Autor: Mustafa Akyol
Në librat e tyre të fundit me tituj: Maria: Nëna e Jezusit dhe Maria: Një udhëtim dogmatik, dy shkrimtarë "katolikë", gazetari Zhak Duquesne dhe teologu Dominik Cerbelaud, shfaqin haptasi mosbesimin e tyre në virgjërinë e Maries, nënës së Jezu Krishtit. Duquesne argumenton se ky besim “nuk pajtohet me shkencën." Cerbelaud thotë se besimi në lindjen e Jezusit pa baba "rrjedh prej psikologjisë kolektive."
Unë mendoj se dy argumentet e dhëna janë kontradiktore. Ato shfaqin një kuptim të mangët të shkencës. Megjithatë, para se ti shtjelloj këto argumente, më lejoni të them pse çështja e lindjes së Jezusit ka rëndësi për mua; meqë disa jomyslimanë mund të çuditen me faktin që një mysliman shqetësohet për këtë debat.
Lindja e Jezusit sipas Kuranit
Si mysliman, unë e mbroj lindjen pa baba të Jezusit, dhe kështu duhet të bëjnë të gjithë myslimanët. Pse? Sepse kjo është një ndër temat kyresore në Kuran.
Kurani tregon shumë për lindjen, jetën dhe mrekullitë e Jezusit (Isait në arabisht). Historia e tij fillon kur ëngjëjt e thërrasin Marinë (Merjemen në arabisht) dhe e përgëzojnë me fjalën e Zotit, me lindjen e një fëmije pa baba. Merjemja e habitur tha: “Zoti im, si mund të kemë unë djalë e mua s’më ka prekur njeriu (nuk jam e martuar)? Ai (Allahu) tha: “Ja, kështu, Allahu krijon çka të dojë. Kur Ai vendos për një çështje, vetëm i thotë: Bëhu! Ajo menjëherë bëhet." (Ali-Imran: 47)
Merjemja lëvdohet shumë në Kuran. Lexojmë se engjëjt i thanë: "Oj Merjeme, Allahu të dalloi ty (me besim e karakter), të pastroi dhe të lartësoi mbi gratë e botës." (Ali-Imran: 42)
Në një shembull tjetër në suren En-Nisa (4:156) thuhet se ata që shpifin kundër Merjemes janë të mallkuar. Në fakt, libri i shenjtë i myslimanëve ka një sure të tërë që titullohet "Merjem" (Maria). Në këtë sure vërtetohet fisnikëria e Merjemes dhe lindja e Isait pa baba.
Në një tjetër sure lexojmë: "Edhe Merjemen të bijën e Imranit, që e ruajti nderin e vet, e Ne prej anës sonë i frymëzuam një shpirt, e ajo i besoi fjalët e Zotit të saj dhe librat e Tij dhe ishte e devotshme." (Tahrim: 12)
Këto ajete e bëjnë të qartë se Maria dhe Jezusi janë figura që nderohen nga të gjithë myslimanët. Prandaj, çdo mungesë respekti, fyerje, apo sulm ndaj tyre i drejtohet edhe Islamit. Kësaj liste mund t'i shtojmë dhe Musain, Ibrahimin, Ishakun, Jakubin, Jusufin, Jobin, dhe shumë figura të tjera të Dhjatës së Vjetër; që të gjithë lëvdohen në Kuran.
Ky mund të jetë lajm i ri për disa jomyslimanë. Por ajo që është më e çuditshme është se mund të jetë lajm i ri dhe për disa myslimanë. Për fat të keq, ne shohim një mungesë gatishmërie në botën islame kur bëhet fjalë për mbrojtjen e profetëve të tjerë përveç Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të). Sigurisht Muhamedi është profeti i Islamit dhe është shumë i dashur në zemrat e myslimanëve, por Kurani në suren En-Nisa (4:152), urdhëron që myslimanët të mos bëjnë "kurrfarë dallimi në asnjë prej" [të dërguarve të Zotit].
Ne myslimanët duhet t'a rizbulojmë këtë parim kuranor. Ne gjithashtu duhet të kuptojmë se mbrojtja e besimit nuk bëhet duke sulmuar kritikët e tij, por duke i hedhur poshtë argumentet e tyre në mënyre civile. Më lejoni tani të përqëndrohem në këtë të fundit.
A janë mrekullitë "joshkencore"?
E kam thënë edhe më lart, argumentet e parashtruara nga Zhak Duquesne dhe Dominik Cerbelaud për lindjen pa baba të Isait janë kontradiktore. Kjo për arsye se burimet më të hershme që na tregojnë rreth lindjes së Isait, Ungjijtë, janë njëkohësisht dhe burimet më të hershme që flasin për jetën e Maries. Sipas Ungjijve dhe Kuranit, Maria është gruaja e devotshme hebreje që e lindi Jezu Krishtin pa baba biologjik.
Dikush mund t'i refuzojë Ungjijtë sigurisht, por si mund të quhet i krishterë nëse vepron kështu? Duquesne dhe Cerbelaud deklarohen si të krishterë. Atëherë, si mund ta vënë ata lindjen pa baba të Isait në dyshim? Shkrimtari britanik, A. N. Wilson, në librin e tij Jezusi, i cili është "shkruar me skepticizëm të thellë rreth Krishterimit," vë në dukje se "nuk ka asnjë arsye logjike për ndarjen e pjesëve të para të Dhjatës së Re nga pjesa tjetër."
Nuk është për tu çuditur që dyshimet për lindjen pa baba të Isait nuk bazohen në Ungjijtë por në një mosbesim që vjen me sa duket nga përplasja e lindjes së Isait me "shkencën." Kjo duket se është ajo që i ka ndikuar pikëpamjet e Duquesne dhe Cerbelaud. Lindja e Isait pa baba është padyshim një mrekulli, dhe ata e marrin të mirëqënë që besimi në mrekulli është "joshkencor." Në fakt, ky mendim në lidhje me mrekullitë është shumë i përhapur ndër mendimtarët bashkëkohorë.
Megjithatë, shkenca nuk na thotë se mrekullitë nuk mund të ndodhin, por vetëm se mrekullitë nuk ndodhin në kohën tonë. Shkenca tregon se bota rreth nesh vepron brenda ligjeve konstante të fizikës dhe kimisë. Falë këtyre ligjeve, zjarri djeg gjithmonë, të vdekurit nuk ringjallen asnjëherë, dhe askush nuk ecën mbi ujë. Megjithatë, shkenca nuk mund të na thotë se kështu ka qënë gjithmonë më parë e as që kështu do të vazhdojë të jetë në të ardhmen.
Bindja se kështu ka qenë gjithmonë në të kaluarën nuk vjen nga "shkenca", por nga filozofia natyraliste. Natyralizmi është qëndrimi filozofik sipas të cilit natyra është gjithçka dhe se nuk ka dukuri të mbinatyrshme, të tilla si Zoti, që të kenë ndikim mbi natyrën. Ky qëndrim filozofik është një besim, jo një fakt që mund të provohet. Prandaj, kur njerëzit kundërshtojnë lindjen e Isait pa baba apo mrekulli të tjera në Kuran, ata nuk veprojnë kështu për shkak të shkencës, por për shkak të besimit të tyre në natyralizëm.
Fundi i natyralizmit
Duket se do të ketë lajme të këqia për natyralistët. Shkenca, të cilën ata e kanë përdorur si aleatin e tyre kryesor, është kthyer kundër tyre në dekadat e fundit. Sa më shumë mësojmë rreth botës natyrore, aq më shumë kuptojmë se "mrekullitë" mund të kenë ndodhur me të vërtetë në të kaluarën.
Goditja e parë e madhe qe iu dha natyralizmit nga shkenca ishte teoria e Big Bengut, e cila nxori në pah se gjithësia ka një fillim, një çast krijimi. Zbulimi i një zanafille për universin i tronditi fortë ateistët, duke përfshirë këtu edhe Karl Sagan, i cili në serialin e tij televiziv "Kosmosi" përsëriste dikur dogmën natyraliste, "gjithësia ka ekzistuar gjithmonë" sikur të ishte një fakt shkencor.
Një goditje e dytë e madhe ishte zbulimi i "parimit antropik", sipas të cilit çdo aspekt i gjithësisë, duke përfshirë strukturën e galaktikës tonë dhe të sistemit diellor, është projektuar duke pasur parasysh jetën njerëzore. Ky "projektim i mrekullueshëm" i universit flet për ndërhyrje në botën natyrore, një përkufizim më teknik ky i asaj që ne quajmë "mrekulli".
Një goditje e tretë ishte zbulimi i kompleksitetit të madh të jetës. Ky kompleksitet e rrëzon mitin e përhapur se Darvinizmi është një shpjegim adekuat i origjinës dhe diversitetit të jetës në tokë. Për këtë arsye Francis Krik, ateist dhe bashkëzbulues i ADN-së deklaroi se "origjina e jetës shfaqet sikur të ishte gati një mrekulli."
Sa më shumë mësojmë rreth botës natyrore, aq më shumë natyralizmi duket i pabesueshëm dhe mrekullitë duken reale. Dëshmia më e fundit dhe më spektakolare për
këtë fakt ka qenë konvertimi i të ndjerit Antoni Flew në teizëm. Në moshën 81 vjecare, pas dekadash si ateist, Antoni Flew arriti në konkluzionin se "universin nga mosekzistenca duhet ta ketë krijuar medoemos një inteligjencë e epërme." Ai shtoi: "Një Krijues inteligjent është e vetmja përgjigje logjike për origjinën dhe kompleksitetin e jetës."
Të krishterë, jini të krishterë!
Në një kohë kur ateistë të përkushtuar arrijnë të pranojnë ekzistencën e një “inteligjence të epërme" e cila ka krijuar botën, është e habitshme që "të krishterë" mohojnë se inteligjenca në fjalë ka ndërhyrë në histori.
Këtu kemi kryesisht një problem teologjik, por edhe një problem praktik. Si mysliman, unë e shoh Krishterimin si aleatin tim në përpjekjet për ta shpëtuar botën nga kaosi dhe devijimi që ka ardhur për shkak të përqafimit të materializmit, hedonizmit, epsheve, dhe arrogancës. Por unë dua ti shoh aleatët e mi të krishterë të fortë në besimin e tyre. Dhe, sigurisht, shumë prej tyre janë të tillë. Por për ata që nuk janë, më lejoni të përmend atë që Kurani thotë për të krishterët: "Ithtarët e Inxhilit të gjykojnë sipas asaj që Allahu e zbriti në të. E kush nuk gjykon sipas asaj që Allahu e zbriti, të tillët janë mëkatarë të dalë jashtë rrugës së Zotit." (El-Maide: 47)
Mohimi i lindjes së Isait pa baba dhe i mrekullive të tjera përbën një devijim të qartë nga rruga e drejtë. Ne myslimanët duhet dhe do t'a kundërshtojmë këtë.
Mustafa Akyol është analist politik, gazetar dhe shkrimtar i pavarur në Stamboll, Turqi. Ai ka ligjëruar mbi fenë, filozofinë dhe shkencën në disa universitete në Shtetet e Bashkuara dhe në Britaninë e Madhe. Ai është drejtor i Platformës së Dialogut Ndërkulturor, me bazë në Stamboll. Shkrimtari mund të kontaktohet në: akyolmst@superonline.com
Reklama 484 x 100.png)
Reklama 229 x 170.png)
Dr. Islam Hasani
Ubejd Gashi
Mr. Muhidin Ahmeti
Mr. Bashkim Aliu
Mr. Ajni Sinani
Reklama 228 x 90.png)
Iljasa Salihu
Kushtrim Gashi
Adnan Abrashi
Mr. Rrahman Ferizi
Milazim MUSTAFA
Gentian Jetishi
Reklama 228 x 90.png)
Komentet
Nuk ka komente per kete artikull