Qyteza e Janjevës e njohur si “Qyteza e argjendit” - njëra prej lokaliteteve më të vjetra në Kosovë - vitin e ardhshëm mund të fitojë statusin e qytetit muze.
Kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, nën ombrellën e së cilës komunë është Janjeva, nismën që vendbanimi i cili daton që nga shekulli IV të ketë këtë status, ia ka bërë me dije edhe Ministrisë së Kulturës, të Rinisë dhe të Sporteve. Kjo e fundit apriori e ka përkrahur idenë. Por kusht për të marrë vendimin është miratimi i Ligjit për muzetë.
“Jam i bindur se ky vendbanim është jashtëzakonisht i rëndësishëm për nga vjetërsia. Ne jemi duke e përgatitur një memorandum që do ta nënshkruajmë së bashku me MKRS-në dhe të fillojnë procedurat për shpalljen e Janjevës qytet-muze”, ka thënë Buja.
Sekretari i përhershëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka thënë se vendimin mund ta marrin vetëm në pajtueshmëri me Ligjin për muzetë, i cili është në procedurë e sipër.
“Duhet të pritet miratimi i Ligjit për muzetë dhe më pas të fillojnë procedurat për shpalljen e Janjevës qytet-muze”, ka thënë Morina. Sipas tij, MKRS-ja është e pajtimit që memorandumi për fillimin e procedurave për shpalljen e Janjevës, qytet-muze, do të nënshkruhet. “Komuna e Lipjanit mund të fillojë përgatitjen e dokumentacionit për Janjevën. Le të mbledhin të dhëna dhe le ta përgatisin dokumentacionin për memorandumin dhe ne do ta nënshkruajmë. Menjëherë pasi Ligji të kalojë në parlament mund të fillojnë procedurat”, ka thënë Morina.
I pari i Lipjanit, Shukri Buja, thotë se Kuvendi Komunal i Lipjanit e ka përcaktuar lokalitetin që do të propozohet për qytet-muze.
“Lokaliteti i cili do të futet në këtë memorandum është pjesa e vjetër e Janjevës, një pjesë e së cilës është e banuar, ndërsa një tjetër ka vetëm pjesë arkeologjike”, ka thënë Buja. Mirëpo sipas tij KK i Lipjanit nuk ka mjete që të kujdeset dhe të investoj në atë pjesë.
“Aty është shtëpia e shkrimtarit Shtjefën Gjeçovi, pastaj janë shtëpitë e ndërtuara në stile të ndryshme që datojnë që nga shekulli i 12-të, kur ka filluar urbanizimi. Mirëpo ne nuk kemi atë luks të investojmë në ruajtjen e saj”, ka thënë Buja. Sipas tij, për ta shpallur Janjevën qytet-muze, do të duheshin plot 60 mijë euro, mjete këto që sipas Bujës, do të duhej të siguroheshin përmes marrëveshjes me MKRS-në.
“Për të gjitha nevojitet 60 mijë që të fillohet të rregullohet së paku pjesa e vjetër e qytetit. Pastaj planifikojmë që të mos ndërtohet asgjë në atë pjesë, të fusim kanalizim dhe të rregullojmë atë qytezë që të bëhet një vend i rëndësishëm turistik”, ka thënë Buja.
Sipas të dhënave të Institutit të Historisë, Janjeva - tash një qytezë, njësi përbërëse e komunës së Lipjanit - në vitin 1874 ka qenë një fshat i varfër i Kosovës, ndërsa ka filluar të banohet gjatë shekullit XIII dhe XIV kur Republika e Dubrovnikut kishte hapur disa miniera. Më të pasurat kanë qenë minierat e argjendit që i dhanë Janjevës dhe epitetin “Qyteza e argjendit”. Edhe pse deri në atë kohë rrethina e saj është njohur për vendbanime të hershme, pas pushtimit osman, Janjeva ka filluar të marrë edhe tipare të arkitekturës islame.
Arkeologu Haxhi Mehmetaj, drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Muzeut Rajonal të Prishtinës, thotë se Janjeva i plotëson kushtet që të shpallet qytet-muze. Ai jep të dhëna edhe më të hershme për historinë e këtij vendbanimi.
“Lokaliteti i Janjevës ka shumë vlera dhe e meriton të shpallet qytet-muze, edhe pse unë nuk kam asnjë informacion në lidhje me këtë iniciativë. Ai lokalitet ka gjurmë të antikitetit dardan. Mirëpo ndërtimi i tij ka vazhduar në kontuinitet deri në periudhën e para një shekulli”, ka thënë Mehmetaj. Mirëpo sipas tij, Janjeva ka edhe lokalitete të tjera që sot nuk janë të banuara. “Është një lokalitet afër Janjevës që njihet si “Toka e Bardhë” dhe daton që nga epoka parahistorike. Në fakt me sa kemi të dhëna ajo daton që nga shekulli i katërt. Pastaj edhe një lokalitet tjetër që njihet si “Velanis” daton që para 3200 vjetësh para Krishtit”, ka thënë Mehmetaj.
Sipas Mehmetajt, pjesa e vjetër e qytezës është e ruajtur dhe ka karakteristikat që nga ndërtimi dhe mënyra e zhvillimit urban. /koha/
Reklama 229 x 170.png)
Mr. Bashkim Aliu
Nexhmedin Spahiu
Mr. Ajni Sinani
Mr. Muhidin Ahmeti
Nexhmedin Spahiu
Artan Musliu
Blerim Gashani
Mr. Iljasa Salihu
Xhevahire Abazi
Milazim MUSTAFA
Opinione te lexuesve
Merjem Gashi
Reklama 228 x 90.png)
Komentet
Nuk ka komente per kete artikull