Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Kosovė

artikuj
 

Krerėt e Kosovės nga e diela nė New York


E enjte 2 Shtator 2010 11:10

 

Autoritetet më të larta shtetërore të Kosovës – presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, dhe ministri i Jashtëm Skender Hyseni, nga e diela do të jenë në New York. Në kryeqytetin e botës ata shkojnë për të lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe kundër projektrezolutës serbe.

Në Presidencë dhe në Qeveri kanë bërë të ditur se lidershipi kosovar do të niset të shtunën, për të bërë natën në Vjenë, e pastaj për të mbërritur një ditë më vonë në New York. Ndërkaq, një ekip zyrtarësh të protokollit tashmë ndodhet atje, për të aranzhuar takimet.

Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur besimin të mërkurën se ky aktivitet do të jetë i suksesshëm.

“Varësisht nga rrethanat, por me gjasë, delegacioni i lartë shtetëror do të jetë prezent në New York – presidenti, kryeministri, ministri i Jashtëm dhe ekipi paraprak që është tanimë në New York dhe është duke punuar maksimalisht me të gjithë partnerët dhe miqtë tanë, me zotimin për sukses të ri të Republikës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Thaçi në mbledhjen e Qeverisë. “Republika e Kosovës, institucionet tona, janë duke u përgatitur maksimalisht”.

Në javën e dytë të shtatorit, në New York, do të zhvillojë punimet sesioni i 64-t i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Serbia ka deponuar në Asamble një projektrezolutë që bën thirrje për nisje të negociatave për statusin, midis autoriteteve të Prishtinës e të Beogradit. Kjo është në vazhdën e përpjekjeve për të relativizuar Mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas së cilës shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte bërë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Autoritetet kosovare do ta përdorin mendimin këshillëdhënës të kësaj Gjykate, për t’u munduar të bindin sa më shumë vende ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Xhavit Beqiri, zëdhënës i presidentit Fatmir Sejdiu, ka thënë se i gjithë aktiviteti në New York do të koncentrohet në lobim.

“Presidenti do të ketë një agjendë takimesh me liderë të shteteve të ndryshme, të vendeve që e kanë pranuar pavarësinë, por edhe të atyre që nuk e kanë njohur Kosovën. Ai do të ketë aktivitet lotues – do të ripërsëritet thirrja që të njihet pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës nga vendet, të cilat ende nuk e kanë bërë këtë. Aq më tepër kur tani nuk ka asnjë dilemë sa i përket legalitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Beqiri. “Ju e dini që GJND-ja ka bërë të qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe ky mendojmë se do të jetë një argument i fuqishëm”, ka shtuar ai.

Beqiri ka thënë se institucionet kosovare janë në koordinim të plotë me të gjitha vendet që e kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe me ato që përbëjnë Quint-in dhe ka shprehur besimin se Serbia do të dështojë në përpjekjet e saj për ta kaluar projektrezolutën në Asamblenë e Përgjithshme.

Edhe zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, ka shprehur besimin e njëjtë. Ai ka theksuar se Kosova do të dalë fituese në këtë sesion të Asamblesë.

“Liderët e shtetit do të kenë një sërë takimesh të rëndësishme me përfaqësues të shteteve të ndryshme dhe të organizatave të ndryshme përfaqësuese në OKB dhe të tjera, ndërsa për sa u përket modaliteteve për pjesëmarrje në debat, është një çështje, e cila do të diskutohet dhe do të vendoset në ditët në vijim”, ka theksuar zëdhënësi Krasniqi. “Ajo që është me rëndësi, nga ajo që besoj edhe ju e keni parë dhe keni informata, është se ky do të jetë një pozicion favorizues për Kosovën dhe me siguri një fitore e re në debatin në OKB”, ka shtuar ai./koha/




Pyetja me poshte eshte per te evituar spam emailat te gjeneruara nga robotet.

3 + 2 = ?


Komentet

Nuk ka komente per kete artikull
REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i lajmeve