Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Bedri, anije e historisė

Autor: Mr. Bashkim Aliu E marte 16 Gusht 2011 12:08 PM

 

Po, mu kështu, sepse Bedri me mesazhet, porositë dhe reflektimet e tij të vlerave madhështore, lundron në kohë, i viziton gjeneratat, i pret periudhat historike dhe ndalet në limanin e çdo brezi dhe etape, për t’i lënë margaritarë të çmueshëm nga thesari i tij i shumtë, e pastaj vazhdon rrugën për në kohë dhe gjenerata tjera me thesar të madh porosish e mësimesh, i cili edhe pse zbarkohet një pjesë e tij në limanet e brezave dhe periudhave historike, mbetet i njejtë, i paprekur.

Për këtë luftë, flet edhe Kur’ani, në mes tjerash, edhe në këto ajete:

"Përkujtoni kur kërkuat ndihmë prej Zotit tuaj, e Ai ju është përgjigjur: “Unë, vërtet do t’ju ndihmoj me njëmijë engjëj që vijnë një pas një (grup pas grupi) (9)

Allahu nuk e bëri atë (ndihmën) për tjetër, vetëm që t’ju gëzojë (t’u japë myzhde) dhe për t’i forcuar (qetësuar) me të zemrat tuaja, pse fitorja në realitet është vetëm prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë (10) Dhe kur Ai ju kaploi me një kotje që ishte siguri për ju nga ana e Tij, ju lëshoi shi nga qielli për t’ju pastruar me të, largoi prej jush ndyrësinë e shejtanit, e që të fuqizojë bindjen në zemrat tuaja dhe që t’ju përforcoj me të (me shi) këmbët tuaja (11)

Edhe kur Zoti yt i frzmëzoi engjëjt: “Vërtet, Unë jam me ju, pra, inkurajoni ata që besuan! Unë do të hedh frikë në zemrat e atyre që nuk besuan, e ju goditni në qafë e lartë, mëshonju atyre në çdo gjymtyrë (gishtërinj) (12)".

Po ashtu, edhe në librat e hadithit hasen shumë hadithe përkitazi me këtë luftë. Kështu, Imam Buhariu ka transmentuar prej Ibën Abbasit se i dërguari i Allahut s.a.v.s. në luftën e Bedrit, kishte thënë: ”O Allahu im, të drejtohem me premtimin dhe zotimin Tënd.O Allahu im, nëse Ti don, nuk do të adhurohesh”.Atëherë, atë e kapi për dore Ebu Bekri, dhe i tha:Mjafton, pastaj doli prej tende duke thënë:”Grupi do të pësojë disfatë dhe ata do të zbrapsen”.Hadithin e transmenton edhe Nesaiju .

Pra, Bedri u flet brezave të këtij umeti dhe u jep mesazhe madhore në segmente të ndryshme.

Ne, me këtë rast, do të ishim ndalur në reflektimin e Bedrit në disa segmente, edhe atë si vijon:

 

SHTETËFORMËSIMI

Lufta e Bedrit nuk qe thjesht një fitore ushtarake karshi një armiku tradicional, por me rëndësi thelbësore është të përmendet fakti se Bedri prezantoi elementin e shtetformësisë së umetit İslam.

Tash, opinioni më i gjërë botërorë, kuptoi se pala e cila aq u përfol nga idhujtarët e Mekes, nuk është thjesht një grup i izoluar njerëzish, por ata janë shtet i cili u ballafaqua me ushtrinë e tij, me komandën, logjistikën dhe udhëheqësinë e përgjithshme, me palën kundërshtare të tronditur nga zhvillimet pozitive në taborrin Islam me këtë rritëm të shpejt dhe të çuditshëm.

 

FAKTORIZIMI NDËRKOMBËTAR

Forca e re, e cila e trandi fuqishëm bazamentin e kufrit-mosbesimit dhe idhujtarisë qorre arabe, dhe e deligjitimoi autoritetin e saj, për të cilën u bë aq shumë zhurmë nga idhujtarët, në luftën e Bedrit, kthehet edhe nji herë në cilësi të komunitetit të organizuar mirë, i cili i posedon të gjitha parametrat e të qenit alternativë e njerëzimit, që edhe një herë ta grushtoj kauzën e kufrit, por tash në një duel të nivelit ndërkombëtar, duke u bërë në këtë mënyrë faktor me rëndësi në arenën ndërkombëtare, faktor ky që nuk guxon të mospërfillet dhe të minimizohet fuqia e tij.

Në luftën e Bedrit, praktikisht u pa fillimi i fundit të pushtetit fisnor idhujtar mekas dhe faktorizimi i umetit Islam , me kryeqendrën Medinen, në arenën ndërkombëtare.

 

LOJALITETI NDAJ KAUZËS

Krahas treguesve tjerë, me rëndësi është të përmendet se lufta e Bedrit e tregoi lojalitetin e gjeneratës më të dalluar të historisë Islame, shokëve të Muhamedit s.a.v.s.-sahabeve, ndaj kauzës Islame dhe dashurisë së tyre ndaj tij si i dërguar i Allahut, si dhe gatıshmërinë e tyre për të sakrifikuar në rrugë të İslamit çdo gjë.

İ derguari i Allahut mori besë prej tyre, para se të shpërngulet për në Medine, se do ta mbrojnë nga armiqtë të cilët do ta sulmojnë në Medine, por tash kërkohej diçka tjetër, të dilej në sulm jashta Medines.

Muhamedi s.a.v.s. e mori mendimin e tyre, duke u lënë kështu mundësi që të qëndrojnë në atë që ishin marrë vesh, pra ta mbrojnë në Medine.

Mirëpo, përgjigja e tyre ishte e shpejt dhe e vendosur. Prijësi i ensarëve-medinasve i tha: O i derguar i Allahut, ec para, se sikur të thuash qe t’ia mësyjmë detit, ne do të jemi me ty, e nuk të themi si i tha populli i vet Musait:Shko ty dhe Zoti yt luftoni, e ne do të presim këtu.

Pra, këtu u pa lojaliteti i shokëve të Pejgamberit s.a.v.s. ndaj kauzës Islame, gjë që duhet të jetë pasqyrë në të cilën do të shiqohet çdo besimtar, dhe mësim i rëndësishëm për muslimanët që ta kuptojnë se si duhet të besohet dhe të jetë njeriu lojal ndaj besimit dhe kauzës së vet.

 

DASHURIA NDAJ VENDLINDJES

Nuk ka fare dyshim se besimi paraqet bazën dhe fundamentin e lëvizjes së shtetit të parë Islam në çdo drejtim, mirëpo në luftën e Bedrit, krahas porosive tjera, reflektohet edhe dashuria ndaj vendlindjes.

Kjo, ngase muslimanët e Mekes, edhe pas shpërnguljes në Medine, i ndiqnin me vëmendje lëvizjet në Meke, sepse Mekeja ishte qendra e shpalljes dhe vendi i Qabes e historisë Islame, poashtu edhe vendlindja e tyre. Ata interesoheshin se çka bëhet atje, çka ndodh në qytetin e tyre, me njerëzit, me pasuritë dhe shtëpitë të cilat i kishin lënë.

Nisur nga kjo, dalja në rrugë Ebu Sufjanit, për t’ia ndalë karavanet, nuk kishte karakter plaçkitje, por pengim të keqpërdorimit të pasurive të tyre të cilat shfrytëzoheshin nga mekasit në drejtim të gabuar, pra për ta forcuar kauzën e mosbesimit.

Së këndejmi, muslimanët duke e penguar këtë nëpërkëmbje të pasurisë dhe pronës së tyre, deshën ta dobësojnë kauzën e kufrit dhe të formojnë kushte për pastrimin definitiv të vendlindjes së tyre, djepit të Islamit, Mekes, nga mbeturinat e idhujtarisë.

 

KUALITET, E JO KUANTITET

Të gjithë e dinë se numri i muslimanëve në luftën e Bedrit, ishte ma i vogël se numri i idhujtarëve.Por, edhe përskaj kesaj, muslimanët korrën fitore bindëse.

Mirëpo, kjo nuk duhet të shihet vetëm në këndin matematikor numerik, pra si numër dhe shifër, por fitorja në Bedër me këto raporte numerike, duhet të kuptohet mesazh i qartë që jep Bedri për domosdoshmërinë e kualitetit.

Muslimanët duhet të mundohen për kualitet në të gjitha sferat e jetës, dhe në fe parasëgjithash, /sepse kualiteti ka vlerë dhe mundëson sukses e fitore, si që ishte rasti në luftën e Bedrit kur fituan kualitativet me ndihmën e Allahut, edhe pse ishin pak, ndërkaq kuantiteti është i zbehtë dhe jo produktiv, edhe pse mund të duket shumë në vëllim. Poashtu, kjo u pa në luftën e Bedrit, por në taborrin idhujtar i cili simbolizon kuantitetin. Ata edhe pse ishin shumë, humbën bindshëm, ngase luftonin për kauzën e mosbesimit, kauzën e të pavërtetës.

Pra, të mundohemi të arrijmë kualitet në të gjitha fushat, e jo të mbetemi në vagonin e fundit të zhvillimit.

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Mesazhi

Komentet

Nuk ka komente per kete artikull
REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i autoreve