Forcat besnike të Haftarit pranojnë thirrjen e Turqisë dhe Rusisë për armëpushim në Libi

Forcat besnike të gjeneralit rebel libian Khalifa Haftar pranuan thirrjen e përbashkët të Turqisë dhe Rusisë për armëpushim në Libi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ahmed al-Mismari, zëdhënës i forcave të Haftarit me bazë në Libinë lindore, tha në një video-mesazh në rrjetet sociale se pranojnë “thirrjet për pushimin e operacioneve”, por shtoi se do të kundëpërgjigjen nëse pala tjetër shkel armëpushimin.

Zhvillimet vijnë pasi presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin zhvilluan një bisedë telefonike në lidhje me Libinë, ndërsa më 8 janar pas një takimi në Stamboll bënë thirrje që më 12 janar në Libi të hyjë në fuqi një armëpushim.

Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) me bazë në Tripoli, e njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB), e kishte përshëndetur thirrjen, por Haftar fillimisht e kundërshtoi atë.

Më 4 prill, forcat e Haftarit filluan një fushatë ushtarake për të kapur Tripolin, me çka GNA nisi një kundër-operacion.

Ndërkaq, më 12 dhjetor, Haftar dha një tjetër urdhër për sulm ndaj Tripolit, duke e quajtur fushatën e re si “Lufta Vendimtare”, ndërsa si masë kundër këtij urdhri, në dhjetë qytete perëndimore të vendit u shpall mobilizim.

Që nga rrëzimi i ish-liderit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qendra pushteti, një në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe GNA në Tripoli, e cila gëzon njohjen ndërkombëtare dhe atë të OKB-së.