Image 01 Image 02 Image 03 Image 03
Frymzim Dauti: Shqipėrinė e formoi pėrpjekja diplomatike-ushtarake e Perandorisė Osmane
artikuj

Opinione te lexuesve

,

Te fundit

Tė gjitha shkrimet e autorit >>

Frymzim Dauti: Shqipėrinė e formoi pėrpjekja diplomatike-ushtarake e Perandorisė Osmane

Autor: Opinione te lexuesve E hėne 28 Maj 2012 12:20 PM

 

 

Nga:Frymzim Dauti

-Kryeministri i Shqipërisë Berisha, në një mbledhje të qeverisë tha se përvjetori i 100 i pavarësisë së Shqipërisë duhet që të jetë frymëzim për ata që merren me histori dhe ta nxjerrin të vërtetën në shesh. Mbase ai e "kërkon" të vërtetën historike për formimin e Shqipërisë, këtë shkrim ia përkushtoj atij.

-Në vitin 1882 në një traktat sekret në mes Austro-Hungarisë dhe Serbisë, u parapa që Kosova dhe Maqedonia t’i takonin Serbisë nëse do të shuhej Perandoria Osmane në Ballkan. Më pas, Kajzeri i Austro-Hungarisë dhe Cari i Rusisë në vitet 1897 dhe 1903 u takuan që të negociojnë ndarjen e zonës së influencës në Ballkan, në rast se do të shuhej Perandoria Osmane në Evropë. Italia kërkonte pjesën e saj të influencës, prandaj dhe në ndërkohë, në marrëveshje me Austro-Hungarinë në vitin 1897 dhe 1900, u parapa formimi i autonomisë së Shqipërisë në zonën bregdetare shqiptare, me qëllim që të parandalohej konflikti i mundshëm ndërmjet vetë Italisë dhe Austro-Hungarisë për kontrollin e bregdetit të Shqipërisë.

-Në Serbi në vitin 1903 ndodhi grusht shteti, e që përveç ndërrimit të dinastisë mbretërore, ndikoi edhe në ndërrimin e kursit diplomatik të saj; gjegjësisht prej atij pro-austriak në ate pro-rus. Austro-Hungaria u alarmua me këtë situatë të re, prandaj dhe në takimin me Carin e Rusisë në vitin 1903, ajo kundërshtonte rritjen e influencës së Rusisë nëpërmjet Serbisë në Ballkan.

Pas aneksimit të Bosnjës nga Austro-Hungaria në vitin 1908, protestoi Serbia, pasi që pretendonte se Bosnja duhej t’i takoj asaj. Me këtë rast, Austro-Hungaria i premtoi edhe një herë Serbisë se ajo nuk do ta parandalonte Serbinë që ta aneksoj Vilajetin e Kosovës.

Për ndarjet e tjera në Ballkan, shtetet ortodokse të Ballkanit merren vesh në traktatet bilaterale që i lidhin kur e formojnë Aleancën Ballkanike në vitin 1912, me ndërmjetësim të drejtpërdrejtë të diplomacisë ruse dhe tërthorazi të asaj britanike. Ata e lidhin këtë Aleancë me qëllim të fillimit të luftës kundër Perandorisë Osmane dhe ndarjes së territoreve të saja në rast të fitores. Momenti i fillimit të agresionit nga Aleanca Ballkanike u zgjodh koha pas trazirave politike-ushtarake në verën e vitit 1912 në territoret shqiptare. Këto trazira u kurdisën edhe nga shtetet fqinje të Ballkanit, të cilat e shfrytëzuan amatorizmin politik të disa qeveritarëve xhonturke kundrejt shqiptarëve. Trazirat tek shqiptarët në verën e vitit 1912, i paraprinë edhe disa grupe interesi, me qëllim të ngritjes së peshës politike të tyre apo dhe për marrjen e pushtetit të Perandorisë Osmane; e që përveç rritjes së influencës dhe pavarësisë më të madhe të shqiptarëve brenda Perandorisë, ndikuan edhe në dobësimin e disiplinës së ushtrisë osmane, dhe si rezultat ajo dështoi në mbrojtjen e të gjithë territoreve shqiptare të Perandorisë.

Pasi që filloi Lufta Ballkanike, kryeministri i Britanisë deklaronte që pavarësisht rezultatit të luftës status-quaja e Ballkanit nuk do të ndryshonte. Kuptohet që deklaratat e tij vlenin në qoftë se Perandoria Osmane e fitonte luftën. Ai i ndryshoi deklaratat e tija menjëherë pasi që Aleanca Ballkanike ishte duke korrur suksese luftarake në fushëbeteja, dhe prandaj më 9 nëntor 1912 deklaronte se harta e Evropës Lindore duhej të ripërcaktohej. Mes të tjerave ai deklaroi: ”fitimtarëve nuk do të ua vjedhim frytet që iu kanë kushtuar aq shtrenjtë”.

-Përderisa zgjaste armëpushimi, më 20 dhjetor 1912 Konferenca e Ambasadorëve në Londër vendosi në favor të autonomisë së Shqipërisë nën sovranitetin e Sulltanit, por pa i përcaktuar kufijtë e Shqipërisë. Pasi Serbia kishte dalë në detin Adriatik duke e okupuar Durrësin, asaj iu garantua dalje në det për qëllime tregtare nëpërmjet një porti në bregdetin shqiptar. Me këtë rast, në të njëjtën datë Ismail Qemali prej Vlore i telegrafon gjeneralit osman-shqiptar Esad Pashë Janinës si vijon: “Me mirënjohje çmoj shërbimet e ushtrisë dhe ngadhënjimet e saj të korrura në Janinë kundrejt grekëve, ngadhënjime prej të cilave shpëton nga sulmi i armikut pjesa jugore e Shqipërisë. Që Porta e Lartë po përpiqet për autonomin e Shqipërisë, konfirmohet edhe prej përmbajtjes së telegramit të ardhur dje prej kryeministrisë”. Esad Pashë Janina, prej fillimit insistonte që kuvendi për Shqipërinë të mbahej në Janinë, pasi sipas tij, mbrojtja e Janinës ishte vendimtare për jugun e Shqipërisë. Këtë qëndrim të tij, e dëshmon edhe Dhimitër Zografi në kujtimet e tija të botuar në vitin 1917, e që e shoqëronte Ismail Qemalin në ato momente historike: “Esad Pasha[…] e uroj Ismail Qemalin për këtë punë të bukur që bën dhe i lutet që të vemi të gjithë në Janinë, të ngrehim flamurin e Shqipërisë dhe të mbajmë kongresin atje”. Por Ismail Qemali përzgjodhi Vlorën, pasi që në kohë lufte situata në teren i dirigjonte veprimet e tija, si dhe ai nuk merrte instruksionet vetëm prej Stambollit, por edhe prej Vjenës, Bukureshtit dhe Athinës. Para tij u përpoq Syreja bej Vlora që t’i mbledh krerët shqiptarë për fatin e Shqipërisë në një kuvend në Vlorë. Mirëpo ai nuk pati sukses pasi ende nuk kishte filluar lufta. Edhe nëse kuvendi do të thirrej në fazën fillestare te luftës, dyshoj që do të kishte sukses, pasi që shumica e shqiptarëve ende kishin besim në fuqinë ushtarake të Perandorisë dhe shpresonin se ajo do ta fitoj luftën. Prandaj dhe nismën e Syreja beut, paria shqiptare nuk e mori me seriozitetin e duhur.

Ismail Qemal bej Vlora dhe Syreja bej Vlora, si dy ish deputet osman, e dinin rëndësinë gjeostrategjike të Vlorës që paraqiste për Austro-Hungarinë dhe Italinë. Rëndësia e Vlorës që të mbetej në përbërje të Shqipërisë ishte për shkak të ngushticës së Otrantos dhe pasi që flota e Austro-Hungarisë ishte e stacionuar në qytetin bregdetar Pula në Dalmaci. Prandaj dhe këta politikanë dhe kushërinj vlonjatë, veç e veç e morën përkrahjen e Austro-Hungarisë për mbajtjen e kuvendit në Vlorë, nëse pushteti i Perandorisë Osmane nuk do të mund të qëndronte më në Ballkan. (Rëndësia gjeostrategjike e Vlorës u dëshmua pas dy viteve më vonë. Kjo, pasi që Italia e okupoi Vlorën dhe e minoi ngushticën e Otrantos dhe si rezultat flota e Austro-Hungarisë përgjatë gjithë Luftës së Parë Botërore mbeti e ngujuar në Pula.) Vlora ishte e përshtatshme për mbajtjen e kuvendit, pasi që kablloja nëndetare e telegrafit që dilte prej Vlore në Itali, e mbante ate në kontakt me Evropën. Vlora po ashtu ishte pjesërisht e sigurt nga rreziku grek i okupimit me forcë, për shkak të intervenimit të mundshëm të Italisë dhe Austro-Hungarisë që ta parandalonte Greqinë, si dhe pasi që plani grek i mbështetur edhe nga disa politikan shqiptarë në marrëveshje paraprake, parashihte okupimin e Shqipërisë nga Greqia deri te lumi i Vjosës (e që përfshinte edhe rrethin e Vlorës). Megjithatë ende kishte hapësirë për negociata në mes tyre me grekët se kujt do t’i takonte Vlora. Edhe Qeveria e Perandorisë Osmane ndante mendimin që Ismail Qemali mos të kundërshtohet në mbajtjen e kuvendit në Vlorë.

- Ministria e Punëve të Jashtme e Austro-Hungarisë, më 25 nëntor 1912 morri nga ambasadori i saj në Stamboll telegramin me këtë përmbajtje: “Për punën e Shqipërisë, Veziri i Madh (F.D. Kryeministri) më tha se Perandoria Osmane do të ngulë këmbë për krijimin e një Shqipërie autonome me një princ nga dera Osmane”. Pasi që Austro-Hungaria u sigurua që iniciativa e Ismail Qemalit (që në atë kohë ndodhej në Austri) ishte e koordinuar edhe me zyrtarët e Stambollit, ajo ia dha atij ndihmën që të nisej për në Shqipëri. Menjëherë prej Trieste (në atë kohë pjesë e Austro-Hungarisë) me një vapor austriak transportohet I.Q. me bashkëpunëtoret e tij për në Shqipëri. Flota greke, që i kontrollonte në atë kohë ujërat territorial të bregdetit shqiptar dhe që ishte në dijeni për mbërritjen e tyre, e lejoi hyrjen e tyre në Durrës. Pasi në atë periudhë, për shkak të gjendjes së luftës, ishte e ndaluar tubimi i njerëzve, I.Q. nuk pengohet në angazhimin e tij për tubimin e krerëve shqiptarë. Për këtë rast, Kryekomanda Ushtarake Osmane me qendër në Janinë, iu dërgon autoriteteve të Durrësit dhe Vlorës telegramin me këtë përmbajtje: “Kur t’urdhënojë aty Ismail Qemal Beu, lutemi t’a nderoni e t’a qetësoni edhe të na bani me ditë”. Urdhri me telegram për pritjen e I.Q. në Durrës, u respektua nga ushtria shqiptare-osmane. Kështu e përshkruan arritjen e tyre në Durrës Dhimitër Zografi në kujtimet e tija: “Posa që arritëm në Durrës vajtëm në hyqymet, që t`u thomi vendësve qëllimin tonë. […] Për fatin tonë të mirë, ushtria e atjeshme prej nja 500 vetash të gjithë shqiptarë, dhe koloneli kumandar i tyre Amit Toptani, prej Tiranë, një shqiptar fisnik i vleftë, bir shqiponje. […] po të mos ndodhej zotëria e tij kush e di sa kundërshtime dhe ç`mund të pësonim […]”. Pasi I.Q. mbërriti në Vlorë, autoritetet lokale osmano-shqiptare e pritën ate me gjithë nderimet. Kështu e përshkruan I.Q. në kujtimet e tija mbërritjen e tyre në Vlorë: “Vendlindjen time e kishte mbërthyer vala e patriotizmit, neve gjithkund na përshëndetnin me entuziazëm dhe gëzim”. Në Kuvendin e Vlorës më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali gjatë fjalimit të tij mes të tjerave thotë: “Pas që nuk mbetej më as ndonjë shpresë për t'a shpëtuar Shqipëriën me armë, e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipëries nga Turqia (F.D. Perandoria Osmane)".

Pasi punimet e kuvendit kishin filluar në Vlorë, Kryeministria e Perandorisë Osmane e informon Ministrin për Punë të Brendshme më 29 nëntor 1912 si vijon: “[…] u vendos që t’i sugjerohet Ministrisë së Luftës që t’i kumtoj komandës[…] veprimet që po ndërmeren atje (F.D.Vlorë) nuk duhet të pengohen”. Gjatë punimeve të Kuvendit në Vlorë vazhdonin të vinin delegatë, sidomos nga Kosova dhe Maqedonia, prandaj dhe Ismail Qemali interesohej për sigurinë e Vlorës. Kryetari i Shtabit Mbretëror të Ushtrisë së Vardarit, Halil Bej Kolonja, që ndodhej në Leskovikë, më 29 nëntor 1912 i përgjigjet I.Q. me telegram, si vijon: “[…] Me gjithë vështirsit e shumta, ushtëria, do të përpiqet të bajë ç’ashtë e mundun për me ruejtun kët anë nga sulmet e armikut. Suksesi varet nga Perendia […]”. Qeveria e Perandorisë Osmane, që i kishte dhënë udhëzimet për sigurinë fizike të Ismail Qemalit pasi që ai në kohë lufte mbërriti në Shqipëri, dhe pasi që ajo lejoi apo mundësoi mbajtjen e Kuvendit të Vlorës, hyri në kontakt me I.Q. nëpërmjet vetë kryeministrit të Perandorisë Osmane (Qamil Pasha). Ata komunikojnë nëpërmjet telegramit( Stamboll-Vlorë), me ç’rast Kryeministri e informon I.Q. në Vlorë se aktvendimi për Autonomin e Shqipërisë është miratuar në mbledhjen e Qeverisë dhe se po të njëjtën do ta aprovojë edhe Sulltani (telegrami i bisedës së realizuar ekziston dhe është përkthyer dhe botuar në shqip).

-Në Londër, pasi që u vendos për çështjen e autonomisë së Shqipërisë nën sovranitetin e Sulltanit, fillojnë negociatat në mes shteteve që ishin në konflikt luftarak. Perandoria Osmane, shkon dhe një hap më shumë, duke e amandamuar vendimin për sovranitetin e Sulltanit mbi Shqipërinë dhe propozon princ të familjes Osmane në krye të Shqipërisë. Ky propozim, i mundësonte Shqipërisë që të bëhej Principatë; vendim ky që do të ishte dhe hapi i fundit drejt pavarësisë së plotë. Kryesuesi Konferencës së Londrës (Edward Grey) dhe zëvendësi i tij (Raymond Poincare), në memoaret e tyre e verifikojnë qëndrimin e delegacionit të Perandorisë Osmane në favor të Shqipërisë. Po ashtu Princ Vidi në Memorandumin e tij të publikuar në vitin 1917 shkruante: “Perandoria Osmane ishte në favor të formimit të principatës së re autonome dhe të pavarur në Shqipëri dhe e la që për çështjen e kufijve të Shqipërisë dhe çështjeve të tjera lidhur me te, të vendosin Fuqitë e Mëdha”.

Në Konferencën e Londrës, aleatët ballkanas që morën pjesë, propozuan marrjen e të gjithë territoreve të Perandorisë Osmane në Evropë. Perandoria Osmane e refuzoi këtë dhe dorëzoi kundërpropozim prej pesë pikave, e që përfshinte çështjet për: Vilajetin e Edrenes (Thrakia), Vilajetin e Selanikut (Maqedonia), Shqipërinë, Ishullin e Kretës dhe Ishujt e Detit Egje. Për Shqipërinë propozimi ishte si vijon: “Shqipëria do të bëhet vilajet autonom osman, e qeverisur nga një princ i familjes Osmane dhe parlamenti (F.D. i Shqipërisë)”. Këta propozime u refuzuan nga Aleanca Ballkanike, dhe prandaj përfaqësuesit e Perandorisë më 1 janar 1913 dhanë propozim tjetër prej 4 pikave. Pika e parë kishte të bëjë me Shqipërinë dhe e kishte këtë përmbajtje: “Me përjashtim të Shqipërisë, statusi politik dhe kufijtë e së cilës do të vendosen nga Fuqitë e Mëdha, Perandoria Osmane heq dorë nga të gjitha territoret e Evropës të pushtuara nga aleatët, në perëndim të vilajetit të Edrenes”. Mirëpo edhe këta propozime të Perandorisë u refuzuan. Me shtypje të Britanisë, Perandoria Osmane u detyrua që të heq dorë edhe nga qyteti i Edrenes, e që ende nuk kishte kapitulluar. Me këtë rast, qeveria osmane u mblodh që ta aprovoj marrëveshjen e paqes, e që në fakt ishte kapitullim. Opozita osmane apo krahu militant i saj, i përbërë nga oficerët xhonturq, refuzonin kapitullimin dhe prandaj u organizuan dhe bënë grusht shteti. Si pasoj e kësaj ngjarjeje, refuzohet marrëveshja për paqe nga qeveria e re osmane (xhonturke) dhe vazhduan aktivitetet luftarake. Ushtria e thyer osmane nuk arriti që të konsolidohet dhe prandaj e humbën qytetin e Edrenës nga forcat bullgaro-serbe dhe po ashtu Janinën nga forcat greko-epirotase.

Kapitullimi pa kushte i Janinës më 7 mars 1913, ishte dhe si pasoj e dezertimit të shumë ushtarëve osman-shqiptarë që mbronin Janinën, e tek të cilët ndikoi propaganda greke të përkrahur tinëzi edhe nga disa elementë të Qeverisë së përkohshme të Vlorës. Propaganda mbështetej në ate se pasi që autonomia e Shqipërisë u sigurua nga Fuqitë e Mëdha, nuk kishte pse luftonin shqiptarët së bashku me osmanët kundër grekëve apo serbëve. E njëjta propagandë u tentua që të shpërndahej edhe në Shkodër. Por atje nuk pati sukses, pasi qëndresa e Esat Pashë Toptanit kundër forcave serbo-malazeze dhe kundër disa bajraktarëve shqiptar, nuk u thye deri sa në negociatat në Londër u vendos fati i Shkodrës në favor të Shqipërisë. Njohësi i mirë i ngjarjeve në Perandorinë Osmane, George Young, për rastin e Shkodrës dhe Janinës, në librin e tij për Luftën Ballkanike të botuar në vitin 1914, shkruante: “Rezistimi i garnizonit të Janinës kundrejt grekëve, si dhe rezistimi i garnizonit të Shkodrës kundrejt serbëve, kishte më shumë efekt të drejtpërdrejt në rezultatin politik të luftës se sa të gjitha betejat e përgjakshme në fushëbetejë. Ishte rezistenca e këtyre garnizoneve që i mundësoi Evropës të formoj autonominë e Shqipërisë”.

Humbja e Janinës dhe dezertimi i shumë ushtarëve osman-shqiptarë solli përçarje në Qeverinë e Vlorës, edhe pse ajo mbështeste mbrojtjen e Janinës me fjalë. Ismail Qemali më 14 dhjetor 1912 në një telegram drejtuar Valiut te Janinës, shkruante: “Është detyra jonë që t’i ndihmojmë ushtrisë osmane, qëllimi kryesor i së cilës është që ta shpëtoj Shqipërinë”. Mirëpo veprimi i disa elementëve brenda Qeverisë së Vlorës, më vonë do të ndryshonin qëndrimin kundrejt Janinës, dhe prandaj për kapitullimin e Janinës mbante përgjegjësi edhe vetë I.Q.

Mbështetja e politikës se shqiptarët nuk duhej luftuar pa nevojë, por duhej vetëm që të ngrinin flamurin e Skenderbeut nëpër qytetet shqiptare dhe ta shpallnin pavarësinë, pasi që Fuqitë e Mëdha garantonin formimin e Shqipërisë, u dëshmua fatale për shqiptarët. Kjo pasi shumë qytete shqiptare u okupuan nga serbët dhe grekët pa asnjë rezistencë. Me okupimin e qyteteve shqiptare, ushtria serbe dhe greke i morri në posedim armët që ishin në depot e kazermave ushtarake dhe filloi konfiskimin e armëve nëpër shtëpitë shqiptare, u mblodhën shumë bagëti dhe rezervat ushqimore për nevojat e ushtrive armike, përderisa njerëz me ndikim që nuk arritën që të arratisen u arrestuan apo dhe u ekzekutuan.

-Gjatë punimeve të Konferencës së Londrës, ku përcaktohej edhe fati i Shqipërisë, Ismail Qemalit iu refuzua kërkesa nga Austro-Hungaria dhe Italia që të shkonte dhe t’i ndiqte prej së afërmi punimet e Konferencës. I.Q. dhe qeveria e tij, mbetën të izoluar në Vlorë përgjatë gjithë kohës së mbajtjes së Konferencës së Londrës, pasi dhe kablloja nëndetare e telegrafit (Vlorë-Itali) ishte ndërprerë nga grekët. Koloneli austriak Thomas Bruno, që në atë kohë ndodhej në Vlorë, në raportin e tij edhe për punën e qeverisë së Vlorës, dërguar në Vjenë në vitin 1913, shkruante: “E gjitha çka bëjnë ata (F.D.Qeveria) është që të ulen diku në kafene, të flasin dhe të bëjnë plane çfarë mund të ndodh nëse kjo apo ajo ndodh”.

Në 1 prill 1913, Ismail Qemali e shfrytëzoi vizitën e një pretendenti për fronin e Shqipërisë, që kishte ardhur me jahtin e tij në Vlorë për të lobuar për kandidimin e tij, dhe del me te në Itali. Atje, veç tjerave, I.Q. hyri në kontakt edhe me përfaqësuesin special të Kryeministrit të Serbisë për çështjen e Shqipërisë dhe më 8 prill 1913 në hotel “Cavour” (Milano) takohen me te për negociata. Më pastaj I.Q. shkon edhe në Londër. Atij atje iu refuzua kërkesa për takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë- Edward Grey. Zyrtari britanik Herbert Norman që e pranoi I.Q., në shënimet zyrtare e prezenton ate edhe si deputet i Jerusalemit në Parlamentin Osman e që dhe teknikisht ende mund ta mbante ate funksion. Arsyeja se pse nuk u pranua I.Q. nga Edward Grey ishte se ai nuk pranohej si kryeministër i qeverisë së përkohshme të Shqipërisë. Deklarata e pavarësisë së Shqipërisë në Kuvendin e Vlorës nuk kishte asnjë efekt në aspektin diplomatik, pasi që në kohën e miratimit të kësaj deklarate ende Sulltani ishte sovran i Shqipërisë. Proklamata zyrtare që Fuqitë e Mëdha nuk e njihnin qeverinë e Vlorës u lëshua në maj 1913, me rastin kur përfaqësues të flotës ndërkombëtare zbritën në Shkodër. Proklamata e kishte këtë përmbajtje: ”[…]qyteti i Shkodrës do të merret dhe do të administrohet nga një komision oficerësh të flotës ndërkombëtare, që përfaqësojnë Fuqitë e Mëdha të Evropës, deri sa të formohet qeveria autonome në Shqipëri”.

- Një nga momentet më të rëndësishme të kësaj periudhe sot është krejt e panjohur për shqiptarët, pasi që mbahet në heshtje nga historiografia shqiptare. Është fjala për kryqëzorin e flotës osmane “Hamidije”, që më 12 mars 1913 në portin e Shën Gjinit, i sulmoi dhe i zhyti disa anije greke, që i transportonin prej Selaniku ushtarët serbë për në front kundër ushtrisë që komandonte Esat Pashë Toptani. Ky sulm, i mundësoi Esatit që të vazhdoj rezistencën për mbrojtjen e veriut të Shqipërisë dhe ndikoi në marrjen e vendimit nga Fuqitë e Mëdha për bllokimin e anijeve greke që të transportonin ushtarë serbë dhe municione në Shqipëri. (Komandanti i këtij kryqëzori shpallet hero i luftës dhe më vonë zgjidhet dhe kryeministër i Turqisë.) Po ky sulm, në negociatat në Londër i ndihmoi insistimit këmbëngulës të Austro-Hungarisë që Shkodra t’i takoj Shqipërisë; me çka dhe u përcaktua kufiri verior i Shqipërisë.

-Lufta Ballkanike përfundoi zyrtarisht më 30 maj 1913 pas nënshkrimit të marrëveshjes për paqe nga palët që ishin në konflikt luftarak. Kjo marrëveshje e njohur si Traktati i Londrës, e kishte këtë përmbajtje: “1) Perandoria Osmane heq dorë nga të gjitha territoret e saja që gjenden në perëndim të linjës Midiye-Enez. 2) Porta e Lartë ia delegon të gjitha të drejtat Fuqive të Mëdha që të vendosin për statusin e Shqipërisë përfshi këtu dhe përcaktimin e kufijve të saj”. Pika e tretë dhe e katër kishte të bëjë me Ishullin e Kretës dhe ishujt e Egjeut.

Vendimi i Fuqive të Mëdha për pavarësinë e Shqipërisë dhe formimin e një komisioni ndërkombëtar për organizimin e funksionimit të Shqipërisë, sillet në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 29 korrik 1913. Pasi Greqisë i takonte ishulli i Korfuzit, kjo ishte e papranueshme për flotën italiane dhe austro-hungareze që Greqia t’i kontrolloj të dy anët e ngushticës së Korfuzit; prandaj dhe për shkaqe gjeostrategjike u përcaktua kufiri i jugut të Shqipërisë deri në Ksamil.

-Pasi që nga Fuqitë e Mëdha sovran i Shqipërisë u përcaktua pric Vidi, si kryeministër i Shqipërisë u propozua ish kryeministri i Perandorisë Osmane- Ferid Pashë Vlora (kushëri i parë i Ismail Qemalit, por me të cilin nuk qëndronin në marrëdhënie të mira). Ferid Pasha nuk e pranoi këtë detyrë, si duket për shkaqe shëndetësore (pasi që ai vdiq më 1914) ose për shkak të pakënaqësisë së tij me emërimin e princ Vidit (pasi që ishte në krushqi me dinastinë e Khedivëve të Egjiptit, që pretendonin kurorën e Shqipërisë). Prandaj dhe u propozua që për Kryeministër të Shqipërisë të emërohet ish Kryetari i Senatit të Perandorisë Osmane- Turhan Pasha. Duhet pasur parasysh që në këtë periudhë Ministër i Punëve të Jashtme dhe më pas edhe kryeministër i Perandoris Osmane ishte princi me prejardhje shqiptare Said Halim Pasha, nipi i Mehmed Ali Pashës së Egjiptit, përderisa Kryetar i Shtabit Ushtarak të Perandorisë Osmane ishte mareshali shqiptar prej rrethit të Manastrit- Izet Pasha, që në këtë periudhë ishte dhe pretendent për kurorën e Shqipërisë.

-Kuptohet që kjo nuk është e gjithë e vërteta, pasi që është e pamundur me një shkrim të shpjegohet procesi i formimit të Shqipërisë. Nëse pretendojmë ta shpjegojmë me dokumente këtë ngjarje historike më të rëndësishme për Shqipërinë, ajo nevojitet që të shpjegohet në një libër me disa vëllime.

Mirëpo ndoshta ky shkrim modest, mund t’i paralajmëroj ata pseudo-historian të moderuar komunist apo ata historian të rinj islamofob, e që me rastin e përvjetorit të 100-të kanë marrë detyrë që gjatë rishkrimit të kësaj ngjarjeje historike përsëri të tallen me historinë e shqiptarëve, të kuptojnë se jo të gjithë shqiptarët janë naiv t’i besojnë përrallat e tyre.

 

 

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Frymzim Dauti: Shqipėrinė e formoi pėrpjekja diplomatike-ushtarake e Perandorisė Osmane


Arkivi i autoreve