KEK-u realizon mbi 160 milionë euro të hyra, thotë se ka thëngjill deri në marsin e ardhshëm

Mbi 160 milionë euro janë të hyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës për vitin 2019. Nga kjo shumë, vetëm prej eksportit të energjisë elektrike janë realizuar 20 milionë euro.

Drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi, ka thënë se këto rezultate janë arritur falë punës dhe përkushtimit në të gjitha njësitë gjeneruese, raporton KTV.

Ai theksoi se KEK-u ka siguruar rezerva të mjaftueshme të thëngjillit në dy deponitë dhe se deri në marsin e vitit të ardhshëm nuk do të jetë problem furnizimi me thëngjill.

“Këtë vit kemi realizuar nxjerrjen e djerrinës mbi 11%, krahasuar me vitin 2018. Kemi rezultate të mira në nxjerrjen e thëngjillit, ku kemi tejkaluar planin mbi 3% apo 6% me shumë, nëse e krahasojmë me vitin e kaluar”, ka thënë Thaçi.

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se KEK-u është një prej ndërmarrjeve publike të rralla që ka rritur të hyrat.

Ai ka thënë se përveç performancës së mirë, KEK-u njëkohësisht ka ulur shpenzimet operative.

“Kjo tregon se vitin e fundit, edhe pse është rritur qarkullimi, nuk janë rritur shpenzimet operative. Pra kjo është gjë e rrallë që shihet në ndërmarrjet publike. Në ndërmarrjet publike gjithmonë kemi rritje të shpenzimeve, rritje të punësimit, rritje të shpenzimeve operative, por në vitin 2019 KEK-u e ka bërë një punë të mirë në menaxhimin e saj, duke rritur fitimin rreth 30% nga viti 2018. Po ashtu është me rëndësi të ceket se KEK-u me prodhimin e energjisë elektrike ka arritur që të eksportoj energji në vlerë prej 20 milionë euro”, ka thënë Lluka.

Nga ana tjetër, kryesuesi i Bordit të KEK-ut, Faruk Hajrizi, ka thënë se me rezultatet e kësaj korporate, këtë vit, KEK-u është shpallur edhe si njëri ndër tatimpaguesit më të mëdhenj në vend.

“Ka pasur performancën më të mirë. Jemi kompania apo super-kompania në Kosovë, sepse kemi arritur të gjitha caqet qoftë në aspektin prodhues, qoftë edhe në aspektet tjera ekonomike dhe financiare. Politikat tona tashmë do të fokusohen te rinimi i stafit, pasi aty kemi pasur një ngecje viteve të kaluara. Vit pas viti jemi duke e bërë rinimin e stafit dhe shpresojmë që vitet e ardhshme do të korrim rezultate edhe më të mëdha. Po ashtu kemi bërë planifikime të mëdha strategjike se si kompania të rris profitin e vet në përqindje të caktuar, vit për vit po bëjmë plane”, ka thënë Hajrizi.

Përderisa nga Oda Ekonomike e Kosovës kanë thënë se KEK-u është një ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend.

“Berat Rukiqi, drejtor i OEK, ka treguar se kanë pasur takime të vazhdueshme me menaxhmentin e KEK-ut për t’i shprehur nevojat e komunitetit të biznesit në raport me çështjet e ndryshme që lidhen me energjinë, përfshirë edhe hapjen e tregut ku KEK-u mund të ketë një rol të rëndësishëm. Jemi të interesuar që të punojmë bashkërisht në riaftësimin e punëtorëve qoftë në sektorin energjetik, qoftë në sektorët tjerë që mund të përfitojnë nga resurset e jashtëzakonshme të qendrës së trajnimeve që ka KEK-u”, është shprehur Rukiqi.

Sa u përket investimeve kapitale për vitet e ardhshme, drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi, ka bërë të ditur se nga projektet më të rëndësishme është hapja e minierës së re. Sipas vlerësimeve të bëra nga një kompani gjermane, investimi do të shkojë diku rreth 400 milionë euro, pa përfshirë pjesën e shpronësimeve.