Nëse dëshirojmë të bëjmë një krahasim ndërmjet botëkuptimit ekonomik islam dhe atij shekullar do të shohim se ekziston një dallim rrënjësor në mes tyre. Dallimi kryesor është se, sipas botëkuptimit shekullar aspekti mundane (i jashtëm) dhe spiritual (i brendshëm), janë dy çështje të ndara, kurse sipas botëkuptimit islam të dy këto çështje në ekzistencën e njeriut janë të pandashme, ku çështjet materiale dhe morale, gjithashtu kjo botë dhe bota tjetër, janë të ndërlidhura dhe varura për njëra tjetrën dhe e kompletojnë jetën e njeriut.
Dallim edhe më fondamental është se, botëkuptimi shekullar është produkt i njeriut dhe mund të ndryshoj gjithmonë sipas dëshirës dhe ndikimit të tij të jashtëm, kurse botëkuptimi islam është i bazuar në Kur’an (Fjalën e Zotit Fuqiplotë) dhe Synet (Traditën e Pejgamberit a.s.), që të dyja janë burimet kryesore të Sheriatit. Prandaj, botëkuptimi islam nuk është rezultat i mendjes së njeriut si rezultat i ndonjë zbulim shkencorë, por është një drejtim hyjnor i cili udhëzon në një model jete të veçantë. Edhe pse Sheriati ka një elasticitet dhe në të njëjtën kohë përkrah ndryshime dhe synon në inkurajimin e qëllimeve, sjelljeve dhe veprave të njeriut drejt një rruge të drejt, në disa çështje nuk mund të zëvendësohet dhe nuk mund të ndikohet nga mendja e njeriut[i].
Sipas botëkuptimit islam, Zoti e ka krijuar universin për të mirën e gjithë njerëzimit. Zoti i ka bërë të gjitha resurset në këtë botë të gatshme për njerëzit të cilët bartin përgjegjësinë për përdorimin dhe transformimin e tyre sipas nevojës së njerëzve. Krijuesi i ka dhënë njeriut shqisat e nevojshme për ta shfrytëzuar mendjen e vet, për ta kuptuar veten dhe natyrën dhe për ti zhvilluar mjetet e nevojshme për ushqim dhe plotësim të nevojave të veta. Mirëpo njeriu duhet ti ketë parasysh disa kufizime në shfrytëzimin e kësaj lirie të dhuruar nga Zoti. Brenda këtyre limiteve të gjitha veprat janë ibadet (adhurim) ndaj Zotit. Besimi dhe qëllimi për të synuar që Allahu të jetë i kënaqur me njeriun, e mbush atë me një entuziazëm që të vazhdoj të zbuloj, kuptoj, jetoj dhe kënaqet në këtë botë pa pasur ndonjë ndjenjë fajësie.
Islami kërkon nga njeriu që të mbajë një balancë në mes të dëshirës dhe urrejtjes për gjerat materiale. Kjo këshillë për kujdes në kërkimin e gjërave materiale është në të vërtet për mbarë njerëzimin. Në Islam të gjithë njerëzit janë të barabartë, dhe parashihet që të kenë shanse të barabarta për secilin duke luftuar krijimin e monopoleve dhe dominimin e disave ndaj të tjerëve me padrejtësi. Islami e parasheh një shoqëri, ku secili është i vet qëndrueshëm dhe në nivelin botëror pret që secili popull të jetoj një jetë të respektuar. Gjendja e tanishme, ku shtetet e varfra janë të futura në borxhe te shtetet e pasura, nuk është në përputhshmëri me vizionin islam rreth botës. Sipas vizionit islam, drejtësia duhet t’i sigurohet secilit njeri dhe secilit popull duke kundërshtuar çdo formë te eksploatimit.
Si një mëkëmbës i Zotit në tokë, njeriu është përgjegjës para Tij në Ditën e Gjykimit për të gjitha punët e bëra. Në Islam përshkruhet një sistem i fortë i përgjegjësive në të gjitha nivelet. Gjendja aktuale, ku disa nga vendet e fuqishme dhe korporatat globale nuk i japin llogari askujt nuk është në përkon me idenë islam. Sipas mësimeve islame, secili është përgjegjës në kapacitetin dhe pozitën që ka. Duhet të synohet që të themelohet një rregull ekonomik, në të cilin të gjitha vendet kontribuojnë për të luftuar veprimet e papërgjegjshme nga popujt e ndryshëm. Burimet ekonomike duhet të ruhen nga keqpërdorimi i tyre, shfrytëzimi i pakujdesshëm apo shkatërrimi i tyre për interesa të ngushta ekonomike.[ii]
Çështjet kryesore ekonomike
1. Natyra njerëzore
Sipas analizave ekonomike konvencionale, njerëzit janë të lindur egoistë dhe qëllimi kryesore i tyre është që të arrijnë shfrytëzim dhe kënaqësi maksimale, ndërsa për të arritur këtë, ata nuk kursejnë as shoqërinë si tërësi. Në sistemin kapitalist sjelljet egoiste të individëve dhe grupeve jo vetëm që duken të arsyeshme, por edhe inkurajohen. Në nivelin individual, egoizmi dhe qëndrimi si një individualist i cili tregon pak përkujdesje për tjerët është i pranuar si i arsyeshëm.
Islami i njeh të dy natyrat e njeriut, egoizmin dhe altruizmin. Egoizmi nuk është i inkurajuar, por kërkohet që të mbahet nën kontroll. Egoizmi i njerëzve duhet të shfrytëzohet për të mirën e përbashkët dhe njerëzit duhet të ndalohen nga sjelljet që i dëmtojnë të tjerët. Islami inkurajon idenë që njerëzit të ndihmojnë njëri-tjetrin. Vlerësohet lart që secili individ përveç që duhet të punoj për veten e vet, duhet të kontribuoj në ngritjen e së mirës së përbashkët duke i ndihmuar edhe tjetrit. Në Islam propagandohet që secili mundet dhe duhet të kontribuoj në krijimin e një shoqërie më të mirë të mundshme[iii].
2. Materializmi
Sistemi ekonomik kapitalist i jep një vlerë të lartë të arriturave materiale. Në Islam të arriturat materiale trajtohen si një zbukurim i jetës, por ato konsiderohen sekondare në krahasim me zhvillimin moral dhe shpirtëror të personalitetit të njeriut. Islami inkurajon biznesin dhe punën për të arritur mirëqenien materiale, por inkurajon që fokusi i mundit të njeriut në këtë jetë t’i bindet Zotit për të fituar kënaqësinë e Tij në Botën Tjetër. Ky ndryshim në fokusin e përqendrimit, sjell një qasje të balancuar në zhvillimin ekonomike. Të arriturat materiale duhet të plotësohen me zhvillim moral dhe shpirtëror të personalitetit të njeriut, a jo me rritjen e shpenzimeve të tepruara pa i dhënë llogari askujt.
3. Pronësia
Kapitalizmi parasheh një të drejtë absolute në pronësinë private përderisa ajo nuk është fituar duke ia cenuar të drejtën dikujt tjetër. Si rrjedhim, njerëzit janë të lirë të përdorin pasurinë e tyre në çfarëdo mënyre që ata dëshirojnë, p.sh. nëse ata dëshirojnë mund edhe ta shkatërrojnë një pjesë apo tërë pasurin që e kanë në posedim pa i dhënë llogari askujt. Sipas tyre, njeriu është i lirë që atë pasuri ta konsumoj, kursej, investoj apo huazoj me kamatë. Ata sigurojnë një liri të pakufizuar në pasurinë e tyre që mund ta angazhojnë në çdo profesion apo aktivitet tregtie edhe nëse ajo nuk është e mirëseardhur për shoqërinë si tërësi.[iv]
Islami e njeh pronësinë private, dhe njeriut i është garantuar e drejta për të përfituar nga burimet e tokës, por të drejtën e pronësisë absolute e ka vetëm Zoti Fuqiplotë. Njerëzit duhet të përdorin këto burime të dhëna nga Zoti si emanet (në besueshmëri) dhe të fitojnë për jetën e tyre me punë dhe mjete Hallall (të lejuara). Njerëzit nuk janë krejtësisht të lirë të konsumojnë, kursejnë apo investojnë të kursyerat e tyre në çfarëdo mënyre, por kjo duhet ti përmbahet rregullave Hyjnore. Ekzistojnë kufizime ligjore dhe morale për mënyrën e fitimit, kursimit, dhe investimit. Islami e pranon të drejtën e personit në pasurinë e vet për ta shitur dhe për t’ua lënë trashëgimi pasardhësve të tij. Prandaj, koncepti i Islamit për pasurinë e limiton lirinë e njeriut në përdorimin e burimeve të tokës, çdokush është përgjegjës te Zoti për mënyrën se si janë përdorur këto burime.
4. Universaliteti
Ekonomia kapitaliste e bazuar në kornizën ekonomike të shkruar nga Adam Smith (v. 1776) në shekullin e 18. me idetë e tij në librin ‘The Wealth of Nations’ (Pasuria e shteteve), e ka arsyetuar nocionin e shteteve të ndara, e jo një ekonomi në aspektin global. Në vend se të perceptohet ideja e botës si një vend për të gjithë njerëzit, ai e ka arsyetuar idenë e politikave nacionale të ndara nga vendet tjera të botës. E njëjta qasje ende po ndodh te vendet që në mënyrë individuale marrin vendime egoiste pa pasur parasysh situatën e vendeve të rajonit që mund të kenë pasoja nga këto vendime.
Qëndrimi Islam është se i tërë ky Univers është krijuar nga Zoti për të mirën e të gjithëve. Prandaj, është nevojë e madhe dhe permanente që të gjithë popujt e botës të konsultohen dhe kooperojnë me njeri-tjetrin kur përgatisin politika ekonomike që mund të afektojnë të tjerët. Edhe pse kërkesa për një bashkëpunim ndërkombëtar në lidhje politikat ekonomike është në rritje, për ta ndërtuar një ekonomi globale në baza të barazisë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë është punuar pak.[v]
Organizimi ekonomik
Forca ekonomike
Ekonomitë kapitaliste, të cilat po dominojnë në kohën aktuale, janë të organizuara në formën e mekanizmit të ekonomisë së tregut të lirë, ku prodhimi i mallrave dhe shërbimeve vie nga kombinimi i kapitalit dhe pagës se punëtorëve. Kapitali sigurohet edhe si një ekuitet edhe si një kredi me kamatë. Tregu, edhe pse teorikisht treg i lirë, dominohet nga korporatat gjigante të cilat e determinojnë çmimin dhe e influencojnë nivelin e investimit, kursimin, prodhimin dhe konsumimin.
Akumulimi i forcës ekonomike në ekonominë kapitaliste shkaktohet nga një numër i faktorëve. Të ardhurat nga kamata për klasën e pasur (kredidhënësit) e kthen lëvizjen e pasurisë nga të varfrit te të pasurit, gjë që në mënyrë graduale i jep mundësi një grupi të vogël të akumulon pjesë të madhe të pasurisë. Pastaj, dobia nga zhvillimet teknologjike nuk kalojnë te klasa konsumuese në formën e lirimit të çmimeve që do ti kishte sjellur dobi edhe punëtorëve. Këto përfitime nga zhvillimet teknologjike kalojnë te megakorporatat, të cilat e gëzojnë një lloj force monopoliste edhe për fiksimin e çmimeve.
Organizmi ekonomik sipas Islamit
Islami përshkruan një treg të lirë bazuar në ligjin e furnizimit dhe kërkesës dhe në të njëjtën kohë siguron që forca ekonomike nuk akumulohet te disa persona apo grupe të caktuara.
Kjo sigurohet në këtë mënyrë:
a. Islami e ndalon kamatën në kapital dhe e ka mbyllur mundësin që pasuria të akumulohet pa punë apo pa bartur një pjesë të rrezikut. Rregulla e përgjithshme është që kush dëshiron që të merr një pjesë të fitimit duhet të bartë një pjesë të rrezikut.
b. Islami parashikon një shoqëri në të cilën një individ nuk është në vartësi nga tjetri, një shoqëri në të cilën një numër maksimal i njerëzve janë të pavarur në fitimin dhe jetën e tyre. Kjo përfshin edhe besimin në Një Zot i cili është Mbikëqyrës dhe Furnizues i tërë Universit. Zakonisht, shoqëritë Myslimane kanë inkurajuar vetëpunësimin apo format e biznesit dhe investimit në formë partneriteti. Ekonomia islame preferon këto forma të biznesit ku njerëzit i bashkojnë forcat, mënyra e funksionimit është më e preferuar në formë partneriteti e jo si punëdhënës dhe punëmarrës. Nëse një koncept i këtij lloji futet në funksion atëherë kjo do të thotë se është bërë shpërndarja e rrezikut dhe e kapitalit dhe është shumë e qartë që kjo formë e ndalon akumulimin e forcës ekonomike te disa individ apo grupe të caktuara siç po ndodhë në ekonominë kapitaliste.[vi]
c. Ekonomia Islame i ndalon disa veprime si; largimin e produkteve të nevojshme për jetë nga përdorimi apo tregu për një kohe të caktuar për shkak të ngritjes së çmimeve, marrëveshja ndërmjet tregtarëve për të ofruar çmime false dhe për të ngritur çmimet, tentimi për të ndaluar konkurrencën e vërtet duke dekurajuar shitësin e produkteve që të arrij tregun, ndërmjetësimi nga njerëzit mashtrues për t’i larguar shitësit me çmimin më të mirë në treg. Në një analogji mund të thuhet se çdo veprim i cili shpie në monopol apo dobëson forcën e konkurrencës duhet të ndalohet në një sistem ekonomik.
d. Në ekonominë islame, problemi i krijimit të kërkesës nëpërmjet reklamave duhet të mos jetë shumë e nevojshme ashtu siç është në sistemin kapitalist. Reklamat duhet të përmbajnë vetëm pjesën informative të produkteve dhe të kenë për qëllim informimin e klientëve potencial rreth produktit në shitje, duke mos shtuar asgjë të pa vërtetë, sepse kjo ndihmon në krijimin e kërkesës në mënyrë artificiale, gjë e cila nuk lejohet.
Bankimi Islam
Një degë shumë e rëndësishme e ekonomisë, e cila luan një rol të pazëvendësueshëm për zhvillim është bankimi apo sistemi financiar në përgjithësi. Kjo do të jet një temë në vazhdim ku do të shpjegohet për rëndësinë e bankimit dhe gjithashtu do të diskutohet se çka dallon bankimi islam prej atij shekullar apo konvencional dhe cilat janë principet dhe qëllimet e bankimit islam.
Konkludim
Këto që u diskutuan më lartë janë disa prej veçorive dalluese ndërmjet botëkuptimit ekonomik islam dhe atij konvencional i dominuar nga botëkuptimi shekullar. Përndryshe kjo është një temë shumë e gjerë e cila meriton një shpjegim më të thellë. Ky ishte vetëm një diskutim i shkurtër për të parë se Islami ka përgjigje për çdo aspekt të jetës dhe se organizimi dhe botëkuptimi islam sillet rreth besimit në një Zot i Cili sheh dhe dëgjon dhe shpërblen dhe dënon.
--------------------------------------------------
[i] Waleed A.J. Addas, Methodology of Economics: Secular Versus Islamic, (Kuala Lumpur: International Islamic University Malaysia, 2008), faqe 62.
[ii] Saad Abdul Sattar Al-Harran, Islamic Finance: Partnership financing, (Kuala Lumpur: Pelanduk Publications, 1993) faqe, 55-58.
[iii] Muhammad Akram Khan, An Introduction to Islamic Economics, (Islamabad: The International Institute of Islamic Thought & Institute of Policy Studies, 1994), 43.
[iv] Saad Abdul Sattar Al-Harran, Islamic Finance: Partnership financing, (Kuala Lumpur: Pelanduk Publications, 1993) faqe, 55-58.
[v] Mohammad Ma’sum Billah, Islamic Law of Trade and Finance: A Selection of Issues, (Kuala Lumpur: Ilmiah Publishers, 2003), faqe. 215.
[vi] Kamal Khir, Lokesh Kupta and Bala Shanmugam, Islamic Banking: A Practical Perspective, (Petaling Jaya: Pearson Malaysia Sdn Bhd, 2008) faqe 7-10.
[1] Waleed A.J. Addas, Methodology of Economics: Secular Versus Islamic, (Kuala Lumpur: International Islamic University Malaysia, 2008), faqe 62.
[1] Saad Abdul Sattar Al-Harran, Islamic Finance: Partnership financing, (Kuala Lumpur: Pelanduk Publications, 1993) faqe, 55-58.
[1] Muhammad Akram Khan, An Introduction to Islamic Economics, (Islamabad: The International Institute of Islamic Thought & Institute of Policy Studies, 1994), 43.
[1] Saad Abdul Sattar Al-Harran, Islamic Finance: Partnership financing, (Kuala Lumpur: Pelanduk Publications, 1993) faqe, 55-58.
[1] Mohammad Ma’sum Billah, Islamic Law of Trade and Finance: A Selection of Issues, (Kuala Lumpur: Ilmiah Publishers, 2003), faqe. 215.
[1] Kamal Khir, Lokesh Kupta and Bala Shanmugam, Islamic Banking: A Practical Perspective, (Petaling Jaya: Pearson Malaysia Sdn Bhd, 2008) faqe 7-10.
Reklama 229 x 170.png)
Sali Shasivari
Nexhmedin Spahiu
Mr. Bashkim Aliu
Mr. Ajni Sinani
Mr. Muhidin Ahmeti
Nexhmedin Spahiu
Artan Musliu
Blerim Gashani
Mr. Iljasa Salihu
Xhevahire Abazi
Milazim MUSTAFA
Opinione te lexuesve
Merjem Gashi
Reklama 228 x 90.png)
Komentet
Nuk ka komente per kete artikull