Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Personalitete

artikuj
 

Mulla Hamit Sllovija

Patrioti Hamit Bytyqi u kalit nė NDSH.

E enjte 27 Maj 2010 23:03

 

Shkruan: Prof. Dr. Muhamet Pirraku

 

Në kujtim të veprimtarit Mulla Hamit Sllovija

 

Më 18 maj 2000 kaloi në amshim, në moshën 81 vjeçare, veprimtari i orëve të para të Organizatës Nacionaldemokretike Shqiptare - NDSH, patrioti Mulla Hamit Sllovija. Ishte biri i Mulla Hajdinit, përkatësisht nip i Mulla Sefës, imamë të shquar të xhamisë së Manastirit(ish-Sllovija) të Lypianit. Mësimet fillestare i mbaroi në shkollën e Dobratinit, në gjuhën serbe, në vitet 1928-1932. Në të njëjtën kohë mësoi për fe në mejtepin e xhamisë së Manastirit, të mualimi (mësuesi) Ismail Efendija i Prishtinës. Mësimet e mesme, për hoxhë, i regjistroi më 1938, në Medresën “Pirinaz” të Prishtinës, të myderrisi patriot e famëlartë për çështjen shqiptare, Ahmet Efendi Mardoçi. Më 1940 e morën në ushtrinë jugosllave, deri pas shpartallimit të Jugosllavisë versajiste. Nga vjeshta e vitit 1941 Mulla Hamiti i vazhdoi mësimet prapë në Medresenë “Pirinaz”, ku mësoi deri nga mesi i Nëntorit të vitit 1944. Këso kohe për tri vjet rresht, e ndoqi shkollën shqipe të natës, ku mësoi shkrim - leximin shqip, histori dhe mësime nga letërsia e gjuha shqipe. Në këtë fazë të rritës dhe të shkollimit të mesëm, Mulla Hamiti u rreshtua në aktivitetin politik e luftarak kombetar.

Realisht, derisa myderrizin e Tij, Mulla Ahmet Efendi Mardoçin e famshëm, e gjemë anëtar aktiv të Ballit Kombëtar dhe të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, nxënësin e tij, Hamit Mulla Hajdinin, e gjejmë anëtar aktiv të Organizatës së Rinisë së Ballit Kombëtar, të rreshtuar me armë në duar në radhët e djalërisë luftarake të Komitetit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit për Prefekturën e Prishtinës, të cilët i komandonte agronomi Adem Selimi - Gllavica. Saktësisht, si nxënës i Medresesë, gjatë muajit gusht dhe shtator të vitit 1944, gjithsej mbi dy muaj, Mulla Hamiti, ishte në radhët e Batalionin “Nazim Gafurri” dhe mori pjesë në luftërat e përgjakshme të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës në vise të Llapit e të Gallapit, pikërisht në frontin nga Përpallaci deri në Kikë, kundër njësive barbare kominterniste serbe e bullgare. Pas ripushtimit jugosllav të Kosovës, në nëntor 1944, Mulla Hamiti për disa muaj qëndroi në një gjysmë ilegaliteti, në vendlindje dhe ndër miq. Në Natën e 1/2 dhjetorit 1944, rastisi të takohej me Mulla Idris Gjilanin në Llabjan, pikërisht në Odën e Odën e Mehmet Halitit. Ishte kjo nata kur “Shtabi Suprem Suprem” i Rezistencës Shqiptare i Adem Gllavicës po marshonte në drejtim të Ferizajt, për t’i dëshmuar “Bllokut Antifashist Anglo - amerikan” se Jugosllavia Kominterniste Kosovën po e okupon të larë me gjakun e shqiptarëve etnikë.

Mulla Hamiti kurrë nuk e harroi një porosi amanet nga Mulla Idrisi: ”Është Urdhër i Zotit që Njeriu të bëhet kurban i Vatanit...!” Ndonëse i ndrojtur, që në takimin e parë, më 15 shtaror 1979, ma ka shqiptuar këtë “Amanet të Mulla Idrisit”. I forcuar edhe nga porosia e Tij, gjatë verës së vitit 1945 Hamit Bytyçi pati disa kontakte, kryesisht informative reciproke me komandantin e Shtabit Suprem të Ushtrisë Popullore të Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare”, intelektualin e përcaktuar për piedestalin e Altarit të martirëve të kombit shqiptar, idealistin Adem Gllavica. Hamit Mulla Hajdin Bytyçi, ndonëse ende nuk ishte i diplomuar në shkollë të mesme, për kohën, konsiderohej si “intelektual shqiptar”. Realisht, këso kohe, që sapo ishin tërhoqur nga Kosova mësuesit që vinin nga Shqipëria Londineze, u ndi nevoja e madhe për mësues të shkollës fillore. Meqë Mulla Hamiti i plotësonte “kushtet për mësues” më mirë se shumëkush, u përpoq të punësohej mësues i shkollës shqipe. Mirëpo, për shkak të së kaluarës së tij në radhët e “Balilave” dhe të “Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës”, nuk shikohej me sy të mirë nga “pushtetarët komunistë vendorë të Lypjanit”, ndaj kërkesa për “Mësues” do t’i refuzohet.

Mulla Hamiti, megjithatë, nuk do të dorëzohet. Amanetin e Mulla Idrisit nuk e largonte nga qenia e tij shpirtërore, ndaj sapo u bind se nuk do t’i lejohej të nisej në “rrugën e mësuesit”, shkoi në Prizren për t’i përfunduar mësimet për hoxhë në “Medresenë e Bajraklisë”, tek myderrizi i famshëm për dije e patriotizëm, Hasan Efendi Nahi, i njohur me nofkën “Xhehenemi”. Këtu, përfundimisht Mulla Hamiti shkeli trasenë jetësore mbi bazë të “Amanetit të Mulla Idrisit”. Realisht, deri nga vera e vitit 1945 organizata e Nacional Demokratike Shqiptare në Prizren, si dhe në mbarë Kosovën, e përfshiu një numër të konsiderueshëm të hoxhallarëve dhe të medresantëve. Madje falë lidhjeve të hershme me juristin Ibrahim Lutfiu, patriot ekzemplar, tashti në ilegalitet në vise të Therandës e të Prizrenit, Organizata NDSH-e, i lidhi rreth vetës pjesën më e madhe e të anëtarëve të Kryesisë së Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit e gjetkë në Dukagjinin Jug-Perëndimor. Në këtë aktivitet do të përfshihet fuqimisht edhe Hamiti, i cili tashti gjendej para diplomimit.

Patrioti Hamit Bytyçi do të rreshtohet në “Grupin Nr. 1 LP” (Lidhja e Prizrenit-M.P.) me seli pikërisht në lokalet ku ishte mbajtur Kuvendi Themelues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 10 qershor 1878, dhe ku “Këshilli Qëndruer i Lidhjes së Dytë të Prizrenit” i shpalli, para delegatëve dhe popullit, më 21 shtator 1943, Vendimet historike për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës. Në vijim, veprimtaria politike e Mulla Hamitit si veprimtar i NDSH-së do të rritet dhe kalitet gjatë pjesës së parë të vitit 1946, në vise të Vendlindjes pikërisht në gjirin e Organizatës së NDSH-së në vise të Lypianit, të Prishtinës dhe të Ferizajt dhe do të dekonspirohej vetë pas rreth tri vjet të aktivitetit.

Vërtet, aktiviteti politik i organizuar për jetësimin e programit politik të “Lëvizjes për Lirinë e Tokave Shqiptare” i Mulla Hamitit do të ndërpritet më 28 mars 1949, kur do të arrestohet. Më 30 prill 1949 Mulla Hamiti arriti ta thyente burgun e Lypianit dhe t’u qepej maleve me pushkë në dorë. Mirëpo, meqë tashti rezistenca e armatosur antijugosllave në Kosovë ishte nga fundi i ekzistencës, e në anën tjetër pushteti partizan e shantazhoi, duke ia burgosur familjarët, ndaj pas 40 ditësh në arrati, u detyrua të dorëzohet. Tashti, të prangosur, do ta sjellin në Burgun famëkeq të Prishtinës, ku do të takohet me personalitete të rëndësishme të kombit shqiptar, të cilët, në Mulla Hamitin e pathyeshëm, do të mbjellin nga një pjesë të qenies së tyre patriotike.

Pas hetimeve të rënda, nën regjim të torturave mizore, Mulla Hamit Sllovisë Gjyqi do t’ia shqiptojë shtatë vjet burg të rëndë për dy vepra penale antijugosllave, - “Anëtar i Ballit Kombëtar” dhe anëtar i “Organizatës së Nacional Demokratike Shqiptare”. Ky dënim Mulla Hmitin nuk do ta thyej, as do ta step. E dërguan në Burgun e Nishit, ku qëndroi 6 vjet dhe në Borski Rudnik e Aleksinc edhe një vit, u tregua hoxhe shqiptar dinjitoz. Në burgun e Nishit përjetoi dhunën barbare të e UDB-ës për revidimin e qëndrimeve si masë lehtësuese, korrektuese, dhe për zbutjen eventuale edhe të dënimit. Mirëpo, Mulla Hamiti ishte dhe mbeti në Lagjen ku “banonin” pak Burra të cilët kurrë nuk pranuan për t'i "reviduar qëndrimet politike". Në këtë Odë Burrash shqiptare rrinin: Rrahim Sadiku, i Viseve të Dardanës, jataku i Mulla Idris Gjilanit, Hafëz Jakup Muçozi i Prizrenit, Fetah Bogiqi i Drenicës, Mulla Zekë Berdyna i viseve të Pejës, Mulla Hamit Sllovija, Mulla Aruçi i Prizrenit, Mulla Nurë Gjinoci i viseve të Therandës.

Mirëpo për Historinë tonë kombëtare të lavdishme, midis këtyre që i përmendëm, në Mulla Hamit Sllovinë kemi Rexhep Efendi Vokën e dytë, i cili, më 1898, në burgun osman, e qëndisi Flamurin Kombëtar, kurse Mulla Hmit Bytyçi, më 1953, në Borski Rudnik, e qendisi Flamurin Kombëtar dhe më 28 Nëntor, para dhjetë burrave, shokë burgu, bese e lufte, e shpalosi triumfalisht, pa i bërë syri vër. Tradita e festimit të 28 Nëntorit 1953 në Borski Rudnik do të bartet e do të bëhet traditë festimi e manifestimi kombëtar në të gjitha kazamatet jugosllave gjatë robërisë jugosllave-serbe-titoiste mbi tokat e Shqipërisë Etnike jashtë Shqipërisë Londineze, dhunë kjo ndërkombëtare.

Pas burgut Mulla Hamitit nuk do t’i jepet leja për punë me rëndësi kulturore e arsimore krejt deri pas Plenumin IV të KQ të LKJ-së, të 1 korrikut 1966. Nga kjo kohë do të punoj edhe si nëpunës në Kryesinë e Bashkësisë Islame në Prishtinë, por për një kohë të gjatë i mbikëqyrur dhe i survejuar. Nga fillimi viteve të ‘90-ta, kur filloi shthurja e Jugosllavisë avnojiste, Mulla Hamiti e thelloi aktivitetin në integrimin e rrjedhave politike për çlirimin kombëtar. Mori pjesë aktive në Lëvizjen e Pajtimit Kombëtar përmes faljes së hasmërive (të 2 shkurtit 1990 - 17 majit 1992) dhe, sapo u formua Partia Nacionaldemokratike Shqiptare, iu bashkua asaj si veteran i “Lëvizjes Demokratike Shqiptare”.

Mulla Hamit Bytyçi, këtu e tutje, dhe me mundësitë që pati, e afirmoi Luftën Çlirimtare të shqiptarëve nën robërinë Jugosllave dhe të gjitha shpresat për çlirim i mbështeti me dinjitet në heroizmin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vdekja, si sot dhjetë vjet më parë, Mulla Hamitin liridashës e lirifarkëtues e gjeti në fille të ripërtëritjes së tij shpirtërore: “E prita Lirinë, e gëzova Flamurin, dhe, edhe Bashkimin e kombit do ta gëzojmë…!" - ma tha në “t’Pamën“ e së motrës, më 8 janar 2000. Të përmbyllim: Mulla Hamit Sllovija - Bytyçi, sa arrita ta njoh personalisht, sikur ishte lindur për luftëtar për çështjen e madhe shqiptare - Lirinë! E jetoi jetën burrërisht në përpjekje me plotë sakrifica e luftë për Liri. E njoha të ndrojtur, si shqiptar dinjitoz dhe si hoxhë urtak, u miqësuam me besim reciprok përjetësisht. E përcolla duke u plakur fizikisht me plotë shpresa fisnike për të ardhmen e dinjitetshme të kombit tonë të dhunuar nga të huajt e ndihmuar nga plëngprishësit e gjakut iliro-shqiptar!

Dheu i Tokës shqiptare të qoftë i lehtë, o Mulla Hamit, Mësues edhe imi, Ti Burrë i Dheut!

 




Pyetja me poshte eshte per te evituar spam emailat te gjeneruara nga robotet.

5 + 6 = ?



Për të dërguar koment së pari duhet të Kyçeni ose të Regjistroheni në mesazhi.com

Arkivi i lajmeve