Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Ekonomi

artikuj
 

Mjetet e kthyera pensionale tė investohen nė ekonomi


E diel 12 Shkurt 2012 12:43

Qeveria e Kosovës është duke krijuar bazën ligjore për kthimin e 30 për qind të mjeteve të Trustit në vend, nga 5 për qind, sa aktualisht mund të investohen në tregun bankar të Kosovës. 

Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës, deri në fund të vitit 2011, ka  investuar rreth 580 milionë euro, nga të cilat 34 milionë euro në depozitat bankare në Kosovë. Kurse, rreth 545 milionë euro i ka të investuara në instrumente të ndryshme financiare në SHBA, shtete të BE-së, Japoni e disa shtete të tjera, bën të ditur në një përgjigje përmes postës elektronike për REL, Jeton Demi, zëdhënës i Trustit.

Ndërsa, rreth 8 milionë euro gjenden në llogarinë e Trustit në Bankën Qendrore të Kosovës, të pa investuara.

Për njohës të rrethanave ekonomike, kthimi i mjeteve të trustit në tregun vendor është i domosdoshëm, por shqetësuese për ta mbetet mënyra e shfrytëzimit të tyre.

Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest”, thekson se tërheqja e parave nga ana e Trustit është paraparë në buxhetin e këtij viti, siç thotë ai, për të mbuluar deficitin buxhetor.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës mjetet e Trustit nuk duhet t’i konsiderojë si donacion, por si mjete që duhet t’i kthejë sipas normave të interesit. Madje, Abdixhiku shpreh shqetësimin se në një vend me nivel të ulët ekonomik, mund të rrezikohen mjetet e kursimeve private të qytetarëve. 

“Kosova po kalon në një fazë të hiper-shpenzimeve, do të thotë gjenerimit të borxhit, dhe borxhi i natyrshëm nuk është një shenjë e mirë. Sidomos në një vend me një ekonomi ku nuk ka performancë dhe, pasi që nuk ka performancë, nuk ka aftësi kthyese të mëdha.  Prandaj, çdo investim i këtyre parave në një buxhet, i cili nuk është planifikuar mirë, është në një masë rreziku”, thotë Abdixhiku.

Edhe Haki Shatri, ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave, thekson nevojën e kthimit të këtyre mjeteve, pasi, sipas tij, vënia në qarkullim e këtyre parave ndikon në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit, kurse mundësitë për kthim janë më të lehta.

Por, në asnjë mënyrë, sipas Shatrit, këto mjete Qeveria nuk duhet t’i shfrytëzojë për mbulim të mungesës së mjeteve buxhetore.

“Nëse këto mjete nuk shkojnë diku ku sjellin ndonjë përfitim, në rritje ekonomike, por kryesisht shkojnë ku shkojnë të gjitha mjetet e buxhetit, për paga, pensione, qoftë edhe për investime kapitale, por që nuk kapitalizohen drejtpërdrejt, duket jo mjaft e arsyeshme”, thekson Shatri.    

Abdixhiku vlerëson se mjetet e Trustit nuk duhet të përdoren për interesa sociale dhe ekonomike, pasi këto para janë kursime private të qytetarëve dhe nuk janë të Kosovës. Sipas tij, këto mjete duhet të investohen në ata sektorë ku ka normë më të lartë të kthimit.

“Borxhi është borxh, nuk janë para që jepen njëherë dhe nuk kthen më, por janë para që duhet të kthehen, prandaj nuk ka lajm të mirë në këtë drejtim. Interesi i kthimit është më qenësor në shfrytëzimin e këtyre mjeteve se sa marrja e tyre. Do të thotë, për qytetarët e Kosovës është se këto mjete të investohen aty ku ka kthim më të madh, dhe jo për të akumuluar interesa ekonomike dhe sociale të Kosovës”, vlerëson Abdixhiku. 

Zyrtarë të Trustit thonë se ky institucion mirëpret krijimin e mundësive ligjore për të investuar më shumë mjete në Kosovë.

Megjithatë, në përgjigjen përmes postës elektronike ata bëjnë të ditur se Bordi i Trustit do ta shqyrtojë këtë mundësi sa po të krijohen kushtet e nevojshme për më shumë investime në sistemin bankar në Kosovë.

Ligji i ri për fondet pensionale, i cili rregullon kornizën ligjore të funksionimit të Trustit, tashmë është miratuar në parim në Kuvendin e Kosovës. /koha/




Pyetja me poshte eshte per te evituar spam emailat te gjeneruara nga robotet.

2 + 8 = ?


Komentet

Nuk ka komente per kete artikull
REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i lajmeve