Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Artikuj

artikuj
 

Qėndrimi i muslimanit ndaj vėshtirėsive jetėsore


E shtune 28 Janar 2012 21:44


Pyetja: I nderuari mësues i madh, Jusuf el-Kardavi, paqa, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju. Ju drejtohem me këtë letër, e shpresoj se ju nuk do të nervozoheni me mua dhe nuk do të mrroleni e mllefoseni me mua kur ta lexoni këtë letër. Unë vendosa t’ju shkruaj, pasi më rëndoi tepër barra dhe më hipën gjërat në krye. Shkurt thënë, unë jam një i ri i me fat të keq. Kam shumë armë, por të gjitha janë të lidhura. Kaderi-caktimi është ai që i lidh këto armë, edhe pse janë në rregull. Të gjithë ata që janë më të ulët se unë, i shoh të aftë, të mundshëm, u hapen dyert, vazhdimisht u jepen raste të ndryshme, ndërkaq për mua shoh se dyert janë të mbyllura, shansat të humbura, dhe bota në sytë e mi është krejt e nxirë.

Unë jam rritur në një ambient të varfër, por arrita të shkollohem. I vura vetes një metodologji për mësim, dhe kësaj metodologjie arrita t’i përmbahem. Nuk mjaftova vetëm me një apo dy gjuhë, por mësova pesë gjuhë botërore, Pak njerëz e arrin këtë. Në fillim mendoja se shkollimi dhe njohja e gjuhëve do t’i eliminojë para meje të gjitha pengesat dhe barrierat, mirëpo, për fat të keq, në çdo punë që e filloj, më dalin pengesa dhe armiq të cilët më bëjnë kurth dhe kënaqen me dështimin tim. Për këtë shkak, dëbohem prej pune pa ndonjë faj timin që e bëj me vetëdije apo mospërmbushje të detyrave të cilat më jepen. Kjo ndodh për shkak të kurtheve dhe xhelozisë së ziliqarëve. Kjo po më përsëritet mua, gjë që më bëjnë të besoj se jam njeri pa fat, se më është shkruar të pësoj dhe vuaj, dhe se caktimi i Zotit më lufton dhe më pengon. Më ndodhin këto gjëra, edhe përskaj asaj se unë jam njeri fetar, falem, agjëroj, i kryej obligimet fetare dhe mburrem me fenë time. Besoj se mirësia e vërtetë është në të qenit i përpiktë në fe dhe në ndjekjen e udhëzimit të fesë. Për atë, ju drejtohem juve, a keni ndonjë zgjidhje për këtë gjendjen time, ngase më janë bërë të tepërta gjërat dhe më shkojnë vërdallë në kokë mendime nga të cilat nuk mund të largohem dhe të cilat nuk i kanë hije një besimtari. Mirëpo, shtypja e tepërt, mund të shkaktojë shpërthim.

I nderuari profesor, ma tregoni rrugën e drejtë, pse më ndodh kjo dhe pse më shtyp koha? Pse më lufton caktimi? Pse më bëjnë kurthe dhe ma kanë zili njerëzit? Unë me padurim e pres përgjigjen tuaj. E lus Allahun t’ju forcojë në të vërtetën dhe t’ju japë të mira. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ju.

M.H.M.

 

Përgjigja e Dr. Jusuf el-Kardavit

I nderuari, falënderimi i plotë sinqerisht i takon vetëm Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij, si dhe mbi familjen dhe shokët e të Dërguarit të Tij, Muhamedit s.a.v.s. Të përshëndes me përshëndetjen islame, Selamullahi alejke ve rahmetuhu ve berekatuhu.

Unë e lexova letrën tënde dhe nuk mu mrrol fytyra nga mllefi e nervoza, siç mendoje ti, por ndjeva dhimbje në zemër për atë që e lexova. Kjo, ngase muslimani i vërtetë ndjen dhimbje në zemër kur sheh ndonjë njeri në halle, pa marrë parasysh kushdo që të jetë ky njeri, e çka mund të thuhet nëse këto halle i ka një vëlla musliman me të cilin më lidh besimi islam?!

Unë prej teje kërkoj që ta lëshosh hidhërimin dhe mllefosjen, por çështjen tënde ta analizosh ngadalë dhe me maturi, e mos e derdhësh gjithë mllefin tënd mbi caktimin e Allahut - Kadanë dhe Kaderin, mbi tokën dhe qiellin, mbi krijesat dhe Krijuesin.

Vëlla i nderuar, ti duhet t’i kesh parasysh disa të vërteta të rëndësishme:

1. T’i kujtosh mirësitë ekzistuese:Fillimisht, më duhet të theksoj se besimtari i mençur nuk duhet t’i shohë vetëm ato që i mungojnë dhe që i ka noksan, por ai së pari duhet t’i shohë mirësitë e Allahut të cilat i posedon. Nëse vepron kështu, ai do të shohë se posedon shumë të mira, por, për fat të keq, ai këto nuk i sheh, apo i sheh, por nuk i zen gjë, nuk i vlerëson si duhet, i sheh si të vogla.

Allahu e mëshiroftë Urve ibn Zubejrin, për një ditë e goditën dy fatkeqësi. Kali e goditi njërin djalë të tij, dhe vdiq, e vetë atij, mjeku ia preu këmbën, me qëllim që sëmundja mos të shpërndahet në pjesët tjera të trupit. Mirëpo, ai, edhe përskaj gjithë kësaj, përsëri e falënderoi Allahun e Madhërishëm. Ai e shikoi njërin djalë të mbytur, pastaj e shikoi tjetrin që e kishte të gjallë, dhe tha: ”O Allah, nëse njërin ma ke marrë, një tjetër më ke dhënë”. Pastaj e shikoi këmbën e prerë, pastaj e shikoi këmbën tjetër të shëndoshë, dhe tha:”O Allah, nëse njërën ma ke sprovuar, tjetrën ma ke mbrojtur nga sëmundjet”. Pra, ai i shikonte mirësitë të cilat i kishin mbetur, ashtu që ishte mirënjohës dhe i kënaqur, e sikur t’i shikonte vetëm mirësitë nga të cilat ishte privuar, atëherë do të dëshpërohej dhe mllefosej.

Po edhe ti, sikur ta shikosh veten, do të shohësh se ke shumë mirësi që ti nuk do t’i pranosh, apo ndoshta je neglizhent ndaj tyre.

a. Allahu të ka falur trup të shëndoshë, ashtu që nuk je lindur me të meta, me hendikep apo i deformuar.

b. Allahu të ka falur logjikë dhe mendjemprehtësi, siç shihet nga vetë fjalët tua dhe nga sukseset që ke arritur në studime. Përndryshe, ka patur mundësi të jesh prej të marrëve.

c. Allahu të ka falur vullnet të fuqishëm, siç thua ti në letër, ashtu që e ke detyruar veten me program për të arritur dituri dhe ke arritur ta zbatosh atë program, edhe përskaj kushteve të rënda që i ke patur.

ç. Allahu i Madhërishëm ta ka mundësuar të mësosh pesë gjuhë të huaja, gjë që mund ta bëjnë vetëm pak njerëz, apo shumë pak.

d. Mbi të gjitha, Allahu i Madhërishëm të ka udhëzuar në Islam, e kjo është mirësia më e madhe dhe më e dobishme në këtë botë dhe në botën tjetër.

Vëlla i nderuar, a nuk janë këto mirësi që t’i ka falur Allahu i Madhërishëm, mirësi këto të mëdha që i dëshiron shumë kush, bile disa prej tyre, por ja që nuk i ka?! Apo, ti i konsideron këto mirësi zero, ngase ato nuk të kanë sjellë para dhe jetë luksoze?

Nuk ka dyshim se pasuri është një mirësi, e varfëria është një sprovë që duhet kërkuar mbrojtje prej Allahut. Mirëpo, për atë që mendon, pasuria është prej mirësive më të vogla. Çfarë vlere ka pasuria, nëse je i sëmurë? Apo, çfarë vlere ka pasuria nëse je xhahil? Apo çfarë vlere ka pasuria përskaj mosbesimit dhe mëkateve? Allahu i Madhërishëm, për disa nga politeistët, ka thënë: “A mos mendojnë ata se me atë që jemi duke u dhënë atyre nga pasuria dhe fëmijët (55) nxitojmë t’u ofrojmë atyre të mirat? Jo, kurrsesi, por ata nuk janë kah e kuptojnë (56)”.

2. Ndoshta e urreni diçka, por ajo është më e mirë për ju:E vërteta e dytë është se njeriu, marrë parasysh se është qenie e dobët, nuk e di se ku është e mira dhe ku është e keqja e tij. Ai gjykon në bazë të aparentes, nuk e di të fshehtën, e shikon të tashmen, nuk e di të ardhmen, u nënshtrohet ndjenjave dhe nuk e përdor mendjen si duhet. Për këtë, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Por mund që ju ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju, dhe mund që ju ta doni një send, e ai është dëm për ju. Allahu e di (fundin e çdo sendi) e ju nuk dini”.

Vëlla i dashur, ku ta dish, ndoshta Allahun do të të kalit në sprova dhe të të edukojë përmes këtyre sfidave, ashtu siç i edukoi të dërguarit e Tij të mëdhej, të cilët u sprovuan, por duruan dhe u përqëndruan derisa e kumtuan shpalljen, e kryejtën misionit, ashtu që Allahu i Madhërishëm përmes tyre disa udhëzoi, e atyre që nuk besuan dhe u shmangën nga feja, ua solli argumentet.

A e dinte Jusufi a.s. se sprovat me të cilat u ballafaqua gjatë gjithë jetës, do ta shpijnë të bëhet i pari i Egjiptit, dhe në dorën e tij të jenë depot e tokës: financat, bujqësia, planifikimi dhe ushqimi? Po ashtu, a e dinte se pas këtyre sprovave, Allahu i Madhërishëm do ta bëjë që ai ta zgjedh problemin e thatësisë, si dhe përmes tij ta nxjerr Egjiptin dhe vendet tjera përreth prej krizës së urisë dhe thatësisë?

Ne duhet t’i përballojmë vështirësitë dhe dhimbjet me durim, e nuk duhet të mendojmë se sprova e cila na ka goditur, është ndëshkim për ne nga ana e Allahut, por në të kundërtën, shumë herë, sprova është dhuratë prej Allahut për ne, edhe pse ne nuk e kuptojmë. Sikur mos të kishte qenë kështu, pejgamberët nuk do të ishin njerëzit më të sprovuar në këtë botë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Njerëzit që më së tepërmi sprovohen, janë pejgamberët, pastaj pasojnë më të mirët, e pastaj më të mirët pas tyre dhe kështu me radhë. Njeriu sprovohet në bazë të besimit, nëse e ka besimin e fortë, i forcohet edhe sprova, e nëse besimin e ka të dobët, sprovohet aq sa e ka besimin. Sprovat vazhdojnë ta godasin njeriun, derisa ec mbi tokë pa asnjë mëkat”. Bile, besimtari i vërtetë, e përdor sprovën në kontekst pozitiv, duke e trajtuar si begati që meriton falënderim, e jo fatkeqësi për të cilën duhet durim. Në këtë kontekst, është transmetuar prej Omer ibn Hattabit se ka thënë:”Nuk ka ndodhur të më godet ndonjë sprovë, përpos se në të kam gjetur katër mirësi të Allahut për mua:Nuk ka qenë sprovë në fe, nuk ka qenë edhe më e madhe se sa ka qenë, nuk jam privuar që të pajtohem me të, dhe unë shpresoj që Allahu të më shpërblejë për të”.

3-Kjo është ajo që keni merituar ju:E vërteta e tretë në këtë drejtim, është që ta dimë se nuk duhet t’ia mveshim dështimin tonë në jetë vetëm çështjes së caktimit të Allahut, e veten tonë ta pastrojmë dhe ta shfajësojmë nga çdo paaftësi dhe dobësi. Kjo mënyrë e të menduarit do ta bëjë njeriun parazit dhe do ta ndalojë nga çdo tentim për përmirësimin e vetes dhe zgjidhjen e problemeve, por do të thotë:”Kështu ka thënë Allahu për mua, apo kundër meje”, dhe nuk do të lëviz asnjë hap përpara.

Besimtari i cili i ka kuptuar dispozitat e Allahut të Madhërishëm dhe ligjet e Tij për krijesat, i beson caktimit, por nuk e merr atë për mbulesë. Ai e fajëson vetveten, në vend që të hidhërohet me kohën. Allahu i Madhërishëm u ka thënë besimtarëve, shokëve të të Dërguarit të Tij, pas betejës së Uhudit:<<E kur juve u goditi një dështim (në Uhud) e që ju ia patët dhënë atë dyfish (armikut në Bedër), thatë:”Prej nga kjo?” Thuaj:”Ajo është nga vetë ju!”...>>.

Ebu Davudi ka transmetuar në Sunenin e tij prej Auf ibn Malikut se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka gjykuar ndërmjet dy personave. Personi, kundër të cilit u gjykua, kur e ktheu u nis të shkojë tha:”Më mjafton Allahu, mbrojtës i mirë është Ai”. Në këto fjalë të tij, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia ktheu:”Allahu na qorton për paaftësi, e ti duhet të jeshë i gjindshëm dhe i mprehtë. Kur të të ndodh diçka që nuk mund ta evitosh, thuaj:” Më mjafton Allahu, mbrojtës i mirë është Ai”. Pra, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i bëri vërejtje këtij personi për atë se tha: :” Më mjafton Allahu, mbrojtës i mirë është Ai”, edhe pse kjo thënia përmban përmendje të Allahut. Mirëpo, në këtë rast ajo flet për paaftësi dhe pesimizëm, e besimtari nuk duhet të jetë pesimist apo i paaftë. Në një hadith autentik qëndron:”Besimtari i fuqishëm është më i mirë dhe më i dashur te Allahu se sa besimtari i dobët. Prej çdo njërit prej tyre ka mirësi. Jij i kujdesshëm ndaj asaj që të sjell dobi, kërko ndihmë prej Allahut, dhe mos u bën i paaftë”. Muhamed Ikbali, një poet dhe filozof, ka thënë:”Besimtari i dobët ankohet për caktimin e Allahut, e besimtari i fuqishëm beson se ajo që ka ndodhur është caktimi i Allahut që nuk kthehet prapë dhe gjykimi i Tij që nuk nënshtrohet”.

Së këtejmi, vëllai i dashur, flake nga vetja jote paaftësinë dhe analizoje gjendjen tënde, pse je në atë gjendje? Ndoshta ke ndonjë dobësi të caktuar e cila ta ndal rrugën. Ti je njeriu më i thirrur për veten dhe më i aftë që t’i evitosh mangësitë dhe boshllëqet që i ke. Ato mund të jenë të kamufluara me ambalazhe të ndryshme, por mendjemprehti duhet t’i zbulojë e jo ta nxjerr veten gabim. Jij i sinqertë me veten tënde, dhe luftoje epshin, përmirësoje rrugën e jetës, ngase Allahu është me ty. Nëse ke vullnet të sinqertë, qartësohet rruga. E ka thënë të vërtetën Allahu i Madhërishëm:<<E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se Allahu është në krahun e bëmirësve (69)>>.

4-Pesimizmi nuk është shenjë e besimtarëve:E vërteta e katër është se pesimizmi nuk është shenjë e besimtarëve. Besimtari asnjëherë nuk i humb shpresat në ndihmën e Allahut dhe në asnjë moment nuk mendon se mëshira e Allahut është prerë prej tij, sado që të ngushtohet, sado që t’i mbyllen dyert dhe mos të sheh zgjidhje. Pesimizmi është derivat i mosbesimit e prerja e shpresave është manifestim i devijimit. Allahu i Madhërishëm përmes gjuhës së Jakubit a.s. ka thënë: “O bijtë e mi, shkoni dhe hulumtoni (në Egjipt) për Jusufin dhe vëllain e tij, e mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut, pse vetëm populli jobesimtar e humb shpresën në Allahun (87)”. Jakubi a.s. u shpreh kështu edhe përskaj asaj se Jusufi a.s. para shumë vitesh ishte humbur, nuk kishin lajme se çka kishte bërë. Pra, peri i shpresës nuk ishte këputur në zemrën e tij dhe shkëndijat e shpresës në mëshirën e Allahut nuk ishin shuar.

Po ashtu, Allahu i Madhërishëm, përmes gjuhës së Ibrahimit a.s. të cilin e përgëzuan melekët me një djalë të ditur, ndërkaq gruaja e tij ishte plakur dhe nuk lindte, e edhe ai kishte arritur vite të pleqërisë, ka thënë: “Ai (Ibrahimi) tha:”A më merrni myzhde kur më ka kapluar mua pleqëria? Me çka po më përgëzoni ju?” (54) Ata thanë:”Ne të morëm myzhde me atë që është e sigurt e ti mos u bën i pashpresë!” (55) Thuaj: ”Askush nuk e humb shpresën në mëshirën e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur” (56)”. Plaku i shtyrë në moshë, dhe gruaja e tij e vjetër dhe sterile, nuk i humbën shpresat se do të lindin një fëmijë të dalluar, ngase Allahu i Madhërishëm kur do diçka, ia mundëson kushtet dhe ia largon pengesat nga rruga. Për atë, edhe ti vëllau i nderuar, mos i humb shpresat që të të përmirësohet gjendja dhe e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja. Kjo, ngase prej ligjeve të Allahut është që të ndërrojnë kohërat dhe gjendjet e njerëzve. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Ne, këto ditë i ndërrojmë mes njerëzve...”. Edhe njerëzit, që nga kohët më të hershme, kanë thënë:”Dynjaja është rrotull, herë mirë e herë keq”. Të gjithë ne kemi parë me sytë tonë njerëz të cilët kanë pësuar ndryshime të mëdha, gjegjësisht disa pasanikë janë bërë fukara, e disa fukara janë bërë pasanikë; disa që kanë patur pushtet janë poshtëruar, e disa që kanë poshtëruar, janë ngritur lartë. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “...mirëpo pas vështirësisë Allahu sjell çlirim (begati)” ; “E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi (5) Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi (6)”. Ibn Mes’udi ka thënë: ”Sikur të hynte vështirësia në një vrimë, lehtësia do ta ndiqte, kudo që të ishte”.

Nëse unë të rrëfej ty për veten time, do ta shohësh çfarë sprovash kam patur. Pasi dola prej paraburgimi në vitin 1956, refuzuan të më caktojnë mësimdhënës në shkollat e Az’herit, ngase për ne që ishim pjestarë të organizatës Vëllezërit muslimanë-El-Ihvan el-muslimun, u ndaluan të gjitha funksionet të cilat kishin lidhje me masën, qoftë se ishte fjala për arsim, ligjërim ditëve të Xhuma apo ligjërata të përgjithshme. Unë arrita të marr diplomë të lartë nga Fakulteti i Bazave të Fesë(Usuluddin) si dhe diplomë të profesionalizimit të mësimdhënies nga të tre fakultetet e Az’harit. Pas kësaj, fillova të gjurmoj ndonjë shkollë private për ta ligjëruar gjuhën arabe, ndërkaq unë isha i diplomuar në Fakultetin e Bazave të Fesë, ashtu që u jepnin përparësi ndaj meje atyre që kishin kryer Fakultetin e Gjuhës Arabe dhe që ishin diplomuar në institucionin e lartë arsimor Daru-l-ulum. Por, shpejt u hoqën ato mjegulla, na u hap qielli, na erdhën mirësitë e Allahut të Madhërishëm njëra pas tjetrës, qofshin të dukshme apo të padukshme, materiale apo morale. Qoftë lartësuar Allahu që na udhëzoi, ngase sikur mos të kishte qenë Ai, ne nuk do të udhëzoheshim.

Për atë, vëlla i nderuar, mbroje besimin tënd, dhe në asnjë moment mos e humb shpresën tënde në të nesërmen e ndritshme dhe ji i bindur se vjen e nesërmja, dhe kjo vjen shpejt. Recitoi bashkë me mua vargjet e poetit:

Ndoshta djaloshit i ndodh diçka që e ngushton, e te Allahu ajo ka rrugëdalje

Është ngushtuar, dhe mu atëherë kur unazat e saj janë shtrënguar, është hapur,

e unë mendoja se nuk do të lirohet.

 

Prite zbardhjen e agimit, sado që të jetë nata e errët, ajo errësirë zgjat disa çaste dhe i paraprinë agimit të mëngjesit.

Allahu me mirësinë e Tij e forcoftë zemrën dhe këmbët tua në të vërtetën, e zgjeroftë gjoksin tënd me bindje, t’i lehtësoftë çështjet tua dhe e zgjidhtë nyjën tënde. Amin (Përgjigju o Allah). Dhe lutja jonë e fundit është: I tërë falënderimi i plotë, sinqerisht i takon vetëm Allahut, Zot i botëve.

 

Prej arabishtes: Mr. Bashkim Aliu

 




Pyetja me poshte eshte per te evituar spam emailat te gjeneruara nga robotet.

4 + 6 = ?


Komentet

Nuk ka komente per kete artikull
REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i artikujve