Titulli i librit: "TË TJERËT PËR ISLAMIN, KURANIN DHE MUHAMEDIN A.S."
Autor: Mr. Ajni Sinani
KAPITULLI II
Për Kur’anin, pjesa e I
Johan Volfgang von Goethe (Gëte), për Kur’anin thotë:
“Qoftë e lavdëruar nata e bekuar, në të cilën, Pejgamberit të Zotit, iu shpall, nga lart, Kur’ani, me përkryeshmërinë e tij.“[1]
“Sa herë që ne i drejtohemi Kur’anit, në fillim nuk na tërheq, por, ai gjithnjë bëhet edhe më shumë tërheqës, na mallëngjen dhe në fund na detyron ta nderojmë… Stili i tij, në pajtim me kontekstin dhe qëllimin e tij, është i rreptë, madhështor dhe i mrekullueshëm, gjithnjë i lartësuar. Kështu, ky libër, do të ushtrojë ndikim shumë të fuqishëm, gjatë kohës.“[2]
“Kur’ani i tij duhet parë si Ligj Hyjnor dhe jo si ndonjë libër njerëzor, i bërë për edukim apo për argëtim.“[3]
“Ndoshta, në asnjë gjuhë tjetër shpirti, fjala dhe shkrimi nuk mund të trupëzohen në mënyrë kaq origjinale.“[4]
“Askush nuk duhet të habitet me efikasitetin e lartë të Librit. Për këtë, ai është cilësuar si jo i krijuar dhe i përjetshëm, (si fjalë) e Zotit nga ana e admiruesve të vërtetë të tij.”[5]
“Kështu, pra, do të mbetet ky libër, përjetësisht, me efikasitetin më të lartë.”[6]
“Nëse Kur’ani është nga përjetësia?
Për këtë unë nuk pyes!…
Që ai është Libri i librave
Të besoj është detyrë e muslimanit.”[7]
“Shumë prej zonjave tona fetare kërkuan në bibliotekë përkthimin e Kur’anit”[8]
“Prandaj është e vërtetë ajo, që Zoti thotë në Kur’an: Nuk i kemi dërguar asnjë populli profet, përveçse në gjuhën e tij.“[9]
“Kur’ani thotë: Zoti i ka dërguar çdo populli nga një profet në gjuhën e tij.“[10]
A. S. Pushkin, poeti i madh rus, ka shkruar ciklin poetik, me titull “Imitime të Kur’anit”. Në këtë cikël, poeti paraqet të gjitha virtytet e Islamit, të cilat edhe sajojnë mrekullinë e Kur’anit të shenjtë. Prej Kur’anit, zgjedh atë që është më e nevojshme, të vërtetën superiore, dashurinë ndaj Zotit dhe besimit islam. Shkrimtari i shquar rus F. Dostojevski, me rastin e zbulimit të monumentit të Pushkinit, më 1880, thotë: “Vallë a nuk ishte Pushkini musliman i vërtetë? A nuk ndjehet fryma e Kur’anit, madhështia skofiare e besimit dhe fuqia e hatashme e tij?” Një numër i madh pushkinistësh, mendojnë se, ishte Kur’ani që pati ndikim të jashtëzakonshëm, në rilindjen religjioze të poetit. Në vitin 1824, në letrën që ia shkruan vëllait, ai thotë:
“Jam duke lexuar Kur’anin e madhërishëm.”
Kurse, në vjershën e papërfunduar, të vitit 1825, ai shkruan:
“Në shpellën e fshehtë, ditën e ndjekjes, duke lexuar Kur’anin e ëmbël...“
Kur’ani e mahnit poetin, në rrafshin filozofik dhe atë etiko-moral. Nëntë vjershat e ciklit të përmendur, në të vërtetë, janë imitime të sureve, kaptinave kur’anore. Ja disa shembuj:
“Ai (All-llahu) është mëshirues; Ai Muhammedit
Kur’anin e ndritshëm ia zbuloi,
Që të dalim edhe ne në dritë,
Dhe të na bjerë mjegulla sysh.“
Le t’i krahasojmë dy vargjet e para me këto ajete kur’anore:
"Elif, Lam, Ra. (ky është) Libër; Ne ta shpallëm ty, që me urdhrin e Zotit t’i nxjerrësh njerëzit prej errësirave në dritë; në rrugën e Fuqiplotit, të Falënderuarit.“ (Ibrahim, 1)
Dy vargjet e fundit shprehin metaforën e Kur’anit dhe janë përpunim i motivit nga sureja el Maide.
“All-llahu e vë me të (Kur’anin) në rrugë të drejtë atë, që ndjek kënaqësinë e Tij dhe, me ndihmën e Tij, i nxjerr ata prej errësirës në dritë dhe i udhëzon në rrugë të drejtë."
Imitimi i shtatë:
“Ngrehu, i frikësuar,
Në shpellën tënde,
Llamba e shenjtë,
Digjet der n`mëngjes.“
Poeti është mbështetur tek sureja el Mudethir, e cila, është ndër të parat sure, që i shpallet Pejgamberit a.s.
“Me lutje të përzemërta
Profet, largo
Mendimet e hidhura,
Ëndrrat mashtruese.”
Në këtë imitim, bëhet fjalë për raportin në mes Zotit dhe Pejgamberit a.s. Ai këshillohet që të lutet. Ndërkaq imitimi:
“Deri në mëngjes lutjet,
Bëni pa përtesë,
Librin qiellor
Lexo der n`mëngjes.“
Ky “imitim“ është bazuar në suren el Mudethir, ku Pejgamberit a.s., i urdhërohet që të ngrihet natën për lutje dhe të lexojë Kur’anin e madhërishëm.[11]
Muhamed Marmadjuk Pitkal, u rrit në një familje fanatike të krishterë. Babai dhe gjyshi i tij ishin priftërinj. Fëmijërinë e kaloi në Xheblis Ford. E ëma e inkuadroi në radhët misionare dhe e dërgoi në Palestinë, për të mësuar gjuhët orientale. Kjo ishte përvoja e tij e parë me botën muslimane. Për mësues të gj. arabe pati priftin Hanover. Udhëtoi në Palestinë, Liban dhe Siri. Gjatë qëndrimit në Siri, i pëlqeu Islami. Mes viteve 1903 dhe 1921, shkroi nëntë tregime e novela me tematikë nga Lindja. Prestigjin letrar, e arriti veçanërisht me novelën "Gjuetari i lumtur". Më 29 nëntor, deklaroi botërisht, pranimin e Islamit. Në shumë raste, polemizoi duke treguar se Islami është superior dhe më përparimtar karshi religjioneve të tjera. Kur e pranoi Islamin, ndryshoi emrin. Ai mori emrin Muhamed. Në vitin 1928, iu dha leja e veçantë e sundimtarit të Hajderabadit, për përkthimin e Kur’anit nga gj. arabe në gj. angleze. Ishte ky kulmi i angazhimit të tij për Islamin dhe përkthimi i parë i bërë nga një musliman, që kishte anglishten gjuhë amtare.[12] Ai thotë:
“Kur’ani është simfoni unike, tingujt e së cilës i kanë shtyrë njerëzit deri në lotderdhje dhe ekstazë.“[13]
Napoleon Bonaparti. Francezi Dinet, i cili e ka pranuar Islamin dhe është shquar në letërsi duke e lavdëruar dhe mbrojtur Islamin, transmeton nga Hristian Sharkild (Bonaparte et I`Islam) një letër të Napoleonit, më 28 gusht 179, në të cilën Bonaparti thotë:
“Unë shpresoj se s`do të kalojë shumë kohë, kur të urtët e botës do të bashkohen dhe do t`i zgjidhin problemet e botës, sipas parimeve të Kur’anit. Vetëm ato janë të drejta dhe i garantojnë njerëzimit lumturinë.“[14]
Et Dinet, ka mësuar në Francë, më pas ka punuar në Algjeri, si gjykatës. Më 1927, deklaron pranimin e fesë Islame. Ka shkruar disa libra, për Islamin, në gj. franceze. Ai ka thënë:
“Kur’ani në fushën e gj. arabe ka bërë mrekulli, të cilën s’mund ta bëjnë as akademitë më të mëdha shkencore. Kështu, sikur sot të vijë ndonjë nga shokët e të dërguarit të All-llahut, do ta kishte të lehtë të kuptohej me mësimdhënësit e gj. arabe. Madje, nuk do të gjente ndonjë vështirësi gjatë komunikimit, edhe me popujt që flasin gjuhën e dadit (arabe).
Politeistët, në brendinë e tyre, ndienin se ajo fjalë e çuditshme, e cila buronte nga thellësia e zemrës së inspiruar të Pejgamberit, gati sa nuk ua pushtonte atyre zemrat. Të gjithë, në të shumtën e rasteve, gati sa nuk i bindeshin fjalëve të ëmbla, të cilat i inspironte besimi qiellor. Ata nuk i pengonte nga Islami, veçse verbëria dhe makutëria ndaj kësaj bote...
"Mrekullitë e pejgamberëve, para Muhammedit a.s., në realitet, ishin mrekulli shqisore (që shfaqeshin në një kohë të caktuar), prandaj shpejt i nënshtroheshin harresës. Ndërkaq, mrekullia e vargjeve kur’anore, mund të konsiderohet e përhershme, sepse ndikimi i tyre është i përhershëm dhe aktualiteti i tyre i vazhdueshëm. Besimtari e ka të lehtë që ta shohë atë në çdo vend e kohë, mjafton që vetëm ta lexojë librin e All-llahut. Në këtë, qëndron sekreti i përhapjes së pashembullt të Islamit. Sekretin e zgjerimit të shpejtë të Islamit, s’mund ta kuptojnë evropianët, sepse ata nuk e njohin Kur’anin, ose ata e njohin atë, por nëpërmjet përkthimeve, të cilat janë shumë pak realiste dhe të pasakta...
S`është e çuditshme të shohim këtë Pejgamber, i cili i sfidon poetët, që e përgënjeshtronin, duke kërkuar prej tyre të sjellin dhjetë kaptina të ngjashme me kaptinat e Kur’anit. Ai ishte i bindur në paaftësinë e tyre, se do të mund ta bënin një gjë të tillë."[15]
Dr. Murad Wilfried Hofman, diplomat gjerman, ka shërbyer me punë diplomatike në Bernë, Paris, Vjenë, Algjer, Bon dhe Bruksel. Gjatë viteve 1983-1987, ishte drejtor i sektorit për informata në kuadër të Paktit Nato, në Bruksel. Qe ambasador i Gjermanisë në Rabat, Marok. Ky akademik evropian, si edhe shumë emra të tjerë me renome, më 1980 e pranoi Islamin për fe, Kur’anin e madhërishëm për fjalë të Zotit dhe Muhammedin a.s. për pejgamber të Zotit dhe vulë të të gjithë pejgamberëve.[16]
“Si shpallje përfundimtare, Kur’ani, është themeli më i rëndësishëm, por jo edhe i vetëm i Islamit. Ky libër me 6.236 ajete dhe të ndara josistematikisht në 114 kapituj (sure), më shumë si prozë në vargje, përmban të gjitha shpalljet, të cilat Muhammedi a.s. i pranoi përafërsisht ndërmjet viteve 610 dhe 632, në formën e tyre komplete dhe origjinale. Për muslimanët, Kur’ani është Fjalë e Zotit, e cila nuk është krijuar, por është shpallur në një periudhë historike, në gjuhën arabe dhe është gjëja e vetme mbinatyrore e Islamit (dhe njëkohësisht, vërtetimi më i çuditshëm i pejgamberisë së Muhammedit a.s.). Krahas kësaj, Kur’ani nuk është, siç është rasti me pjesën më të madhe të Dhiatës së Vjetër dhe të Re, i ’inspiruar’, nuk është tregim i dorës së dytë, por është të folurit e Zotit në tërësi, si në vetën e parë njëjës apo shumës, ashtu edhe në veten e tretë njëjës (ashtu që gjithmonë mbetemi të vetëdijshëm për problemin e të kuptuarit të Qenies së Tij)...
Jomuslimani mund ta hedhë përmbajtjen e Kur’anit, por nuk mund të injorojë magjepsjen, që del nga forca e gjuhës dhe fuqisë poetike të tekstit të tij, i cili mahniti edhe Johan Wolfgang von Goethen dhe Friedrich Ruckertin.“[17]
Edward Gibon, historian eminent, është shprehur:
“Në sy të Kur’anit, nuk ka ndonjë dallim, një mbret me fuqi të madhe, nga një i vobektë i mjerë. Mbi këto themele dhe në të tilla baza, është trupëzuar dhe kompozuar ligji themelor i Sheriatit, i cili nuk ka shembull në botë. Bazat e Islamit, kanë refuzuar doktrinën e trinitetit, inkarnimin e Zotit dhe inkarnimin (në tërësi). Këto besime e lidhje filozofike, tregojnë ekzistimin e Zotit të trefuqishëm dhe se Krishti është "bir" i Zotit. Mirëpo, këto pretendime, mund t`i ngopin, vetëm të krishterët fanatikë.
Ndërkaq, Kur’ani është i pastër nga të tilla pretendime e dyshime dhe është dokumenti më i shëndoshë i njësisë së Zotit. Një besnik i vërtetë, që mendon drejt, nuk hamendet aspak në të pranuarit e pikëpamjeve islame. Islami është Fe që qëndron lart, për nga shkalla dhe niveli i zhvillimit mendor.“[18]
“Në fenë e Muhammedit, nuk ka vend për t’u hamendur, kurse Kur’ani është dritë e dëshmisë për njëshmërinë e Zotit.“[19]
Will Durant, autor bashkëkohor amerikan. Libri i tij "Historia e civilizimit", i shkruar në tridhjetë vëllime, konsiderohet si njëri ndër librat më të njohur, i cili flet mbi historinë e civilizimit njerëzor. Në vëll. 13. f. 68, 69, ai shkruan:
“Kur’ani, qysh prej katërmbëdhjetë shekujsh, vazhdon të mësohet përmendësh dhe të ruhet në mbamendjen e muslimanëve, duke ua ndriçuar imagjinatën dhe duke fisnikëruar moralin e miliona e miliona njerëzve.
Kur’ani ka meritën më të madhe për ngritjen e nivelit kulturor dhe moral të muslimanëve dhe është libër, që tek ata ka konstituar rregullat bazë të sistemit shoqëror dhe të unitetit të bashkësisë njerëzore. Ai i nxit ata të pasojnë principe të shëndosha dhe ua pastron trurin nga një mori besëtytnish e iluzionesh, madje dhe nga dhuna dhe vrazhdësia. Ai avancoi pozitën e skllevërve, kurse në zemrën e të diskriminuarve, skaliti krenarinë dhe fisnikërinë. Tek muslimanët ngriti ndjenjën e maturisë dhe të largimit nga pasionet, shembull ky, që s’mund të haset në asnjë vend të rruzullit të populluar nga raca e bardhë njerëzore.
Islami i mëson njerëzit të ballafaqohen me provokimet dhe sfidat e jetës, t`i durojnë ato me gjakftohtësi dhe pa iu kundërvënë fatkeqësive që sjell jeta. Parimisht, ai kërkon nga besimtarët zemërgjerësinë, e cila paraqet veçorinë më fascionuese të muslimanëve, që e mban mend ndonjëherë historia. Ai e ka definuar fenë dhe i ka caktuar në mënyrë precize kufijtë e saj, sa që asnjë i krishterë apo hebre, nuk do të gjejë në të argument, që do të mund ta pengonte për ta pranuar atë."[20]
H. G. Wels
“Evropianët, që janë marrë me shqyrtimin e detajeve dhe hollësive të Kur’anit, janë fare të paktë. Ata, nga kjo mosnjohje, i përshkruajnë atij shumë të pavërteta e të paqena. Nxitja e muslimanëve në përpunimin e pasurive të nëntokës dhe metaleve, në zhvillimin e inxhinierisë, astronomisë, arkitekturës, arteve të bukura dhe filozofisë ishte rezultat i Kur’anit. Ai i bashkoi dhe bëri që ata të arrijnë suksese në fushën e dijes dhe shkencës.“[21]
Prof. Sir Hamilton A. R. Gibb, ka jetuar nga viti 1895 deri më 1967. Konsiderohet prijës i orientalistëve anglezë. Ka qenë prof. i gjuhës arabe, në Universitetin e Londrës, më 1930 dhe prof. në Universitetin e Oksfordit, që nga viti 1937. Më poshtë, po citojmë disa fjalë të tij:
“Mirëpo, mekasit kërkonin nga ai mrekulli. Me vendosmëri dhe vetëmohim, që lë mbresë të thellë, Muhammedi a.s. iu referua vetë Kur’anit, si verifikimin më të lartë të misionit të tij. Si edhe të gjithë arabët, edhe mekasit, ishin njohës të mirë të gjuhës dhe oratorisë. Pra, Kur’ani, sikur të ishte vepër e Muhammedit a.s., atëherë, edhe njerëzit e tjerë do të garonin me të.
Le të formojnë vetëm dhjetë vargje, që do të ishin të ngjashëm me vargjet e Kur’anit. Nëse nuk ia kanë dalë dhe as që do t’ia dalin, atëherë Kur’anin duhet ta pranojnë për mrekulli të jashtëzakonshme.“[22]
"Nëse dikush mendon se, insistimi i Kur’anit, për vepra të mira është i pamjaftueshëm, bindjen e tij të gabuar e flakim, me argument të pakontestueshëm, duke i sjellur definimin e plotë të mirësisë, në këtë ajet madhështor: “Nuk është bamirësi (devotshmëri) të ktheni fytyrat tuaja kah lindja dhe perëndimi, por devotshmëri është ajo e atij, që i beson Allahut dhe Ditës së Fundit, edhe engjëjve, edhe librave, edhe pejgamberëve, ndërsa nga pasuria, përkundër dashurisë që ka, u jep të afërmve dhe bonjakëve, edhe të varfërve, edhe udhëtarëve edhe lypësve, edhe për lirimin e skllevërve, dhe që kryejnë faljen dhe japin zeqatin, edhe që obligimin e vet, kur e marrin e zbatojnë, si dhe ata që janë të durueshëm në skamje, edhe në sëmundje, edhe në të papritura. Ata janë, që kanë qenë të sinqertë dhe vetëm ata janë të devotshëm. (El Bekarah, 177)
Mirësia, pra, është kurora e besimit të vërtetë. Në fund, kur besimtari kupton se Allahu është dëshmitar i përhershëm, i përgjigjet me mendime dhe vepra.
Në realitet, Kur’ani s’mund të përkthehet në mënyrë fundamentale, sikurse është rasti i përkthimit të poezisë me stil të lartë. Nuk mund të shprehet përmbajtja e fshehtë e Kur’anit, nëpërmjet gjuhës së thjeshtë. Nuk mund të ilustrohen pamjet dhe shembujt e tij, sepse çdo lidhje, metaforë ose përsosmëri gjuhësore e Kur’anit, duhet të studiohet gjatë, që të arrijë kuptimi i plotë tek lexuesi. Kur’ani gjithashtu ka muzikalitetin, ëmbëlsinë dhe bukurinë e vet. Struktura e përsosur nuk mund të përcaktohet, por ai me ndikimin e tij magjepsës, i përgatit mendimet e personit, i cili e dëgjon Kur’anin që të pranojë mësimet e tij. Prandaj, s’ka dyshim se përkthimi, në një gjuhë tjetër, e deformon Kur’anin dhe e shndërron atë, sikurse shndërrohet ari në thëngjill.“[23]
Prof. Edward Montet
“Të gjithë ata që e kanë njohur Kur’anin, në origjinalin e tij në arabisht, e pranojnë bukurinë unikale të këtij libri fetar. Madhështia e formës së tij (në gj. arabe) shquhet aq shumë, sa që asnjë përkthim në gjuhët evropiane, nuk do të na lejonte që të japim mendim të prerë rreth Kur’anit.“[24]
“Kur’ani e ndalon viktimizimin e njeriut, vrasjen e fëmijëve, alkoolin dhe bixhozin, që ishin mjaft të përhapura tek arabët. Rezultatet e këtyre reformave manifestohen në kulturën kolosale, e cila i siguron një status të bamirësit më të madh të njerëzimit në histori.“[25]
Dr. Xhon Son. Ajo, që thotë ky orientalist është shprehje e mendimit të intelektualëve të Evropës:
“Në realitet, Kur’ani është një gjë më e lartë se vjersha, e megjithatë ai nuk është as histori, as si predikimet që i bëri Krishti në mal, por si një përmbledhje prej proze dhe poezie. Madje, ai nuk është as si predikimet e Budës, që janë metafizike, as si këshillat që i bëri Platoni për secilin, por është zëri i Pejgamberit. Është zë i tillë, që mund ta dëgjojë mbarë bota. Kumbimi dhe jehona e këtij zëri (kur’anor) tingëllon nëpër pallate, hapësira fushore, kodrina, male, qytete dhe shtete. Feja që kumtoi ky zë, së pari ka gjetur ata që e përhapnin, pastaj, është shfaqur si një fuqi e fortë për rregullim dhe përparime të reja, me dritën që takoi Greqinë me Azinë dhe që shpërndau errësirat, që e kishin mbuluar Evropën. Kjo ndodhi, pikërisht atëherë, kur Krishterimi gjendej në periudhën më të errët."[26]
Emanuel De Esh, dijetar çifut me famë, në artikullin e tij “Islami“, botuar në të përkohshmen angleze “Kuarteli revue“, për Kur’anin shkruan:
“Do të flasim për librin e shenjtë, që i shtyri arabët të pushtojnë qytete më të gjëra se Perandoria e Lekës së Madh, e të bëjnë një mbretëri më të madhe se ajo e Romakëve, në një kohë gjashtë herë më të shkurtër se ajo që iu desh atyre.
Kur’ani është libër, me të cilin muslimanët kanë hyrë në Evropë si sundimtarë dhe gjykues. Fenikasit, hynë në Evropë si tregtarë, çifutët si skllevër, duke kërkuar vendstrehim, ndërsa muslimanët hynë si urdhërues. Muslimanët, me ndihmën e Kur’anit, ia mbajtën Evropës ndezur pishtarin e diturisë. Si orientit (lindjes) ashtu edhe oksidentit (perëndimit), ia mësuan filozofinë, astronominë, mjekësinë, poezinë dhe i dhanë shpirt trurit dhe diturisë së vdekur të grekëve. Kur bota ishte katandisur në errësirën e injorancës, këta njerëz, e përhapen dritën anembanë botës, duke vënë kështu themelet e diturive të reja.”[27]
Manuel King, në kishën Teuta V. Nard të Presbitarëvet, më 1915, në ligjëratën e tij, thotë:
“Libri qiellor i Islamit është Kur’ani. Ky libër është grumbullim i përgjithshëm i inspirimeve, që iu bënë Muhammedit a.s. në kohën e pejgamberisë së tij. Kur’ani, përveç bazave të besimit musliman, përmbledh shumë thënie morale dhe rregulla për jetën e përditshme. Me barazinë mes njerëzve, muslimanët qëndrojnë lart në krahasim me jomuslimanët. Kjo fe, të gjithë njerëzit i konsideron të njëjtë. Morali i lartë islam, meriton çdo lëvdatë dhe admirim. Urdhrat e librit të Zotit, janë perlat e ndërtimit të godinës së moralit. Shumë herë, pretendohet se Kur’anin e ka sajuar Muhammedi a.s., madje sipas kësaj pikëpamje, ai e ka shkruar duke marrë nga Ingjili dhe Tevrati. Por bindja ime është kryekëput në kundërshtim me këtë pretendim. Në qoftëse në botën e frymëzimit- ilhamit është ajo, së cilës i thonë "inspirim" dhe se inspirimi ka një trup, formësim të plotësuar, nuk ka dyshim se Kur’ani është një libër i zbritur. Të krishterët, thonë se, Muhammedi a.s., nuk është pejgamber i vërtetë dhe se Kur’ani është vepër e tij. Po të kishte qenë real ky pretendim dhe të ishte e vërtetë ajo që thuhet, si është e mundshme që Muhammedi të fliste ajete të tilla, të cilat e kritikojnë edhe atë, dhe t’i linte ato të gjendeshin në veprën e tij.“[28]
Dr. Moris, orientalist i njohur, në gazetën ’La Parole Française-Romaine’, duke iu përgjigjur kritikave të përkthyesit të Kur’anit, Salmen Ronahut, veç të tjerash, thotë:
“Kur’ani është më i bukuri i librave qiellorë, që i është dhuruar njeriut. Kur’ani përmban adhurim dhe falënderim për Krijuesin e tokës dhe të qiellit. Çdo fjalë e Ku’ranit shpreh madhërim ndaj Atij, që ka krijuar çdo gjë. Përveç kësaj, ky libër është një enciklopedi e ndritshme e ligjeve fetare.
Bukuritë e Kur’anit që shndrisin, shtohen dhe shumëzohen çdo ditë, misteret që sa kalon koha, aq më tepër kuptohen dhe nuk kanë të mbaruar, bënë që këta muslimanë që janë mjeshtër në prozë dhe poezi, të jenë të detyruar të gjunjëzohen para stilit më të lartë e të pastër të tij. Muslimanët, Kur’anin, e gjejnë si një thesar të pashterur, që do të ekzistojë deri në ditën e Ringjalljes dhe, me plotë të drejtë, krenohen me të. Brezi i ri i sotëm dhe të diplomuarit e shkollave bashkëkohore, nuk mund ta durojnë qëndrimin fyes ndaj Islamit dhe Kur’anit. Kur’ani, me dy cilësi, e ka fituar dhe e meriton respektin. E para, është se Kur’ani që kemi sot në dorë, është i njëjtë (identik) me Kur’anin, që i është shpallur Muhammedit a.s. Ndërkaq, para Dhiatës së Vjetër dhe Dhiatës së Re qëndrojnë shumë dyshime. E dyta, është se muslimanët e gjetën Kur’anin si gurrën më të pastër, nga ku i formuluan dispozitat fetare dhe nëpërmjet tij, ata ruajtën gjuhën arabe.“[29]
Near East, që botohet në Londër, më 1992 shkruante këto fjalë:
“I çfarëdo forme që të jetë mendimi ynë për Muhammedin a.s., jemi të detyruar të pranojmë se: Kur’ani, në pikëpamje të radhitjes dhe të zbritjes, është një vepër e mrekullueshme, e cila të habit. Gjuha e Kur’anit dhe mendimet e tij janë të ndryshme nga gjuha e mendimit tonë, por të mohosh vlerën e pakufishme të tij, madhështinë e lartësisë, dhe në shumë pikëpamje bukurinë e tij, duhet të jesh i pamend dhe i paarsyeshëm.“[30]
F. F. Arbuthnot, në “The construkcion of the Bible and the Coran”, Londër 1888, f. 5, shkruan:
“Kur’ani, për nga aspekti letrar, konsiderohet kryevepër e gjuhës më të pastër arabe. Është vërtetuar se, në disa raste, gjuhëtarët i kanë formuluar rregullat e gjuhës për t`i përputhur dhe përshtatur me shprehjet dhe frazat e përdorura në Kur’an. Edhe përkundër përpjekjeve, që të shkruhet një vepër e ngjashme me të për nga elokuenca, nuk u arrit ndonjë sukses.
Kodifikimi i plotë i tekstit kur’anor është bërë brenda njëzet viteve, pas vdekjes së Muhammedit a.s., më 632, dhe ka mbetur pa asnjë ndryshim deri në ditët tona. Mjerisht, një gjë e tillë, nuk mund të thuhet për Dhiatën e Vjetër dhe Dhiatën e Re.“[31]
Filip Hiti, me origjinë libaneze, ka doktoruar në Universitetin Kolumbia. Ka ligjëruar në Universitetin amerikan në Bejrut dhe Pernston. Është zgjedhur anëtar i shumë shoqatave dhe akademive shkencore.
“Stili i Kur’anit ndryshon, ai është krejt ndryshe nga stilet e tjera. Madje, ai as që mund të krahasohet me ndonjë stil tjetër. Ai është i paimitueshëm, në esencë kjo është mrekullia e Kur’anit...Nga të gjitha mrekullitë, Kur’ani është mrekullia më e madhe.
Mrekullia e Kur’anit s’mund të mbetej pa lënë ndikim të qartë, në letërsinë arabe. Ndërkaq, nëse ne shikojmë kopjen e Tevratit ose Unxhillit, e cila na është përcjellë në kohën e mbretit Xhejms, do të shohim se ndikimi i tyre në gjuhën angleze ishte shumë i dobët, duke krahasuar këtë me ndikimin që ka bërë Kur’ani në gjuhën arabe. Kur’ani, është ai, i cili e ruajti dhe e mbrojti gjuhën arabe që të mos ndahej (zhdukej) në dialekte.”[32]
Johan William Draper, në “A History of the Intellectual Development of Europa“, Londër 1875, f. 343-344, shkruan:
“Kur’ani përmban ligje të përsosura dhe moral të jashtëzakonshëm. Përmbajtja e tij është e tillë, sa që nuk mund të shfletojmë asnjë faqe të tij e të mos gjejmë parime, të cilave duhet t’u përmbahen, pa dallim, të gjithë njerëzit. Kjo përmbajtje ofron ligje, parime dhe rregulla gjithëpërfshirëse që i përgjigjen nevojave të njeriut, në çdo situatë jetësore.“[33]
Thomas Patrick Huges, në librin “Burimet e Kur’anit”, shkruan:
“Nuk kemi asnjë provë se Muhammedi pati mundësi t’i njihte shkrimet e shenjta (dhe t’i bënte plagjiat ato, duke shkruar Kur’anin, A.S.)…Duhet gjithashtu ta kemi parasysh se nuk kemi asnjë gjurmë për ekzistencën e teksteve arabisht të Dhiatës së Vjetër e të Re, para ardhjes së Muhammedit. Versioni më i hershëm arabisht i Dhiatës së Vjetër që kemi është ai i R. Sadiaas Gaon, viti 900 e.s., ndërsa versioni më i vjetër arabisht i Dhiatës së Re është ai i botuar nga Erfenivsi, më 1616.”[34]
---------------------------------------
[1] Dr. Katarina Mommsen, Qëndrimi i Gëtes ndaj Islamit, Glasnik, Sarajevë, nr. 7-8, qershor-korrik, 1968, f. 324.
[2] Pamfleti: Ç’thonë të tjerët për Kur’anin.
[3] West- Ostlichen Diwan, WA, I, 7, 32, shih: Shejh. Abdulkadir Al Murabit, op. cit., f. 23.
[4] Gëte ndjeu një dëshirë të madhe për të mësuar arabishten. Ai kopjoi vetë tekste të shkurta lutjesh dhe shkroi këto fjalë. Letër për Schlosser-in, 23. 1. 1815, WA IV, 25, 165, ibid, f. 10.
[5] West-Ostlicher Divan (WA 17. 35/36), Shejh. Abdulkadir Al Murabit, op. cit., f. 11.
[6] WA 17. 35/36, ibid, f. 11.
[7] WA 16, 203, ibid, f. 12.
[8] Në një letër që mban datën 17. 1. 1814 (WA IV 24, 110) drejtuar birit të tij, Gëte i shkruan këto fjalë, ibid, f.15.
[9] Gëte ndihej, veçanërisht, i impresionuar edhe nga fakti se All-llahu i flet njerëzimit nëpërmjet profetëve. Ai, me këtë rast, i është referuar sures Ibrahim, ajeti 4, (Letër për A.O. Blumentahl, 28. 5. 1819, WA IV 31, 160), ibid, f. 17.
[10] Gëte e përsërit të njëjtin ajet, në një letër që i shkruan Carlyle, (WA IW 42, 270), ibid, f. 7.
[11] Selim Sulejmani, Dituria Islame, Prishtinë, 1993, nr. 53. f. 14-15.
[12] Revista Nur, Beograd, gusht, 1993, f. 23-24.
[13] Ahmed Dedat, Kur’ani mrekullia më e përsosur, Prishtinë, 2001, f. 15.
[14] Preporodi, Sarajevë, 1986, nr. 3. f. 3.
[15] Dr. Imadudin Halil, op. cit., f. 63-64.
[16] Dr. Murad Hofmann, Islami si Alternativë, op. cit., f. 29. Ditari i një muslimani gjerman, Dituria Islame, Prishtinë, 1993, nr. 51. f. 31-32.
[17] Dr. Murad Hofmann, op. cit., f. 30.
[18] Hajrullah Hoxha, op. cit., f. 112.
[19] Ahmed Dedat, op. cit. f. 31.
[20] Dr. Jusuf el Kardavi, op. cit., f. 58. Dr. Imadudin Halil, op. cit., f. 64-65.
[21] H. Hoxha, op. cit., f. 114-115.
[22] Seid Ramadan, E drejta Islame, Gjilan 2000. f. 32. & T. Nelaj, Të huajit, jomuslimanët, për Islamizmin, Kur’anin dhe Muhammedin a.s. op. cit., nr. 3. f. 36.
[23] Dr. Imadudin Halil, op. cit., f. 79-80.
[24] T. Nelaj, Edukata Islame, op. cit., nr. 3. f. 38.
[25] Sejjid Muxhteba Musavi Llari, op. cit., f. 122.
[26] Dr. Imadudin Halil, op. cit., f. 82; H. Hoxha, op. cit., f. 114.
[27] H. Hoxha, op. cit., f. 115.
[28] Ibid, f. 111.
[29] Ibid, f. 110.
[30] Ibid, f. 112.
[31] T. Nelaj, op. cit., nr. 3. f. 34.
[32] Dr. Imadudin Halil, op. cit., f. 57.
[33] T. Nelaj, op. cit., nr. 3. f. 35.
[34] Hamza Mustafa Njazi, Burimet e Kur’anit, Tiranë, 1993, f. 90.
Titulli i librit: "TË TJERËT PËR ISLAMIN, KURANIN DHE MUHAMEDIN A.S."
Autor: Mr. Ajni Sinani
KAPITULLI I
"PËR ISLAMIN", Pjesa e II
Muhamed Murtezi
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Mr. Bashkim Aliu
Mr. Muhidin Ahmeti
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Opinione te lexuesve
Hamdi Nuhiju
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Mr. Iljasa Salihu
Hamdi Nuhiju
Reklama 228 x 90.png)
Komentet
Nuk ka komente per kete artikull