Haxhi: Domethënia dhe begatitë

Haxhi është një nga pesë shtyllat e fesë islame dhe për myslimanët ka shumë përfitime dhe domethënie. Ai ka formë dhe shpirt. Tek forma hyjnë veshja e ihramit, kryerja e tavafit (rrotullimi rreth Qabes), saji (ecja mes dy kodrave), qëndrimi në Mina, Arafat dhe Muzdelife, hedhja e gurëve në Xhemarate dhe prerja e kurbanit. Ndërsa shpirti i haxhit përfshin dashurinë, përkushtimin, sakrificën, durimin, harmoninë, unitetin, etj.

Brenda një periudhe dy ose tre mujore, që nga koha e vendim-marrjes dhe përgatitjes për haxh, gjer në kthim, mund t’u bëjmë një analizë gjurmëve që ai lë në zemrën dhe mendjen e njeriut. Ky proces përfshin sakrificë në kohë, sakrificë në para, sakrificë në rehati, sakrificë në shumë çështje të kësaj bote si dhe sakrifikimin e shumë dëshirave apo kënaqësive; e gjithë kjo vetëm për hir të Allahut dhe pa kurrfarë interesi. Atëherë bashkë me devotshmërinë dhe virtytin, tek haxhiu mbizotërojnë dhe përmendja e vazhdueshme e Allahut, malli dhe dashuria për të duke lënë tek ai një gjendje, që zgjat për vite me radhë.

Kur arrin në këtë tokë të shenjtë, besimtari ndjen në çdo hap gjurmët që kanë lënë ata që sakrifikuan çdo gjë që kishin, për t’i shërbyer dhe për t’iu bindur Allahut. Luftuan kundër mosbesimtarëve, duruan tortura, u përzunë me forcë nga toka e tyre, përjetuan vështirësi pas vështirësie dhe trazirë pas trazire, por më në fund arritën ta lartësojnë Fjalën e Allahut dhe nuk u kënaqën me kaq, por nënshtruan çdo forcë të rreme që i kërkonte njeriut t’u nënshtrohej entiteteve të tjera përveç Allahut.

Kurajo dhe vendosmëri; këto janë mësimet që nxjerr i përkushtuari ndaj Allahut tek këto shenja të qarta dhe gjurmë të shenjta, mësime që zor se mund të nxirren nga ndonjë burim tjetër. Duke u rrotulluar rreth Qabes- jeta e një muxhahidi u ngjan pikërisht këtyre ritualeve të haxhit (si vrapimi mes dy vendeve, nisjet dhe ndalesat e përsëritura), që ndërthuren me namaz, agjërim dhe zekat – do të shihni se si të gjitha këto procese përbëjnë një trajnim më vete apo një detyrë madhore, që myslimani duhet ta përmbushë. Për këtë arsye, haxhi bie detyrë mbi ata që i kanë shlyer të gjitha borxhet dhe janë në gjendje të nisin udhëtimin drejt Qabes, në mënyrë që ta përvetësojnë tërësisht atë që marrin gjatë këtij trajnimi.

Shpërblimi për haxhin e pranuar është i pallogaritshëm. Ebu Hurejre r.a tregon, se Profeti a.s ka thënë: “Nga umreja në umre fshihen dhe shlyhen të gjitha gjynahet ndërsa për haxhin e pranuar nuk ka shpërblim tjetër veç Parajsës”. (Buhariu dhe Mulsimi)

Në një hadith tjetër autentik të transmetuar nga Ibn Xhurej e ky nga Xhabiri, thuhet: “Kjo Shtëpi e Allahut është shtylla e Islamit; prandaj kushdo që niset drejt saj për të kryer haxhin apo umren, është nën mbrojtjen e Allahut. Nëse vdes gjatë këtij udhëtimi, për të është Parajsa, e nëse kthehet shëndoshë e mirë, do të kthehet më shpërblim dhe përfitim”.

Për më tepër, haxhi i shlyen të gjitha gjynahet. Ebu Hurejre transmeton, se Profeti a.s ka thënë: “Kush e kryen haxhin vetëm për hir të Allahut dhe gjatë tij përmbahet nga mosbindja dhe fjalët e ndyta, kthehet nga haxhi si ditën që ka lindur”.

Amër ibn el-Asi r.a tregon: “Kur Allahu më udhëzoi në Islam, shkova tek Profeti a.s dhe i thashë: ‘O i Dërguari i Allahut! Ma jep dorën që të të jap besën”. Profeti a.s e zgjati dorën e tij por unë e tërhoqa timen. Atëherë më pyeti: ‘O Amr, Si e ke hallin?’ Unë i thashë: ‘Kam dëshirë të vë një kusht”. “E cili është kushti yt”, – pyeti profeti a.s. “Që të më falen të gjitha gjynahet e kaluara”, – i thashë. Atëherë Profeti a.s më tha: “O Amr! A nuk e di se përqafimi i Islamit i fshin të gjitha gjynahet e mëparshme; se hixhreti i fshin të gjitha gjynahet dhe se kryerja e haxhit i fshin të gjitha gjynahet?” (Muslimi)

Abdullah ibn Mesudi r.a transmeton, se Profeti a.s ka thënë: “Alternoni mes haxhit dhe umres, pasi këto të dy largojnë varfërinë dhe shlyejnë gjynahet, ashtu siç largojnë gjuajtjet e kovaçit çdo papastërti nga metale si hekuri, ari dhe argjendi. Për një haxh mabrur (të pranuar) nuk ka shpërblim tjetër veç Parajsës”. (Nesaiu dhe Tirmidhiu)