Marrëveshja për koalicion, Kurti e Mustafa nuk takohen sot

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka njoftuar se nuk do të takohet sot me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, për të biseduar rreth marrëveshjes për koalicion qeverisës.

Kurti ka thënë se do të ketë takime dhe komunikime të vazhdueshme dhe më të dendura derisa të arrijnë marrëveshjen që dëshirojnë.

Kreu i VV-së nuk ka treguar se çfarë është diskutuar në takimin e mbrëmshëm, por që është shprehur i bindur për arritjen e një marrëveshje me LDK-në.

“Ne jemi duke u përgatitur që të qeverisim mirë. Unë sa i përket çështjes së bisedimeve me LDK-në nuk mund të kem lajme të reja pa pasur rezultate konkrete. Këtë ua kam thënë edhe më herët po e përsëris sërish. Sot nuk ka takim do të ketë takime dhe komunikime të vazhdueshme dhe më të dendura derisa të arrijmë marrëveshjen që dëshirojmë. Kur t’i kemi rezultatet konkrete jap lajme të reja, por nuk ka rezultate konkrete. Presidenti i Kosovës e ka shtyrë në maksimum datën se kur do të mbahet mbledhja konstituive për legjislaturën e shtatë sepse datë e fundit ka qenë 26 tetori po shohim që na ka dhënë më shumë kohë se që na është dashur”, tha Kurti.

Ndryshe, presidenti i vendit Hashim Thaçi dje ka njoftuar se ka thirrur seancën konstituive të legjislaturës së shtatë të Kuvendit më 24 dhjetor në orën 9:00