Irani kërcënon se do t’ua vë flakën vendeve që i mbështet SHBA-ja

Funerali i gjeneralit të forcave speciale iraniane, Kasem Soleimani është bërë sërish tribunë kërcënimesh drejt SHBA dhe vendeve që ajo mbështet.

Komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit, gjenerali Hossein Salami, tha se do “t’ua vë flakën” vendeve që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara. Këto deklarata ai i bëri të martën në qytetin Kerman, ku turma të mëdha njerëzish u mblodhën për varrimin e Soleimanit.

Vrasja e tij më 3 janar, në një sulm me dron të SHBA-së, i ka çuar në kulm tensionet midis Teheranit dhe Uashingtonit.

“Do të hakmerremi. Do t’ia vëmë flakën gjithçkaje që ata pëlqejnë”, tha Salami, duke brohoritur së bashku me turmat “vdekje Izraelit”.

Izraeli, për kohë të gjatë, është armik rajonal i Iranit.

Uashingtoni e ka fajësuar Soleimanin për vrasjen e trupave amerikane në Irak dhe e ka akuzuar atë për komplot për sulme të reja pak para vrasjes së tij, javën e kaluar pranë aeroportit të Bagdadit.

Soleimani ka udhëhequr milicitë iraniane në konfliktet në Siri, Irak, Liban dhe Jemen.

Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar si “terrorist”. /Opinion.al