Maqedoni e Veriut, parlamenti konstaton dorëheqjen e kryeministrit Zaev

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në senacën e sotme ka konstatuar dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, të parashtruar sipas marrëveshjes së partive politike në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare të cilat planifikohen të mbahen më 12 prill, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pritet që deri në mesnatë kuvendi ta votojë qeverinë teknike, të kryesuar nga Oliver Spasovski. Nga nesër, e deri në njëqind ditët e ardhshme Spasovski me qeverinë teknike duhet të organizojë zgjedhjet.

Kryeministri Zoran Zaev në dokumentin që e dorëzoi në parlament theksoi se dorëheqjen e jep sipas marrëveshjes së arritur me liderët e partive për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 12 prill.

Paradite, Kabineti i Kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, njoftoi se dorëheqja e Zaevit është dorëzuar deri te presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili duhet që mandatin t’ia japë Spasovskit.

Spasovski në kuvend duhet ta dorëzojë programin për punë dhe përbërjen e qeverisë së re teknike.