Kurbani për johaxhilerët

Kurbani është një traditë e pëlqyer e trashëguar nga profeti Muhamed a.s. i cili vetë ka ther kurban dy desh të majmë dhe me brirë, për vete dhe për familjen e tij. Teksa e therte thoshte: “O Zot! Këto janë për Muhamedin dhe familjen e tij”. Gjithashtu, transmetohet se ai ka ther kurban për këdo që nuk mundet ta bëjë këtë sakrificë nga umeti i tij.

Imam Ebu Hanife thotë: “Kurbani është vaxhib (detyrë) dhe vaxhibi për të është diçka më shumë se suneti dhe më pak se farzi. Ai mendon se therja e kurbanit është detyrë për ata që janë në gjendje ekonomike. Këtë mendim, Ebu Hanife e bazon në hadithin e Profetit a.s që thotë: “Kush është në gjendje dhe nuk bën kurban mos t’i afrohet faltores tonë.” Që këtu Ebu Hanife deklaroi se therja e kurbanit është vaxhib.

Por edhe nëse nuk është vaxhib ai është sunet i pëlqyeshëm dhe ka shpërblim të madh.

Koha e therjes së kurbanit fillon që pas përfundimit të namazit të bajramit në vend. Para faljes së bajramit nuk konsiderohet kurban. Profeti a.s u kish thënë atyre që e kishin therë kurbanin para namazit të bajramit që të mos e konsiderojnë si ritual, pasi nuk është i tillë. Kjo edhe sikur ai ta shpërndajë të gjithi mishin e kafshës. Ai fiton shpërblimin e sadakasë (lëmoshës) por nuk fiton shpërblimin e kurbanit, sepse kurbani është ritual dhe adhurim i cili ka kohën e mirë përcaktuar nga vetë Ligjvënësi. Askush nuk ka të drejtë ta përshpejtojë apo vonojë një ritual. Është e njëjta gjë si me kohët e namazeve. A lejohet falja e drekës para kohës së saj? Sigurisht që nuk lejohet. Atëherë nuk lejohet as therja e kurbanit para kohës së përcaktuar.

Në disa vende kam parë që njerëzit e therin kurbanin natën e bajramit, gjë e cila është gabim, është humbje e traditës profetike dhe humbje e sevapit të kurbanit. Nëse vihet në dijeni ai duhet të therë kurban tjetër, sidomos nëse është betuar se do therë kurban për bajram. Lejohet therja e kurbanit ditën e bajramit, ditën e dytë ose ditën e tretë. Madje ekzistojnë mendime që lejohet edhe ditën e katërt të bajramit.

Më e preferuar është që therja e kurbaneve të bëhet deri në çastin kur dielli arrin kupën e qiellit. Ndërkohë disa dijetarë mendojnë se mund të theret në çdo kohë, ditë apo natë. Mendoj që nuk është e domosdoshme të theren të gjithë kurbanet ditën e bajramit, për shkak të trafikut të rënduar gjatë therjes. Ky ritual mund të shtyhet edhe ditën e dytë dhe të tretë, pasi kështu plotëson nevojat e disa njerëzve të tjerë për mish gjatë këtyre ditëve.

Kafshët që vlejnë për kurban janë devetë, lopët, të imtat. Një dele vlen për një familje, siç e cekëm në hadithin e mësipërm të Profetit a.s.

Ebu Ejubi tregon: “Në kohën e Profetit a.s, dikush prej nesh therte kurban, për veten dhe gjithë familjen, vetëm një dele.”

Lidhur me devetë dhe lopët, një e shtata e tyre është e mjaftueshme për një person, pra shtatë persona mund të therin një lopë ose deve bashkërisht. Kjo, me kusht që lopa të mos jetë më pak se dy vjeç, deveja mbi pesë vjeç, dhia një vjeç dhe delja gjashtë muajshe. Lidhur me qengjin, Profeti a.s e ka lejuar nëse është mbi gjashtë muaj, kurse Ebu Hanife e kushtëzon të jetë i shëndoshë, në të kundërt duhet të plotësojë një vit.

Sa më i shëndetshëm dhe i shëndoshë të jetë kurbani, aq më mirë është, pasi ajo është dhuratë që e bën në emër të Zotit dhe për hatër të Tij. Prandaj, prej myslimanit kërkohet që të ofrojë më të mirën e mundshme. Për këtë, nuk lejohet kurbani me një dele të dobët, qorre, që çalon, që ka humbur shumicën e bririt, me vesh të deformuar apo çfarëdo defekti dhe sëmundje tjetër. Është detyrë e myslimanit të ofrojë kurbanin më të pastër dhe të shëndetshëm sepse ai po e bën për hatër të Zotit, e ajo që bëhet për hatër të Zotit, duhet të jetë më e mira. Në fund të fundit, Zotit nuk i mbërrin gjaku dhe mishi i kurbanit, por i mbërrin devotshmëria dhe dëlirësia e zemrave tuaja.

A mund të jepet sadaka vlera e një kurbani? Më mirë sadaka, apo kurban?

Lidhur me të gjallin të theret kurban është më mirë, pasi kurbani është ritual dhe formë afrimi me Zotin. “Fal namaz për Zotin dhe ther kurban!” (Keuther, 2) Ne bëjmë kurban pasi është traditë nga profeti Ibrahim a.s, gjë e cila na sjell në mendje atë sakrificë të rrallë. Kur Ibrahimi a.s pa në ëndërr dhe u frymëzua se duhej të sakrifikonte të birin, vajti tek djali i tij i vetëm, fryti i zemrës me të cilin e kishte ndarë largësia, i cili i kishte lindur në pleqëri dhe i rrëfeu ëndrrën.

Pasi Zoti i kishte falur këtë djalë dhe e kishte përgëzuar se do të ishte i mençur, Ibrahimit a.s i vjen shpallja se duhet ta therë të birin në moshën e pjekurisë. Një provë tejet e vështirë për një prind në atë moshë dhe në atë gjendje dhe për një fëmijë aq të mrekullueshëm. Ai kishte mbushur moshën e pjekurisë dhe Ibrahimi a.s mund të mbështetej tek ai për shumë gjëra tashmë. Zoti donte ta testojë Ibrahimin a.s, prandaj e urdhëroi të therë të birin e tij të dashur. Po testohej zemra e mikut më të dashur të Zotit, Ibrahimit a.s. Po testohej nëse zemra e tij vazhdonte të ishte e lidhur me Zotin po me atë sinqeritet si më parë apo jo. Po testohej zemra nëse tashmë ishte e lidhur me të birin më shumë se me Zotin. Një sprovë realisht shumë e rëndë. Por, Ibrahimi e kaloi me sukses këtë provim. Ai vajti tek i biri dhe e njoftoi për shpalljen, ai nuk i shkoi ta befasisht të zbatojë urdhrin. Ai i tregoi dhe i tha: “Biri im! Kam parë në ëndërr sikur të ther! Çfarë mendon ti?!” (Saffat, 102)

Madhështia e qëndrimit të babait u zbeh para asaj të birit, i cili as nuk u rebelua dhe as nuk hezitoi, por gjithë besim u përgjigj: “O baba! Vepro sipas asaj që je urdhëruar!” (Saffat, 103)

Ishin fjalë që rrezatojnë besim, modesti dhe mbështetje të patundur tek Zoti i Lartësuar. Për të mos lënë të nënkuptohej si heroizëm dhe trimëri, Ismaili e lidhi gatishmërinë e tij me vullnetin e Zotit. “Do më gjesh, në dashtë Zoti, prej durimtarëve.” Edhe durimin dhe maturinë, ia la në dorë Zotit, i cili e pajis njeriun me besim dhe siguri, i fal durim dhe forcë.

“Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit” babai iu dorëzua urdhrit dhe biri dorëzoi qafën. “(Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë.” duke dashur ta çojë në fund urdhëron hyjnor. Por në atë çast, vjen sihariqi: “Ne e thirrëm: O Ibrahim, ti e përmbushe ëndrrën. Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët! Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë! Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh…” (Saffat, 104-107)

Në ato çaste erdhi Xhibrili a.s me një dash që ia dha Ibrahimit a.s për ta therur në vend të Ismailit a.s. Që atëherë u bë traditë që këtë ditë të theret kurban.

Të gjithë kombet dhe popujt kanë ditë dhe ngjarje të shënuara, të cilat orvaten ti përjetësojnë në memorien e tyre, duke organizuar festa dhe ceremoni të ndryshme, siç bëhet me ditën e pavarësisë etj. E njëjta gjë vlen dhe për kurban bajramin e cila është një nga ditët e shënuara për besimtarët, ajo është ditë e humanizmit, ditë e besimit dhe heroizmit të përjetshëm. Këtë ditë, Zoti e përjetësoi duke e festuar me therjen e kurbaneve. Therja e kurbanit është sunet (traditë) dhe është më e vlefshme se dhënia e sadakasë. Kjo, pasi nëse të gjithë njerëzit do e jepnin sadaka vlerën e kurbanit kjo do çonte në harrimin e këtij rituali, ndërkohë që islami kërkon që ai të mbetet i freskët.

Por çfarë mund të bëhet për një person të vdekur? Si mund ti çojmë sevape dhe shpërblime në jetën e varrit? A mund të therim kurban, apo të japim sadaka me vlerën e kurbanit?

Mendimi që më duket më i drejtë, për një vend ku kurbanet janë të shumtë dhe nevoja për mish është e paktë, për një të vdekur është më mirë që vlera e kurbanit të jepet sadaka. Kjo, sepse njerëzit kanë mish me bollëk dhe të gjithë i kanë plotësuar nevojat ditën e bajramit dhe për ditët që e pasojnë. Mund të ketë fukarenj të cilëve u hyjnë në punë të hollat më shumë se mishi, pasi me to blen veshje, lodra dhe ëmbëlsira për fëmijët. Njerëz të tillë kanë nevojë për diçka që ua lehtëson festimin e kësaj feste të bekuar në këto ditë të bekuara. Kështu, dhënia e sadakasë për shpirtin e të vdekurit është më e vlefshme se therja e kurbanit, në vende si ato që cekëm më lart.

Sakaq, në ato vende ku sasia e mishit të therur është e pakët dhe njerëzve u lipset mish, në këtë rast therja e kurbanit për të vdekur dhe shpërndarja e mishit të tij, për shpirtin e të vdekurit është më mirë.

Ky është mendimi im lidhur me këtë çështje. Veç kësaj, në rastin e të vdekurit, dhënia e sadakasë për shpirtin e tij ka miratimin unanim të gjithë myslimanëve, pa asnjë kundërshtim. Veç sadakasë, unanimitet të plotë gëzon dhe lutja e istigfari për të vdekurin. Gjithçka tjetër leximi i Kuranit, therja e kurbanit etj. janë tematika për të cilat dijetarët kanë mendime të ndryshme. Prandaj, gjërat për të cilat ekziston mendimi unanim, gëzojnë prioritet ndaj atyre për të cilat ka mendime të ndryshme.

Sakaq, sa i përket shpërndarjes së mishit është më mirë që kurbani të ndahet në tre pjesë: Njërën pjesë e mban për veten dhe familjen, pjesën tjetër ua shpërndan fqinjëve, sidomos nëse janë hallexhinj dhe tjetrën ua shpërndan nevojtarëve. E nëse e shpërndan të gjithë kurbanin, kjo është më e mirë dhe më e vlefshme, me kusht që të mbajë qoftë dhe diçka të vogël nga kurbani për të respektuar sunetin. Le të hajë diçka nga mëlçia e kurbanit apo diçka tjetër, siç bënte Profeti a.s dhe shokët e tij.