Irani pranon se “aksidentalisht” rrëzoi aeroplanin e Ukrainës

Shtabi i Përgjithshëm i Iranit deklaroi se avioni ukrainas u godit “aksidentalisht” nga një raketë iraniane në fillim të kësaj jave, duke lënë të vdekur 176 persona në bord, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim, shtatmadhoria iraniane tha se si rezultat i një “gabimi njerëzor”, aeroplani u qëllua aksidentalisht nga sistemi i mbrojtjes ajrore teksa po kalonte mbi një “pikë të ndjeshme ushtarake”.

Irani ishte në gatishmëri ndaj kërcënimeve e SHBA-së për sulme të mundshme ndaj shumë pikave në Iran pas lëshimit të dhjetëra raketave balistike ndaj trupave amerikane në Irak, thuhet në deklaratë.

Në këto kushte të ndjeshme dhe krize, aeroplani iu afrua një qendre delikate ushtarake të Gardës Revolucionare (IRGC) dhe lartësia dhe qëndrimi i saj dukeshin sikur të jenë armiqësore, tha autoriteti i lartë ushtarak i Iranit.

Në lidhje me rastin ka reaguar edhe ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif.

“Shprehim keqardhejn tonë të thellë, faljen dhe ngushëllimet për njerëzit tanë, familjet e të gjithë viktimave dhe kombeve të tjera të prekura”, tha kryediplomati iranian në Twitter.

“Gabimi njerëzor në kohën e krizës së shkaktuar nga aventurizmi amerikan çoi në katastrofë”, u shpreh ai.

Agjencia e Lajmeve Fars të premten njoftoi se shkaku i rrëzimit do të njoftohej pas një takimi të hetuesve të aksidenteve, përfshirë ekspertë nga Irani dhe nga jashtë.

SHBA, Britania dhe Kanadaja thanë të enjten se kishin prova që sugjeronin se një raketë iraniane kishte rrëzuar aeroplanin e pasagjerëve të Linjës Ajrore të Ukrainës.

Boeing 737-800 u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar Imam Khomeini i Teheranit, vetëm disa orë pasi Garda Revolucionare shkrepi dhjetëra raketa balistike në drejtim të bazave ku ishin vendosur trupat amerikane në Irak në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Qasem Soleimanit, kreut të forcës elitare Kuds të IRGC-së, pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit në një sulm me dron.

Në këtë aksident jetën humbën të gjithë 176 personat në bord, ndërkohë që në mesin e udhëtarëve kishte shtetas iranianë, kanadezë, ukrainas, suedezë, afganë, gjermanë dhe britanikë.