Sanije Këmbora, një grua 62-vjeçare nga Lushina, pranë Tiranës, ngrihet çdo ditë në katër të mëngjesit gjatë Ramazanit. Ajo përgatit ushqimin për syfyrin, një ushqim që hahet përpara agimit, dhe zgjon anëtarët e familjes së saj. Sanija i tha SETimes se ajo e ka ndjekur këtë rutinë për 40 vitet e fundit. "Unë agjëroj dhe kjo është një mënyrë për të forcuar përkushtimin dhe besnikërinë time ndaj Zotit," tha ajo.
Për të, si për shumicën e muslimanëve shqiptarë, Ramazani është një muaj kremtimesh. Është gjithashtu një festë për të gjithë njerëzit pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare, një simbol i bashkë ekzistencës fetare.
Prova e bashkë ekzistencës është veçanërisht e shquar midis rinisë. Me tabaka në duar, fëmijët muslimanë ndajnë ëmbëlsira me miqtë e tyre të krishterë ortodoksë, nga të cilët marrin vezë të kuqe gjatë Pashkëve.
Ky është një ndryshim i mirëpritur në një vend ku gjatë 35 viteve nën diktatorin kumunist Enver Hoxha, një agjërim Ramazani mund t'i kushtonte jetën një njeriu. Në 1967, Hoxha ndaloi fenë dhe kodifikoi ndalimin me ligj. Qindra kisha e xhami u shkatërruan dhe librat fetare u dogjën.
Transformimi në një regjim demokratik garantoi lirinë e fesë në kushtetutën e vendit.
"Falë bashkë ekzistencës paqësore, tolerancës dhe mirëkuptimit, muaji i shenjtë i Ramazanit po bëhet më shumë popullor jo vetëm midis besimtarëve muslimanë, por për të gjithë shoqërinë," i tha SETimes kreu i Komunitetit Islamik, Selim Muça.
Ai i udhëzoi myftinjtë në vend, të transmetojnë programe televizive, të mbajnë fjalime publike dhe të krijojnë postera, pankarta e kalendarë për Ramazanin.
Ndryshimet nuk kanë shkuar të pavëna re. Në raportin e departamentit të shtetit të SHBA mbi lirinë fetare në botë, 2009, Shqipëria del si një shtet ku "nuk ka raportime për abuzime apo diskriminime sociale mbi bazën e identitetit, fesë apo praktikave fetare."
Një vlerësim i tillë është në kontrast të plotë me kujtimet e Sanijes për vitet e kaluara kur ajo përgatiste syfyrin në errësirë, nga frika se po të hapte dritën do ta pësonte.
"Sigurisht që agjëronim, 'në një mënyrë ilegale'. Ne ngriheshim herët dhe hanim fshehtazi dhe gjatë ditës nuk i thoshim kujt se po agjëronim. Ndokush mund të na raportonte te policia e fshehtë dhe familja ime do të rrezikonte deportimin apo do të burgosej", thotë ajo.
"Agjërimi do të thotë shprehje e besimit, sinqeritetit, njerëzillëkut, solidaritetit të dikujt...virtute që çdo besimtar duhet t'i përqafojë", shtoi ajo.
Ndërsa besimtarët mund ta kenë më të lehtë sot, ata prapë ndeshin probleme. Këtë vit Ramazani bie në muajin më të nxehtë të verës dhe të moshuarit mund të preken.
"Temperatura është 38 gradë Celsius. Unë përpiqem të mos e çoj mendjen te uji i ftohtë," thotë Sanija.
Ajo thotë se duke përdorur ajrin e kondicionuar ndihmon ta ndrydhë etjen dhe të rritë aftësinë e saj për t'ja dalë të nxehtit.
"Imagjino që një herë e një kohë ne nuk hapnim as dritën për të ngrënë," tha ajo. "Kjo është një mrekulli e lirisë...një mrekulli e Zotit". /SETimes.com/
Reklama 229 x 170.png)
Mr. Bashkim Aliu
Nexhmedin Spahiu
Mr. Ajni Sinani
Mr. Muhidin Ahmeti
Nexhmedin Spahiu
Artan Musliu
Blerim Gashani
Mr. Iljasa Salihu
Xhevahire Abazi
Milazim MUSTAFA
Opinione te lexuesve
Merjem Gashi
Reklama 228 x 90.png)
Komentet
Nuk ka komente per kete artikull