Endrit Shala nën hetime, dyshohet për sulm ndaj gazetarit

Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, do të duhet të përgjigjet edhe një herë para ligjit për veprimet e tij.

Ai viteve të fundit ka qenë i akuzuar për krim të organizuar në lidhje me vepra penale të korrupsionit në rastin “MTPT, si dhe i dënuar për gjuajtjen me armë që e kishte bërë pasi ishte liruar nga akuza e “MTPT”-së, Shala tash do të përgjigjet për një sulm ndaj gazetarit të portalit “Indeksonline”.

Rasti kishte ndodhur mbrëmjen e së martës së 17 dhjetorit, para hyrjes së Klinikës Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku ministri Shala kishte qenë duke qëndruar pas plagosjes së një bashkëpartiaku të tij nga Nisma Socialdemokrate.

Disa fotografi që kishte shkrepur një gazetar i portalit “Indeksonline”, kishin irrituar ministrin Shala, i cili pastaj kishte sulmuar atë.

Lidhur me këtë rast, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, për “Betimi për Drejtësi”, tha se është regjistruar si “Sulm”, ndërsa me rastin është duke u marrë, prokurorja Edina Jupolli.

“Edina Jupolli ka qenë kujdestare. Është duke u proceduar, i regjistruar si Sulm”, tha Munishi për “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, vepra penale “sulmi”, është e paraparë me nenin 184 të Kodit Penal, ndërsa dënimi i paraparë, është me gjobë apo në burgim deri në një vit, ndërsa nëse sulmi kryhet me përdorim të armës apo ndonjë mjeti të rrezikshëm, dënimi i paraparë është nga gjashtë muaj deri në tre vjet burgim.

Po ashtu, kjo vepër penale është e dënueshme deri në tre vjet burg, edhe nëse kryet ndaj viktimës së ndjeshme ose është e motivuar sipas kombësisë, gjuhës, besimit fetar ose mungesës së besimit fetar, ngjyrës së lëkurës, gjinisë, identitetit gjinor, orientimit seksual, ose për shkak të afërsisë me persona me njërën nga këto karakteristika të mbrojtura.