Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Historiku i El Kuds-it (Jerusalemit)

Autor: Mr. Ajni Sinani E premte 15 Janar 2010 10:12 AM


Sipas të dhënave të sakta historike, Jerusalemi është formuar rreth vitit 1800 para erës së re nga ana e Jebusitëve që përfaqësonin nëngrupin e Kananitëve. I pari që e ka ndërtuar qytetin ka qenë sundimtari i fuqishëm kananit që quhej Melchizedek (‘mbret i drejtë’). Ai e quajti vendin Jerusalim. Ky vend më herët quhej ‘Salem’, që do të thotë “i plotë” apo “pa defekt”. Kështu Jerusalem do të thotë “qytet i përsosur” apo “qyteti i atij që është i përsosur, qyteti i paqes”, arabisht El Kuds.[1]

Qyteti, përveç periudhës prej shekullit të 15-të deri në shekullin e 13-të para epokës sonë kur ka qenë i okupuar prej faraonëve egjiptianë, ka mbetur nën sundimin e Kanaanitëve deri në vitin 1000 para erës së re, kur u pushtua nga mbreti i çifutëve Davidi (Davudi a.s.). Davidi e shpalli Jerusalemin qytetin kryesor të mbretërisë së Judës, kurse i biri i tij Solomoni (Sulejmani a.s.) ndërtoi aty tempullin e njohur të Solomonit.[2] Pas vdekjes së Solomonit Judeja u bë shtet vasal, kurse në vitin 587 para erës së re u zhduk plotësisht nga babilonasit.[3] Që nga viti 587 para erës së re pushteti hebraik u ndërpre.[4] Në vitin 70 të erës sonë, perandori romak Titus e shkatërroi qytetin e Jerusalemit dhe e dogji Tempullin.[5] Të dy kryengritjet e hebrenjve kundër okupatorit romak, njëra në vitin 70, e tjetra në vitin  135 të erës së re, u shuan. Pas shuarjes së kryengritjes së dytë, të cilën e udhëhoqi Bar Kobhi, Orjanosi i zhduki tërësisht të gjitha shenjat e qytetit, i vrau hebrenjtë dhe në Palestinë u ndërpre ekzistenca e bashkësisë hebraike . [6]

Palestinezët kanë vazhduar të jenë në mënyrë të pandërprerë në Jerusalem, madje edhe në kohën e sundimit të mbretërve çifut mbi ta. Popullata palestineze nuk u dëbua nga qyteti nga babilonasit dhe romakët. Më vonë, ata pranuan krishterizmin, kurse më ardhjen e Islamit pjesë dërmuese e tyre pranuan Islamin. Pra, Jerusalemi ka ekzistuar si qytet arab disa shekuj para ardhjes së hebrenjve në Palestinë, dhe ka vazhduar si i tillë edhe pas rënies së mbretërisë së Judesë, për më shumë se 19 shekuj.[7]

Në vitin 638 të epokës së re, Jerusalemi është marrë  nga halifi i dytë, Omeri (r.a.). Jerusalemi ka qenë pjesë e shtetit islamik, me përjashtim të 88 vjetëve kur u pushtua nga kryqtarët (1099-1187), deri në 9 dhjetor të vitit 1917 kur u pushtua nga forcat britanike. Gjatë luftës së parë arabo-izraelite (1948), Izraeli pushtoi pjesën e re të Jerusalemit, kurse Jordania pjesën e vjetër të tij. Kështu Jerusalemi vazhdoi të jetë i ndarë deri në vitin 1967, kur forcat izraelite e pushtuan gjithë qytetin.

Mirëpo, për shkak të migrimit të çifutëve përbërja e tij etnike filloi të ndryshojë. Jerusalemi me kalimin e kohës filloi të zgjerohet edhe jashtë mureve të tij. U ndërtuan lagje të reja nga ana e arabëve dhe e hebrenjve. Si rezultat i kësaj u formuan dy emra për qytetin, qyteti i vjetër: pjesa e rrethuar e Jerusalemit dhe qyteti i ri: lagjet arabe dhe hebraike të ndërtuara jashtë mureve të tij, që u pushtuan nga Izraeli më 1948.

Rreth tre të katërtat e tokës dhe të ndërtesave të Jerusalemit Perëndimor kanë qenë pronë e arabëve palestinezë, të cilët kanë përfaqësuar pjesën më të madhe të banorëve të tij deri në vitin 1948, kur u detyruan ta  braktisnin qytetin në mënyrë masive.

Prandaj sipas arabëve dhe shumë studiuesve, agresioni izraelit ndaj Jerusalemit, si ndaj pjesës së re ashtu edhe ndaj pjesës së vjetër, paraqet uzurpim të territorit të tij, gjë që është e kundërligjshme dhe nuk paraqet kurrfarë baze për fitimin e sovranitetit hebraik mbi qytetin. Kjo ngase sipas të Drejtës Ndërkombëtare pushtimi i një territori ushtarakisht nuk paraqet bazë për përvetësimin e tij. Prandaj në disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara, që kanë trajtuar çështjen e konfliktit arabo-izraelit dhe të agresionit izraelit mbi Jerusalemin është proklamuar “mospranimi i fitimit të territoreve përmes luftës ose pushtimeve me luftë”.

Izraeli u formua sipas një vendimi të OKB-së që caktoi kufijtë e tij, të drejtat dhe obligimet e tij ndërkombëtare. Me rastin e paraqitjes së kërkesës për pranim në Kombet e Bashkuara, Izraeli mori përsipër se do t’i respektonte rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme dhe të Këshillit të Sigurimit të OKB[8],  veçanërisht rezolutën 181[9]  të vitit 1947, rezolutën 194[10] të vitit 1948, me të cilat u vërtetua parimi i statusit internacional të Jerusalemit.

Edhe Rezoluta 303[11] që është aprovuar pas pranimit të Izraelit në OKB vërteton statusin internacional të Jerusalemit.

SHBA nuk janë shprehur për ndonjë qëndrim të caktuar rreth Jerusalemit dhe janë angazhuar që statusi përfundimtar i Jerusalemit duhet të përcaktohet përmes bisedimeve. Ato nuk e kanë njohur bashkëngjitjen e Jerusalemit (Kudsit) Lindor Izraelit. Sipas SHBA-së duhet që palestinezëve të Jerusalemit Lindor t’u mundësohet të marrin pjesë në bisedimet rreth statusit përfundimtar. SHBA ka mbështetur të drejtën e palestinezëve për parashtrimin e çdo çështjeje, duke përfshirë këtu edhe çështjen e Jerusalemit Lindor në tryezën e veçantë të bisedimeve.[12]   

Qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe qeveria britanike, e cila pas aneksimit të Jerusalemit nga ana e Izraelit më 27 nëntor 1967 ka deklaruar se “përderisa në vitin 1949 kishte pranuar de facto pushtetin e Izraelit dhe të Jordanisë në pjesën e vjetër dhe të re të Jerusalemit, de jure nuk e kishte pranuar sovranitetin e tyre ndaj cilësdo pjesë të qytetit, që sipas rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nr. 303 (IV) të 9 dhjetorit 1949, kishte fituar statusin internacional.”[13] Kur më 30 korrik të vitit 1980, Kneseti Izraelit e shpalli zyrtarisht qytetin e bashkuar si Kryeqytet të përjetshëm të shtetit të Izraelit, bashkësia ndërkombëtare nuk e njohu një gjë të tillë. Mu për këtë, Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar ta vendosin ambasadën e tyre në Jerusalem duke theksuar se kjo do të ishte “në kundërshtim me natyrën internacionale të Jerusalemit”.[14]

Pas pushtimit të Jerusalemit, sionistët shkatërruan qendrën El Magaribah, përballë murit perëndimor të xhamisë “El Burak”. Ky mur, që përbëhet nga 135 vendbanime dhe 2 xhami, njihet nga çifutët si muri i vajtimit. Ata e shndërruan atë në një territor të hapur për praktikimin e ritualeve të tyre çifute. Në përpjekjet e tyre të vazhdueshme për të gjetur mbetjet arkeologjike të tempullit, që ata pretendojnë të jetë “tempulli i Solomonit”, çifutët kanë ndërmarrë gërmime intensive në pjesën jugore dhe perëndimore të Jerusalemit. Ata kanë ndërmarrë gërmime të shumta dhe kanë ndërtuar tunele poshtë xhamisë El Aksa, ku kanë përdorur substanca kimike për të shkatërruar shkëmbinjtë poshtë saj.

Kërkimet, nga ana e çifutëve, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Kjo e ka alarmuar popullatën palestineze dhe besimtarët muslimanë në shumë pjesë të botës. Këto veprime e kanë rrezikuar xhaminë e shenjtë me shembje, prandaj qeveria turke ka dërguar vëzhguesit e saj për të përcjellë gërmimet poshtë xhamisë El Aksa.[15]      

 

Rëndësia e Jerusalemit për muslimanët, çifutët dhe të krishterët

Jerusalemi është me rëndësi për çifutët për shkak të murit të vajtimit dhe Tempullit të Solomonit, sikurse besojnë ata, si dhe për të krishterët sepse në të gjendet “varri” i Jezusit sipas bindje së tyre. Jerusalemi është vendi i tretë për nga shenjtëria në botën islame. Ai është kibla e parë e muslimanëve dhe në të ndodhet Xhamia El Aksa. Ajo është xhamia e dytë që Ibrahimi a.s. e ndërtoi 40 vjet pas xhamisë së Qabesë.[16]

Që nga viti 1967, kur Izraeli pushtoi edhe Jerusalemin Lindor, KB dhe Këshilli i Sigurimit miratuan një sërë rezolutash që nuk pranonin aneksimin izraelit të Jerusalemit Lindor dhe shfuqizuan çdo masë të ndërmarrë fizike apo administrative për të ndryshuar statusin e qytetit. Mirëpo, Izraeli, sikurse shprehet Naom Chomsky, është shteti që i ka refuzuar më së shumti rezolutat e KB. Izraeli përdor vazhdimisht një retorikë të shenjtë gjatë diskutimit për pandashmërinë e Jerusalemit. Izraeli e konsideron Jerusalemin si selinë e vet unike dhe të përhershme nën sovranitetin izraelit. Prandaj tenton me këmbëngulësi që ta largojë çështjen e Jerusalemit nga bisedimet në lidhje me zgjidhjen e problemit palestinez dhe refuzon pjesëmarrjen e banorëve të Jerusalemit në çfarëdo funksioni të administratës autonome palestineze. Ndërkaq, sipas qëndrimit palestinez, Jerusalemi është pjesë e Bregut Perëndimor, prandaj për Jerusalemin vlejnë të gjitha ato ligje që vlejnë për çdo pjesë të territoreve të pushtuara.

Vendet katolike e bindën OKB që Jerusalemi, për shkak të rëndësisë së tij fetare, të bëhet qytet ndërkombëtar, prandaj në përputhje me këtë, UNSCOP-i e ka hedhur poshtë kërkesën e sionistëve që qyteti i shenjtë të bëhet pjesë e shtetit të ardhshëm hebraik.[17]

Shmangie nga qëndrimi zyrtar amerikan përbën deklarimi i presidentit të SHBA-së Barak Obama, i cili disa orë pas prezantimit të vetes së tij si kandidat i demokratëve për president i SHBA, gjatë bisedës së tij për politikën e jashtme amerikane, kishte thënë se e përkrahte mendimin që Jerusalemi të ishte kryeqytet i pandarë i Izraelit. Këtë qëndrim e ka kundërshtuar presidenti palestinez, Mahmud Abas i cili ka deklaruar se nuk ka shtet palestinez pa Jerusalemin. Ai ka mbrojtur të drejtën e palestinezëve që Jerusalemi Lindor, i pushtuar në vitin 1967, të jetë kryeqytet i shtetit të Palestinës.[18]

Një Jerusalem, me histori arabe dhe me tolerancë, ku Hebraizmi, Krishterizmi dhe Islami mund të jetojnë në harmoni dhe liri të plotë, do të ishte një zgjidhje ideale për këtë qytet. Në Jerusalem, që është qytet i paqes dhe që gëzon respekt nga të tria fetë, ka mbizotëruar paqja që nga çlirimi i Jerusalemit nga muslimanët. Mirëpo, Izraeli nuk dëshiron t’i pranojë faktet historike dhe pohon se ka të “drejtë të shenjtë” mbi qytetin dhe se popullsia e tanishme e tij ka prejardhje prej hebrenjve biblikë.[19] Izraelitët, vazhdimisht, janë munduar ta mohojnë karakterin historik të Jerusalemit si qendër e tre feve botërore.

Okupimi i Jerusalemit paraqet shkelje të vendimeve të OKB-së  dhe cenim të deklaratës së Balfourit, ku është thënë se: “nuk do të bëhet asgjë që mund të cenojë të drejtat civile dhe fetare të komuniteteve ekzistuese joçifute në Palestinë”. Izraeli, nëpërmjet mjeteve ushtarako-politike, e ka ndryshuar strukturën demografike të qytetit në dëm të popullatës arabe. Duke theksuar se e drejta e çifutëve për Jerusalemin është më e fuqishme sesa e muslimanëve dhe e krishterëve, lëvizja sioniste ka deklaruar se pa Jerusalemin, si qendër e hebraizmit, nuk mund të ekzistojë as Izraeli si shtet.[20] Ish kryeministri izraelit, Ben Gurion, është shprehur: “Izraeli nuk ka kuptim pa Jerusalemin dhe vetë Jerusalemi nuk ka kuptim pa tempullin (e Solomonit)”.[21]

 

 

 


Ky shkrim është shkëputur nga teza e magjistraturës e mbrojtur në fakultetin juridik në Universitetit  e Prishtinës me temë “Çështja e Palestinës pas Luftës së Dytë Botërore (1948-2008).

 

 [1] http://en.wikipedia.org/wiki/Jerusalem#Etymology (me datë 23. 08. 2008.)

[2] Wilfried J. Harrington, Uvod u Stari Zavjet, Krščanska sadašnjost, Zagreb , 1987, str. 48-60. 

[3] Babilonasit e shkatërruan Jerusalemin dhe e dogjën tempullin e Solomonit, ndërsa hebrenjtë i internuan dhe i shndërruan në robër. Ky ishte fundi i çfarëdo pushteti të organizuar hebraik në Jerusalem dhe në Palestinë, me përjashtim të një periudhe të shkurtër, kur gjatë kohës së rebelimit të makabejve (164-163 para erës së re) Jerusalemin e kanë sunduar përsëri hebrenjtë. Shih: Dr. Branislav Sinadinovski, Problem Jerusalema i mogučnost njegovog rešavanja, Jugoslavenska revija za Međunarodno Pravo, 3 Beograd, 1989, f. 422.

[4] Nga periudha 587-538 para erës së re, qyteti ka qenë nën sundimin e babilonasve, nga 538-332 nën sundimin persian, nga 332-164 nën sundimin grek, nga 63-323 e.s. nën sundimin romak, nga 324-614 nën sundimin bizantin, kurse nga 614-628 nën sundimin pers. Shih: Wilfried J.Harrington, Uvod u Stari Zavjet, Krščanska sadasnjost, Zagreb, 1987, f. 83-86.

[5] Iain McLean, Fjalor Politik, Oxford, Shtëpia e librit & dhe komunikimit, Qendra ndërkombëtare e kulturës, Tiranë, 2001, f. 525.

[6] Vojimir Sobajić, Jevrejstvo i Izrael, Beograd, 1982, f. 1243.

[7] Muhsin Muhamed Salih, Çështja Palestineze, Historia dhe zhvillimi i saj deri më 2005, Jehona Study Center, Tiranë, 2006, f. 107.

[8] Rezoluta 273 (viti 1949)

 “Pas marrjes së raportit të këshillit të Sigurimit për kërkesën e Izraelit për anëtarësi në Kombet e Bashkuara; Duke vërejtur se, sipas gjykimit të Këshillit të Sigurimit, Izraeli është një shtet paqedashës dhe se është i aftë dhe i gatshëm që t’i kryejë obligimet që përmbahen në Kartë; Duke vërejtur se Këshilli i Sigurimit i ka rekomanduar Asamblesë së Përgjithshme që t’ia pranojë Izraelit anëtarësinë në Kombet e Bashkuara; Duke vërejtur përveç kësaj deklaratën e shtetit të Izraelit se ai “pranon pa rezerva obligimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe zotohet se do t’i respektojë ato nga dita kur do të bëhet anëtar në Kombet e  Bashkuara”; Duke kujtuar rezolutat e saj të 29 nëntorit të vitit 1947 dhe 11 dhjetorit të vitit 1948 dhe duke marrë shënimet e deklaratave dhe shpjegimeve të bëra nga përfaqësuesi i qeverisë së Izraelit përpara Komitetit Politik Ad Hoc për sa i përket implementimit të rezolutave të thëna;

Asambleja e Përgjithshme duke vepruar në plotësim të funksioneve të saj sipas nenit 4 të Kartës dhe rregullit 125 të rregullave të saj të procedurës:

1. Vendos se Izraeli është një shtet paqedashës që i pranon obligimet që përmbahen në Kartë dhe është i aftë dhe i gatshëm që t’i kryejë këto obligime;

2. Vendos ta pranojë Izraelin anëtar në Kombet e Bashkuara”. Shih:    http://en.wikipedia.org/wiki/UN_General_Assembly_Resolution_273 (me datë 09. 07. 2008.)

[9] Rezoluta e KB, 181

29 nëntor 1947.

Pjesa e tretë

Qyteti Jerusalem

A. Regjimi special

Qyteti Jerusalem do të vendoset si ‘corpus separatum’ nën regjimin special ndërkombëtar dhe do të administrohet nga KB. Këshilli kujdestar do të vendoset me autorizim për të administruar në emër të KB.

B. Kufijtë e qytetit të Jerusalemit

Qyteti Jerusalem do të përfshijë komunën e tanishme të Jerusalemit me fshatrat dhe qendrat rrethuese, prej të cilëve më lindori është Abu Dis, më jugori Betlehem, më perëndimori Ein  Karim, më lindori Shufat…

C. Statusi i qytetit

4. Masat e sigurisë: Qyteti Jerusalem do të jetë i demilitarizuar. Neutraliteti i tij do të jetë i proklamuar dhe i mbrojtur dhe asnjë formacion paramilitar, sikurse edhe asnjë aktivitet ushtarak, nuk do të lejohet në kufijtë e tij…

10. Gjuha zyrtare: gjuha arabe dhe hebraike do të jenë gjuhë zyrtare në qytet…  

D. Zgjatja e regjimit special

Statutin, të cilin e ka përpunuar Këshilli Kujdestar, do të hyjë në fuqi më së voni më 1 dhjetor 1948. Ky Statut do të jetë në fuqi në periudhën e 10 vjetëve të ardhshme, në qoftë se Këshilli Kujdestar nuk i ndryshon këto dispozita… Atëherë, banorët që banojnë në këtë qytet do të kenë liri të plotë që përmes referendumit të japin sugjerimet e tyre për modifikimin eventual të regjimit. Pas mbarimit të periudhës 10 vjeçare, Statuti i qytetit do t’i nënshtrohet eventualisht rishikimit nga ana e Këshilli Kujdestar. Shih: http://www.yale.edu/lavveb/avalon/un/res181.htm (me datë 26. 08. 2008.)

[10] Rezoluta e KB, 194

11 dhjetorit 1948.

Asambleja e Përgjithshme, pasi ka shqyrtuar përsëri situatën për Palestinën…

8. Vendos, në bazë të lidhjeve të Jerusalemit me 3 religjionet botërore, që Jerusalemi dhe komuna e tij të gëzojë status të veçantë nga pjesët e tjera të Palestinës dhe që ai të vendoset nën kontrollin e KB. Fton KS që të marrë masa për demilitarizimin e Jerusalemit në afatin më të shkurtër…

9. Vendos, duke shpresuar se të gjitha palët e interesuara do të pajtohen për planin detal për Jerusalemin, që të gjithë banorët e Palestinës të kenë  hyrje-dalje të lirë në Jerusalem… Shih: http://en.vikipedia.org/viki/United_Nations_General_Assembly_Resolution_194#Full_text (me datë 19. 08. 2008.)    

[11] Rezoluta e KB, 303  

9 dhjetor 1949.

Asambleja e Përgjithshme:

Duke marrë në konsideratë rezolutat e saj 181 (II) të 29 nëntorit të vitit 1947 dhe 194 (III) të 11 dhjetorit të vitit 1948,

-Duke studiuar raportet e Komisionit të Pajtimit të KB për Palestinën paraqiti rezolutën e mëposhtme.

1. Vendosi

Në lidhje me Jerusalemin,

Duke besuar se parimet që qëndrojnë në rezolutat e saj të mëparshme kanë lidhje me këtë çështje, dhe në veçanti rezoluta e saj e 29 nëntorit të vitit 1947, paraqet një zgjidhje të drejtë dhe të arsyeshme të çështjes,

1. të deklarojë përsëri se Jerusalemi duhet të vendoset nën një regjim permanent ndërkombëtar, që do të parashohë garancitë e duhura për mbrojtjen e vendeve të shenjta, brenda dhe jashtë Jerusalemit, dhe të konfirmojë veçanërisht nenet që pasojnë të Rezolutës të Asamblesë së Përgjithshme 181 (II) 3/ (1) Qyteti i Jerusalemit do të vendoset si një ‘corpus separatum’ nën një regjim ndërkombëtar dhe do të administrohet nga KB; (2) Këshilli i Kujdestarisë do të caktohet që të kryejë përgjegjësitë e Autoritetit të Administrimit ... (3) Qyteti i Jerusalemit do të përfshijë bashkinë e sotme të Jerusalemit plus fshatrat dhe qytetet rrethuese, pjesa më lindore e të cilit do të jetë Ebu Adis; pjesa më jugore, Bethlehemi; më perëndimorja, Ein Karim (që përfshin gjithashtu edhe zonën e ndërtuar Motsa); më veriorja, Shu’fat. Shih: http://en.wikisource.org/wiki/United_Nations_General_Assembly_Resolution_303 (me datë 18. 08. 2008.)

[12] Zekerija Ahmed Muhammed Nur, në Dosja Kuds (Përmbledhje artikujsh), Furkan ISM, Shkup 2003, f. 188-190.

[13] Dr. Branislav Sinadinovski, op. cit., str. 424.

[14] Muhsin Muhamed Salih, op. cit., f. 105

[15] Ibid, f. 109.

[16] Këtë e dëshmon i dërguari i Allahut, Muhammedi a.s. (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të) në hadithin e tij. Ai kur është pyetur  se cila është xhamia e parë e ndërtuar mbi tokë, ka thënë Qabeja. Kur është pyetur se cila xhami është ndërtuar pas saj, ai ka thënë xhamia El Aksa. Kur i është thënë se sa kohë ka ndërmjet tyre, ai ka thënë 40 vjet. Brenda xhamisë El Aksa ndodhet Xhamia e Shkëmbit, dhe nga ky shkëmb Muhammedi a.s u ngrit në qiell natën e Israsë dhe Miraxhit. Shih: Abdulaziz Mustafa, op. cit., f. 25-26.

[17] Ilan Pappe, Etničko Čiscenje u Palestini, Bookline, Sarajevo, 2008, f.  58.

[18] Shih:

http://www.islamonline.net/servlet/Satellite?c=ArticleA_C&cid=1212394843158&pagename=Zone-Arabic-News%2FNWALayout (me datë: 01. 08. 2008.)

[19] Dr. Branislav Sinadinovski, op. cit., str. 422.

[20] Ibid, f. 427.

[21] Muhsin Muhamed Salih, op. cit., f. 108

 

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com

Komentet

Ky artikull eshte komentuar 3 here
  • hamza E diel 24 Janar 2010 23:24

    te lumt per palestinen

    Reply

  • TALI kaqanik E hėne 25 Janar 2010 17:50

    keshtu edhe ne kosov eshte ka sillet situata si ne palestin ,po e shihni se si kan filluar rezolutat vetem se masonetjahudit nuk i kan perfill as nje prej tyre .ne kosove u miratua rezoluta 1244 por ajo ka pas vler vetem per ne shqiptaret kurse per shkijet kjo rezolut nuk ka pas vler ,ketu ishte UNMIKU edhe keta kan punuar vetem ne dem te shqiptareve kurse shkijet si kan marr ne thum ,tash eshte EULEXI edhe keta jan kinse me na kontrollu neve shqiptareve se si po punojm kurse shkijet jan te njejet.me nje fjal TASH PO E ANALIZOJ SE PERSE POPI I KISHES ORTODOKSE PO THOT KOSOVA ESHTE SI JERUSALEMI.d.m.th. rezolutat per shkijet nuk vlen sikur qe nuk kan pas vler per MASONETjahudit ALLAHU E NDIHMOFT PALESTINEN EDHE KOSOVEN NGA MASONET .SELAM ALEJKUM

    Reply

  • lindi E diel 31 Janar 2010 18:47

    mashallah mire shume gezohem qe ka kosova kesi burrash si ti shpresoj qe ky te jete shembull edhe per tjeret qe magjistrojne e doktorojne te zgjedhin kesi temash qe ne realitet i eshte qitur pluhur ketyre temav dhe jane shume te mjegulluara te muslimanet e sidomos te ne kosovaret te lumte allahu ju rujt

    Reply

REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i autoreve