Forcat e Haftarit sulmuan konviktin e akademisë ushtarake, dhjetëra të vdekur

Të paktën 30 persona humbën jetën shumica prej të cilëve nxënës, ndërsa 33 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmit të avionëve luftarakë të liderit puçist në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, ndaj një konvikti të akademisë ushtarake në rajonin Hadba, në jug të kryeqytetit Tripoli, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e bërë nga qendra e shëndetësisë në kuadër të ministrisë së Shëndetësisë, thuhet se si pasojë e sulmit të ndodhur mbrëmë vonë kanë humbur jetën të paktën 30 persona shumica e të cilëve fëmijë, ndërsa janë plagosur 33 të tjerë.

Zyrtarët e spitalit theksuan se shumica e të vdekurve janë të moshës 18-25 vjeç.

Halid al-Mahjub, zyrtar i forcave të Haftarit, në një deklaratë për televizionin lokal, pretendoi se në akademinë në fjalë janë arsimuar “grupet milice të lidhura me fiset”.

Një nxënës i akademisë, dëshmitar okular, Abdulmelik Miftah Zeydan (22), në deklaratën për AA tha se pasi kanë ngrënë darkën nxënësit janë mbledhur në oborrin e akademisë.

Kryeqyteti i Libisë, Tripoli, që 10 muaj është nën sulmet e milicëve të Khalifa Haftarit. Në kryeqytet ka pritje të madhe që ushtria turke do t’i ndalojë sulmet e milicëve, pas miratimit të mocionit nga ana e Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë.

Ndërkohë, pas incidentit Këshilli i Lartë Shtetëror shpalli ditë zie.

Pas sulmit, në shumë qytete përfshirë Tripoli, Misrata dhe Zuvvara qytetarët zhvilluan protesta kundër sulmit të ushtarit puçist Haftar.

Që nga rrëzimi i udhëheqësit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qendra pushteti, një në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe tjetra në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.