Guterres bën thirrje për “armëpushim të menjëhershëm” në Libi

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka bërë thirrje për “armëpushim të menjëhershëm” në Libinë e shkatërruar nga lufta ku Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) lufton kundër forcave të gjeneralit Khalifa Haftar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Guterres dëshiron “kthim në dialogun politik të të gjitha palëve”, thuhet në kumtesën e OKB-së.

“Çdo mbështetje e huaj për palët ndërluftuese vetëm do të thellojë konfliktin në vazhdim dhe do të ndërlikojë më tej përpjekjet për të arritur një zgjidhje politike paqësore dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet gjithashtu në kumtesë.

Duke theksuar se shkeljet e vazhdueshme të embargos së armëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të imponuar në vitin 2011 do t’i përkeqësonte gjërat, në kumtesë thuhet se “respektimi i rreptë i embargos është thelbësor për krijimin e një mjedisi të favorshëm për ndërprerjen e armiqësive”.

Që nga rrëzimi i udhëheqësit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi u shfaqën dy qendra pushteti, një në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe tjetra në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.