atij që na ka krijuar ne. Prandaj, gjyko si të duash; ti gjykon vetëm në jetën e kësaj bote! Ne besojmë në Zotin tonë, që të na i falë gabimet dhe magjitë, për të cilat na ke detyruar ti. Allahu është më i Miri dhe i Përjetshmi. Atë që i paraqitet Zotit të vet si keqbërës, sigurisht që e pret Xhehenemi, ku as nuk do të vdesë e as nuk do të jetojë. Ndërsa kush paraqitet tek Ai si besimtar e që ka bërë vepra të mira, do të ngrihet në shkallë të larta, në kopshtet e Adnit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Ata do të qëndrojnë aty përjetësisht. Ky është shpërblimi për atë që është i dëlirë (nga mosbesimi). (Taha, 73-76)

 

Dorë katile

Faraoni i urdhëroi ushtarët menjëherë që magjistarëve t'u priteshin krahët e këmbët, të kryqëzoheshin në trungjet e palmave dhe të vriteshin para gjithë njerëzve.

Ndoshta, në ato çaste Asija qante nga dhimbja. Ndoshta i gjithë publiku ishte i bindur se Musai (a.s.) kishte të drejtë, por kishin frikë. Ndoshta Xhibrili (a.s.) ka vajtur sërish tek Musai (a.s.) dhe i ka thënë: "A nuk të thashë o Musa! Ata do të jenë tek ti nga paraditja gjer pasdreke. Në iqindi ata do të jenë në xhenet."

A ka kriminel dhe katil më të madh se faraoni që vret brenda disa orëve dhjetëmijë njerëz? Mos harroni! Ata nuk ishin kundërshtarët dhe armiqtë e faraonit. Gjer atë ditë, ata kishin qenë përkrahësit dhe ndihmësit e tij. Me këtë vepër mizore, faraoni sikur u thoshte të gjithë njerëzve të tjerë: “Kushdo që i shkon pas Musait dhe beson, e pret i njëjti trajtim.”

Dikush mund të pyesë: “Përse nuk i mbrojti Zoti edhe magjistarët siç mbrojti Musanë?” Profeti Musa (a.s.) ishte simbol i të vërtetës dhe duhej të përmbushte misionin. Vrasja e magjistarëve duhej të ndodhte që njerëzit ta kuptonin sa shtrenjtë të kushtonte të bëheshe pjesë e së vërtetës. Me të vërtetën nuk bëhet pazar, edhe sikur të vihet në rrezik jeta apo risku yt. Edhe pse vdiqën, ata ishin fitimtarë, kurse faraoni pësoi disfatën më të rëndë. Ish-magjistarët fituan pasi triumfoi besimi i tyre. Ishin ata që iu imponuan faraonit dhe i ndërgjegjësuan njerëzit e tjerë. Ishin ata që fituan xhenetin, ndërkohë që faraoni ndëshkohet në xhehenem. Ish-magjistarët fituan në këtë botë pasi triumfoi besimi i tyre dhe fituan në botën tjetër, pasi shijojnë xhenetin që Zoti kishte përgatitur për ta.

 

Rezultatet e kësaj sfide

1 – Musai (a.s.) doli nga kjo sfidë si lider i fuqishëm, besnik ndaj misionit me të cilin ishte ngarkuar, i guximshëm, i urtë, i logjikshëm etj... Shkurtimisht, ai u kthye në një model për të gjithë banorët e Egjiptit, të cilët nuk kishin parë njeri të tillë më parë. Vetë Benu Israilët u mrekulluan nga cilësitë e Musait (a.s.).

2 – Shumë egjiptianë i besuan mesazhit të Musait (a.s.), por në fshehtësi dhe pa e deklaruar atë. Disa prej tyre u përkisnin shtresave të larta shoqërore, kurse të tjerë shtresave të thjeshta. Një prej tyre ishte dhe shërbëtorja e vajzës së faraonit. Ajo ishte një zonjë e cila nuk kishte punë tjetër, veçse të kujdesej për krehjen dhe rregullimin e flokëve të vajzës së faraonit. Ajo ishte egjiptiane dhe kishte katër fëmijë. Ajo ishte e pranishme kur Musai (a.s.) triumfoi ndaj magjistarëve dhe besoi fshehurazi. Ai që e tregon historinë e kësaj zonje të nderuar është vetë profeti Muhamed (a.s.). Kur Profeti (a.s.) vuri re se keqtrajtimi dhe torturat e mekasve ndaj myslimanëve ishin shtuar, u tregoi historinë e kësaj zonje, me qëllim që t'ua lehtësonte sadopak dhimbjen.

Një ditë, teksa ajo po i krihte dhe po i rregullonte flokët vajzës së faraonit, i bie krehri nga dora. Si çdo besimtar i lidhur me Zotin, kur u ul ta merrte, instinktivisht ajo tha: "Bismilah" (Me emër të Zotit). Vajza e faraonit e dëgjoi dhe e pyeti: "Ke për synim babanë tim?"

Zonja që gjer atëherë e kishte mbajtur të fshehtë besimin, ndoshta e ka ndjerë se nuk mund të vazhdonte më kështu, se duhej deklaruar besimi i saj. Kështu, e bindur në atë që po bënte i tha: "Zoti im dhe i yti është Allahu!"

Vajza e pyeti: "A paske zot tjetër përveç babait tim?!"

Mesa duket, guximi për të deklaruar besimin, shtohet dhe nuk di të ndalet kur sheh me sy një model. Mesa duket, Musai (a.s.) e kishte stimuluar guximin dhe kurajën e njerëzve për t'u deklaruar ashtu siç ishin. Kështu, kjo zonjë iu përgjigj sërish vajzës së faraonit: "Zoti im, i yti dhe i babait tënd është Allahu."

Vajza i tha: "Unë do t'i tregoj babait." Ajo menjëherë vajti dhe i rrëfeu gjithçka. Faraoni e thirri dhe e pyeti: "A paske zot tjetër përveç meje?!"

Zonja besimtare iu përgjigj: "Zoti im dhe i yti është Allahu."

Kjo përgjigje e xhindosi fare faraonin, i cili i tërbuar i pyeti këshilltarët: "A ka fëmijë kjo grua?" Me këtë, ai synonte ta lëndonte me gjënë më të shtrenjtë që ka njeriu.

Këshilltarët i treguan se ajo kishte katër fëmijë. Menjëherë faraoni u kërkoi ushtarëve që t'ia sillnin të katër fëmijët.

Unë mendoj se kjo është sakrifica më e madhe në histori dhe është pikërisht ky shkaku përse Profeti (a.s.) e rrëfeu.

Pasi i sollën katër fëmijët, faraoni i urdhëroi të sillnin një kazan të madh bakri, e mbushën me vaj dhe i vunë zjarrin ta nxehin. Pasi vaji filloi të valojë, faraoni urdhëroi ta merrnin fëmijën më të madh dhe e pyeti nënën e tij: "A ke zot tjetër përveç meje tani?!" /AO/




Pyetja me poshte eshte per te evituar spam emailat te gjeneruara nga robotet.

3 + 3 = ?


Komentet

Nuk ka komente per kete artikull
REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i artikujve