Image 01 Image 02 Image 03 Image 03
echo content

artikuj
 

Si tė sillemi me fėmijėt kokėfortė


E shtune 15 Tetor 2011 20:34

A ke kaluar sot një kohë të bukur gjatë shëtitjes në park? A keni shëtitur bashkë në një mëngjes të bukur dhe në kohën kur doje të kthehesh në shtëpi, fëmija refuzoi, madje filloi të bërtasë, qan dhe çirret?! Jo vetëm kaq, por ai fillon të shtrihet përtokë, përlas këmbët dhe shtrëngon dhëmbët derisa t'i plotësohet dëshira.

Një skenë e tillë mund të përsëritet shpesh dhe ti vazhdon të mos dish si të reagosh. Shkurtimisht, fëmija yt është në një krizë zemërate dhe irritimi. Por, unë dua të të qetësoj duke të thënë që mos shqetësohesh nga situata të tilla që të vënë në siklet para njerëzve dhe të bëjnë pesimiste për të ardhmen e fëmijës.

 

Përse ndodhin krizat e irritimit?

Padyshim që nënat nuk ndihen mirë kur shohin fëmijët e tyre të përpëliten herë të gëzuar dhe të ngazëllyer dhe herë të tjera të tensionuar dhe të nevrikosur. Ajo që nuk dinë shumë nëna, është se këto kriza nervozizmi dhe inati, janë të dobishme për fëmijën, pasi nëpërmjet tyre fëmija shkarkon tensionin e tij, gjë e cila konsiderohet si normale për të. Këtë ai e bën nëpërmjet ulërimave, bërtitjes, goditjes dhe kërcimeve përpjetë.

Dr. Darla Miler, në librin e saj “Udhëzues praktik për fëmijët” shprehet se aftësia e fëmijës për tu gëzuar, për të pasur kujdes dhe për tu nevrikosur fillon e formohet para se të mbushë gjashtë muaj. Kur ai mbush nëntë muaj, këto ndjenja fillojnë e shtohen befasisht duke i ngjarë një shpërthimi. Duke u rritur, fëmijët fillojnë të mësojnë gradualisht si ti shprehin këto ndjenja në mënyrë të pranueshme. Por aftësia e vetëkontrollit tek fëmijët, nuk zhvillohet paralelisht me aftësinë e shprehjes së ndjenjave të tyre. Prandaj fëmijët shpërthejnë në kriza zemërate dhe inati, përkundrazi me atë që ndodh tek të rriturit të cilët kanë logjikën si gjykatës.

 

Nuk ke nevojë për një psikolog

Po... është krejtësisht e mundur të merresh me krizat e zemërimit të fëmijës tënd, pa pasur nevojë për një psikolog fëmijësh. Komunikimi aktiv renditet në kreun e faktorëve të suksesshëm për këtë çështje. Për këtë, lipset të respektosh dy pika:

E para, Ta dëgjosh dhe ti përgjigjesh në mënyrë efektive.

Me qëllim që ta kuptosh çfarë dëshiron saktësisht fëmija yt, fillimisht duhet që ta dëgjosh. Një faktor i rëndësishëm tek të dëgjuarit, është që të përulesh në gjatësinë e fëmijës, ta dëgjosh me vëmendje, kontakti pamor dhe heshtja gjatë kohës që fëmija flet. Mandej, vjen përgjigja dhe reagimi i përshtatshëm, i cili përmban: Të folurën e qetë, distancimin nga fjalët kërcënuese, përdorimin e gjesteve si shenjat, buzëqeshja dhe prekja. Funksionimi siç duhet i faktorit dëgjim dhe përgjigje efektive, i shkon shumë për shtat rasteve të iritimit dhe nevrikosjes së fëmijëve tanë.

 

Një skenar model mes një nëne dhe fëmijës së saj

Moza katër vjeçe, doli në shoqërinë e mamit të saj për një shëtitje në treg. Ajo i kërkoi mamit ti blejë një çokollatë, por ajo refuzoi. Moza ia përsëriti mamit të saj kërkesën disa herë, madje dhe me ngulm, duke mos reshtur së thëni se është e uritur madje. Mami i saj, u përul dhe i tha të bijës plot dashuri:”Unë e kuptoj që ty të hahet çokollatë, por ajo është e dëmshme për dhëmbët e tu. Unë e kam xhan vajzën time dhe dua që dhëmbët e saj të jenë të shëndetshëm, të fortë dhe ti shkëlqejnë nga bardhësia. Prandaj, unë jam e detyruar ta refuzoj kërkesën tënde.”

Nga ana e saj, Moza nuk e mbajti dot veten dhe filloi të ulërasë dhe bërtasë mesa kishte në kokë. Megjithatë, mami i saj dukej e vendosur në qëndrimin e saj. Madje, ajo i tha me zë të butë:”E kuptoj që je zemëruar. Edhe unë përfshihem nga të njëjtat ndjenja ndonjëherë. Megjithatë, tani më lipset një përqafim i ngrohtë prej vajzës time. Moza e sheh mamin në sy, i qaset pranë dhe i hidhet në krahë, duke e përqafuar fort dhe ngrohtësisht. Mandej, mami i propozon një kokërr mollë, në vend të çokollatës.

Duket qartë që komunikimi i kësaj nëne me vajzën e saj ishte tepër i suksesshëm dhe bindës. Le ti analizojmë fjalët me të cilat kjo nënë iu drejtua vajzës së saj:

1 – Unë e kuptoj që ty të hahet një çokollatë (Vlerësimi i ndjenjave të fëmijës).

2 – Ajo është e dëmshme për dhëmbët e tu (Përcaktoi problemin larg gjuhës së kërcënimit, duke u fokusuar tek pasojat dhe jo tek personi, vajza e saj).

3 – Unë ndjej (i foli për ndjenjat e saj)

4 – Megjithatë ... (i ktheu shpinën thelbit të çështjes)

5 – Unë e kam xhan vajzën time (ia konfirmoi dashurinë, sepse refuzimi i kërkesës nuk do të thotë se ajo nuk e do)

6 – Le të blejmë një kokërr mollë... (i ofroi diçka alternative e cila i plotëson dëshirën dhe ia largon mendjen nga kërkesa e parë)

Reagimi i kësaj nëne, ishte në formën e një dialogu konstruktiv, i rrethuar plot dashuri dhe qetësi.

Sipas ekspertëve, krizat e irritimit dhe nevrikosjes së fëmijëve, mund të jenë të ngjashme me pyetjet retorike të tyre për të tërhequr vëmendjen, si p.sh “Ku është mami?” Kjo pyetje, mund të vijë si dëshirë e fëmijës për ti kushtuar më shumë vëmendje dhe interes. Prandaj, lipset që ti studiojmë mesazhet që të vegjlit na dërgojnë, edhe nëse përmbajnë nervozizëm dhe inat në disa raste./AO/



Si tė sillemi me fėmijėt kokėfortė

Pyetja me poshte eshte per te evituar spam emailat te gjeneruara nga robotet.

5 + 6 = ?