Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Vitrina e librit

artikuj
 

Recension i librit: Gjysmėhėna dhe Shqiponja

George Gawrych mbi raportet nė mes shqiptarėve dhe Perandorisė Osmane, nacionalizmin dhe shtet-formimin shqiptar.

E enjte 8 Prill 2010 14:25


 
Shkruan: Fatlum Sadiku


 
(Recension i librit: Gjysmëhëna dhe Shqiponja: Sundimi Otoman, Islamizmi dhe Shqiptarët 1874-1913)


 
Introdukt
 
Profesori i çështjeve të Lindjes së Mesme në Universitetin e Baylor-it, George Gawrych, i cili kryesisht është marrur me çështjet e rajonit në fjalë, si një gjurmues konsistent edhe i arkivave të Turqisë, me librin e tij The Crescent and the Eagle: Ottoman Rule, Islam, and the Albanians, 1874-1913. London: I. B. Tauris, 2006 (Gjysmëhëna dhe Shqiponja : Sundimi Otoman, Islamizmi dhe Shqiptarët 1874-1913), mund të themi se ka bërë një zgjerim dhe inkludim të ri në fushën e tij studiuse, duke vendosur të merret edhe me shqiptarët që historikisht siç dihet gravitojnë në Ballkan. Megjithkëtë, periudha për të cilën Gawrych shkruan, natyrisht se përkon me një periudhë kur edhe shqiptarët akoma ishin nëse jo edhe gjeografikisht, atëherë gjithsesi kulturalisht dhe politikisht pjesë e botës lindore, orientit, më saktësisht ende ishin pjesë e Perandorisë Osmane. Nisur nga kjo, mund të konsiderohet se edhe studimi në fjalë kushtimisht mund të quhet si një studim për “pjesën europiane” të proviniencës së botës së atëhershme lindore. Teza kryesore që ngrit Gawrych, është se nacionalizmi shqiptar përkatësisht krijimi i shtetit shqiptar, nuk ishin një dëshirë reale e shqiptarëve si popull/komb potencial shtetformues, por në fakt nacionalizmi shqiptar dhe lindja e shtetit shqiptar ishin një outputim dhe rezulcion i konstelacioneve politike të kohës përkatësisht siç do të thoshte Konica të fatit historik për shqiptarët. Gawrych, deri më tani është studiuesi i vetëm që ka surfuar detajisht arkivat e Turqisë, në kërkim të burimeve më relevante historografike për sa i përket të dhënave për shqiptarët, por siç thotë edhe vetë, në arkivat e Turqisë akoma ka me mijëra e mijëra burime, të dhëna, e dokumente të kataloguara e të pakataloguara në lidhje me shqiptarët të cilësdo periudhë, të cilat natyrisht se meritojnë të shpluhërosen pak nga historianët tanë dembelë, ideologjistë dhe të njëanshëm. Ajo çka fundamentalisht karakterizon Gawrychin dhe veprën e tij, janë objektiviteti dhe neutraliteti në shqyrtimin, analizimin dhe shpjegimin e detajizuar të konjuksionit intensiv të raporteve osmano-shqiptare (1874-1909), periudhë e kjo e panislamizmit hamidian, por edhe në shqyrtimin, analizimin dhe shpjegimin e njejtë edhe të distinksionit në mes këtij korelacioni (1909-1913), periudhë kjo e mashtrimit xhonturk bërë shqiptarëve, Luftës së Parë Ballkanike dhe pavarësimit të Shqipërisë. Objektiviteti dhe neutraliteti i autorit, gjithsesi se rrjedhin nga profesionalizmi dhe nga të qenurit studiues i shquar, por pak a shumë kjo çasje objektive dhe neutrale e tij rrjedh edhe nga të qenurit i “huaj” (amerikan) dhe rrjedhimisht kështu edhe “palë e tretë” në raport me turqit dhe shqiptarët dhe për të cilin interes i fundit në botë do të ishte njëanshmëria apo mbajtja e krahut të ndonjë tarafi, gjë që nuk ka qenë virtyt edhe bash për krejt studiuesit e huaj që janë marrur me konstelacionin historik të marrëdhenieve osmano-shqiptare.

 
Preludi i studimit - Drama e Shemsedin Sami Frashërit : Besa Yahud Ahde Vefa ("Fjala e nderit apo mbajtja e fjalës së dhënë") - (1874)
 
Gawrych, studimin e tij e fillon duke marrur si subjekt studimi dramën e Shemsedin Sami Frashërit Besa Yahud Ahde Vefa (“Fjala e nderit apo mbajtja e fjalës së dhënë”) - (1874), (si paraprijëse e enicklopedisë Kamus Al-Alam [1889-1899] dhe projektit kombëtar “Shqipëria çka qenë ç’është dhe ç’do të bëhet” [1899]). Gawrych këtë dramë e konsideron vepër paradigmatike të potencimit më të çartë dhe më të figurativ të binomit të koeksistencës së elementit shqiptar si element i veçantë në gjirin e Perandorisë Osmane, por që njëkohësisht theksonte edhe besnikërinë e shqiptarëve ndaj Perandorisë. Drama e Samiut, sipas Gawrych është shembulli më parimor dhe eklatant i aleancës së natyrshme shqiptaro-osmane, aleancë të cilën autori figurativisht në libër e ka emërtuar si aleancë të pashkoqitshme të “gjysmëhënës me shqiponjën”. Subjekti i kësaj drame është Zyberi, një malësor krenar shqiptar dhe gruaja e tij, Vahideja, të cilët kishin një vajzë të quajtur Merushe. Merushja bie në dashuri me Rexhepin, kushëririn e saj të parë. Pasi zbulon dashurinë e ndërsjellë të “dy fëmijëve” të tij, Zyberi megjithatë bie dakord që ata të martohen. Një kthesë tragjike e ngjarjeve i ndodh çiftit ditën e martesës kur Selfoja, një shqiptar i cili jetonte në Borsh, një qytet aty pranë dhe që ishte i dashurar në Merushen e rrëmbën atë. Gjatë rrëmbimit, Selfoja e vret Zyberin, kur i ati u mundua ta ndalonte fizikisht nga ky veprim i paarsyeshëm. Sidoqoftë, para vdekjes së tij, Zyberi arriti ta urdhëronte të shoqen Vahidenë, që të shpëtonte Merushen dhe të merrte hak për vdekjen e tij, duke i kujtuar asaj se nderi i familjes ishte në rrezik. Ndërkohë që ishte duke kryer misionin e saj të gjakmarrjes, Vahideja shpëton jetën e një të panjohuri. Ky njeri, qe Fetah Aga, dhe doli të ishte babai i Selfos, i cili po kthehej në shtëpi pasi kishte shërbyer për 20 vjet në ushtrinë otomane. Pa pasur idenë se kush ishte Fetah Aga, Vaideja i’a tregoi Fetahut dhimbjen që e mundonte në shpirt. Menjëherë ai dha besën që ta ndihmonte Merushen për t‘u hakmarrë ndaj vrasësit të Zyberit, pa e ditur se kjo do të kërkonte që ai të vriste të birin. Më pas sapo zbulon rrugën pa krye ku e kishte futur premtimi që bëri, madje edhe po ta bindte ndjenja atërore që të hiqte dorë nga mbajtja e fjalës së dhënë Fetahu arriti në përfundimin se nuk kishte rrugë tjetër veç të sakrifikonte të birin Selfon për të mbajtuar “fjalën e dhënë” (besën). Pasi e vrau djalin e ri në gjumë babai i gjorë i shpjegoi Vahidesë, Merushes dhe Rexhepit se çfarë kishte bërë. Më pas tragjedia mori një tjetër përmasë. Fetah Aga, vrasësi i të birit vrau veten për t‘u hakmarrë për aktin që kreu ndaj të birit. Para se të shqiptonte fjalët e fundit ai arriti ta urdhëronte të ëmën, e cila arriti në mënyrë të volitshme në skenën e përgjakshme që ta pranonte Vahidenë si motrën e saj dhe Rexhepin me Merushen si fëmijët e saj. Drama mbaron me këtë pajtim prekës të të dyja familjeve për shkak se sipas zakonit shqiptar drejtësia ishte shpënë në vend. Si output të vetë mesazhit të dramës, ku shqiptari për asnjë çmim nuk e thyen besën e dhënë, Gawrych dramën e Samiut e konsideron si shumë metaforike, figurative, ekstrapoluese dhe si tejet reale të marrëdhënieve shqiptaro-osmane të kohës : megjithëse herë herë acaruara dhe me zigzake kohë pas kohe, prapëseprapë detyrimisht korelative dhe të ndërvarura nga njëra-tjetra.
 
Acarimi i situatës politike në Ballkan – Kriza e Tretë Lindore, Lidhja e Prizrenit si dhe raportet "Gjysmëhënë/Shqiponjë" në sytë e autorit
 
Para se të dalim tek pikëpamja e autorit mbi Lidhjen e Prizrenit, duhet potencuar disa gjëra bazike. Siç e thotë edhe vet Gawrych në një intervistë të tij, mbetja e Perandorisë Osmane edhe për më se një shekull (shekulli XIX dhe fillim-shekulli i XX-të) në një pjesë të Europës, ishte si rezultat i mos-ujdive politike dhe konflikteve të brendshme të fuçive europiane si dhe në njëfar forme paradoksalisht edhe në vetë interesin e tyre, ngase eksistenca e saj gjeopolitikisht shërbente si një “tampon zone”, apo bastion i pengimit të depërtimit rus në Ballkan/Mesdhe. Mirëpo fillimi i asaj që në historografi njihet si “Kriza e Tretë Lindore” (1875-1878), si rezultat i dobësimit të vazhdueshëm të Perandorisë Osmane, fitorja ruse mbi osmanët në luftën e ndërsjellë ndërmjet tyre (1877-1878) me mposhtjen e forcave të Osman Pashës në Bullgari, pretendimet ekspanduese austro-hungareze drejt Bosnjës, Adriatukut e Mesdheut, si dhe mbi të gjitha pretendimet e mëdha ruse nëpermjet Ignjatevit në Kongresin e Shën Stefanit që rrezikuan edhe marrjen e vetë Stambollit nga rusët në një të ardhme afatshkurtër, bënë që europianët të reagojnë dhe ta thërrasin Kongresin e Berlinit, i cili megjithëse revidoi shumicën e vendimeve të Shën Stëfanit, prapëseprapë krijoi preludin për të keqen e nesërme dhe përfundimtare të osmanëve dhe shqiptarëve në Ballkan, si dhe shkëputjen përfundimtare të “shqiponjës nga gjysmëhëna”. Kjo ngase me vendimet e Kongresit të Berlinit, përveç Bullgarisë veriu i së cilës u shpall principatë autonome nën një princ të huaj, njëkohësisht u krijuan edhe dy shtete të reja të pavarura sllave & krishtera satelite të Rusisë (Serbia, Mali i Zi,) të dala nga Perandoria Osmane dhe në kufi me këtë fundit (dhe me shqiptarët si pjese inkluzive e Perandorisë Osmane) të cilat sdo mend se në të ardhmen e afërt do të tentonin t’i jepnin fund trashëgëmisë osmane në Ballkan si dhe do të shfaqnin orekse pretencioze pushtuese drejt trevave të banuara me shqiptarë. Në këtë konstelacion siç e shpjegon edhe Gawrych, shqiptarët ishin në udhëkryq historik. Duke mos pasur asgjë të përbashkët me fqinjët e tyre sllav, si dhe duke qenë të asokohe“zhgenjyer nga Europa” (definim i bërë nga ish-ambasadori anglez në Stamboll njëkohësisht historian, Edwin Pearce në librin e tij “Turqia dhe Popullësia e saj” [1911], shih : Kapitulli V, faqe : 93-130 - informacion i vlefshëm ky nga miku im Shevki Voca të cilin e falenderojë shumë), shqiptarët të vetmën mundësi për aleancë e kishin aleancën me Perandorinë Osmane, respektivisht me Portën e Lartë siç quhej divani i atëhershëm osman nga europianët. Kjo edhe ndodhi me vetë organizimin e Lidhjes së Prizrenit, të cilën Gawrych nuk e sheh si lëvizje nacionaliste të shqiptarëve. Duke u nisur nga vetë emërtimi i Lidhjes së Prizrenit si “Xhem'ijjeti ittihadije-i Prizren”, mbajtja e saj në xhaminë Karamanli të Prizrenit dhe në medresenë e Mehmet Pashës (dhe jo në objektin ku na ka mësuar/mëson historia jonë nacional-komuniste), dhe atë vetëm tre ditë para Kongresit të Berlinit, (që pasqyron në thelb vetë karakterin e ngutshëm dhe të domosdoshëm mobilizues të Lidhjes), vula në gjuhë osmane (miks i arabishtes dhe persishtes) si dhe duke u bazuar në pikat referuese të saj (Karanamesë) të cilat theksonin besnikërinë ndaj Perandorisë Osmane (Pika 1 e Karanamesë), sulltan Abdyl Hamitit të II-të (Pika 2 e Kararnamesë), dhe Sheriatit (Pika 4 e Kararnamesë), sipas ekspresionit/maksimës "din dovlet, vatan"/”fe, shtet [osman], atdhe” (Pika 16 e Kararnamesë), del se organizimi i Lidhjes së Prizrenit, nuk predispozon me komponentet e një Lëvizjeje Kombëtare Shqiptare në kufar kuptimi kombëtarist/nacionalist të fjalës, por as nuk qe një vegle e thjeshtë e Perandorisë Osmane dhe në interes ekskluziv të saj, siç pretendojnë disa historian të caktuar siç është për shembull Jacob Landau.Gawrych, është mjaft ekuidistant në pikëpamjen e tij mbi Lidhjen, duke potencuar se Lidhja e Prizrenit nuk nënkuptonte subordinim klasik të shqiptarëve ndaj Perandorisë Osmane, por reciprocitet të dyanshëm të të dyja palëve nën tutelën e Sheriatit/Panislamizmit. Koloriti dhe intenca e Lidhjes së Prizrenit, sipas Gawrych ishin par exellance shëmbëllime të një alenacë panislame binome dhe barazitare turko-shqiptare, nën tutelën e Islamit/Sheriatit si botëkuptim primar dhe prelud nisës dypalësh, e që më pas në kuadrin e kësaj hynte njëkohësisht edhe interesi i përbashkët për mbrojtjen e tokave shqiptare dhe Perandorisë Osmane si ndërmarrësi pasuese të nevojës. E tëra kjo pra siç u potencua, funksiononte gjithnjë në kuptim binom, barazitar, koeksistent dhe të pandashëm të fjalës ku “gjysmëhëna dhe shqiponja” ishin të bashkuara si dhe në gjendje gadishmërie kundër asaj që nisur nga definimi filozofik i Susan Sontag quhet “rrezik i papritur i jashtëm”, e që në rastin e Lidhjes ishin shtetet sllave (Serbia dhe Mali i Zi). Duke u nisur nga karakteri panislamist dhe inkludues i Lidhjes, siç potencon edhe Gawrych, Lidhja zotohej të merrte mbi supet e saj edhe obligimin për të mbrojtur integritetin biologjik, human e fetar edhe të pjestarëve të feve tjera që pranonin protektoratin e Lidhjes (Pika 16 e Kararnamesë). Definimi i çartë që Gawrych i bënë koloritit dhe intencave të Lidhjes së Prizrenit përkon në menyrë konsistente me fjalëpërfjalshmërinë e disa prej vet pikave kyçe të lartëcekura të Karanamesë së Lidhjes së Prizrenit. T’i shikojmë rradhazi :
 
Pika 1 : Lidhja jonë është forumar me qëllim që të mos njohë asnjë qeveri tjetër përveç Perandorisë Osmane dhe të mbrojë integritetin tokësor me të gjithë mjetet

Pika 2 : Qëllimi ynë i lartë është të mbrojmë të drejtën e lartmadhërisë së tij sulltanit, sovranit tonë. Në do t’i  quajmë armiq të kombit (osman) dhe atdheut të gjithë ata që kundërshtojnë dhe prishin qetësinë, ata që dobësojnë qeverinë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Në rast se turbulluesit nuk heqin dorë do i dëbojmë jashtë shtetit

Pika 4 : Në bazë të Sheriatit do të mbrojmë jetën, pasurinë dhe nderin edhe të atyre që nuk janë muhamedanë, por janë besnikë, tamam si për veten tonë. Ndërsa kryengritësit do ti dënojmë sipas fajit.

Pika 16 : Në bazë të besës së lidhur nga burrat e patrembur të Shqipërisë së Veriut, Jugut
dhe Bosnjes, të atyre që kur kanë lindur nuk kanë njohur tjetër zanat por pushkën
dhe që për Din, Dovlet dhe Vatan japin jetën, kanë zgjedhur Prizrenin si kryeqytet
të Lidhjes.
 
Kjo besnikëri e ndërsjellë dhe kjo ndërlidhshmëri korelative dypalëshe (shqiptaro-osmane) nën tutelën e Sheriatit, kishin bërë që Lidhja e Prizrenit e përkrahur nga Perandoria Osmane të mund t’i rezistonte tendencës së shteteve sllave (Serbisë dhe Malit të Zi) për tu zgjeruar më tej drejt tokave shqiptare/proviniencës osmane, dhe në fakt vetë krerët e Lidhjes qenë në ballë të luftërave direkte kundrejt ekspansionit malazez të Kral Nikollës, Petar Vukatiçit dhe shqiptaro-orthodoksit të malazezuar Mark Millanit, që bënte punët e malazezëve. Pjestarë të Lidhjes siç shihet edhe nha pika 16 e Karanamesë kishin shkuar madje të luftonin edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila atëbotë po pushtohej nga austro-hungarezët. Ky karakter panislam i Lidhjes, sipas Gawrych kishte zgjatur deri në fundvitin 1880 dhe fillimvitin 1881, kur krahu fetar heterdoks i bektashinjëve i prirë nga Abdyl Frashëri, me orientim politik unicentrist-reaksionist, u infiltrua në punët dhe synimet e Lidhjes, dhe i cili me ndihmën e disa figurave tjera të paarsimuara siç ishin Sulejman Vokshi etj., i’a doli ta fuste Lidhjen e Prizrenit në konflikt direkt me Perandorinë Osmane, potez që implicoi në shkatërrimin e Lidhjes. Interesin e përbashkët shqiptaro-turk për moscopëtimin e tokave shqiptare/proviniencës osmane, Gawrych e potencon dhe e kundron edhe duke u nisur nga analizmi i shuttle diplomacy-s së zhvilluar në periudhën e Lidhjes së Prizrenit në mes Fuçive të Mëdha, duke përmendur kështu shkarazi edhe rolin e atëbotë ministrit të jashtëm të Perandorisë Osmane, mareshalit gjerman nga Magderburgu të natyralizuar gjatë rinisë në osman dhe të konvertuar në islam Mehmet Ali Pashës, emri i vërtetë i të cilit si gjerman ishte Karl Detroit por që në Perandorinë Osmane dhe në popullatë njihej si Maxharr Pasha, duke u nisur nga origjina e mundshme (por edhe kontestuese) hungareze e tij. Kështu gjatë zhvillimit të punëve të Kongresit të Berlinit, Mehmet Ali Pasha në stilin e avokaturës që Talejrani i kishte bërë çështjes franceze në Kongresin e Vjenës më 1815, kishte bërë thjeshtë thënë poterë në Kongres, duke rezistuar stoikisht me diplomaci kundruall tendencave për copëtimin e tokave shqiptare/proviniencës osmane (shih për këtë edhe “Albanian League of Prisrend in the English Documents” - Arkivi i Kosoves, viti 1978) dhe kur e kishte arrituar maksimalen e mundshme (aq sa mund të arrihej diplomatikisht nga ana e një ministër që përfaqësonte një vend të dalur nga kapitulacioni), Mehmet Ali Pasha i’a kishte mësyrë Kosovës, për t’i bindur shqiptarët që pasi gjatë Krizë Lindore nuk i kishte bërë hesapë askush nga fqinjët, dhe pasiqë nuk kishin qenë në kalkulimet e aleancave sllave si “aleat” të mundshëm kundër Perandorisë Osmane, të mos ngriten kundër kësaj të fundit dhe të mos qojnë kështu me apo pavetëdije ujë në mullinjtë e sllavëve, në momentin më të paduhur historik. Megjithkëtë, shqiptarët nuk i kishin dëgjuar rekomandimet e Mehmet Ali Pashës dhe e kishin vrarë atë në shtëpinë e Abdullah Drenit në Gjakovë, duke vazhduar të bëhen vegla inferiore të nacionalizmave sllavë dhe grekë në Ballkan. Nisur dhe shikuar nga konstelacioni dhe momentumi politik i kohës, pikërisht pas aktit në fjalë, pozicionimi i gabuar politik i shqiptarëve ishte fuçizuar edhe më shumë, anipse Sulltan Abdyl Hamiti i II-të paraprakisht kishte shfaqur shenja se do ta lejonte formimin e një shteti autonom shqiptar (në kompaktësinë e të katër vilajeteve), nën suzerenitetin osman. Pozicionimi i gabuar dhe inferiorë i një pjese të shqiptarëve, bëri që sulltani të hiqte dorë nga qëndrimi i tij që shqiptarëve tu ofronte një shtet autonom, dhe bëri që ai të konfrontohej ushtarakisht me pjesën reaksionariste anti-osmane dhe anti-shqiptare të Lidhjes. (shih për këtë edhe Belegu, Xhafer Lidhja e Prizrenit, Tiranë, 1939). Ç’është e vërteta pozicionimi i gabuar i shqiptarëve kishte qenë prezent edhe më herët (para Lidhjes së Prizrenit), kur shqiptarë me resintiment anti-musliman dhe anti-osman si Marko Boçari, Dhaskalina Bubulina, Jani Kapodistria, Foto Xhavella, e Ali Pashë Tepelena, kishin bërë punën e nacionalizmit grek në menyrë perfekte dhe së bashku me disa vegla të tjera shqiptare të nacionalizimit serb ishin bërë faktorë predikacional apo më drejt thënë me dhe pavetëdije kishin trasuar rrugën e shtetbërjes së Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Finesat dhe prirjet e tilla të shqiptarëve të caktuar, studiuesit i kanë konturuar literalisht nën maksimën e emërtuar si “rryma panballkanike shqiptare” (shih për këtë edhe Feraj : "Skicë e Mendimit Politik Shqiptar", Pegi, Tiranë 2006), të cilën e kam trajtuar dhe elaboruar edhe unë si studiues një studim të mëhershëm timin lidhur me linjat/rrymat politike shqiptare përgjatë kontiunitetit historik, ndaj që nuk po ndalem më tepër në këtë segment. Tendencat e pozicionimit anti-osman të shqiptarëve të tërë kësaj periudhe, autori i sheh si vazhdimësi finesash në drejtim të lëkundjes së marrëdhënieve “gjysmëhënë/shqiponje”, dhe kjo sidomos pas aktit të vrasjes së Mehmet Aliut, që shikuar për kah grada politike që kishte (ministër i jashtëm) dhe krahasuar hipotetikisht me periudhën e sotshme, akti i vrasjes së tij, nënkupton gjënë analoge apo të njejtë, me vrasjen e imagjinuar të një ministri të jashtëm të ndonjë shteti sot, respektivisht i bie njejtë/peshon sa vrasja e ministrit të jashtëm të tanishëm të Turqisë.
 
Pan-Islamizmi i Sulltan AbdylHamitit të II-të, si dhe marrëdhëniet "gjysmëhënë/shqiponje"gjatë periudhës 1881-1909, sipas Gawrych
 
Nga odiseada e analizimit të detajizuar mbi Lidhjen e Prizrenit, Gawrych kalon tek substanca 28 vjeçare e politikës panislamiste e Sulltan Abdyl Hamitit të II-të, i cili në fakt kishte sunduar që nga viti 1876, pra 33 vjet të plota - por që panislamizmin e politikës së tij, Gawrych e kontekstualizon vetëm pas vitit 1881 – periudhë pas të cilës kishin përfunduar konfliktet ushtarake, ishin përcaktuar kufinjtë e ri, ishte shpërbërë Lidhja e Prizrenit si dhe ishte evituar në masë të madhe rreziku për rrëzimin e sulltanit nga froni. Nisur nga kjo, pasiqë në pjesën për pikëpamjet mbi Lidhjen e Prizrenit dhe në këtë kuadër për influencën e e vetë Sulltan Abdyl Hamitit të II-të në të, si dhe politikën e tij karshi Lidhjes në dy vitet e fundit të eksistencës së saj, elaboruam më lartë, tani do të ndalemi në elaborimin e politikës së sulltanit karshi shqiptarëve vetëm që prej vitit 1881 e deri në rrëzuarjen e tij nga froni më 1909, rrëzuarje në të cilën aktivisht kontribuan edhe një pjesë e shqiptarëve, periudhë kjo e ekstrapolimit më direkt të panislamizmit politik të sullanit. Si studiues, me plot përgjegjësi mund të them se George Gawrych është autori mbase i parë dhe e i vetëm (nga autorët që kam lexuar) që i çaset pa komplekse dhe shumë objektivisht politikës së Abdyl Hamitit të II-të karshi shqiptarëve. Në këtë drejtim, leximi i veprës së Gawrych së pari eleminon disa miskoncepsione logjike për të mos thënë banale të cilat me apo pa dashje historografia jonë i’a atribuon Sulltan Abdyl Hamitit II, e në këtë kuadër edhe Perandorisë Osmane e më pas çartëson edhe arsyet e politikës panislamiste të tij. E para e punës në konteksin në fjalë, është shkërmoqja dhe rënia e pretendimit se Sulltan Abdyl Hamiti II & Perandoria Osmane u paskan “falur” territore shqiptare fqinjëve sllav. Pa e lexuar fare Gawrychin, mjafton të kesh pak njohuri nga historia dhe ta kuptosh që një pretendim i tillë është nonsens, i pabazë për të mos thënë edhe qesharak. Kjo për arsyen e thjeshtë se nëse trojet shqiptare kanë qenë vetë pjesë Perandorisë Osmane e që sipas së drejtës dhe subjektivitetit ndërkombëtar juridik të kohës i bie që territoret shqiptare kanë qenë territore vetëm osmane dhe jo shqiptare, shtrohet pyetja e logjikshme se si ka mundësi që Sulltani & Perandoria të falnin me vetëdëshirë territore të vetat ?!
 
I riverzibilizuar dhe e krahasuar me realitetin e sotshëm kosovar, pretendimi në fjalë i bie sikurse të thuash sot : “Qeveria e Kosovës i’a fali Mitrovicën Serbisë për inat të mitrovicasëve dhe në të mirë të Kosovës !” Këtu bie miskoncepsioni i parë. Sulltani nuk u fali territore shqiptare (osmane) për qejfi fqinjëve, por secilën pëllëmë të territorit të vet që e lëshoi, e lëshoi pas rezistencave të gjata, të dhembshme dhe të kushtueshme ushtarake, politike dhe diplomatike. Sulltani lëshoi territore si rezultat i disfatave dhe kapitulacioneve që Perandoria Osmane me shqiptarët si aleat të natyrshëm i saj, i pësuan nga “trinomi aleat” : Rusi-Monarkitë Ballkanike-Austro-Hungari, e që më pas Europa u’a bënte vetëm "bekimin" hartave të reja nëpër Kongrese e Konferenca, si tautologji të reja të reliteteve të krijuara gjeopolitike, realitete këto të cilat në vazhdimësi ngushtonin kompaktësinë terriroriale të Perandorisë Osmane në Ballkan dhe njëkohësisht me këtë edhe të tokave shqiptare si pjesë inkorporcionale e saj. Nëse Perandoria Osmane nëpermjet diplomacisë së saj mundi të nxirrte ndonjë favor për vete dhe njëkohësisht në të mire të tokave shqiptare (siç qe rasti i Mehmed Aliut në Kongresin e Berlinit), ishte pikërisht Europa ajo e cila nuk donte të dëgjonte për shqiptarët dhe as të merrte parasysh asnjë kërkesë tyre (kujto : deklaratën e Bismarkut në Kongresin e Berlinit që thoshte se “nuk eksiston kurfarë populli shqiptar” !). Prandaj si output i detajizimit që bënë Gawrych, edhe njëherë vlen të potencohet se është gabim kardinal pretendimi se “sulltani u’a paska falur me qejf tokat shqiptare fqinjëve”, kur çartazi shihet nonsensi : sulltani nuk ka pasur se si t’i falë toka shqiptare për qejfi kur ato në fakt juridikisht dhe politikisht ishin të vetat, respektivisht pjesë integrale e proviniencës sovranitare të Perandorisë Osmane.
 
Sulltani mbi të gjitha lëshoi toka si rezultat i kërcënimeve të jashtme europiane, të cilat e kërcënonin Perandorinë Osmane se në rast se nuk i bënë lëshimet e kërkuara, do të ngjanin “përfundime edhe më të këqija”, që natyrisht sdo mend se do të ishin pikërisht edhe më fatale për Perandorinë Osmane (e njëkohësisht kështu edhe për vetë shqiptarët) sesa vetë lëshimet e bëra nga sulltani pas kërkesave të para. Miskoncepsioni i dytë të cilin e çartëson Gawrych, është pretendimi fals që Sulltan Abdyl Hamitin e II-të e akuzon si një “përçarës i shqiptarëve”. Historografia nacional-komuniste shqiptare e akuzon politikën e Abdyl Hamitit të II-të të ketë vepruar sipas maksimës “përçaj dhe sundo” si dhe të ketë penguar “zhvillimin dhe arsimimin e shqiptarëve”. Kur lexohet me vëmendje Gawrych, shihet çartazi se ky pretendim nuk qëndron, për arsyen e thjeshtë logjike se të përçash diçka duhet të paraprakisht ta gjesh si të bashkuar, si dhe të ndalosh diçka duhet ta gjeshë paraprakisht si eksistente, funksionale dhe/apo të lejuar. Ardhja e Sulltan Abdyl Hamitit II në fron më 1876, nuk i gjeti shqiptarët të bashkuar, por përkundrazi të ndarë në atë që në gjuhën e administrates osmane atëbotë njihej si ndarje veri-jug respektivisht Gegallëk (veriu) ve Toskallëk (jugu) ndarje që ishte gjeografike/rajonale, kurse ndasitë fisnore/klanore/lokale/religjioze ishin edhe më të theksuara dhe jo me pak tendenca dominumi të ndërsjellë, realitet ky që eksistonte me shekuj dhe jo vetëm pak para ardhjes të Sulltan Abdyl Hamitit të II-të në fron, por edhe para vetë depërtimit osman në Ballkan (jo rastësisht Kanuni i Lekë Dukagjinit u pati kompiluar si një model rregullativ dhe parandalues i harbimit të mëtejmë të shqiptarëve), ndaj që në këtë kontekst sulltani nuk i ndau shqiptarët, por i gjeti të tillë.

Për sa i përket shkollimit dhe arsimimit, Abdul Hamiti II, s’kishte se si tu ofronte shqiptarëve shkollim e arsimim në gjuhën shqipe kur edhe në këtë rast jo vetëm sulltani , por vetë depërtimi osman në Ballkan në shekujt XIV-XV i kishte gjetur shqiptarët pa alfabet. Përderisa serbët gëzonin alfabetin e tyre të trashëguar nga Çirili dhe Metodi (çirilicën), shkrimi tek shqiptarët në periudhën para-osmane kufizohej në ato pak elemente idiografike të trashëguara prej pellazgjishtes, ilirishtës e thrrakishtes dhe të cilat në fakt ishin të paçarta në kontekst onoministik dhe ortografik. Krejt kjo qëndronte kështu si rezultat i mbejtes së shqiptarëve pjesë e tri mbretërive të krishtera të periudhës para-osmane : Bizantit, Perandorisë Bullgare si dhe më vonë asaj serbe të Dinastisë së Nemanjeviçëve dhe të cilat kishin sjellur në peshojë vetë eksistencën biologjike të shqiptarëve e lëre më emancipimin e tyre. (shih për këtë edhe Begovic, Mehmed, "Zakonik Cara Stefana Dusana", Vol. 1 Struski i Atonski Rukopis. Beograd : Srpska akademija nauka i umetnosti, 1975 – se si parashihej shfarosja e shqiptarëve).
 
Shumica dërmuese e botimeve eksistuese në gjuhën shqipe, duke filluar nga Meshari i Buzukut, veprat e Bogdanit e deri tek veprat e Naim Frashërit e Samir Frashërit janë botuar gjatë periudhës osmane dhe për to nuk kishte kurfar pengese. Në periudhën e tij, krejt çka pengoi Abdul-Hamiti i II-të ishin veprat e karakterit misionarist fetar dhe anti-islam, si dhe ato të karakterit nacionalist-secesionist të cilat u’a ndalonte edhe vetë turqëve (kujto veprat të cilat i’a ndaloi Namik Kemalit, Ziya Gökalpit etj.). Në rastin e shqiptarëve tendenca të tilla kishte kryesisht nga shkollarët që vijonin dhe mbaronin studimet në Kolegjin Zosimea të Janinës ku nuk mësohej shqipja por mësohej greqishtja 12 orë, latnishtja 4 orë e gjysmë, ndërsa frëngjishtja 3 orë dhe ku shqiptarët që gravitonin në të ishin kryesisht bektashinjë, katolikë dhe orthodoksë dhe të cilët nën ndikimin e ideve të huaja, mëtonin që si minorancë të krijonin një prelud dominiumi mbi shqiptarët muslimanë dhe t’i fusnin krejt shqiptarët në konflikt me Perandorinë Osmane. Tendencat misionariste-fetare ishin shfaqur që në hapjen e parë të shkollës për femra në Korçë më 1887 kur Sevasti Qiriazi-Dako dhe Parashqevi Qiriazi u kishin predikuar protestanizmin femrave shqiptare në shkollë, pasi që edhe vetë paraprakisht ishin konvertuar në protestanizëm pas qëndrimit katërmujor të një misionari amerikan në shtëpinë e tyre (informacion burimor nga Shevki Voca të cilin e falenderoj), ndaj që në rastet si ky në fjalë sulltani çoftë edhe jashtë vullnetit të tij, detyrohej të konfrontohej me tarafe të tilla anti-islame, anti-osmane dhe pa vetëdije edhe anti-shqiptare. Përfundimisht kur lexohet Gawrych, kuptohet se AbdylHamiti i II-të nuk ka qenë as përçarës i shqiptarëve dhe as pengues i zhvillimit të tyre, por një sulltan që kishte konsiderate të madhe për shqiptarët si trima dhe besnikë, si dhe një politikan largpamës që kishte hetuar herët tendencat e huaja për copëtimin e Perandorisë Osmane e njëkohësisht edhe të tokave shqiptare dhe që mu për këtë arye me çdo kusht mëtonte siç shprehet figurativisht Gawrych t’i “mbante të bashkuara gjysmëhënën dhe shqponjën”. Duke lexuar librin e Gawrych, del se politika e AbdylHamitit të II-të karshi shqiptarëve konsistonte në tri shtylla fundamentale :
 
E para: Panislamizmi. AbdylHamiti i II-të nuk ndoçi asnjëherë politikë të dominiumit panosmanist karshi shqiptarëve. Kjo sepse ky sulltan politikën e tij nuk e fundamentonte mbi parime nacionaliste, por mbi parimet supra-nacionale të Sheriatit Islam, parime këto që përjashtojnë dallimet etnike/nacionale në favor të asaj fetare. ("Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!" [Al Imran 103]). Duke u bazuar pikërisht në këtë ajet kuranor, aleancën shqiptaro-osmane karshi armiqëve të jashtëm AbdylHamiti i II-të, e shihte brenda për brenda tutelës panislame si parësore, në të cilën osmanizmi dhe shqiparizmi (si komponente dytësore) gravitonin inkluzivisht në të. Pra në nomosin e AbdylHamitit II, aleanca osmano-shqiptare ishte binome, koeksistente, korelative, reciproke, barazitare, pa divergjenca dhe pa supersticiozitet dominumi njëpalësh kundruall pales së dytë. Konfrontimet, kundërshtimet ndalesat etj., vinin jo si rezulcion diskriminimi ndaj shqiptarëve, por si rezlucion kërcënimi të disa tarafëve minorant shqiptar anti-islam dhe pavetëdije anti-shqipar, të cilët rrezikonin aleancën panislame në mes "gjysmëhënës dhe shqiponjës".

E dyta:"Fortesa e hekurt shqiptare" si gjeopolitikë. Anipse siç shkruan edhe studiuesi tjetër i Ballkanit Robert Elsie, shqiptarët në shekullin XX akoma me shumicë përbënin një komunitet tribal, sipas Gawrych, AbdylHamiti i II-të çmonte tek ta besnikërinë dhe trimërinë poseduese. Pikërisht nisur nga këto predispozita që posedonin, sulltani shihte në ta edhe “fortesën e hekurt”, “tampon zonën” në kontekst të pengimit të ekspansionit të mëtejmë të monarkive balkanike drejt trashëgëmisë osmane/tokave shqiptare në Ballkan. Gawrych argumenton se kjo gjeopolitikë ishte më tepër rezultat i një rrjedhoje të komplikuar bindjesh dhe identitetesh që kah fundi ishin në konflikt të vazhdueshëm ndërsjellazi në mes vete. Kjo situatë në sytë e sulltanit po qonte drejt luhatjes së vazhdueshme, përkatësisht drejt futjes së një pyke në mes “gjysmëhënes dhe shqiponjës” (shqiptarëve dhe Perandorisë) nga elementë të jashtëm, ndaj që politika centralizuese e sulltanit më shumë del të jetë politikë në favor të forcimit të “fortesës së hekurt” së lartëpërmendur, përkatësisht një “vi e parë e frontit rezistence” e shqiptarëve ndaj tendencave gllabëruese të monarkive ballkanike. Pra politika centralizuese thjesht del të jetë më shumë një gjeopolitikë e momentumit të caktuar kohor, politikë në favor të pengimit të ekspansionit të huaj drejt pjesës së mbetur të Perandorisë Osmane/tokave shqiptare se sa një politikë kundërshtuese dhe diskriminuese ndaj kërkesave shqiptare. Përpjeket centralizuese të AbdylHamitit në tokat shqiptare Gawrych përfundimisht i sheh vetëm brenda për brenda këtij fazoni të intencës së sulltanit.

E treta : Politika kooptuese ndaj elementëve destabilizues. U çartësua më lartë se AbdylHamiti i II-të nuk ka ndjekur politikë përçarëse ndaj shqiptarëve. Duke lexuar veprën e Gawrych, lexuesi kupton se politika që realisht ndjekte sulltani në fjalë ishte politika kooptuese ndaj elementëve destabilizues, ndërkaq që përçarjet vinin pikërisht nga shtetet fqinje si dhe nga Europa. Pra mu e kundërta e asaj çfarë mësohet zyrtarisht : sulltani nuk i përçante shqiptarët, por nëpërmjet politikës kooptuese mëtonte të eleminonte pikërisht tendencat përçarëse të disa tarafëve minorantë që me apo pavetëdije qonin ujë në mullinjtë e fqinjëve dhe që kanosnin aleancën panislame në mes “gjysmëhënës dhe shqiponjës” si dhe kompaktësinë territoriale osmane/shqiptare. Kështu megjithëse shumë krerë shqiptarë duke filluar nga Abdyl Bej Frashëri, Pashko Vasa, Ismail Qemali, Isa Boletini etj., gjatë krejt periudhës së sundimit të AbdylHamitit të II-të, bashkoheshin me çarçet çoftë të huaja çoftë me ato reaksioniste brenda Perandorisë, sulltani ndaj të gjithë këtyre krerëve shqiptarë u tregua i mëshirshëm dhe falës, anipse në dorë të tij ishte edhe mundësia për zgjedhjen më të keqe. Kështu pasi që kishte denuar me vdekje Abdyl Bej Frashërin si shkatërrues të Lidhjes së Prizrenit, sulltani më vonë ndërroi mendje dhe e internoi në Stamboll duke i'a kufizuar vetëm aktivitetin politik. Duke parë reaksionizmin e Pashko Vasës, sullani e “dënoi” edhe këtë duke e internuar në Liban dhe duke e bërë guvernator të këtij vendi që në fakt nënkuptonte ngritje posti për të. Duke parë afrinë e Ismail Qemalit me Mit'hat Pashën dhe krahun reaksionist/panturqist "Ittihat ve Teraki Cemiyeti" si dhe me çarçet britaneze e franceze, sulltani e internoi Ismail Qemalin në Tripoli duke e bërë kështu edhe atë guvernator të Tripolitanit që poashtu nënkuptonte ngritje posti politik për të. Duke parë tendencat e Serbisë për ta blerë Isa Boletinin, sulltani edhe Isa Boletinin e kooptoi dhe e tërhoqi në Stamboll, duke e bërë gjashtë vite roje kryesore të pallatit të tij, shembuj këta që përfundimisht flasin më së miri për qëllimet inkluduese të tij dhe lëshimet zemërgjera çoftë edhe ndaj atyre që haptazi i'a punonin gropën prapa shpine. E tëra kjo vetëm e vetëm në favor të moscopëtimit të territoreve osmane/shqiptare respektivisht të ruajtjes së aleancës “gjysmëhënë/shqiponje”

Përfundim : Shqiptarët në shërbim të xhonturqëve, rënia e AbdylHamitit të II-të, pavarësimi i Shqipërisë - ndarja përfundimtare në mes “gjysmëhënës dhe shqiponjës”

Tridhjetë e pesë vjet pas dramës së Samiut, Besa Yahud Ahde Vefa që theksonte besnikërinë e ndërsjellë shqiptaro-turke, viti 1909 do ta shenjonte fillimin e fundit të shkëputjes përfundimtare të “shqiponjës nga gjysmëhëna”. Një pjesë e shqiptarëve gjatë fillimviteve ‘900, u ishin bashkuar xhonturqëve dhe çifutëve në përmbysjen e Sulltan AbdylHamitit të II-të. Kjo e fundit edhe ndodhi në prill të vitit 1909. Por ç’është më interesantja, rrota e historisë kishte determinuar një fat mjaft goditës : pikërisht një shqiptar do të ishte ai që do t’ia komunikonte AbdylHamitit të II-të, vendimin për t’a lëshuar fronin. Ishte ky Esat Pashë Toptani, vet i pesti, i cili me të hyrë në pallatin “Yildiz” të Sulltan AbdylHamitit të II-të i ishte drejtuar sulltanët me fjalët :  Millet seni azletmiştir. (Populli ty të shkarkoi). Kishte pasuar një heshjte 8-10 sekondshe deri kur AbdylHamiti i’a kishte kthyer :  Sen bir asali nankörsun! (Ti je një mosmirënjohës i poshtër !), dialog që për kohën, vendin dhe situatën sdo mend se ishte ekstrapolimi më eklatant i faktit se vëllazërisë islame 500 vjeqare në mes shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane tashmë po i vinte fundi. Përfundimisht marrë nga konstelacioni politik i zhvillimeve dhe kundruar sipas komperacionit shmitian mik/armik, vërtetë siç potencon edhe Gawrych, shtetformimi shqiptar del të jetë një fat historik për shqiptarët. Në këtë kontekst Gawrych bashkohet në një mendim me studiusit e tjerë të Ballkanit (Noel Malcom, Nathalie Clayer, Nuray Bozbora, Robert Elsie, George Castellan etj.), kur konkludon se interesat gjeopolitike të Austro-Hungarisë dhe Italisë për mosekspandim të tejzgjeruar të Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi në Adriatik, ishin ato që megjithatë krijuan një cope shteti shqiptar në vitin 1912 dhe se këtë nuk e bëri nacionalizmi shqiptar apo shqiptarët nga nisma e tyre, për të cilët siç shprehet Gawrych ngjashëm sipas maksimës së Miroslav Hroch-it “zotëronin pak ndjenja kombëtare”. Gawrych madje potencon se shkëputja e shqiptarëve nga matrica shekullore e tyre Perandoria Osmane, shumë lehtë ka mundur t’ua sjellë edhe shfarosjen përfundimtare biologjike, sidomos kur kihen parasysh krimet gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore të monarkive ballkanike. Kjo sepse shqiptarët, asnjeherë nuk qenë në kalkulimet e fqinjëve si aleat i mundshëm të fqinjëve kundër Perandorisë Osmane. Serbët e kishin historikisht mike Rusinë. Edhe Greqia e kishte njejtë mike Rusinë. Pra Serbia, Rusia dhe Greqia ishin (dhe janë) mike historikisht. Nga kjo del se të gjithë ata shqiptarë qe mbase edhe pavetëdije ranë pre e bashkëpunimit me këtë trinom aleatësh, i kryen dëm më së shumti kombit të tyre. Pra, shqiptarët te cilët e patën mike Greqinë dhe Serbinë, kanë mundur të kenë qenë armiq të osmanëve, por miq të shqiptarëve shumicë assesi. Edhe pse janë thirrur si shqiptar. Kjo ngase historia ka determinuar që shqiptarët (komplet si komb) s’kanë mundur  te kenë një mik dhe një armik të përbashkët me fqinjët e tyre. Shqiptarët shumicë (myslimanët), për periudhën për të cilën shkruan Gawrych : 1874-1913, (por në substancë e njejta vlen edhe sot) nuk denjuan ta kenë mik atë që e patën serbët mik, sikurse që nuk denjuan ta kenë mik atë që e patën grekët mik. Dhe as ansjalltas : nuk denjuan të jenë miq me miqët e Serbisë dhe as me miqët e Greqisë. Kjo sepse tërë këta nuk e paten mik, atë që shqiptarët shumicë e konsideronin mik : Perandorinë Osmane. Fatëkeqësisht  prej atehërë pati shqiptarë që i zunë mike Greqinë dhe Serbinë dhe në fund natyrisht u detyruan ta ndajnë kulaqin bashkë me ta ! Ata shqiptarë së bashku me Serbinë, Greqinë dhe miqët e tyre e kishin armik : Perandorine Osmane, islamin, muslimanët dhe shqiptarët musliman që në fund doli të jetë faktori eksponencial i shkëputjes përfundimtare të “shqiponjës nga gjysmëhëna”

 

Autori është politikolog dhe studiues në fushën e toerive politike dhe etno-nacionalizmit.

___________________________________

 

Literatura plotësuese:

 

[1] http://olsijazexhi.com/lidhja.pdf

[2] “Albanian League of Prisrend in the English Documents” - Arkivi i Kosoves, viti 1978

[3] Belegu, Xhafer Lidhja e Prizrenit, Tiranë, 1939

[4] Feraj, Hysamedin  : “Skicë e Mendimit Politik Shqiptar, Pegi, Tiranë 2006

[5] Begovic, Mehmed, “Zakonik Cara Stefana Dusana”, Vol. 1 Struski i Atonski Rukopis. Beograd : Srpska akademija nauka i umetnosti, 1975

[6] Hobsbawm, Eric: Nacije i nacionalizam : program, mit, stvarnost

[7] Miroslav Hroch, Društveni preduvjeti nacionalnih preporoda u Europi, Zagreb, 2006.,

 




Pyetja me poshte eshte per te evituar spam emailat te gjeneruara nga robotet.

6 + 8 = ?



Për të dërguar koment së pari duhet të Kyçeni ose të Regjistroheni në mesazhi.com

Arkivi i lajmeve