Image 01 Image 02 Image 03 Image 03
echo content

artikuj
 

Vizato njė ėndėrr tė bukur pėr familjen

Kėtė temė, unė parapėlqeva ta filloj me njė tregim mitologjik. Tregimi ynė bėn fjalė pėr njė ishull ku banonte njė familje e madhe. Kjo familje, pėrbėhej nga gjyshėr, etėr dhe nėna, fėmijė tė martuar, nipėr dhe mbesa, tė rinj dhe tė reja. Familja ishte shumė e lidhur dhe e konsoliduar. Pjestarėt e familjes bisedonin shtruar me njėri-tjetrit, ushqeheshin bashkė, kuptoheshin edhe me gjeste. Herė pas here, ata qėndronin deri natėn vonė, pasi zhyteshin nė biseda tė ngrohta dhe plot kuptim. Nėse do tė donim ta pėrshkruanim dhe ta etiketonim kėtė ishull vetėm me njė fjalė, do tė thonim “ishulli i sigurisė”.

E premte 2 Nėntore 2012 18:41

Megjithatë, ashtu siç është në ndryshim çdo gjë mbi faqen e tokës, edhe ky ishull u përfshi nga ndryshime rrënjësore. Thotë Zoti në Kuran:”Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (Enbija, 35)

Ajo që ndodhi është se një tërmet i fuqishëm e ndau në disa pjesë ishullin në fjalë. Familjarët ndodheshin të shpërndarë nëpër ishull dhe e shihnin njëri-tjetrin teksa shkëputeshin  bashkë me një rrip toke. Këtë ndodhi e përjetuan shumë rëndë anëtarët e familjes, lotët u rridhnin çurg, zemrat u digjeshin por nuk dinin ç’të bëjnë. Një burrë e grua që ndodheshin në të njëjtin krevat dhe shtrat, toka i ndau në dy pjesë, larg njëri-tjetrit. Një baba e kishte kapur fort përdore të birin, por kur filloi ndarja e ishullit, ata filluan të largohen derisa e shkëputën kontaktin fizik me njëri-tjetrin. Pas pak kohësh, gjyshi i madh dhe i pari i familjes, filloi të angazhohej me hallet dhe problemet e tij, filloi të punojë dhe mbjellë tokën, për të siguruar jetesën. Prindërit u shkëputën në ishuj dhe rripa toke të ndryshme, sakaq fëmijët u përçanë dhe u ndanë secili në ishujt e tij. Fëmijt, kur panë që tashmë janë vetëm, pa kontrollin e prindërve, u gëzuan, pasi ndiheshin të lirë dhe askush nuk i mbikqyrte. Por, pas pak kohësh filluan të ndjejnë nostalgji për sigurinë dhe harmoninë e mëparshme. Është e vërtetë që ishin të lirë dhe vepronin si të donin, por u mungonte harmonia dhe ngrohtësia e mëparshme. Me kalimin e kohës, filluan të mësohen larg njëri-tjetrit dhe u kthyen shpinën të tjerëve një herë e përgjithmonë. Tashmë nuk ndjenin nostalgji për jetën e mëparshme dhe as e kujtonin fare. Më vonë, filluan të shquhen ndryshimet e parë edhe në të folur dhe gjuhë. Tashmë nuk e kuptonin njëri-tjetrin, pasi flisnin gjuhë të ndryshme. Një ditë, një nënë i thotë të shoqit:”Çfarë mendon sikur të shkojmë në ishullin e fëmijëve dhe tu bëjmë një vizitë?” I shoqi ia ktheu:”Ne jemi prindër, ata duhet të vijnë të na shohin.” Një nga fëmijët i thotë të vëllait:”Mua më ka marrë malli për prindërit, a vjen të shkojmë dhe ti vizitojmë në ishullin e tyre?” I vëllai i përgjigjet:”Për mua liria individuale ka më shumë vlerë se çdo gjë tjetër.”

Edhe pse ky tregim është mitologjik, ai është shumë aktual dhe prezent në jetën tonë të përditshme. Ky tregim sikur është bërë pjesë e pandashme e familjeve bashkëkohore. Ishulli i madh është apartamenti dhe shtëpia e çdo familjeje. Kurse ishujt e vegjël janë dhomat e secilit nga anëtarët e familjes. Sot, çdo familjar ka një dhomë, e cila i ngjan më shumë një ishulli të veçuar, pasi i ka shkëputur kontaktet me familjarët e tjerë. Marrëdhëniet burrë-grua janë ftohur, sikur të mos ndanin të njëjtin shtrat. Fillimisht, ata nuk dilnin më  bashkë si më parë. Mandej, nuk i hanin vaktet bashkë, gjë e cila u pasua nga bisedat e vakta dhe në fund qëndrojnë të heshtur dhe nuk flasin.

Shtëpitë kanë filluar ti ngjajnë më shumë hoteleve, ku ka njerëz që u dorëzojnë klientëve çelësin e dhomës, ka klientë që marrin çelësin dhe flenë, kurse të tjerë merren me pastrimin e dhomave. Familjet tona u ngjajnë guackave të cilat në pamje të parë të duket sikur kanë perla brenda, por me ta hapur e gjen atë bosh. Shumë familjarë komunikojnë me pjesën tjetër nëpërmjet letrave që ngjisin në frigorifer apo ku të mundin. Një i ri shkruan zakonisht:”Mami, kam rënë vonë mbrëmë. Para se të dalësh më lër tremijë lekë mbi tavolinë.” Një tjetër i shkruante gruas me të cilën ishte grindur një natë më parë:”Më zgjo në orën tetë që të shkoj në punë!” Ai u ngrit në orën dhjetë i shqetësuar se kishte humbur orarin e punës. Pranë jastëkut gjeti një letër ku shkruante:”Ora tani është shtatë dhe unë po dal. Zgjohu vetë në orën tetë.”

Jo vetëm kaq, por ka të tjerë të cilët komunikojnë me familjarët vetëm nëpërmjet emailit. Një person e prishi fejesën, nëpërmjet emailit. Ai kishte jë vit e  gjysmë i fejuar, megjithatë zgjodhi emailin për ti dhënë fund fejesës. Ai nuk pranoi të bisedojë me të fejuarën, nuk e mori as në telefon, nuk i kërkoi takim, nuk bisedoi me të atin e saj, por i dërgoi një email.

Në rastet më të mira, familja grumbullohet para aparatit të televizorit. Por edhe këtu sikur ka filluar të çalojë puna. Kjo, pasi numri i televizorëve është rritur në çdo familje. Kështu, babai sheh lajmet tek televizori i tij, djali i madh ndjek kampionatin e futbollit tek televizori i tij, vajza komunikon me chatt me shoqen e saj, një djalë i vogël luan playstation me televizorin e vet, të cilin ia ka blerë babai për ta lënë të qetë të shohë lajmet. Një djalë tjetër është mbyllur në dhomën e tij, duke biseduar me të dashurën në telefon. Kurse vetë nëna është në kuzhinë duke gatuar. Njëri i kërkon asaj çaj, një tjetër një sanduiç, dikush kafe, një tjetër ujë etj... Por edhe kur ulen para një televizioni, të gjithë heshtin pa guxuar kush të hapë gojën, përndryshe u ka humbur momentin më kyç të programit apo telenovelës. Me të përfunduar emisioni, të gjithë ngrihen dhe shohin punët e tyre.

Umetit tonë nuk i kanë mbetur shumë faktorë për të qenë krenarë dhe pikënisje të  zhvillimit. Faktorin e vetëm për të qenë krenarë kemi familjen. Nëse e neglizhojmë familjen dhe lejojmë të denigrohet, ta harrojmë zhvillimin dhe progresin edhe për dyqind vitet e ardhshme. Familja është shpresa jonë e fundit. Shpresa jonë je ti, është nëna dhe babai yt, vëllai dhe motra jote, halla dhe tezja, xhaxhai dhe daja.

 

Vetëizolimi nga familja

Të izolohesh dhe vetëmbyllesh larg familjarëve të tjerë, është një sëmundje e cila nuk vjen për një çast, apo brenda një natë dhe dite. Ajo është gozhda e parë që ngulet në rrugën drejt divorcit. Ajo është gozhda e parë e rrugës që ndjekin të rinjtë tanë për të mbërritur tek përdorimi i drogave. Ajo është shkaku i parë që vajza juaj ta kërkojë dhembshurinë dhe dashurinë jashtë mureve të shtëpisë dhe larg familjes. Kjo sëmundje është një ndër faktorët kryesorë të tradhëtive bashkëshortore.

Ajo është një sëmundje që e prek familjen në mënyrë graduale dhe të përshkallëzuar. Askush nuk izolohet dhe vetëmbyllet nga familjarët e tjerë brenda një nate dhe dite. Sëmundja fillon kur familja nuk del bashkarisht, siç dilte më parë. Mandej kjo pasohet nga ngrënia e vakteve secili veç e veç. Kjo pasohet nga reduktimi i bisedave mes familjarëve. Pas kësaj radhën e kanë interesat e përbashkëta, ku të gjithë e kanë mendjen tek halli i tyre. Pas dy tre vitesh, familjarët as që e shohin më njëri-tjetrin, edhe pse jetojnë nën një çati dhe dhomat i kanë ngjitur me njëri-tjetrin.

Gjatë një eksperimenti, shkencëtarët panë se brektosat sapo të hidheshin në ujë të valuar, kërcenin lart menjëherë dhe largoheshin. Shkencëtarët e përsëritën eksperimentin, por këtë herë duke i futur bretkosat në ujë të vakët. Mandej, shkencëtarët filluan duke e nxehur ujin në mënyrë të përshkallëzuar. Sa më shumë nxehej uji, mekanizmat mbrojtëse të bretkosave aktivizoheshin duke bërë që këto kafshë të familiarizoheshin me temperaturën e ujit. Uji vazhdoi të nxehej derisa arriti temperaturën e vlimit, por atëherë bretkosat e kishin humbur shansin për të kërcyer, ato ngordhën të gjitha pa e ndjerë.

Uji i familjeve tona nuk ka arritur në temperaturën e vlimit, por duhet ta dimë se është nxehur shumë. Këto tema, kanë si qëllim që ta ulin temperaturën e ujit dhe të mos lejojnë të ziejë, duke i marrë frymën dhe jetën familjeve tona. Në fakt, ky ujë ka filluar të vlojë në disa shtëpi. Tek tuk, dëgjojmë tradhëti bashkëshortore, diku tjetër dëgjojmë se një zonjë e nderuar flet në chatt me burra të huaj, pas krahëve të shoqit, një tjetër flet në telefon me një burrë të panjohur, një i ri qëndron natë e ditë me shokët e tij, pa pyetur për prindërit.

 

Familja e elefantëve

Një ndodhi e çuditshme në Indi, na përcjell një mesazh të rëndësishëm, të cilin e përmbledhim me fjalët; ose ndërto një familje të shëndoshë, ose ndërto një burg. Nëse fëmijët nuk marrin edukatën e duhur në familje, ata shndërrohen në kriminelë, duke shtuar numrin e burgjeve dhe të burgosurve.

Këtë ndodhi, e ka regjistruar dhe transmetuar kanali National Geographic. Një familje e madhe elefantësh, jetonin pranë një fshati të madh në Indi. Elefantët janë kafshët më të ngjashme me njeriun, përsa i përket jetesës në familje. Elefantët e rritur, gjithmonë u qëndrojnë pranë të vegjëlve të tyre dhe çdo lëvizje bëhet familjarisht. Në përgjithësi, elefantët janë miqësorë me njerëzit. Elefantët e mëdhenj, bashkë me të vegjlit, ishin mësuar që çdo natë të zbrisnin në fushat e mbjella nga fshatarët dhe të ushqeheshin me të mbjellat e tyre, duke i shkatërruar. Fshatarët i rrethuan të mbjellat e tyre me tela me gjemba, por kjo nuk i pengoi aspak elefantët të vazhdonin avazin e tyre të vjetër. Fshatarët dhe bujqërit mbushën raketa me spec djegës dhe ua hidhnin elefantëve me qëllim që tu djegë dhe të largohen nga të mbjellat, por edhe kjo hile nuk pati sukses. Çdo natë elefantët shkonin dhe ushqeheshin me të mbjellat e bujqve. Të zënë ngushtë, fshatarët vendosën ti vrasin elefantët prindër dhe ti lënë elefantët e vegjël. Kështu filloi një masakër e vërtetë kundër elefantëve të mëdhenj, të cilët i prinin tufës. Kështu, menduan se i dhanë fund shqetësimit dhe problemit që kishte kohë që i linte pa gjumë.

Por ajo që ndodhi është akoma më e rëndë. Mes elefantëve u rrit një brez të cilët nuk kishin marrë edukatën e nevojshme nga më të mëdhenjtë. Ata ishin shumë agresivë dhe të pamëshirshëm. Tashmë përveç të mbjellave, elefantët sulmonin dhe njerëzit duke plagosur shumë prej tyre dhe duke lënë të vrarë shumë të tjerë. Ata shkatërronin shtëpitë, hanin të mbjellat, sulmonin njerëzit dhe shkulnin pemët. Ata u shndërruan në egërsira, për shkak se u mungonte familja dhe modeli i mirë. Organet kompetente nuk gjetën zgjidhje për këtë shqetësim, veçse të sjellin elefantë prindër nga Afrika. Gjashtë muaj pasi u sollën elefantët prindër nga Afrika, fshati ra sërish në qetësi dhe elefantët iu kthyen normalitetit. Në fund të dokumentarit të transmetuar nga gjigandi National Geographic, shkruhej:”Ose ndërto një familje të fortë, ose ndërto një burg.

Nëse për elefantët u gjet një zgjidhje, me importimin e elefantëve prindër nga Afrika, për ne njerëzit kjo zgjidhje nuk vlen.

Ky dokumentar dhe kjo ndodhi na kujton një thënie egjiptiane, sipas të cilës:”Kush nuk e ka një më të madh, le ta blejë një të tillë.”

Vlerësoje mirësinë e familjes para se ta humbasësh atë. Mos harro se nuk ka begati dhe mirësi më të madhe se familja. Prindërit janë begati, vëllai, motra, fëmijët, gruaja, shtëpia, gjyshi etj... të gjithë janë begati. Sa të mëdha dhe të vyera janë këto begati, do e ndjesh ditën kur ti humbasësh.

“Allahu i ka krijuar për ju gratë nga lloji juaj e nga gratë tuaja ju jep djemtë e nipat dhe ju furnizon me ushqime të mira. A mos vallë, ata besojnë në gënjeshtra dhe mohojnë dhuntitë e Allahut.” (Nahl, 72)

Pyetni ata që janë privuar nga mirësia e familjes! Pyetni fëmijët e jetimores sa u mungon familja! Ata fëmijë që ankohen nga prindërit, le të shohin fëmijët e rrugës dhe të jetimores. Ata prindër që ankohen nga fëmijët e tyre, le të shohin ata prindër që kanë humbur fëmijë, nuk dinë ku i kanë ose u kanë vdekur. Mos ia lejo vetes të rendësh pas tradhëtisë bashkëshortore, duke hequr dorë nga familja.

“Vërtet doni të ndërroni atë që është më e mirë me atë që është më e dobët?!” (Bekare, 61)

Shijojeni mirësinë e Zotit, para se të privoheni prej saj. Privimi mund të jetë me një divorc. Ka shumë burra të cilët bëjnë gjithçka derisa të fitojnë divorcin, por kur e shohin sa mirë kanë qenë, duan ta rikthejnë sërish atë jetë. Tashmë janë gati të sakrifikojnë gjithçka tjetër, për hir të familjes së mëparshme. Pasi e ka sharë, ofenduar, rrahur, fyer dhe keqtrajtuar, përulet para prindërve dhe njerëzve të gruas, me qëllim që të kthehet sërish.

Shumë çifte të tjera e kuptojnë sa gabim kanë bërë që janë divorcuar, nga pasojat e rënda që ka lënë tek fëmijët. Ata e kutojnë që shkaqet e divorcit kanë qenë krejt të kota.

Një nënë, vajti në jetimore një ditë, për tu shërbyer vullnetarisht jetimëve. Ajo u dha nga një letër ku ishte vizatuar një zemër dhe u kërkoi jetimëve ta ngjyrosin me ngjyrën që u pëlqen. Fëmija që ishte ulur përbri saj, e ngjyrosi zemrën me ngjyrë të zezë. Nëna në fjalë, mendoi se djali jetim nuk kishte ngjyrë tjetër dhe e pyeti:”A dëshiron ngjyra të tjera për ta ngjyrosur?”

Jetimi iu përgjigj:”Jo, kjo është ngjyra e zemrës time.”

Shpesh herë i konsiderojmë fëmijët të papjekur dhe të palogjikshëm, por nuk është ashtu. Ata janë më të shkurtër fizikisht, por jo më të palogjikshëm dhe më pak inteligjentë se ne.

Kjo nënë, kur dëgjoi këto fjalë e përqafoi fort jetimin, e puthi dhe ia kushtoi gjithë ditën atij. Ajo tregon se fëmija shkonte dhe e përqafonte herë pas here, sikur donte të ngopej, sikur donte të marrë atë që i kishte munguar gjer atëherë. Para se të largohej nga jetimorja, nëna në fjalë i mbledh të gjitha fletët ku jetimët kishin ngjyrosur dhe niset të largohet. Teksa ishte duke hapur derën, ndjen një tërheqje nga pas dhe sheh që ishte djali i mësipërm. Duke buzëqeshur, ai i thotë:”Merre dhe fletën time! Ngjyra e zemrës time tani ka ndryshuar dhe është e kuqe.”

Nuk është zgjedhja e këtyre jetimëve të rriten dhe të jetojnë pa prindër. Prandaj, le ta falenderojmë Zotin për familjen që kemi.

Tregon një zonjë:”Pasi u martova dhe linda fëmijë, marrëdhëniet e mia me babanë kaluan në një nivel të dytë, pasi isha e angazhuar me familjen time të re. Herë pas here flisja me të në telefonon dhe më kërkonte që ta vizitoj më shpesh, por unë gjithmonë i justifikohesha se isha e zënë me fëmijët dhe punën. Një ditë, vëllai më telefonon se babait i kishte rënë një trompozë dhe ndodhej rëndë në spital. Gjatë rrugës për në spital, kaloja shiritin e jetës time në shtëpinë e prindërve. E shihja veten të vogël kur më merrte në krahë, kur më përkëdhelte, kur kthehej nga puna, kur i hidhesha në krahë, kur më tregonte përrallën para gjumit, kur më qeraste, kur pushimet i kalonim bashkë atje ku na pëlqente neve dhe jo ku i pëlqente atij. Babai im kishte qenë një mirësi të cilën e kisha neglizhuar dhe nuk e kisha vlerësuar. Kur hyra në dhomën e reanimacionit, babai ishte i shtrirë në krevat dhe pa ndjenja. U befasova nga ajo pamje. Infermierja mu afrua dhe më kërkoi ti shtrëngoj dorën. Ti kap dorën?! Po kur ka qenë hera e fundit që ia kisha kapur dorën babai tim?! Që kur kisha qenë fëmijë. Si ishte e mundur që gjatë gjithë atyre viteve nuk e kisha kapur për dore babain tim të dashur?! Përse nuk e kam bërë diçka të tillë më parë? Mos vallë më ka ardhur zor? Përse duhet të na vijë zor nga ajo që ndjejmë? A nuk është Zoti Ai që na ka pajisur me këto ndjenja? Ia mora dorën babait, e cila fillimisht mu duk e huaj dhe fillova ta prek dhe ta ledhatoj. Ishte hera e fundit që prekja dorën e babait, pasi një orë më pas ndërroi jetë. Disa muaj më vonë, gjendesha duke u shëtitur me djalin e vogël dhe vajzën dhjetë vjeçare. Djali më kishte kapur për dore, kurse vajza nuk donte, pasi e ndjente veten të rritur. Isha e lumtur që djali më mbante për dore, por nuk guxoja tia kërkoja të njëjtën gjë edhe vajzës. Ndonjëherë më vinte një mendim që ti tregoja historinë time me babanë, të cilin nuk e kisha më kur doja ti kap dorën. I lutesha Zotit që të më falë për të kaluarën dhe që vajza ime të ma shtrëngonte dorën para se të vdes.”

Unë njoh personalisht një familje, të cilës i ka vdekur një vajzë në moshën njëzet vjeçare. Vetëm ditën që u ndërroi jetë vajza, ata e ndjenë rëndësinë e familjes. Tregon babai dhe kryetari i familjes:”Ne ishim një familje e përbërë nga babai, nëna dhe dy vajza. Ajo që ndërroi jetë, studionte në universitet për gjuhë angleze. Zoti e sprovoi me një sëmundje të rëndë, kancer, lajm i cili na ra si rrufeja në qiell të hapur. Ne të katër, kemi qenë të lidhur shumë me njëri-tjetrin, gjë e cila na ndihmoi pa masë për ta kaluar një pjesë të madhe të kësaj dhimbjeje. Secili prej nesh, i jepte tjetrit dashuri dhe përkujdesje, më shumë se vetes. Vajza e sëmurë iu nënshtrua një trajtimi me reze dhe për dy vite iu zhdukën gjurmët e kancerit. Këto dy vite kanë qenë vitet më të bukura tonat si familje, pasi secili prej nesh përkujdesej për tjetrin në një mënyrë të paimagjinueshme. Pas dy vitesh, u befasuam kur zbuluam se sëmundja ishte kthyer. Ky lajm na shokoi dhe na la pa fjalë, pasi kishin kaluar dy vite dhe gjithë ato analiza të cilat na qetësonin se vajza ishte mirë. Bashkë me vajzën vajtëm në Francë dhe brodhëm të gjithë spitalet atje, por rezultati ishte negativ. Unë gruaja dhe vajza tjetër kishim vendosur krevate në dhomën e saj në spital dhe i qëndronim pranë në çdo orë e çast. Dhjetë ditët e fundit unë nuk kam lëvizur nga dhoma e saj. Falenderojmë fuqishëm Zotin e lartësuar, pasi na pajisi me durim pas vdekjes së saj. Ato lidhje dhe marrëdhënie të forta mes nesh, padyshim që buronin nga Zoti i lartësuar. Që nga janari i 2004 kur ndërroi jetë, është e pamundur të them se kalon një ditë pa e kujtuar. Kjo ngjarje, na e shtoi akoma më shumë dashurinë dhe lidhjet mes ne të treve që mbetëm. Secili prej nesh kërkon ti falë dashuri dhe lumturi dy të tjerëve. Secili prej nesh e mban veten, për hatër të dy të tjerëve. Për Zotin kur hap derën dhe hyj në shtëpi, ndjej se ajo është e mbushur me kënaqësin e Zotit. Gruaja dhe vajza kujdesen dhe interesohen për mua, duke u përpjekur të ma lehtësojnë dhimbjen me çdo mënyrë. Unë dhe vajza, mundohemi ta qetësojmë dhe tia lehtësojmë dhimbjen gruas. Secili prej nesh, e do tjetrin më shumë se veten dhe se gjithçka tjetër. Veç kësaj, na është shtuar dëshira dhe zelli për vepra bamirëse. Kështu përkujdesemi për azilin e pleqve dhe jetimoren, duke u dërguar ushqime dhe veshje. Unë fluturoj nga gëzimi kur vjen vajza dhe më tregon se kishte qenë tek azili i pleqve dhe u ishte gjendur me diçka. Për Zotin edhe ushqimi që hamë në shtëpi, sikur ka shije tjetër, sikur është më i mirë, edhe pse është i njëjti. Më parë, duhej një gjysëm ore përpëlitje në shtrat derisa të na zinte gjumi. Tani me tu shtrirë zhytemi në gjumë të thellë. Këtë ia dedikoj dashurisë së Zotit për ne dhe lidhjeve të forta që kemi me njëri-tjetrin.”

Nuk besoj se ka mesazh më të fuqishëm që mund tua drejtoj të gjithëve dhe të rinjve në veçanti. Si mund t’ju zërë gjumi, ndërkohë që një nga familjarët tuaj është i zemëruar me ju?

Një ditë, Profeti a.s i tha Aishes:”O Aishe! Trajtoji me dinjitet të mirat e Zotit, pasi rrallë ndodh që ato të largohen nga një familje dhe tu kthehen sërish.”

Vlerësoji mirësitë e Zotit dhe mos prit ti humbasësh që tua dish vlerën. Rroki fort të mirat e Zotit, duke e falenderuar Zotin./ardhmeria online/



Vizato njė ėndėrr tė bukur pėr familjen

Pyetja me poshte eshte per te evituar spam emailat te gjeneruara nga robotet.

3 + 4 = ?