Përveç një rezymeje që i bëri punës së ekipeve kombëtare presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dje në asamble foli edhe trajneri Xhani De Biazi. Ai evidentoi punën e bërë duke u ndalur më së shumti te rinovimi i skuadrës. “Në fillim bëmë një grumbullim me lojtarë nga kampionati shqiptar, me qëllim që të kuptonim se ku ishte futbolli shqiptar. Pamë elementë që mund të na nevojiteshin, porse ideja jonë ishte krijimi i një skuadre sa më kompetitive, ndaj edhe ndërmorëm shumë udhëtime për të ndjekur shumë lojtarë shqiptarë që luanin në kampionate të ndryshme në Europë dhe gjetkë. U bë një punë e madhe, kjo edhe falë internetit e ndjekjes në disa raste të tyre edhe nëpërmjet televizioneve dhe faqeve të ndryshme online. Por ishte e nevojshme pasi disa lojtarë të kombëtares e kishin lënë skuadrën për shkak të moshës, ndaj duhej që ne t’i zëvendësonim”, – tha ndër të tjera De Biazi. Më pas ai foli paksa për ndeshjet e ekipit që drejton, duke u fokusuar më së shumti në të ardhmen. Italiani la të kuptohet se po punon për një ekip kompetitiv për kualifikimet e EURO 2016, duke hamendësuar me një rinovim të mundshëm të kontratës së tij, e cila përfundon në fund të këtij edicioni. “Kemi bërë ndeshje të mira, ku kemi marrë pikë të nevojshme. Sigurisht që do kishim dashur të kishim ca pikë më shumë. Mirëpo, ashtu sikundër ua kam thënë në fillim, po ua përsëris se ne do bëjmë të pamundurën në kualifikimet e Botërorit 2014 që të marrim sa më shumë pikë, duke bërë një lojë të mirë dhe e fuqizuar ekipin. Kjo edhe për të pasur për kualifikimet e 2016-ës një skuadër më të fortë, nga e cila të mund të pretendojmë edhe hapin e madh”, – tha trajneri i Kombëtares shqiptare.
Norvegjia - “Kemi më pak se një muaj në dispozicion, 22 ditë dhe duhet të punojmë sa më mirë në ato 4-5 ditë për ta përgatitur ndeshjen. Ajo çka është e rëndësishme është se nuk duhet të kemi mungesa për dëmtime. Për sa u përket lojtarëve të rinj ose më saktësisht Migjen Basha, është UEFA që duhet të vendosë, – tha trajneri për ‘SuperSport’. – Isha në Spanjë që të shikoja nga afër Valdet Ramën dhe më ka thënë se mezi pret të luajë për Shqipërinë, tashmë gjithçka varet nga gjendja e tij fizike. Ndërkohë Kaçes i kemi dhënë disa ditë kohë, pasi duhet të marrë pasaportën greke në mënyrë që të luajë si komunitar. Kështu, nëse e zgjidhë këtë problem, javët e ardhshme atëherë mund të jetë një nga futbollistët që do të grumbullohet”./panorama/


