Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Arkat fiskale

Autor: Faik Miftari E mėrkure 4 Gusht 2010 14:25 PM

 

Më 30 korrik 2010, ditë e premte, ka skaduar afati për bizneset që kanë qenë të përfshirë në fazën e parë të instalimit të Pajisjeve Elektronike Fiskale (PEF), arkave fiskale, e këta janë:

1. Bizneset që janë në kuadër të njësisë së tatim paguesve të mëdhenj, ku përfshihen bizneset me qarkullim vjetor mbi 2.500.000 Euro;

2. Bizneset që janë në kuadër të njësisë së tatim paguesve të mesëm, ku përfshihen bizneset me qarkullim vjetor mbi 500.000 Euro;

3. Bizneset me veprimtari a) Hoteliere dhe restorante; b) Markete – Tregtia me shumicë e pakicë c) Barnatoret.

 

Duke marrë parasysh gjendjen e vështirë ekonomike të afarizmit në përgjithësi, i cili është duke shënuar rrënje të qarkullimit të shtresës së gjerë të afaristëve dhe zejtarëve si dhe sensibilizimit të pamjaftueshëm apo fare të pakët në qendrat rajonale të Kosovës, përveç kryeqendrës në Prishtinë, (Odës Ekonomike të Kosovës), lidhur me projektin e implementimit të arkave fiskale, afaristët dhe zejtarët prizrenas shqetësimet, vërejtjet, dhe sugjerimet , qysh më 13 Maj 2010 i kanë dërguar Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave të Kosovës(MEF-it) dhe Administratës Tatimore të Kosovës(ATK-së), pas së cilës nuk kanë marrë përgjigje , ashtu që me afrimin e skadimit të afatit(30 korrik 2010), shqetësimet dhe kërkesat e afaristëve dhe zejtarëve vetëm sa rriteshin, ashtu që më 27 korrik 2010 u dërgua kërkesa e dytë në drejtim të MEF-it dhe ATK-së, me ç’rast më në fund drejtori i ATK-së z.Behgjet Haliti e pa të arsyeshme të pranoj një delegacion tre anëtarësh të afaristëve dhe zejtarëve prizrenas me 29 korrik 2010(ditë e enjte). Edhe pse të realizohej takimi i parë me kohë, me rastin e kërkesës së parë me 13 maj 2010, do të sqaroheshin paqartësitë dhe do të kishte kohë të mjaftueshme për të njoftuar dhe përmirësuar apo korrigjuar shqetësimet dhe vërejtjet e bëra, tani me rastin e përfundimit të afatit, shqetësimet mbetën pa përgjigje konkrete apo përgjigje të përgjithësuara. Kërkesat e shtruara të zejtarëve dhe afaristëve prizrenas ishin që faza e parë e aplikimit të arkave fiskale të bizneseve të zgjatet gjer më datën 31.12.2010, dhe se në njoftimin e shpallur për fazën e parë, në të cilin kishte formulime dhe interpretime të paqarta me ç’rast ka lënë pasoja të mëdha tek afaristët dhe zejtarët, konkretisht, në pikën e tretë paragrafi i parë: a) hoteliere dhe restorante, e që është gabim gjuhësor apo drejtshkrimor, që ka dashtë të jetë a)Hotele dhe restorante, ndërsa hoteliere nënkupton të gjitha shërbimet hoteliere, bile bile edhe një çajtore më të vogël, p.sh në Kqiq të Madh në Mitrovicë, porse gabimi kardinal qëndron në paragrafin b) Markete-Tregtia me shumicë e pakicë, e cila nuk ka kurrfarë domethënie as gjuhësore e lere më juridike, dhe si e tillë ka sjell shqetësimet më të mëdha në mesin e afaristëve dhe zejtarëve. Nocioni si i tillë është aq i pakuptimtë, si në aspektin gjuhësor ashtu edhe kuptimor,e po të ishte shkruar b) Tregtia me shumicë e pakicë, kjo do të ishte diç tjetër, do ishte e qartë dhe kuptimplotë, ndërsa në sqarimin e zyrtarit të ATK-së së Kosovës se formulimi Markete-Tregtia me shumicë dhe pakicë, nënkupton tërë veprimtarinë tregtare, bile bile edhe një market më të vogël me një qarkullim minimal në një sokak të mëhallës së vjetër të Rahovecit do të nënshtrohet fazës së parë të instalimit të arkave fiskale, që për mua është sa anakronike aq edhe jologjikshme.

Shqetësimi i dytë janë çmimet tejet të larta, edhe pse në shtetet e rajonit(Shqipëri, Serbi; Maqedoni ,Male të Zi), çmimet e arkave fiskale sillen rreth 250-300 euro, e te ne merrmi me mend, startojnë prej 600 euro minimum e më tutje. Dhe se edhe një anomali që mundet vetëm tek neve të ndodh, se ti duhesh të aplikosh dhe të paguash për arkën fiskale, e pastaj duhet të presësh 1, 3 apo 6 muaj për të furnizuar me të, nuk e di se çfarë kuptim paska kjo lloj shitjeje, kësi lloj biznesi do të kish qejf të bëjë çdo afarist në Kosovë, e jo vetëm dy operator të licencuar në Kosovë për arkat fiskale, Gekosi dhe Dukagjini, me parat paraprakisht të marra cash nga konsumator, të bësh biznes, dhe të përfitosh goxha dhe me çmime enorme, e sa për ilustrim dua të cek, se vetëm CD-ja kushton 125 Euro, e dihet se çdo makinë apo aparat i blerë përcillet me CD-në adekuate në kuadër të kostos së aparatit të caktuar të blerë. Kërkesa tjetër ishte që implementimi i fazës së parë të arkave fiskale të zgjat tre vjet, pas së cilës do të pajisen shkallë- shkallë edhe grupet tjera të biznesit, ashtu që e tërë faza e implementimit të rrumbullakohet për 10 vjet në Kosovë, duke marrë parasysh se edhe Ministri i Ekonomisë dhe Financave të Kosovës z.Ahmet Shala pat deklaruar ”se procesi i arkave fiskale edhe në vendet në zhvillim k zgjatur prej 3 deri në 15 vjet” (eko Biznesi nr.28, 15 korrik 2010). Përkundër këtij drejtori i ATK-së z. Behgjet Haliti vepron të kundërtën, duke u arsyetuar vetveten se ne vetëm jemi të detyruar të implementojmë projektin, e ja përkujtojë drejtorit se ai ka kompetencat për caktimin e afateve kohore të implementimit të arkave fiskale, Udhëzimi Administrativ nr.12/2009 neni 3 paragrafi 4 decidivisht shkruan ” Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, nxjerr vendim për caktimin e afateve kohore deri kur personat e tatueshëm duhet të instalojnë dhe të shfrytëzojnë FED-in (arkat fiskale) e autorizuar”. ndërsa ai ka zgjedh që gjer në fund të vitit 2010, 50% të bizneseve të gjithëmbarshme të Kosovës të pajisen me arkat fiskale, ndërsa për një vit të rrumbullakoj projektin si i tillë. Nonsens i llojit të vet, i thonë kësaj, këndvështrimet diametralisht të kundërta të Ministrit të MEF-it z. Ahmet Shala si dhe të drejtorit të ATK-së z.Behgjet Haliliti.

Duke marrë parasysh se i tërë territori i Kosovës nuk kontrollohet plotësisht, dhe se gjenden shumë vrima poroze në te, e duke ditur edhe për momentin në dyshimin për korrupsionin e lartë në të cilin janë përfshirë zyrtarët lokal e qendror, të insistosh në një kohë aq të shkurtër, vetëm për 1 vit(12 muaj) të fiskalizosh të gjitha bizneset në Kosovë është anomali e dorës së parë. E dimë, se në Kosovë për momentin janë rreth diku 50.000 biznese që janë të pajisura me numra fiskal, dhe se prej tyre 15-20% janë në kategorinë e bizneseve me qarkullim mbi 50.000 euro në vjet, që i nënshtrohen TVSH-së, ndërsa numri tjetër prej 80-85% janë biznese me qarkullim vjetor më të vogël se qarkullim vjetor prej 50.000 Euro, dhe se nuk i nënshtrohen TVSh-së, sa për ilustrim dua të përmend se vetëm 50 biznese të mëdha në vitin 2008 kanë akumuluar 67,5% të ardhurave të gjithëmbarshme të inkasimit të tatimeve në Kosovë, dhe se dihet se bizneset me qarkullim mbi 50.000 euro në vit, e që janë rreth 15-20% të bizneseve të gjithëmbarshme të Kosovës akumulojnë së bashku në total shumën prej 90% të tatimeve të grumbulluara në Kosovë. Tani topi është në duart e MEF-it dhe ATK-së, që me një strategji reale në të cilin në fazën e parë, përveç bizneseve të mëdha dhe të mesme, eventualisht do të inkuadroheshin edhe bizneset që i nënshtrohen TVSH-së(me qarkullim vjetor më të madh se 50.000 Euro), e jo barnatoret, e dimë që ilaçet nuk i nënshtrohen TVSH-së, e as çajtoret dhe marketet e vogla të cilët si të tillë do të duhej të shuheshin apo të mbyllen për momentin, nëse do të duhej të pajisen me arkat fiskale gjer në fund të vitit 2010, dhe se pas kësaj të pasojë një kohë trevjeçare implementuese për arsyeshmërinë, efektshmërinë dhe rezultatet a arritura nga ky implementim, pas së cilës do të pasonit vit për vit pajisja e arkave fiskale të bizneseve tjerë të përcaktuar me rrallë, dhe se i tërë ky proces do të mund të rrumbullakohej për 10 vjet, gjer më 2020, e dihet se gjer në at vit Kosova as ka gjasa teorike e lere më praktike, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Në të kundërtën nëse do të insistohet që vetëm për një vit të rrumbullakohet i tërë ky proces, duke u thirrur në nenin 57 të ndëshkimit administrativ për mos pajisjen elektronike fiskale, i cili thotë:

“1. Çdo person që i kërkohet të përdor pajisjen elektronike fiskale(PEF)..., i cili nuk ka instaluar pajisjen e tillë elektronike, do t’i nënshtrohet një ndëshkimi administrativ prej 1000 euro....Pasi që është gjobitur tre ose më shumë herë për mos instalim të arkave fiskale(PEF), .. ATK –ja do të bëjë ç’regjistrimin e biznesit nga Agjencia për Regjistrimin e Biznesit”.

Nëse insistohet me këtë politikë ndëshkuese gjobiste, ajo nuk do të sjell sukses, sa për ilustrim do të cek se momentalisht janë 265 milion euro borxhe momentale në Kosovë ATK-së nga tatimet dhe gjobat e paarkëtuara, dhe se arka fiskale e ndërron vetëm kuponin (paragonin), dhe se vetëm e lehtëson sistemin periodik të mbledhurit të raporteve njëjavore, njëmujore apo 1 vjeçare, dhe se prapë mbetet në vetëdijen e biznesmenit se sa do të lëshojë kuponë të tillë, porse për të arritur rezultate më të mëdha në politikën fiskale të Kosovës janë mënyra tjera, që për momentin nuk mund të elaborojë për shkak të zgjatjes së shkrimit, por do të ndalem në një shkrim të veçantë lidhur me të, është puna pikësëpari në vetëdijesimin e afaristit për të lëshuar kupon për mallin e blerë, por edhe të konsumatorit për të kërkuar kuponin për mallin e blerë, dhe se aty është çelësi i suksesit të projektit të tillë, e jo në gjobitjen e bizneseve të cilët mund të sjellin vetëm kundërefekt për momentin.

Tani, MEF-i dhe ATK-ja e kanë në dispozicion dy rrugëdalje, e para që të mos insistojnë , që për një vjet të pajisin me arkat fiskale biznesin në Kosovës, pasi që nuk ka as gjasa teorike e lere më praktike për të realizuar një gjë të tillë, e nëse vazhdohet me një insistim të tillë të projektit, aty haptas del në shesh se qëllimi i këtij projekti është të realizohet shitja e arkave fiskale, gjegjësisht pajisja e rreth 50.000 bizneseve në Kosovë me arka fiskale, nga dy operatorë të licencuar Dukagjinit dhe Gekosi, dhe se aty apriori del se janë të gërshetuara ndoshta edhe interesat e caktuara të ndonjë zyrtari të lartë qeveritar, të cilët si kundër efekt do të sjellin mbylljen e 20% të bizneseve (10.000) në Kosovës, për shkak të pamundësisë kohore dhe çmimit të lartë të arkave fiskale, dhe se do të ketë mbyllje të lokaleve, sidomos të tyre të vogla zejtare dhe afariste që janë në minimum të ekzistencës së tyre, dhe se do të mund të përballen me peticione dhe protesta eventuale të afaristëve dhe zejtarëve jo vetëm prizrenas por edhe mbarë kosovar.

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Mesazhi

Komentet

Nuk ka komente per kete artikull
REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i autoreve