Parametrat e mesatares islame

Shkruan: Dr. Jusuf Kardavi

Në mënyrë që të mos pretendoj programin e mesatares asnjëri që nuk e kupton, e as që e ka të qartë atë, dhe në mënyrë që të mos nxitojë drejt tij asnjëri pa dituri, pa udhëzim e argument. Mu për këtë arsye shejh Dr. Jusuf Kardavi mori përsipër që, për lexuesin musliman, të vendosë parametra, tipare e kondita, që përcaktojnë bazat ideologjike e sheriatike për këtë program, për të qenë ato kandil ndriçues që udhëzojnë atë që dëshiron të udhëzohet përmes tyre dhe të ecë në ndriçimin e kësaj drite të qartë.

Këta parametra i ka përshkruar përmes 30 pikave si vijon:

1. Të kuptuarit universal dhe të plotë të Islamit.
2. Bindja dhe besimi në Kuranin dhe Synetin e vërtetë si bazë të Sheriatit (ligjit) dhe udhëzimit.
3. Thellimi në kuptimet e vlerave hyjnore.
4. Kuptimi i balancuar i obligimeve dhe veprave, duke vendosur secilën prej tyre në kategorinë sheriatike që i takon, dhe dhënia e statusit që ka.
5. Sforcimi i ftesës për ripërtëritjen e të kuptuarit kuranor dhe profetik.
6. Përqendrimi në vlerat etike për të cilat kujdeset Islami.
7. Ripërtëritja e fesë nga brenda dhe ngjallja e parimit të Ixhtihadit (angazhimit për nxjerrjen e fetvave të kohës).
8. Balancimi mes parimeve statike të Sheriatit dhe variabëlve të kohës.
9. Ndjekja e një metode të lehtësimit dhe zbutjes në fikh dhe fetva.
10. Zhvillimi i programit të thirrjes në Islam për muslimanët dhe të tjerët, duke ndjekur metodën e përgëzimit që plotësohet me lehtësimin në fetva.
11. Gradualiteti urtak në thirrje, arsim, fetva dhe ndryshim.
12. Sforcimi i thirrjes së kombinuar mes shpirtërores dhe materiales, mes hyjnores dhe njerëzores, mes mendjes dhe sentimentit.
13. Ftesë për paqe me secilin që shtrin dorën për paqe, duke iu përmbajtur obligueshmërisë së angazhimit (luftës) në rrugën e Allahut për mbrojtjen e paprekshmërisë së fesë, gjërave dhe vendeve të shenjta dhe njerëzve të shtypur.
14. Ndërgjegjësimi i Ymetit (popujve muslimanë) se çlirimi i tokave të tyre nga okupatorët është obligim i secilit prej nesh.
15. Respektimi i të drejtave të pakicave fetare dhe trajtimi i tyre ashtu siç obligon Islami.
16. Të çmuarit e mendjes dhe të të menduarit duke bërë thirrje për largpamësi dhe meditim.
17. Thirrje në parime dhe vlera njerëzore dhe shoqërore si: drejtësia, konsultimi, liria, nderi, të drejtat e njeriut etj..
18. Theksimi i të drejtave, lirive dhe prestigjit që Islami i ka sjellë femrës.
19. Kujdesi për familjen duke e konsideruar si shtyllë të parë për ngritjen e shoqërisë së mirë.
20. Respektimi i së drejtës së popujve për të zgjedhur për krerë të fuqishmit dhe të besueshmit nga mesi i tyre, pa e falsifikuar vullnetin (votën) e tyre.
21. Forcimi i ekonomisë së Ymetit dhe veprimi për integrim në mes tyre, në mënyrë që të jetë i pavarur nga të tjerët.
22. Besimi në ekzistimin e Ymetit Islam dhe vazhdimësinë e tij, si dhe në obligueshmërinë e unitetit mes tyre, bazuar në vëllazërinë e besimit, pavarësisht nga shkollat dhe drejtimet të cilave u takojnë.
23. Opinioni i mirë paraprakisht për secilin që shqipton deklaratën islame (shehadetin) dhe i cili falet në drejtim të Qabesë, përderisa të mos shfaqet tek ai ndonjë gjë që e kundërshton atë qartë.
24. Kujdesi për pakicat muslimane kudo në botë, me konsideratën se edhe ata janë pjesë e Ymetit Islam, kështu që i takon Ymetit t’i përkrahë ata që të jetojnë me Islamin e tyre në shoqëritë përkatëse.
25. Besimi në ekzistimin e lloj-llojshmërisë së besimeve, origjinave, gjuhëve, kulturave e politikave dhe domosdoshmëria e bashkëjetesës në mes civilizimeve dhe kooperim mes kulturash.
26. Kujdesi për ndërtimin e tokës dhe realizimi i zhvillimit të gjithanshëm, material dhe njerëzor, si dhe kujdesi për ruajtjen e ambientit me të gjithë komponentët e tij.
27. Nxitja e thirrësve për reformë dhe ndryshim për luftimin e prapambetjes, së ligës dhe korrupsionit.
28. Veprimi për unifikimin e të gjithë faktorëve relevantë (veprimtarëve islamë) që të veprojnë për triumfin e Islamit, ndërsa dallimet dhe diversiteti midis veprimtarëve nuk ka rëndësi nëse ato janë të natyrës së specializimit dhe llojllojshmërisë, e jo të natyrës së kundërshtimit dhe konfliktit.
29. Mburrja me të arriturat e Ymetit tonë në të kaluarën historike, me të cilat e ka mahnitur botën, si dhe fitoret në kohë rekorde, por pa u mjaftuar me këndim për lavdinë e saj, por obligimi ynë është që të kujtojmë të kaluarën duke ngritur të tashmen dhe planifikuar të ardhmen.
30. Përfitimi nga më e mira e trashëgimisë sonë kolosale dhe të larmishme, si: saktësia e juristëve, argumentimi i dijetarëve të fondamentit, mbamendja e dijetarëve të hadithit, logjika e apologjetëve islamë, spiritualiteti i sofistëve (mistikëve), narracioni i historianëve, letrat e shkrimtarëve dhe poetëve, meditimet e të urtëve, eksperienca e dijetarëve, duke ditur se krejt kjo trashëgimi nuk është e siguruar nga ndonjë e metë, e gjithë kjo pranon kritikën, shqyrtimin, diskutimin, vlerësimin apo zhvlerësimin, por Ymeti si tërësi nuk bashkohet në atë që është humbje.

Nga: www.qaradawi.net

Përktheu: Korab Hajraj