Në kërkim të natës së Kadrit

Aishja (r.a.) ka thënë: “Në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit profeti (a.s.) hynte në itikaf dhe thoshte: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit” Në një transmetim tjetër thuhet: Kërkojeni atë në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit.”[1]

Shpjegimi i hadithit:

Nëpërmjet këtij hadithi myslimani është i urdhëruar që të kërkojë natën e Kadrit në dhjetëditëshin e fundit të muajit të bekuar të Ramazanit. Këtë natë ai duhet ta kalojë në përkushtim dhe adhurim për Allahun.

Nga transmetimet e sakta të disa haditheve thuhet se myslimani duhet ta kërkojë natën e Kadrit në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit. Nata që më së shumti supozohet të jetë nata e Kadrit është nata e njëzet e shtatë. Sepse Ubej ibn Ka’ab (r.a.) ka thënë: “Betohem në Allahun, se unë e di se cila është ajo natë. Ajo është nata në të cilën profeti (a.s.) na ka urdhëruar për të qenë të përkushtuar në adhurim. Ajo është nata e njëzet e shtatë.”[2]

Megjithatë, jo në të gjitha vitet nata e Kadrit është në një natë të caktuar. Kjo do të thotë se në një vit ajo mund të jetë natën e 27-të, ndërsa në vitin tjetër ajo mund të jetë natën e 25-të. Kjo ndodh kështu me vullnetin dhe urtësinë e Allahut të Lartësuar. Një gjë të tillë e dëshmojnë hadithet e profetit (a.s.) të transmetuara që flasin për këtë temë. Ubej ibn Kalabeh ka thënë: “Nata e Kadrit i bie që të lëvizë në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit.”[3]

Ashtu si nuk dihet me saktësi ora e lutjes në ditën e Xhuma, po ashtu nuk dihet me saktësi se kur është nata e Kadrit. Urtësinë e fshehjes së saj e di Allahu, por ajo që duhet të bëjë myslimani është që të jetë sa më kërkues sepse nëse do ta dinim me siguri se kur është, atëherë myslimani do të plogështohej në adhurim përgjatë gjithë muajit dhe do t’i mjaftonte fakti që të përkushtohej me adhurim vetëm atë natë. Pra fshehja e saj e fton myslimanin që të përkushtohet me adhurim përgjatë gjithë muajit, veçanërisht në dhjetëditëshin e fundit të muajit. Po ashtu, sekret i fshehjes së saj është se ajo është edhe një sprovë për myslimanët. Në mënyrë që të dallohet ai i cili e ka marrë seriozisht këtë natë që të përkushtohet në adhurim me besim dhe duke shpresuar në shpërblimin e saj, nga ai person që është dembelosur dhe që nuk e vlerëson atë ashtu siç duhet. Fshehja e saj konsiderohet një mirësi e madhe. Ubade ibn Samit tregon: “Profeti (a.s.) doli për të na treguar se kur është nata e Kadrit. Rrugës ai pa dy myslimanë që po grindeshin me njëri-tjetrin. Pastaj profeti (a.s.) tha: “Dola për t’ju lajmëruar se kur është nata e Kadrit, por filani po grindej me filanin, prandaj ajo është fshirë. Por, ndoshta kështu është më mirë për ju. Kërkojeni atë në natën e nëntë, të shtatë apo të pestë.”[4]

Thënia e profetit (a.s.) “por filani po grindej me filanin” do të thotë se ata po bënin shamatë me njëri-tjetrin, prandaj ata u privuan nga bereqeti i natës së Kadrit. Imam Ibn Kethiri ka thënë: “Tek fjalët e profetit (a.s) ka ndjesi që të bën ta dëgjosh me kujdes. Kështu që në rast grindjesh e mosmarrëveshjes, mirësia dhe dobia largohet. Prandaj në një hadith të profetit (a.s) lexojmë sa më poshtë: “Me të vërtetë njeriu privohet nga risku për shkak të një mëkati që ka bërë.”[5]

Fjala e profetit (a.s.) “prandaj ajo është fshirë” do të thotë se nuk dihet me saktësi se kur është, por megjithatë ajo nuk është fshirë tërësisht prej jush sepse profeti (a.s.) tha: “Kërkojeni atë në natën e nëntë, të shtatë apo të pestë.”

Pikërisht për këtë arsye myslimani duhet ta shfrytëzojë këtë natë për të qenë pjesë e kësaj mirësie të madhe. Në netët e dhjetëditëshit të fundit ai duhet të përkushtohet në adhurim duke u falur, lexuar Kuran, duke bërë dhikër, të përgjërohet me lutje, të japë lëmoshë dhe të bëjë çfarë të mundet prej veprave të mira. Ai duhet të jetë ndër të parët në namazin e Teravive dhe namazin e Tehexhudit (namaz në pjesën e fundit të natës). Ai duhet të jetë në namaz qysh në tekbirin e parë të imamit që të jetë më i përkushtuar në namaz, të dëgjojë me kujdes dhe të meditojë në ajetet e Kuranit që i lexon imami. Tek ajetet që flasin për mëshirë të kërkojë mëshirë prej Allahut, ndërsa tek ajetet që flasin për ndëshkimin të kërkojë mbrojtje nga Allahu. Realisht, ato janë ditë të numërua që përfiton prej tyre ai që përkushtohet dhe privohet prej tyre mëkatari që ka humbur një mirësi shumë të madhe. Ai që është i mençur e di vlerën e vetes së tij, prandaj e shfrytëzon në maksimum atë që e ka në dorë, i vlerëson evenimentet madhështore ia di mirësinë dhe nuk i lë që t’i ikin nga duart.

Nata e Kadrit është një natë për secilin person që dëshiron të përfitojë prej mirësisë dhe shpërblimit të saj. Ai njeri që atë natë përkushtohet me adhurim e merr shpërblimin e premtuar edhe nëse nuk shfaqen shenjat e njohjes së kësaj nate. Allahu e di më së miri.

O Zot, na bëj prej atyre që e agjërojnë këtë muaj, përkushtohet në natën e Kadrit duke përfituar nga shpërblimi i asaj nate. O Zot, na bëj prej të parëve në konkurimin për vepra të mira. Na mundëso të falënderojmë për mirësitë që na ke dhënë dhe që të të adhurojmë në formën më të mirë. O Zot, na fal neve, prindërit tanë dhe të gjithë myslimanët. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për profetin Muhamed. Amin.

Përktheu: Elton Harxhi

[1] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[2] Transmeton imam Muslimi.

[3] Transmeton Abdurezaku, Ibnu Ebu Shejbeh dhe imam Et Tirmidhiu.

[4] Transmeton imam Buhariu.

[5] Marrë nga “Tefsiri i Ibn Kethirit” ndërsa përsa i përket hadithit imam Albani e ka vlerësuar si të saktë.