Erdoğan takon kreun e qeverisë libiane të njohur nga OKB

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka pritur në një takim në Stamboll kreun e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të Libisë, Fayez al-Sarraj, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi midis presidentit turk dhe shefit të qeverisë libiane të njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB) po zhvillohet e mbyllur për media në Zyrën Presidenciale në Pallatin Dolmabahçe në Stamboll.

Takimi Erdoğan-Sarraj vjen pasi nga mesnata në Libi ka hyrë në fuqi një armëpushim midis palëve ndërluftuese, i cili përfundimisht u pranua nga forcat lojale të gjeneralit rebel Khalifa Haftar me bazë në lindje të Libisë pas thirrjes së Turqisë dhe Rusisë.

Më 4 prill, forcat e Haftarit filluan një fushatë ushtarake për të kapur Tripolin, me çka GNA nisi një kundër-operacion.

Ndërkaq, më 12 dhjetor, Haftar dha një tjetër urdhër për sulm ndaj Tripolit, duke e quajtur fushatën e re si “Lufta Vendimtare”, ndërsa si masë kundër këtij urdhri, në dhjetë qytete perëndimore të vendit u shpall mobilizim.

Që nga rrëzimi i ish-liderit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qendra pushteti, një në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe GNA në Tripoli, e cila gëzon njohjen ndërkombëtare dhe atë të OKB-së.