Image 01 Image 02 Image 03 Image 03
echo content

artikuj
 

Seminar pėr femrat shqiptare - muslimane nė Londėr


E marte 16 Mars 2010 6:26

 

Jeni Myftari, Londër

 

14 Marsi 2010 shënoi fillim e një faqe të re në jetën dhe veprimtarinë e femrave myslimane në Londër. Pas gati 20 vitesh nga fillimi i lëvizjeve masive të shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, drejt Mbretërisë së Bashkuar, besimtaret myslimane shqiptare promovohen për herë të parë me një seminar një ditor, vetëm për femra. Organizatore e kësaj nisme ka qenë Shoqata e Myslimanëve të Ballkanit-Drita, një shoqatë e re kjo që sapo ka nisur veprimtarinë dhe ka në përbërje të saj myslimanë nga Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Maqedonia, e Bosnja.

Seminari me temë “Muhammedi (a.s) mëshirë për botën mbarë”, u mbajt në Swiss Cottage, një zonë kjo e populluar shumë nga shqiptarët. Interesimi dhe vëmendja ishte shumë e madhe, gjë që u vu re edhe nga numri mjaft i lartë i pjesëmarrëseve, të cilat kishin ardhur nga pjesë të ndryshme të Londrës, madje kishte prej atyre që kishin ardhur nga jashtë Londrës. Në seminar kishte të pranishme edhe nga shoqata të tjera shqiptare në Londër.

 

Takimi filloi me një sure nga Kur’ani të lexuar nga 9 vjeçari Enes Hoxha, për të vazhduar më pas me fjalën e mirëseardhjes për të pranishmet, mbajtur nga Merita Memishi, Kryetare e Gruas, në Shoqatën “Drita”. Pas mirëseardhjes, Znj. Memishi ndër të tjera tha: “Myslimanët posedojnë vlera të larta, respektin, krenarinë dhe para se gjithash, janë ithtarë të fjalës së shenjtë, të cilën Allahu ia publikoi njeriut më të zgjedhur Muhammedit s.a.v.s., e ajo fjalë është Kur’ani. Përmes Muhamedit a.s. Allahu i Lartëmadhëruar na solli ne dhe tërë botës, fenë e kuptueshme dhe të qartë, të mbështetur në dy themele të forta, shpalljen hyjnore dhe arsyen njerëzore; fenë islame, drita e së cilës përhapet në vazhdimësi, në të gjithë kontinentet dhe ndriçon shtigjet e rrugës së vërtetë, për ata që kanë sy dhe që mendojnë, që e ndjekin arsyen dhe mendjen, që e përbuzin marrëzinë, që nuk durojnë padrejtësinë dhe që janë njerëz me virtyte të larta, siç kërkon Allahu (xh.sh) që të jenë”.

Katër lektoret në këtë seminar paraqitën para të pranishmeve në pika të shkurtëra fragmente nga jeta dhe vepra e Profetit të fundit të historisë njerëzore, Muhammedit (s.a.a.s).

“Allahu e ka lartësuar Profetin Muhammed (a.s) mbi të gjitha krijesat dhe i ka dhënë atij mrekullinë e Israsë dhe Miraxhit-tha lektorja e parë e këtij takimi, Sadete Boja. Namazi ishte dhurata që Zoti i gjithësisë i dha Profetit në këtë natë të madhe dhe që Muhammedi (s.a.a.s) ia la amanet besimtarëve, gjatë gjithë kohës madje edhe në minutat e fundit të jetës së tij”.

Më pas, duke folur për rolin e Profetit si udhëheqës dhe burrë shteti, Blerina Batalli theksoi se strategjia politike dhe ushtarake e ndjekur nga Profeti Muhammed (s.a.a.s) ia kalon të gjitha shkollave më të specializuara sot, për përgatitjen e kuadrove drejtuese të shtetit. "Për këtë", tha ajo, "praktika e Profetit (a.s) duhet të merret shembull nga të gjithë politikanët dhe diplomatët e sotëm, që udhëheqin botën”. Në fund të fjalës së saj Z. Batalli citoi një thënie të dramaturgut të famshëm anglez, Bernard Shaw: “Jam i bindur se një njeri i ngjashëm me të, po të merrej me problemet e kohës moderne do t’i kishte zgjidhur ato me sukses duke i sjellë njerëzimit paqen dhe lumturinë e nevojshme. Kam parashikuar se besimi i Muhammedit do të jetë i pranueshëm në Evropën e nesërme ashtu siç ka filluar të bëhet i pranishëm edhe në Evropën e sotme”.

Znj. Hadije Gjegjizi foli për qëndrimin e Profetit (s.a.a.s) ndaj femrës. Pasi i bëri një përmbledhje të shkurtër gjendjes së femrës në botë, para ardhjes së Islamit, ajo tregoi në pika të shkurtëra, pozitën e lartë në të cilën e ka vendosur Zoti (xh.sh) femrën në Kur’an. Ndërmjet të tjerash ajo tha: “...Në personin e Muhammedit (s.a.a.s), çdonjëri prej nesh gjen figurën e bashkëshortit të mirë, prindit të dashur, shokut bujar e të sjellshëm, punëtorit të ndershëm, gjen figurën e udhëheqësit dhe drejtuesit tolerant e të kuptueshëm“.

Lektorja e fundit, Afijete Hoxha, solli para të pranishmeve figurën e Profetit si prind i mirë dhe kujdestar i jetimëve.“Edukimi i fëmijëve", tha Znj.Hoxha, "është një kapitull i rëndësishëm në legjislacionin islam. Edukimi i mirë dhe i drejtë i fëmijëve është trashëgimia më e çmuar e më e shtrenjtë që prindi i devotshëm le pas vetes së tij. Po ashtu islami na mëson që të kujdesemi edhe për ata fëmijë jetimë të cilët nuk i shoqëron dashuria prindërore dhe kjo duhet të na zgjojë ndërgjegjen dhe mëshirën për ta“.

Në fund, seminarin e përshëndetën një grup fëmijësh të cilët mbushën sallën me harmoninë e zërave rinorë. Vjershat dhe Ilahitë e cituara prej tyre zgjuan tek të pranishmet mallin e vendlindjes.

Takimi u mbyll me një koktel, që i shërbeu të ftuarave për t’u njohur më mirë me njëra-tjetrën. Të pyetura se çfarë përshtypjesh kishin nga ky simpozium, të gjitha të intervistuarat shprehën konsideratën e tyre të lartë për organizimin e shkëlqyer, për temat e arrira dhe për vetë aktivitetin në tërësi. “Kishim nevojë për një veprimtari të tillë-thanë të ftuarat. Një hap i tillë duhet të ishte ndërmarë vite më parë. Ne femrat kemi shumë nevojë të tubohemi në grupime të tilla e të dëgjojmë apo të japim kontributin tonë-thanë ato”.

Ndërsa Mehdi Hoxha, Kryetari i Shoqatës Drita, i pyetur lidhur me këtë aktivitet tha: “Kemi patur shumë ngarkesë emocionale dhe kemi mbajtur stres të madh për mbarëvajtjen e këtij simpoziumi. Kemi organizuar shumë aktivitete për burra, por asnjëherë nuk jemi ndier kaq në ankth. Kjo jo vetëm për faktin se ky është aktiviteti i parë i këtij lloji për femra në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe për faktin se asnjëra prej lektoreve nuk ka patur përvojën e duhur dhe, secilës prej tyre i është dashur të bëjë një punë shumë të madhe, për të arritur sukses në këtë eveniment. Falenderoj Allahun, i cili e kurorëzoi mundin dhe përpjekjen tonë me sukses dhe më pas falenderoj gjithë ekipin organizativ të seminarit-tha Z.Hoxha-për seriozitetin me të cilin kanë punuar dhe për ndihmën e paçmuar, që kanë dhënë me këtë rast”.



Seminar pėr femrat shqiptare - muslimane nė Londėr

Pyetja me poshte eshte per te evituar spam emailat te gjeneruara nga robotet.

2 + 8 = ?




Për të dërguar koment së pari duhet të Kyçeni ose të Regjistroheni në mesazhi.com