Ndikimi i Ramazanit në përmirësimin e shoqërisë

Abdullah Klinaku

Islami si fe në tërësinë e tij e ka vlerën e sistemit universal dhe gjithëpërfshirës brenda të cilës adaptohen nevojat, kërkesat, pritjet, vlerat humane, përjetimet, materialja, shpirtërorja, e përjetshmja, e përtejmja dhe krejt çfarë ka të bëj me njeriun dhe të gjitha krijesat në përgjithësi.

Në këtë frymë edhe urtësia e të gjitha obligimeve fetare përveç që sjellin shpëtimin dhe shpërblimin në përjetësi kanë mirësitë e tyre të mëdha edhe për këtë botë. Adaptimi i njeriut me obligimet islame dhe zbatimi i tyre në shoqëri duke i pranuar ato me kënaqësi dhe natyrshëm arrijnë ta bëjnë atë njeriun më produktiv dhe më të dobishëm për rrethin në të cilin jeton. Produktiviteti dhe dobia që sjell besimtari në shoqërinë e tij e bënë atë të këndshëm dhe shembull për tu pasuar edhe nga të tjerët. Një disiplinë e mirë fetare dhe një përkushtim i natyrshëm ndaj të gjitha obligimeve Islame e shndërron muslimanin bashkëkohor në një “Ku’ran dhe në një përshkrim profetik (sire)” të gjallë në mesin e njerëzve. Aq të gjallë sa që zgjon vullnetin e të gjithë njerëzve që e shohin atë dhe jetojnë me të për tu rreshtuar praktikisht në mesin e besimtarëve praktikant.
Dimension të veçantë në formësimin individual të njeriut dhe krijimin e mjedisit shoqëror islam ka Muaj i Ramazanit. Zoti i Madhërishëm në Kur’anin fisnik thotë “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. (El-Bekare 183)”
Pra, ky ajet kur’anor na bën neve të qartë se qëllimi i këtij muaji të agjërimit është arritja e devotshmërisë, e cila realizohet përmes kryerjes së veprave të mira dhe ndalimit nga e keqja. Devotshmëria është objektivi i besimtarit përmes së cilës arrin kënaqësinë e Allahut dhe realizon qëllimin e tij për të qenë prej fitimtarëve të botës së përtejme. Devotshmëria si koncept dhe si objektiv i besimtarit nuk mund të arrihet në nivelin e dëshiruar duke qenë i vetëm si individ. Devotshmëria sipas disa përkufizimeve islame është “Ruajtja nga mëkatet sikur se që ruhet i zbathuri në fushën me thera mos po lëndohet” pra, të jesh i devotshëm do të thotë të zbatosh detyrat Islame dhe të ruhesh nga ndalesat e përcaktuara me Islam. Kështu ne duhet të synojmë të jemi gjatë këtij muaji të bekuar të Ramazanit me qëllim të vazhdojmë edhe pas tij në devotshmëri ndaj Zotit. Por, përderisa Zoti i Madhërishëm na e kërkon devotshmërinë gjatë këtij muaji dhe kjo vlerë e besimtarit është aq e ndjeshme a ka mundësi të arrihet devotshmëria pa një mjedis shoqëror Islam?! Muaji i bekuar i Ramazanit e ofron këtë mundësi dhe ndikon direkt në përmirësimin e mjedisit ku jetojmë duke shtuar mundësin e arritjes së devotshmërisë përmes ngritjes së devotshmërisë kolektive.
Zoti i Madhërishëm në këtë muaj, ka ngrit dhe fuqizu mekanizma shtesë që ndihmojnë dhe ndikojnë direkt në përmirësimin e mjedisit shoqëror përmes praktikës individuale dhe xhematore të islamit. Ndër mënyrat e ndikimi të muajit Ramazan në mjedisin shoqëror dhe në përmirësimin e këtij mjedis duke e ngrit në nivel më të lartë të praktikës Islame, mund ti përmendim.
Përkushtimi individual i besimtarit për të qenë në nivel më të lartë të zbatimit të detyrave Islame edhe në marrëdhëniet shoqërore. Agjërimi nuk kërkon vetëm rregullim të raportit mes robit dhe Zotit, agjërimi kërkon rregullim dhe disiplinë edhe të marrëdhënieve mes njerëzve. Janë të shumta hadithet që nxisin njeriun ta shtoj kujdesin dhe moralin në sjellje me njerëz në mënyrë që të shtoj devotshmërinë kolektive dhe të ndikoj në përmirësimin e mjedisit shoqëror. Pejgamberi s.a.s thotë “Kush nuk e len fjalën e rrejshme dhe punën me të, Allahu nuk ka nevojë që i tilli ta lë ushqimin dhe pijen e tij”. Po ashtu Pejgamberi s.a.s thotë “ Nuk është agjërimi vetëm abstenimi prej ngrënies dhe pijes, por agjërim është largimi nga e kota (fjalë dhe punë), dhe e ndyta. E nëse dikush të ngacmon apo sillet keq me ty, thuaji: Unë jam agjërushëm, unë jam agjërushëm”. Zbatimi i këtyre porosive profetike është ndikimi më i madh i mundshëm i besimtarit në përmirësimin e shoqërisë. Fundja një logjikë shumë e thjeshtë na bën te shohim se pikënisja e të gjitha belave, prishjeve të lidhjeve njerëzor dhe deri të vrasjet janë fjalët dhe sjelljet e pamatura të njerëzve. Në këtë mënyrë islami parandalon në formën më të mirë mundësin e degradimit dhe degjenerimit shoqëror. Ka dashtë Zoti i Madh edhe nga jeta e përditshme shohim se kemi shumë ma pak probleme, dhunë, vrasje mes vete apo probleme tjera gjatë muajit Ramazan.
Forcimi i lidhjeve familjare dhe shoqërore gjatë këtij muaji të bekuar është shumë më i theksuar. Gjatë muajit Ramazan, si asnjëherë gjatë vitit shtohen dhe fuqizohen lidhjet familjare dhe shoqërore me ftesa për iftare. Ky mekanizëm shton dhe fuqizon këto lidhje duke synuar që të gjithë së bashku të jemi në funksion të devotshmërisë kolektive dhe të përmirësimit të vazhdueshëm të devotshmërisë individuale. Në këtë ka nxit edhe Pejgamberi s.a.s i cili thotë: ”Kush i jep Iftar agjëruesit atij i takon shpërblimi sikur i agjëruesit, pa ju mangësuar aspak shpërblimi agjëruesit”. Kjo është nxitje e fuqishme që përmes synimit tonë për të fuqizuar lidhjet shoqërore dhe farefisnore në të njëjtën kohë synojmë edhe shpërblimin e Zotit të Madhërishëm. Këto të dyja bashkë formësojnë ambientin e devotshmërisë, familjare, farefisnore dhe kolektive ku të gjithë së bashku në kohë iftari ngrehim duart dhe kemi shpresat te Zoti për pranim lutjesh.
Falja e pesë kohëve të namazit me xhemat sidomos gjatë këtij muaji të bekuar si dhe falja e namazit të taravive ndikon në lidhshmërinë dhe fuqizimin e ndjenjave vëllazërore mes besimtarëve. Pejgamberi s.a.s ka nxit në këtë përkushtim duke thënë “Nëse njeriu falet me imamin derisa të përfundojë, vërtet që atij i shkruhet sikur të jetë falur gjatë gjithë natës’. Po ashtu Pejgamberi a.s ka thënë “Namazi i njeriut në xhemat është më i vlefshëm se namazi i falur në shtëpinë e tij apo në treg për njëzet e disa shkallë” Kjo vlerë e namazit është jashtë muajit të Ramazanit, ndërsa kur ne llogarisim që gjatë muajit Ramazan shpërblimin për një vepër të tillë është deri në 700 herë më i madh atëherë vërtetë kemi nxitje dhe përkushtim të jemi pjesë e faljes së namazit me xhemat. Shpërblimi për një vepër të tillë gjatë muajit Ramazan është si kryerje e një farzi, siç na mëson Pejgamberi s.a.s “Kushdo që i afrohet Allahut me një vepër të mirë në këtë muaj, është sikur ta ketë kryer një farz në muajt e tjerë, ndërsa kush e kryen një farz në këtë muaj, është sikur t’i ketë kryer shtatëdhjetë farze në muajt e tjerë”. Ne si besimtarë përpjekemi të shfrytëzojmë këto mirësi që na i ka dhënë Zoti i Madhërishëm në rastet e tilla. Zotit shyqyr, jemi dëshmitar se falja e namazit me xhemat gjatë muajit Ramazan është shumë më e madhe dhe xhamit tona janë përplot namazli. Përkushtimi ndaj Zotit të Madhërishëm me namaz, vuajtja për ushqim dhe pije veç për hatër të Zotit, lodhja dhe plogështia si procese të natyrshme fizike veç për të fituar kënaqësinë e Zotit si dhe lutjet më të mira për njëri tjetrin për pranim adhurimesh ndikon në heqjen e paragjykimeve ndaj njëri tjetrit dhe në shtimin e dashurisë mes vete, duke synuar me përkushtim dashurin e Zotit!
Allahu i Mëshirshëm është burimi dhe Krijuesi i njerëzimit, gjithësisë dhe të gjitha botërave. Allahu s.t në muajin Ramazan duke e lidhë, harmonizua dhe ekuilibrua shoqërinë islame me kohë të caktuara që matet me planetët kozmike, na bënë të kuptojmë për rëndësinë e përkushtimit të njëkohshëm të njeriut me të gjitha krijesat e tjera kozmike ndaj Zotit. Islami na ka mësuar se kjo gjithësi ka rahati, ekuilibër dhe funksionim aq sa është në përkushtim dhe në nënshtrim të plotë ndaj Allahut, prandaj edhe njeriu duhet të funksionoj plotësisht në pajtim me dispozitat islame me qëllim të arritjes se drejtësisë njerëzore, paqes globale dhe qetësisë shpirtërore individuale. Syfyri dhe iftari jonë na mësojnë se krejt planetët janë në funksion të njerëzimit dhe devotshmërisë së tij deri sa të arrij njerëzimi përkushtimin absolut ndaj Allahut të Madhërishëm.