Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Kosovė

artikuj
 

Rohan: Fusnota s'ka kurrfarė pasoje

Rohan tha se rasti i Kosovės nuk mund tė krahasohet me atė tė Maqedonisė, ndėrsa tėrė debatin pėr fusnotėn e konsideron tė ekzagjeruar.

E mėrkure 22 Shkurt 2012 11:15


"Në vendin tim, askush nuk thotë Republika Federale e Austrisë në takimet ndërkombëtare, shkruhet vetëm Austria", thotë ish zëvendës kryengociatori i OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ambasadori Rohan tha se rasti i Kosovës nuk mund të krahasohet me atë të Maqedonisë, ndërsa tërë debatin për fusnotën e konsideron të ekzagjeruar.

 

 

RADIO EVROPA E LIRË

Ambasador Rohan, në Kosovë po zhvillohet një debat i nxehtë në lidhje me fusnotën e përfaqësimit të Kosovës, në të cilën do të përfshihej edhe Rezoluta 12 44, si dhe mendimi i GJND-së e Deklarata e Pavarësisë. Por, a bie Deklarata e Pavarësisë ndesh me Rezolutën 12 44, e cila parashihet të shkruhet në fusnotën përfaqësuese të Kosovës?

ALBERT ROHAN

Aspak, sepse Rezoluta 1244 është ajo që është zbatuar së fundmi dhe sipas pikëpamjes sime është dokument historik. Ajo parasheh dialog politik për çështjen e statusit, ndërsa ky dialog është zhvilluar dhe ka rezultuar me deklaratën e pavarësisë. Prandaj, deklarata e pavarësisë në njëfarë mënyre është konsekuencë e e kësaj rezolute. Unë me të vërtetë nuk e kuptoj insistimin e Serbisë që ta përmend këtë rezolutë, e cila i takon së kaluarës.

 

RADIO EVROPA E LIRË

Duke pasur parasysh realitetin në Kosovë, a duhet edhe më tej të përmendet kjo rezolutë?

ALBERT ROHAN

E tërë kjo më duket pak marrëzi. Në fund të fundit, kryesorja është që Kosova duhet të marrë pjesë në bashkëpunimin rajonal, ndërsa ne me javë të tëra po flasim për një fusnotë. Fusnota nuk mbetet veçse një fusnotë. Mënyra më e lehtë sipas mendimit tim, do të ishte që ta shohim Kosovën si pjesëmarrëse, ndërsa sa për fusnotën, të shkruhej ‘Nuk njihet nga Serbia’. Diçka e tillë do të ishte rrugëdalja më e lehtë. E tërë kjo është ekzagjeruar.

 

RADIO EVROPA E LIRË

Megjithatë, zoti ambasador, një fusnotë e tillë, a do të sillte pasoja?

ALBERT ROHAN

Asnjë lloj. Askush nuk i lexon fusnotat, nëse bëhet fjalë për Republikën e Kosovës, apo Kosovën. Për shembull në vendin tim, askush nuk thotë Republika Federale e Austrisë në takimet ndërkombëtare. Shkruhet vetëm Austria, sikurse nuk i thonë as Gjermanisë, Republikë Federale e Gjermanisë e të tjera.

Prandaj këto janë detaje procedurale… e kuptoj ndjeshmërinë, por mendoj se duhet mbajtur në proporcion me realitetin dhe përmendja e ndonjë rezolutë të vjetër, që më nuk është në fuqi, është e dorës së dytë, në veçanti kur është e balancuar me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

 

RADIO EVROPA E LIRË

Por disa frikësohen dhe po bëjnë krahasime me Maqedoninë si dhe kontestin e saj të emrit me Greqinë?

ALBERT ROHAN

Është situatë krejtësisht tjetër, sepse ndërkombëtarisht Maqedonia ka një emër me të cilën prezantohet në OKB, që është Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe kjo është e tëra. Por, nuk është në pyetje fusnota. Kosova do të prezantohet si Kosovë në këto takime rajonale.

 

RADIO EVROPA E LIRË

Një temë tjetër që vazhdon të diskutohet është situata në veri, me disa që thonë se për veriun mund të jetë i nevojshëm një status special dhe me të tjerët që këmbëngulin se Plani i Ahtisarit është plan i mirë për atë pjesë. Çfarë mund t’i shtohet tjetër planit të Ahtisarit?

ALBERT ROHAN

Nuk shoh se çka mund t’i shtohet, sepse çdo gjë që komuniteti serb në veri mund të donte apo mund të kishte nevojë, një lloj të ‘sovranitetit serb’, është përfshirë në pakon e Ahtisarit. Ata mund të udhëheqin çështjet administrative; me pakon njihet situata e veçantë në veri; kemi futur dispozita të veçanta për Mitrovicën e Veriut në fushën e shkollimit të mesëm dhe të sistemit të lartë shëndetësor.

Komunat mund të lidhin partneritete, mund të formojnë asociacione, sipas Kartës për Qeverisje Lokale të Këshillit të Evropës. Prandaj, çdo gjë që është atje duhet aplikuar dhe mendoj se njerëzit mund të shohin se asgjë s’ka çka t’i shtohet atij plani.

 

RADIO EVROPA E LIRË

Por, serbët sapo mbajtën një referendum sipas të cilit nuk i pranojnë institucionet e Prishtinës. A shihni ndonjë pasojë apo ndonjë rrezik?

ALBERT ROHAN

Jo. Nuk shoh kurrfarë pasoje në kuptimin material. Secili e di se një masë e madhe e shumicës atje nuk duan të përfshihen në institucionet e Kosovës dhe ky është fakt. Mendoj se tash iu takon të gjithëve, është naive që t’i vihet barra e përgjegjësisë vetëm qeverisë në Prishtinë. Normalisht që ata duhet të intensifikojnë afrimin te komuniteti serb në veri, kjo është e vërtetë.

Por, përgjegjësi të njëjtë duhet të ketë edhe BE-ja. EULEX-i duhet të jetë më aktiv në veri. BE duhet që të bisedojë me Beogradin në lidhje me këtë, sepse pa një lloj bashkëpunimi të Beogradit do të jetë vështirë. Prandaj mendoj se kjo duhet të jetë një përpjekje e përbashkët në të cilën, secili nga aktorët kryen pjesën e vet për t’i bindur njerëzit në veri, njëjtë siç janë bindur serbët në pjesët tjera të Kosovës, se plani është gjëja më e mirë që mund të marrin.

 

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti ambasador, katër vjet pas pavarësisë, çfarë shihni si sfidë kryesore për Kosovën?

ALBERT ROHAN

Për, mua sfida kryesore është situata socio-ekonomike. Papunësia është shumë e lartë, ekonomia duhet zhvilluar. Është lehtë të thuhet, por vështirë të bëhet nën rrethanat ku investitorët e huaj nuk po zbarkojnë në Kosovë, përderisa situata politike është e paqëndrueshme.

Situata ekonomike e sociale, forcimi i institucioneve- këto i shoh si sfida të mëdha së bashku me njohjet, integrimin e ngadaltë të Kosovë në komunitetin ndërkombëtar, i cili do të jetë një proces gradual. Ata që pretendojnë se është zgjidhje e lehtë, ata janë naivë. Ky është një proces gradual që do të marrë kohë, por me ndihmën e BE-s, në veçanti, mendoj se do ia dilet.




Pyetja me poshte eshte per te evituar spam emailat te gjeneruara nga robotet.

1 + 1 = ?


Komentet

Nuk ka komente per kete artikull
REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i lajmeve