Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Haxhi si frymėzim revolucionesh

Autor: Mr. Bashkim Aliu E hėne 17 Tetor 2011 13:23 PM

 

Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit, është adhurim që Allahu e bëri obligim një herë në jetë për muslimanët të cilët i plotësojnë kushtet e parapara. Allahu i Madhërishëm në Kur’anin famëlartë ka thënë: “Të vizituarit e Qabesë për hir të All-llahut është obligim për njerëzit që kanë mundësi të marrin këtë udhëtim” [Ali Imran: 97]. Po ashtu, edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në hadithin e gjatë në të cilin iu përgjigj melekut Xhibril në ypetjet e parashtruara, e konfirmoi se Haxhi është një nga shtyllat e Islamit. I Dër¬gu¬a¬ri i Allahut sal-lallahu alejhi ve sel-lem tha: “Islami është të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Allahut, ta kryesh namazin, ta ndash zekatin, ta agjërosh Ramazanin, ta vizitosh Qabenë, nëse ke mundësi ta bësh këtë!”

Për Haxhin mund të flitet nga shumë aspekte dhe për shumë dimensione të tij, gjegjësisht mund të bëhet përshkrim i mënyrës së kryerjes së Haxhit, mund të shqyrtohen dispozitat juridike të Haxhit, mund të flitet për atmosferën në kohën e Haxhit, për ndjenjat e haxhinjve, etj. Por, ne në këtë shkrim, nuk do të ndalemi në asnjërën nga këto që përmendëm. Ne do të ndalemi në disa urtësi që përmban Haxhi, më konkretisht në mesazhin e disa ritualeve të Haxhit për jetën e muslimanit dhe simbolikën e tyre në ngjalljen e umetit dhe ngritjen dorë kundër të keqes, e që mund edhe të quhet si frymë revolucionare e Haxhit.

Ritualet e ndryshme të cilat i kryen haxhiu, e që janë ibadet-adhurim dhe kërkohet të kryhen me kushte dhe formë të caktuar, vështruar në këndin juridik, pa mëdyshje reflektojnë edhe në jetën e individit dhe shoqërisë, poqese analizohet thelbësisht esenca e tyre dhe lidhet me jetën e njeriut, apo vehet në kontekst të realitetit tonë të përditshëm. Ne me këtë nuk pretendojmë se kemi zbuluar diçka të re në ritualet e Haxhit dhe të shprehim në mënyrë decide e kategorike se kjo është për qëllim nga këto rituale, por thjeshtë mundohemi të nxjerrim do margaritarë nga ky oqean i madh urtësish e mësimesh, varësisht sa mund të thellohet vetë zhytësi në këtë oqean, duke e ruajtur pastërtinë e këtyre margaritarëve nga tjetërsimi dhe dezorientimi i tyre nga kahja e vërtetë dhe caku real.

Kështu, nëse e fillojmë me tavafin, që është rituali i parë që e bën haxhiu me të arritur në Qabe, dhe që paraqet një pamje impozante të Qabes, do të mund të theksojmë se rrotullimi rreth Qabes simbolizon tubimin e muslimanëve dhe bashkimin e tyre rreth një qëllimi. Sado që të ndryshojnë rrugët e jetës së tyre dhe mënyrat e ecjes, mosha dhe ngjyra e tyre, gjuha dhe traditat e tyre, tempoja e zhvillimit dhe ecjes në jetë, në fund, përsëri të gjithë muslimanët ecin drejt një caku të përbashkët, dhe kështu do të duhej të jetë realiteti i tyre, në çdo kohë dhe në çdo vend. Pikërisht ky cak i përbashkët, duhet ta determinojë qëndrimin e brezave, gjeneratave, pikpamjeve dhe qasjeve të muslimanëve anembanë botës dhe në të gjitha fazat e historisë dhe zhvillimit të tyre, ndaj njëri tjetrit dhe përcaktimit të prioriteteve.

Qabja, faltorja e parë e ndërtuar mbi sipërfaqen e dheut për tu adhuruar Allahu Nji dhe i pashok, simboli i teuhidit-të qenit e Allahut Nji i vetëm në adhurim, shënon në mënyrë retrospektive dhe futuriste qëllimin e përbashkët të bijve të umetit islam dhe aspiratat e ambicjet e tyre të cilat përfundojnë atje ku Allahu është i kënaqur.

Tavafi, gjegjësisht rrotullimi rreth Qabes, në mes tjerash, dërgon edhe një mesazh për ekzaminim, analizë dhe eksplorim, me nji fjalë, krahas elementit fizik të ecjes dhe atij religjioz të adhurimit, e juridik të ritualit konform rregullave dhe kushteve të caktuara, ka edhe dimensionin epistemologjik.

Rrotullimi rreth Qabes, e simbolizon analizën që muslimani çdo herë duhet t’ia bëjë gjendjes së vet, të familjes dhe të umetit, në kontekst të raportit të zhvillimeve të tij dhe të umetit me qëllimin dhe synimet e jetës së besimtarit, gjegjësisht harmonizimin e këtyre zhvillimeve ma platformën e besimit.

Pasi besimtari e ka të qartë qëllimit, i ka të përcaktuara mekanzimat bazë të arritjes së këtij qëllimi, atëherë çdo herë duhet të jetë syçelë dhe kritik për veprimet e veta, dhe çdo herë duhet të bëjë analiza se janë veprimet e tij konform këtij qëllimi, dhe çka bën e çka nuk bën në veprimet e tij.

Po qe se vazhdojmë me sa’jin, ecjen ndërmjet kodrinave Safa dhe Merve, me të cilin veprim kujtohet nëna e pejgamberit të Allahut, Ismailit a.s., e cila herë ngjitej në njërën kodrinë, e herë në kodrinën tjetër, të shikojë mos të gjejë ndonji njeri t’i ndihmojë apo mos të gjejë ushqim, do të shohim se ky akt, simbolizon angazhimin e vazhdueshëm dhe serioz për të ardhmen e këtij umeti dhe punën e palodhshme në ngritjen e shbëdoshë të brezave të rinj. Në fakt, familja është baza më e fortë e shoqërisë dhe ndërtimi i shëndoshë i familjes, hap shpresa për ngritjen e një shoqërie të shëndoshë. Nëna e Ismailit a.s. e bëri tërë atë ecje për birin e saj, për mos ta lënë nga neglizhenca të pëson. Realisht, haxhinjtë duke ecur ndërmjet këtyre dy kodrinave, ashtu siç eci kjo grua fisnike, simbolizojnë punën permanente që duhet bërë në jetë për ngritjen e brezave të ardhshëm. Islami është fe që kërkon punë, dhe adhurimet kryhen me punë. E puna më e madhe është ndërtimi i familjes së shëndoshë, për të patur edhe shoqëri të shëndoshë. Duke i parë haxhinjtë duke ecur ndërmjet këtyre dy kodrinave, ne e kuptojmë mundin që duhet ta japim, punën që duhet ta bëjmë dhe përkushtimin që duhet ta kemi në realizimin e qëllimeve tona. Kjo botë dhe bota tjetër kërkon punë. Bile as edhe ritet simbolike përmes të cilave rikujtohet një ndodhi në të kaluarën, nuk janë pa shpirtë, pa angazhim dhe pa veprim, por edhe simbolikja kërkon angazhim josimbolik.

Një ritual tjetër i rëndësishëm dhe mjaftë karakteristik i Haxhit është edhe gjuajtja e guralecave në vendin Mine. Përmes këtij veprimi, haxhinjtë e rifreskojnë historinë e njerëzve të dalluar të kësaj feje, atyre që e luftuan të keqen me të gjitha menkanizmat e mundshëm. Gjuajtja me guraleca është veprim që e bëri familja e Ibrahimit a.s. kundër shejtanit, me qëllim që ta largojnë e mos u fut konfuzitet në zbatimin e urdhërit të Allahut të Madhërishëm për sakrifikim.

Thënë me fjalë tjera, ky akt simbolizon luftën kundër të keqes dhe plagprishësve të të gjitha formave dhe natyrave. Duke e ngritur dorën që të gjuaj guraleca, haxhiu në fakt simbolizon veprimtarin e denjë të luftës kundër të keqes dhe të shëmtuarës, kundër destruktives dhe të neverriturës, kundër çdo gjë që është djallëzore dhe jo e drejtë. Gjuajtja e guralecave, simbolizon shpirtin revolucionar të besimtarit për t’u përballur me të keqen dhe të padrejtën, për ta luftuar atë që është e mbrapshtë dhe tiranët jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra dhe aksione konkrete. Guralecat e gjuajtur janë protesta dhe zëri i lartë kundër tiranëve, tagutëve, mbrapshtanëve dhe neofaraonëve e neonemrudëve.

Pikërisht gjuajtja e guralecave në Mine në Haxh, u ka folur dekada me radhë muslimanëve të cilët u shtypën për ma tepër se gjysëm shekulli nga tiranët që e folën gjuhën e tyre në lindjen islame. Gjuajtja e guralecave ka qenë frymëzim i hershëm dhe puhi inspiruese për pranverën arabe e cila rrëmbeu zullumqarët më të egër të historisë më të re që ia pinë gjakun popullit në emër të të cilit u thirrën.

E keqja do luftuar, ky është një mesazh sublim i aktit të gjuajtjes së guralecave në Mine nga ana e haxhinjve që për çdo vit kryhet nga miliona besimtarë.

Shtylla më madhështore e Haxhit është Arafati, aty ku tubohen domosdoshmërisht të gjithë haxhinjtë. Arafati na lëshon shumë mesazhe dhe na flet për gjëra shumë madhështore, por ne do ta përmendim vetëm adhurimin e lutjes-duasë. Që prej kur bëhet Haxhi, në Arafat bëhet lutje, dhe vazhdimisht haxhinjve u thuhet që në veçanti të luten në Arafat.

Kjo e tregon rëndësinë e adhurimit të lutjes, që për fat të keq nga shumë muslimanë edhe nuk kuptohet sa duhet. Lutja është arma e parë dhe e fundit e besimtarit. Para se të nisë në një rrugë, dhe pasi ta mbaron, po edhe gjatë rrugës, besimtari i lutet Allahut të Madhërishëm. Si në fillim ashtu edhe në fund, lutja e ka vendin e vet. Poqese nuk arrinë dot ta realizojë qëllimin e tij për shkaqe të ndryshme, besimtari nuk e mbyll këtë kapitull, por kalon në lutje Allahut që ta realizojë atë që është më e mirë për të, pas mundit që e ka dhënë.

Kam bindjen se edhe lutjet e sinqerta të besimtarëve në Arafat kundër tiranëve që i luftuan ata për shkak Islamit dhe idealeve të besimit, kanë bërë që të plas revolucioni që i shembi regjimet u zullumit në disa toka islame. Për atë, Arafati për çdo vit i flet umetit se nuk duhet prerë shpresat dhe nuk duhet zbrapsur nga rruga e tyre, se arma e parë dhe e fundit e besimtarit-lutja, asnjiherë nuk bie prej dore, gjë që e bën ta kthejë besimin në vetvete. Arafati frymëzon forcat progresive të besimit që mos të ndalen në asnjë mënyrë nga rruga e hajrit dhe përmirësimit të gjendjes së umetit.

Kur jemi te frymëzimi dhe ngjallja e shpirtit revolucionar nga Arafati, vlen të përmendet një fakt mjaft interesant që do kuptuar drejtë. Në Arafat, në shtyllën më të madhe të adhurimit të Haxhit, adhurimet bëhen në fushë të hapur në tenda që vehen enkas për këtë ditë. Ja, adhurimi në Arafat bëhet në tenda, e tendat u vunë për të bërë adhurim dhe lutje edhe të dëbuarit me forcë nga regjimet diktatoriale arabe. Ata që u përzunë nga shtëpitë e tyre dhe u gjetën për disa orë në tenda, nuk duhet të mendojnë se mbaruan. Pikërisht prej aty fillon rrëfimi i suksesit duke bërë lutje të sinqerta që të shemben zullumqarët. Lutjet më të mëdha bëhen mu në tendat e Arafatit. Lutja është adhurim, e edhe revolucioni në emër të Allahut kundër të keqes dhe zullumqarëve është adhurim, po edhe qëndrimi në tenda për këtë ideal, është adhurim. Në tenda bëhet adhurimi më i madh në Haxh, lutja në Arafat.

O Allah, pranoji lutjet tona dhe ndihmoji vëllezërit tanë, na fal ne dhe na udhëzo në të vërtetën.

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Mesazhi

Komentet

Nuk ka komente per kete artikull
REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i autoreve