Dhjetë të vdekur nga një sulm me bombë në Afganistan

Dhjetë njerëz u vranë nga shpërthimi i një bombe të vendosur në rrugë, në lindje të Afganistanit.

Në mesin e viktimave janë katër gra dhe një fëmijë.

Incidenti ndodhi në rajonin e paqëndrueshëm të Jaghatu në provincën Ghazni.

Të gjitha viktimat e shpërthimit ishin civilë, tha Aref Noori, një zëdhënës i guvernatorit të provincës, duke shtuar se gjashtë persona tjerë u plagosën.

Zyrtarët thanë se bomba e vendosur në rrugë kishte si shënjestër forcat e sigurisë afgane.

Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por zyrtarët fajësuan talibanët për incidentin.

Në fillim të kësaj jave, talibanët ndërmorën një sulm pranë Bagramit, një bazë e madhe ajrore amerikane.

Ky është incidenti i dytë brenda dy javëve të fundit në këtë rajon. Në incidentin e mëparshëm, një person humbi jetën dhe një tjetër u plagos nga një bombë e vendosur në rrugë.