Disa thonë se Kosovën e çliroi NATO-ja, ndërsa ata që i përjetuan fshikullimat e armikut thonë se Kosovën e çliroi UÇK-ja, kurse ata që për hir të panoramës më të qartë rreth çështjes në fjalë, vlerësuan se Kosova u çlirua pjesërisht prej ushtrisë sonë të lavdishme, duke i ndihmuar ecejaket e saja edhe aleatët tanë, ndihmë kjo që do të përbënte sfidë të vërtet për shtet-ndërtimin e Kosovës, ose më mirë thënë, krijim dhe pastrim i korridorit ku çmenduritë dhe eksperimentet e shumta lirshëm do të qarkullojnë përmbi tragjedinë e këtij populli të shumëvuajtur, qëllimi i të cilëve ishte dhe është tkurrja edhe e këtij trualli pjesërisht të çliruar. Gjatë këtyre 12 viteve çlirim të pjesshëm, dëgjuam dhe u ballafaquam me një mal deklaratash e vendimesh, vendime që gjithherë ishin në të mirë të fundërrinave-mbetjeve serbe.
Përmes kishave ortodokse atyre iu mundësua që ligjërisht të zotërojnë territore të gjëra, ku aktivitetin e filluar prej kohësh kriminal kundrejt shqiptarëve, tashmë pa u ngacmuar prej askujt do ta vazhdojnë. Plani i Ahtisarit u përcoll me kritika të ashpra dhe të shumta, edhe pse ky plan qëllimkeq e kishte një të mirë. E mira e këtij plani të keq ishte se Kosova patjetër duhet të njihet me gjithë njësinë e saj territoriale, përfshirë fshatrat dhe qytetet ku jetojnë serbët, edhe pse ligji për decentralizim i përdhosi këto enklava sa nuk duhej, duke i krijuar mundësi mobilizimi për rrënim të kësaj ngrehine të ndërtuara me djers dhe me gjak prej shqiptarëve.
Kosova u pavarësua me çlirim të pjesshëm, duke i lënë pas trazirat e marsit, të shkurtit dhe kopshtin e çmendurisë në të cilin mbinin vetëm trëndafila me erë të qelbur. Pjesë e atij ngazëllimi ishin edhe qumështi, alkooli dhe çokollatat e ardhura enkas prej Serbisë, alegori këto që kumtonin frenim të këtij gëzimi të çmeritur. Gabimin e parë pas epokës që ishte e stërmbushur me gabime, politikanët dhe analistët tanë e artikuluan atëherë kur thanë së është me rëndësi që shtetet më të fuqishme të botës e njohën pavarësinë me “çlirim të pjesshëm të Kosovës”, kurse pas pak po të njëjtit sikur lypsar i pamë duke kërkuar njohje prej atyre që nuk i llogaritnin si shtete. Pastaj ky injorim adoleshent u pasua me zvarritje për njohje, mbase duke ia bërë edhe me dije të vegjëlve dhe lypsarëve tanë se akoma jeni të vegjël për asi lloj klasifikimesh.
Në Kosovë për hir të pakicave katolike u ndërtua një katedrale politike mu në mes të Prishtinës. Kjo njëherësh tregoi se sa popull bujar dhe vezullues të shumëllojshmërisë së vlera jemi. Madje edhe për hir të pakicave ortodokse, kishat e tyre vetëm na mbetet vetëm t’i shikojmë, madje as mendja nuk guxon të na shkoj për diçka tjetër, si dhe serbëve në gjuhën e tyre amtare administratorët tanë duhet t’i përgjigjen, sepse me ligj një gjë të tillë e kanë obligim. Ndërsa ata që përnjëmend luftuan për këtë vend dhe që janë shumicë e këtij shteti vazhdojnë të anashkalohen dhe shkelmohen. Shqiptarët e besimit islam çdo të premte detyrohen në asfalt dhe nëpër trotuare ta falin namazin e xhumasë. Kërkesave të tyre, vëllezërit e gjuhës dhe të fesë së njëjtë po i përgjigjen me akuza tejet të rëndë, gjoja se kjo masë e popullit është manipuluar prej radikalizmit të skajshëm arab. Thuajse harruan se po prej kësaj mase ata i morën votat dhe u bënë deputet e ministra! Pastaj në vend të plotësimit të kërkesave legjitime dhe të kamotshme, ata nuk përtojnë të merren me vetitë e protestuesve. Pavarësisht kësaj rrëmuje dhe këtij diskriminimi, katedralja boshe katolike e preferon heshtjen e këtyre kërkesa të natyrshme, edhe pse roli i saj duhet të jetë kultivimi dhe ujitja e kërkesave që nuk bien ndesh me normat e shoqërisë demokratike.
Pasi i trashën mirë gjokset dhe xhepat e tyre, vendosën që patriotizmit ekonomik dhe social t’ia japin fjalën dhe vendin e merituar. Pasuan masat e reciprocitetit, madje për lakmi ky vendim u respektua dhe u mirëprit prej të gjithëve. Tregun kosovar e vërshuan produkte vendore dhe produktet e shteteve fqinj, veçmas dominuese ishin produktet që vinin prej tregut të Turqisë. Për t’i bindur qytetarët se Kosova përnjëmend kësaj radhe e kishte, dërgoi edhe njësinë speciale në veri, për t’i çrrënjosur kështu bandat dhe emisarët e Serbisë, që ishin dërguar në truallin shqiptar si prodhues të tmerrit. Ky aksion u shoqërua edhe me një dëshmor dhe me një hero të Kosovës. Porse shpallësit e këtij heroi tradhtuan lehtas dhe shpejtë idealin e këtij dëshmori, ngase i urdhëruan që të kthehen në pjesën e çliruar të Kosovës, pa ia dhënë dënimin e merituar prodhuesve të tmerrit dhe vrasësve. Edhe pas një muaji prej aksionit të ndërmarr, prapë barrikadat serbe vazhdojnë ta vezullojnë krenarin e tyre dhe turpin e qeverisë së Kosovës. Politikanët serbë vazhdojnë ta vizitojnë shtëpinë e huaj në cilësinë e të zotit të shtëpisë! Kjo njëherësh tregon se të besuarit e popullit vazhdojnë që idealet e ushtarëve të UÇK-së, të atyre që ranë dëshmorë pas vitit 1999, t’i gjymtojnë sa të munden, mbase vetë greva e urisë e organizuar prej veteranëve të UÇK-së tregoi se për 12 vite sa Kosova si shtet ishe përkujdesur për ndërtuesit e këtij vendi dhe shteti.
Në vorbullën e gjithë kësaj mjegullnaje, duke shpresuar detyrimisht në maratonën e pambarimtë të këtyre paradokseve, rrëzimi në kuvend i kërkesës për lëndën e edukatës fetare në natën e bajramit, mua rrëqethshëm ma kujtoj rrëfimin e gjyshit tim, kur forcat komuniste sllave pikërisht në natën e bajramit ishin nisur me armë për në fshatin Llojan të Kumanovës, duke lëshuar kumte se gratë e shqiptareve do të na shërbejnë për bajram me bakllavë. Të irrituar prej këtij provokimi të pashoq, gjyshi im me shumë bashkëfshatar në vend të rrobave dhe ëmbëlsirave që pritej t’i shijonin në ditën e bajramit, i kapën armët e pakta që i kishin dhe disa vegla të tjera, vetëm e vetëm që armikut praktikisht t’i thonë sa ju para se të kaloni te gratë e shqiptarëve, duhet të ballafaqoheni me burrat e njëmend shqiptar, që për këtë tokë e për nderin familjar japin njëqind herë jetën. Ashtu edhe kishte ndodhur. Jehona e trimërisë së këtyre burrave, kishte bërë që sllavi komunist të kthej kokulur dhe i mposhtur, ndërsa këta trima shqiptar ishin kthyer me betejë të fituar dhe pa fjetur fare, ashtu edhe të pluhurosur atë ditë, bashkë me farefisin, djemtë, prindërit dhe gratë e tyre e kishin shijuar bakllavën për bajram, shije kjo e shoqëruar me fluturaken e mendimeve të ngjarjes së asaj nate të vështirë.
E pra, ju demokrat shqiptar dhe mysliman, përmes kundërshtimit të asaj që quhet etikë fetare, edhe atë mu në natën e bajramit, na kujtuat natën e bajramit të asaj gjenerate trime, ku komunisti ra Llojanit e Vaksincës, tym e flakë po i shkon Runicës, vargje këto të kënduara prej të ndjerit Naim Latifi, frymëzim i të cilave ishte e vërteta e ngjarjeve të asaj kohe.
Muhamed Murtezi
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Mr. Bashkim Aliu
Mr. Muhidin Ahmeti
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Opinione te lexuesve
Hamdi Nuhiju
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Mr. Iljasa Salihu
Hamdi Nuhiju
Reklama 228 x 90.png)
Komentet
Nuk ka komente per kete artikull