Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Hixhri - rruga e gdhendur nėpėr shpirtra

Autor: Behxhet Jashari E hėne 6 Dhjetor 2010 11:46 AM

 

Misioni monoteist profetik i Muhammedit a.s. që kishte karakter universal, e që erdhi në llojin e redaktimit përfundimtar të islamit, nuk u mirëprit nga shoqëria e gjerë mekase, e as nga mbarë Gadishulli Arabik, e të mos flasim për shoqëritë më të largëta politeiste siç ishin Roma dhe Persia. Duhet përkujtuar atë se, në këtë epokë Arabia ishte një vend ku injoranca ishte shumë më e rrënjosur se sa në vendet tjera, sepse siç thotë dijetari islam Ebul A’la el-Mevdudi, “vendet fqinje si Persia, Bizanti dhe Egjipti, ishin më të qytetëruar, ndërsa Arabia aspak nuk ishte nën ndikimin e këtyre vendeve”[1]. Bota e njohur e asaj kohe (shek. VII), pothuajse ishte e ndarë ndërmjet dy fuqive të mëdha, siç ishin Persia dhe Bizanti. Këto dy perandori gjendeshin në shkallën më të lartë të qytetërimit dhe pikërisht në Kostandinopojë dhe Ktesifon vizatoheshin planet politike dhe ato luftarake, si dhe vendosej fati i popujve dhe qytetërimeve. Gjatë kësaj periudhe, Meka dhe Medina ishin vendbanime ndërmjet dy kulturave, dy ideologjive, dy qytetërimeve dhe ndërmjet dy sistemeve shoqërore për të cilat asnjëra nga këto superfuqi nuk treguan ndonjë interes strategjik e politik. Aty në Mekë ekzistonte vetëm një tempull dhe një burim uji, e asgjë tjetër, madje edhe “rruga e mëndafshit” ishte shumë larg këtyre vendbanimeve, sepse ajo rrugë që vinte nga Kina, kalonte nëpër Persi dhe Arabinë Veriore, e shkonte në Romë[2].

Në këtë mjedis, Zoti i botëve Shpalli Fjalën e Tij të fundit, ndërsa njeriu që u zgjodh për këtë mision, ishte Muhammedi i biri i Abdullahut dhe Emines nga Meka... Natyrisht, thirrja e Muhammedit s.a.v.s. nuk ishte diç e re për njerëzimin në përgjithësi, sepse ajo në esencë ishte edhe thirrja e Ibrahimit a.s. dhe e profetëve të tjerë që erdhën para dhe pas tij[3]. Paria mekkase nuk qëndroi duarkryq ndaj thirrjes së Muhammedit s.a.v.s. por ata e kundërshtuan atë. Me fjalë të tjera, të larguarit nga idhujtarizmi dhe besimi politeist, e të afruarit në besim në Një Zot, për ta paraqiste humbje të pozitave të arritura përmes eksploatimit dhe shtypjes. Mirëpo, idhujtarët mekasë nuk mbetën vetëm në pozitën e mospranimit të thirrjes profetike të Muhammedit s.a.v.s. por ata në masë të gjerë u mobilizuan edhe në ofendime, persekutime dhe maltretime fizike ndaj Muhammedit s.a.v.s. dhe ithtarëve të tij. Ata e akuzonin se ai është i marrë, magjistarë, gënjeshtarë e çka jo tjetër. Manifestimi i urrejtjes ndaj të Dërguarit s.a.v.s. njëkohësisht ishte edhe manifestim i shqetësimit dhe frikës nga ajo që i priste idhujtarët, sepse në të kundërtën duhej të bëheshin të barabartë me të tjerët, me këtë edhe me skllevërit.

Shkaqet e këtilla objektive, Muhammedin s.a.v.s. dhe besimtarët tjerë myslimanë, i sollën deri në një pozitë mjaft të rëndë, gjë që pasoi shpërngulja në një vend tjetër më të përshtatshëm, për të “mbjellë farën e islamit”. Ai vend ishte Jethribi, që më vonë do të quhej Medine.

 

Hixhreti (shpërngulja) i Muhammedit s.a.v.s. dhe sahabëve të tij në Medine

Nocioni hixhra, haxhere, muhaxhir dhe format tjera të kësaj fjale, në Kur’an përmenden në më shumë se tridhjetë vende. Vet fjala hixhr ose haxhere do të thotë shpërngulje, ndërsa hixhretun-nebijj (shpërngulje e Muhammedit s.a.v.s. prej Mekës në Medinë). Mirëpo, përveç në domethënien e të shpërngulurit, në Kur’an kjo fjalë është përmendur edhe në domethëniet: të braktisurit[4] (e fjalëve dhe veprave të këqija), të largohesh[5]. Domethënia kuranore e hixhrës nuk do të thotë vetëm shpërngulje në një vend, nga një vendi në një tjetër, gjë që është vetëm një strategji e domosdoshme në momentin dhe në rrethanat ekzistuese, por në esencë karakterizon një transformim të brendshëm, shpërngulje në kuptimin shpirtëror-etik; prej idhujtarizmit në besimin në Një Zot, prej errësirës në dritë, prej të keqes në të mirë, prej injorancës në dituri dhe arsimim, prej diskriminimit në drejtësi, barazi[6], etj.

Të flasim për hixhretin e Muhammedit s.a.v.s. do të thotë të flitet për pjesën më esenciale të misionit dhe veprimtarisë së tij profetike, gjë që nuk mund të bëhet vetëm në disa fletë të shkruara... Sidoqoftë, është me rëndësi të përmendet fakti se hixhret të myslimanëve të shoqërisë së parë islame, pati edhe para shpërnguljes për në Medine. Ai hixhret, me urdhër të Muhammedit s.a.v.s. - u realizua me largimin e myslimanëve në Abisini (Etiopi). Në një aspekt, dalja e këtyre grupeve të myslimanëve jashtë Gadishullit Arabik (në Abisini) nuk ishte thjeshtë vetëm largim nga torturat e Ebu Xhehlit dhe Umeje bin Halefit, por parasegjithash publikimi i islamit në mënyrë të haptë në një vend krejtësisht të huaj, siç ishte Afrika. Edhe pse ekzistojnë mendime të ndryshme rreth grupeve që shkuan në Abisini, ne do të marrim mendimin më të afërt që thuhet se në këtë vend të krishterë shkuan gjithsej 83 burra dhe 18 gra[7]. Emigrimi i parë në Abisini ndodhi në vitin e pestë të Shpalljes (v. 615 miladij), ndërsa emigrimi i dytë ndodhi në vitin 616 të erës së re[8].

Hixhreti i Muhammedi s.a.v.s. dhe i besimtarëve të tjerë myslimanë për në Medine ishte një akt vendimtar, jo vetëm për shoqërinë e parë islame, por për mbarë ummetin e Muhammedit s.a.v.s. dhe historinë islame në përgjithësi. Kështu pra, pasi që ishin pjekur kushtet për një emigrim hyjnor (sepse kjo ishte bërë me urdhër nga Allahu (shih Kur’anin, Enfal, 30), atëherë Muhammedi s.a.v.s. filloi në mënyrë të fshehtë ta zbatojë procesin e emigrimit për në Medine, edhe atë jo për të gjithë besmtarët, por vetëm për disa familje. Hapat e para të cilat i ndërmori i Dërguari s.a.v.s. për tu shpërngulur në Medine, ishin dy marrëveshjet konkrete të cilat u realizuan në Akabe. Takimi i parë (i njohur si Akabeja e Parë) ndodhi në vitin e dymbëdhjetë të profteësisë së Muhammedit s.a.v.s. ose në muajin korrik të vitit 621 të ersë së re, ndërsa takimi i dytë (Akabeja e dytë) ndodhi muajve të haxhxhit, në vitin trembëdhjetë të profetësisë. Në këto takime të rëndësishme historike, medinasit iu zotuan Muhammedit s.a.v.s. se do ti ndihmojnë po qe se vjen në Medine. Në takimin e dytë në Akabe, një delegaci­on i myslimanëve të Medines i përbërë prej 73 burrave dhe dy grave, përfundimisht ia dhanë besën se do ta përkrahin dhe do ti bashkangjiten në punët dhe aktivite­tin e tij[9]. Këto takime shënuan hapat e para për ngritjen e shtetit të parë islam, që e planifikonte Muhammedi s.a.v.s. së bashku me sahabët e tij ta realizonte në Medine. Është me rëndësi të përmenden disa thënie të Muhammedit s.a.v.s. që kanë të bëjnë pikërisht me shpërnguljen e tij në Medine. Transmeton Buhariu dhe Muslimi se Muhammedi s.a.v.s. ka thënë: “Pashë në ëndërr se unë shpërngulesha prej Mekes në tokën në të cilën kishte hurma. Mendova se ajo është Jemameja ose Hixhri, por ajo tokë ishte qyteti Jethrib (Medineja)”. Krahas këtij hadithi ekzistojnë edhe disa të tjerë të cilët ofrojnë sinjal të qartë për tokën e hixhretit[10]. Allahu ia caktoi kohën e hixhretit Muhammedit s.a.v.s. duke i thënë: "Sonte mos fli në shtratin tënd si zakonisht"[11].

Në dalje nga shtëpia e tij, Muhammedi s.a.v.s. vërejti se agjentët e Ebu Xhehlit dhe të kundërshtarëve të tjerë, ia kishin rrethuar shtëpinë, e ky me ndihmën e Allahut mori pak dhe, dhe ua hodhi mbi kokët e tyre, e kështu kaloi pa kurrfarë gjembi në këmbë duke i lexuar Fjalët e Allahut: “Ne u kemi vënë edhe para tyre pendë edhe mbrapa tyre pendë dhe ua kemi mbuluar sytë, prandaj ata nuk shohin”. (Jasin, 9). I Dërguari s.a.v.s. nga shtëpia e tij doli natën e 27 të muajit seffer të vitit 14 të profetësisë ose me 12-13 shtator të vitit 622 të erës së re[12]. Strategjia profetike e Muhammedit s.a.v.s. gjatë qëndrimit në shpellë u përqendrua në tre çështje. Ato janë:

- e detyroi Abdullahun, të birin e Ebu Bekrit të bën roje përreth shpellës dhe të mbledh informata që vijnë nga Mekeja,

- e detyroi Esmën, të bijën e Ebu Bekrit që të sjell ushqim, ndërsa skllavi i Ebu Bekrit, Amir ibn Fuhejre ti sjelle dhentë përreth shpellës, me qëllim që ti humbë gjurmët dhe tu furnizojë me qumësht,

- kërkesa nga Abdullah ibn Urejkiti që t’i udhëheqë prej shpellës Theuër e deri në Medine.

Të gjitha këto vendime, Muhammedi s.a.v.s. i ndërmori me qëllim të udhëtimit sa më të sigurt deri në Shtëpinë e Parë të Islamit - Medine[13]. Tregon Buhariu nga Enesi, e ky nga Ebu Bekri i cili thotë: "Kam qenë në shpellë me Muhammedin s.a.v.s. dhe kur e ngrita kokën, pash këmbët e njerëzve. Thashë, o Pejgamber i Zotit, nëse dikush e lëshon shikimin, do të na sheh. Ai mu përgjigj: "Çka mendon, o Ebu Bekër, për dy vetë me të cilët është All-llahu i treti”[14]. Kjo ndodhi të hënën në mbrëmje, ndërsa në agimin e rebiul-evvelit të vitit të parë të hixhretit, ose më 16.09.622 sipas erës së re, ata e braktisën shpellën, ndërsa të hënën më tetë rebiul-evvel, të vitit katërmbëdhjetë të profetësisë ose të vitit të parë hixhrij ose më 23. 09. 622 të erës së re, Muhammedi s.a.v.s me Ebu Bekrin r.a. arriti në vendbanimin Kubba[15], ku qëndroi 4 ditë - të hënën, të martën, të mërkurën dhe të enjten[16]. Gjatë këtyre ditëve u ngrit xhamia e parë në historinë e islamit. Pas xhumasë, Muhammedi s.a.v.s. hyri në Jethrib, dhe prej asaj dite ky qytet e mori emrin Qyteti i Resulull-llahut (Medinetu Nebijj) apo Medine.

Arritja e Muhammedit s.a.v.s. në Medine shënoi një kthesë vendimtare në historinë e religjioneve, me këtë edhe të njerëzimit. I Dërguari s.a.v.s. Medinen e gjeti si një qytet të vogël me disa mijë banorë, ku nuk kishte or­ganizim të mirëfilltë fetar, politik e as social. Qytet në të cilin nuk ekzistonte ndonjë ligj, art, e as arkitekturë e mirëfilltë. Aktet vendimtare që kanë të bëjnë edhe me rrjedhat e historisë islame, e që i ndërmori Muhammedi s.a.v.s. menjëherë në ditët e para të vendosjes në Medine, ishin:

-ndër­timi i xhamisë së parë në Medine (këtë vend të zbrazët e bleu prej dy bonjakëve në pronësinë e të cilëve ishte)

-vëllazërimi i myslimanëve (muhaxhirëve) migruesve mekkas dhe (ensarëve) ndihmuesve medinas,

-pajtimin e fiseve evs dhe hazrexh (të cilët para se të vijë Muhammedi a.s. në Medine ishin në një armiqësi të rreptë)

-përpilimi i dokumentit paqësor, që u nënshkrua ndërmjet myslimanëve (në krye me Muhammedin s.a.v.s.) dhe banorëve jomyslimanë të Medines. Ky dokument është i njohur si Kushtetuta e Medines.

Është për tu përmendur se marrëveshja e Muhammedit s.a.v.s. me hebrenjtë e Medines[17] nuk ishte tjetër, përveç se shprehje e pushtetit politik, të cilin filloi ta ushtrojë në cilësinë e kryetarit të Shtetit islam[18]. Kushtetuta e Medines është nënshkruar nga myslimanët, hebrenjtë dhe idhujtarët[19]. Pra, roli shoqëror i Islamit doli në pah kur shteti i ri i posaformuar dhe i bashkuar, ndjeu nevojë për një kushte­tutë, ligje e relacione të reja e të qarta ndërnjerëzore. Po në atë periudhë edhe u shpallën disa pjesë të Kur’anit në lidhje me të drejtën familjare, rregullat luftarake, ndarjen e pasurisë, të drejtën sociale, si dhe një varg obligimesh të tjera, të cilat ishin pjesë e bazamenteve kryesore për ngritjen e një shteti islam[20]. Këto janë relacione plotësisht të natyrshme për njeriun, që do të thotë se feja islame thjeshtë nuk është vetëm religjion ku mbretëron parulla Zotit Hyjnoren e mbretit mbretëroren.

Toleranca parasegjithash ka luajtë rol mjaft tërëndësishëm në këto akte historike, edhe pse rendi shtetëror islam jomyslimanët i ndanë në dy grupe: vendasit jomyslimanë (ehlu dhimme) dhe të siguruarit (el-musteminun)[21]. Madje, “islami si fe e shpalljes par exellence është fe e tolerancës dhe e mirëkuptimit”[22]. Këtu duhet të theksojmë se fjala është për Shtetin e Hixhretit, e jo për Shtetin e mig­ruesve. Migruesit nuk erdhën në Medine që ta zhvendosin popullatën e Medines, që ta kolonizojnë atë... Brenda asaj shoqërie asnjëherë nuk u duk ndonjë element i racizmit apo i nacionalizmit, “dukuri këto që ndërlidhen qartë ndërmjet vete”[23]. Natyrisht, shpërngulja e Muhammedit s.a.v.s. prej Mekës në Medinë nuk ishte shpërngulje vetëm fizike, por ajo ishte një shpërngulje e përkohshme dhe ideore, sepse në Medinë gjeti fushë të lirë për veprim ideor. Në Medinë ai gjeti strehimin ideor, e jo vetëm atë fizik. Banorët e Medinës i ofruan qetësim dhe përkrahje të plotë për idealin islam. Meqë Medina u bë kryeqendër e parë islame, njëko­hësisht këtu filluan edhe aktivitetet diplomatike nën udhë­heqjen e Muhammedit s.a.v.s.[24].

Hixhret (shpërngulje) nga një vendi në një tjetër, përjetuan edhe shumë profetë të tjerë, siç ishin Nuhi, a.s., Ibrahimi a.s., i cili nga vendbanimi Ur (Irak) erdhi në Haran të Turqisë të sotme, e prej këtu në Kanan, e pastaj edhe në Nexheb të Egjiptit, e kështu me bashkëshortën Haxheren dhe të birin Ismailin a.s. u vendos në Mekë ku e ngriti Qabën e ndershme. Hixhret bënë edhe Jakubi a.s., Musai a.s., Haruni a.s. dhe shumë profetë të tjerë, ndërsa shkuarja e Isaut a.s. prej Betlehemi në Galile dhe në Judejë, nuk ishte asgjë tjetër përveç se një hixhret që kishte për qëllim transmetimin sa më frytdhënës të Fjalës Hyjnore.

Për hixhretin e Muhammedit s.a.v.s. kishte patur paralajmërime edhe në shkrimet e më parshme të shenjta, si p.sh. në Dhjatën e Vjetër, në Librin e Havakukut 3:3 ku thuhet: "Zoti është paraqitur prej Tihamit, e i shenjti prej Kodrës Faran (elefanti i Mekës)". Është interesantë fakti se disa hebrenjë të Medines e kishin ditur këtë gjë.

Është me rëndësi të përmendim edhe një fakt tjetër mjaft të rëndësishëm historik që ka të bëjë me paralajmërimin e hixhretit të Muhammedit s.a.v.s. në Medinë. Fjala është për një poezi të shkruar që u këndua deri në ditët e ardhjes së Muhammedit s.av.s. në Medinë.

Këto vargje poetike i kishin cituar shtatëqindë vjet më parë disa hebrenj kur kishin kaluar përreth Medines. Këta dy dijetarë hebrenjë, sundimtarit të asaj kohe Es’ad ibn-Kurejb el-Jemani i cili e kishte pranuar judaizmin dhe popullin e tij e thërriste në judaizëm, i kishin thënë se ky është qyteti në të cilin do të shpërngulet profeti i fundit i cili do të jetojë kah fundi i kësaj botës, e i cili do të quhet Ahmed. E më pas njëri nga ata i citoi vargjet të cilat i këndonin grupet e medinasve. Këto vargje banorët e Medines i përcollën prej një brezi në tjetrin. Njëri nga banorët e Medines i cili i kishte ditur këto vargje, kishte qenë edhe Halid Bin Zejdi, i njohur si Ebu Ejjub el-Ensari r.a. në shtëpinë e të cilit disa ditë kishte qëndruar Muhammedi a.s. Ato vargje janë:

“Dëshmoj se Ahmedi është i Dërguar i Allahut,

me prejardhje të ndershme,

Nëse jetoj deri në kohën e tij, do ti bëhem shërbëtor...,

Nga zemra e tij do ta largoj çdo brengë,

Dhe me shpatën time do t'i mbys të gjithë armiqtë e tij” [25].

 

--------------------------------------------

Literatura:

Abdulhamid A. Ebu Sulejman, “Drejt një teorie për marrëdhëniet ndërkombëtare”, Logos/A, Shkup, 1998.

ALIU, Bashkim, “Muhammedi alejhisselam pishtari ndriçues”, Furkan ISM, 2000, Shkup.

ARNOLD, Thomas, “Povijest Islama”, SIZ, Sarajevo, 1989.

BULAÇ, Ali, “Koncepte dhe sisteme bashkëkohore”, Logos/A, 2005, Shkup.

Ebul A’la el-Mevdudi, “Të kuptuarit e drejtë të islamit”, Logos/A, 1993, Shkup.

EL-AJID, Salih bin Husejn, “Të drejtat e jomyslimanëve në shtetin islam”, Logos/A, Shkup, 2005.

EBIBI, Fahrudin, “Fjalor Arabisht-shqip”, Furkan ISM, 2005, Shkup.

HAMIDULLAH, D-r. Muhammed, ‘Muhammed a.s.-Djelo’, vëll. II, vep. e cit.

HAMIDULLAH, Muhammed, “Muhammed a.s. - Život”, vëll. i, SIZ, Sarajevo, 1983.

ХОБСБАУМ, Ерик, “Нациите и национализмот по 1780“, Култура, Скопје, 1993.

NASR, Sejjid Husein, “Srce Islama”, Duh i vrijeme, Sarajevo, 2002.

Sefijjurrahman el-Mubarekfuri, “Nektari i vulosur i xhenetit”, Urtësia, 1997, Shkup.

SHERIATI, dr. Ali, “Ç’duhet bërë”, Rumi, Tetovë, 1997.

Vehbi Sulejman Gavoçi, “Pejgamberi Muhammedi a.s. - jeta dhe vepra”, Furkan, 1994, Shkup.

ZEJDAN, Abdulkerim, “Individi dhe shteti në sheriatin islam”, Drita, 1994, Shkup.

Mr. Sc. Menduh Bamja, “Ideja e tolerancës fetare dhe ndikimi i saj në shoqëri”, Edukata islame, nr. 74, 2004.

Tahar Ben Jelloun, “Si ia shpjegova vajzës sime racizmin”, Edukata islame, nr. 74, 2004.

MORINA, M.r. Qemajl, “Diplomacia islame në dritën e mesazheve të Pejgamberit a.s.” ‘Dituria islame’ nr. 60/1994 – Prishtinë.

“Hidzra i njen znacaj”, Islamska Misao, nr. 115, 1988, Sarajevo.

“Hidzra - put do pobjede istine”, Islamska Misao, nr. 26, 1981.

 

[1] Ebul A’la el-Mevdudi, “Të kuptuarit e drejtë të islamit”, Logos/A, 1993, Shkup, f. 40.

[2] SHERIATI, dr. Ali, “Ç’duhet bërë”, Rumi, Tetovë, 1997, f. 127-129.

[3] Shih: NASR, Sejjid Husein, “Srce Islama”, Duh i vrijeme, Sarajevo, 2002, f. 55.

[4] EBIBI, Fahrudin, “Fjalor Arabisht-shqip”, Furkan ISM, 2005, Shkup, f. 487.

[5] “Hidzra i njen znacaj”, Islamska Misao, nr. 115, 1988, Sarajevo.

[6] “Hidzra i njen znacaj”, Islamska Misao, nr. 115, 1988, Sarajevo.

[7] ALIU, Bashkim, “Muhammedi alejhisselam pishtari ndriçues”, Furkan ISM, 2000, Shkup, f. 170-171. Po ashtu shih edhe: Vehbi Sulejman Gavoçi, “Pejgamberi Muhammedi a.s. - jeta dhe vepra”, Furkan, 1994, Shkup, f. 82-83.

[8] Shih: HAMIDULLAH, Muhammed, “Muhammed a.s. - Život”, vëll. i, SIZ, Sarajevo, 1983. f. 129-131.

[9] ZEJDAN, Abdulkerim, “Individi dhe shteti në sheriatin islam”, Drita, 1994, Shkup, f. 12-13. Po ashtu më gjerësisht shih: ALIU, Bashkim, “Muhammedi alejhisselam pishtari ndriçues”, Furkan ISM, 2000, Shkup, f. 198-200.

[10] ALIU, Bashkim, vep. e cit. f. 201.

[11] Ibni Hisham: I/482; Zadu-l-Me'ad: II/52, cituar sipas: Sefijjurrahman el-Mubarekfuri, “Nektari i vulosur i xhenetit”, Urtësia, 1997, Shkup, 167.

[12] Rahmetun li-l-Alemin: I/95, cituar sipas: Sefijjurrahman el-Mubarekfuri, vep. e cit. f. 171.

[13] HAFIZOVIQ, Mesud, “Hidzra - put do pobjede istine”, Islamska Misao, nr. 26, 1981.

[14] Sahihu-l-Buhari: I/516, 558, cituar sipas, Sefijjurrahman el-Mubarekfuri, vep. e cit. f. 173.

[15] Sefijjurrahman el-Mubarekfuri, vep. e cit. f. 174-179.

[16] Më gjerësisht shih edhe: ALIU, Bashkim, vep. e cit. f. 201-212 dhe Sefijjurrahman el-Mubarekfuri, vep. e cit. f. 180.

[17] Në Jethrib kanë jetuar fise të njohura hebraike: Benu Kajnuka, Benu-n-Nadir dhe Benu Kurejdha.

[18] Shih librin “Individi dhe Shteti në Sheriatin islam”, f. 14, dr. Abdulkerim Zejdan, po ashtu shih: “Siretu Ibni Hisham”, vëll. II, f. 119.

[19] BULAÇ, Ali, “Koncepte dhe sisteme bashkëkohore”, Logos/A, 2005, Shkup, f. 265.

[20] Për këtë flet edhe: ARNOLD, Thomas, “Povijest Islama”, SIZ, Sarajevo, 1989, f. 54.

[21] EL-AJID, Salih bin Husejn, “Të drejtat e jomyslimanëve në shtetin islam”, Logos/A, Shkup, 2005, f. 12-15.

[22] Mr. Sc. Menduh Bamja, “Ideja e tolerancës fetare dhe ndikimi i saj në shoqëri”, Edukata islame, nr. 74, 2004, f. 190. Po ashtu për qëndrimin islam ndaj lirisë fetare shih edhe: Abdulhamid A. Ebu Sulejman, “Drejt një teorie për marrëdhëniet ndërkombëtare”, Logos/A, Shkup, 1998, f. 125-126.

[23] ХОБСБАУМ, Ерик, “Нациите и национализмот по 1780“, Култура, Скопје, 1993, f. 156. Po ashtu shih edhe: Tahar Ben Jelloun, “Si ia shpjegova vajzës sime racizmin”, Edukata islame, nr. 74, 2004, f. 168-181.

[24] Më hollësisht për diplomacinë e Muhammedit a.s. shih: MORINA, M-r. Qemajl, “Diplomacia islame në dritën e mesazheve të Pejgamberit a.s.” ‘Dituria islame’ nr. 60/1994 - Prishtinë dhe HAMIDULLAH, D-r. Muhammed, ‘Muhammed a.s.-Djelo’, vëll. II, vep. e cit. f. 249-260.

[25] Këto vargje gjenden në tefsirin e Ibn Kethirit.

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Mesazhi

Komentet

Nuk ka komente per kete artikull
REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i autoreve