Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Intelektuali Teolog apo Teologu intelektual

Autor: Mr. Rrahman Ferizi E hėne 18 Korrik 2011 19:43 PM

 

Në vorbullën e manisë për të përfaqësuar egozmin personal mbi kredibilitetin kolektivë, shpeshherë njeriu i nxitur nga inati, smira dhe gjelozia miopike e cila e përcjellë si hienë, i tejkalon limitet e arsyes njerëzore duke rënë në kurthet e instikteve dhe reflektimeve djallëzore.

Naom Chomsky një disident dhe kritik i madh i filozofisë amerikane, lidhur me konceptin e përkufizimit të Intelektualit thotë: “Unë e quaj veten ekspert të dijes. Jo intelektual. Kemi të bëjmë me një aktivizëm qytetar. Aktivisht dhe qytetarisht i angazhuar”.

Ndoshta edhe pa e lexuar përkufizimin e Chomsky-t për intelektualin, do të na bie ndërmend “stigmatizimi” të cilin ia sjell vetvetës së tij jo-intelektuali teolog apo teologu jo-intelekual, duke u munduar të jetë superman i cili mund të trajtoj koncepte shoqërore nga më të ndryshmet si; analiza socio-politike, filozofike, teologjike-etike, ekonomike dhe më tutje edhe shënjime-etiketime të cilat i tejkalojnë përmasat e kapacitetit individual.

Duke mos i përfillur as kufinjtë e megalomanisë personale“analizat” dhe antitezat e proklamuara nga jo-intelektuali teolog apo teologu jo-intelekual, nuk i nënshtrohen asnjë “mikroskopi” të faktografisë, por kryesishtë janë derivat i paragjykimeve “teleskopike” të imagjinatës dhe insinuatave patologjike.

Lidhur me këtë aspekt Eduard Said, ka fokusuar përkufizimin disident të prototipit të intelektualit kur thekson se: “Ai duhet të flasë të vërtetën përballë sistemit”.

Ky koncepcion sipas Said-it, sfidon shumë nga Intelektualët e sotëm të cilët për hirë të “vërtetes sipas tyre” sakrifikojnë në altarin e interesit personal të vërteten e përgjithshme, tërë këtë e bëjnë jo për të përmirësuar sistemin ashtu siq edhe pretendojnë por për të përvetësuar sistemin ashtu si ata dëshirojnë.

 

- Në adresë të kujtë fletë intelektuali:

Intelektuali i mirëfilltë e posaqërishtë intelektuali teolog është i thirrur të ketë adresë të saktë të misionit të tij, duke u përpjekur për unifikimin e koncepteve e jo dezorientimin e tyre, pranimin e diversitetit të mendimeve, ideve dhe veprimeve e kurrsesi ngurtësimin e tyre.

Intelektuali i mirëfilltë ka mision dhe vizion të qartë, e din nga është nisur, ku është duke shkuar dhe cakun të cilin synon ta arrijë.

 

- Kë e përfaqëson intelektuali:

Ndër përkufizimet e shkollave të ndryshme për intelektualin vlenë të potencohet edhe kjo se; “ Intelektual është ai që posedon intelektin dhe e plason për të mirën e përgjithshme. I vetëdijshëm dhe aktiv. i cili e tejkalon fobinë ”.

Nisur nga kjo intelekuali i mirëfilltë nuk e përfaqëson vetëm vetveten e tij, vetëm rezonin e tij miopik, vetëm “ vijën ideologjike” të tij, apo horizontin e të kuptuarit personal. Ai mbi të gjitha do të duhej të përfaqësojë IDENË Universale e cila arrinë t’i tejkaloj “ të ligat në detin e të mirave”, e cila arrinë të përfaqësojë unitetin e shpresuar përballë hendeqeve të mëdha, arrinë të plasojë urtësinë e zvogëlimit të paragjykimeve e jo fryerjen e zjarrit drejt tyre.

 

- Reflektimi i intelektualit në shoqëri:

Intelekuali duhet të dijë se paragjykimi është gënjeshtër, shpifja është tradhëti ndërsa etiketimi është krim.

Sartri e Kamy përfaqësojnë shkollën e konceptit perëndimor e cila edhe pse me bazë të laicitetit të theksuar, ofrojnë pasqyrë relevante në përceptimin dhe rolin e intelektualit në shoqëri; “ Intelektuali duhet të jetë aktiv kundër së keqës. Ai nuk është i thirrur të kufizohet vetëm në profesionin e tij. Ekziston mision më i madh se sa qenia e tij dhe profesioni i tij – shoqëria dhe interesi i përgjithshëm. Interesi personal nuk bënë të tejkalojë kolektiven” theksojnë ndër të tjera këta filozofë.

 

- Baraspesha mes kritikës dhe kriticizmit:

Problemi nuk qëndron vetëm te kapaciteti intelektual i intelektualit apo kompetenca teologjike e teologut, sa edhe parimi “ me ia ditë hallin vetit”, kjo maksimë e popullit është ma e thellë dhe komplekse se sa që kuptohet.

Sigurishtë ka ardhur koha e paralajmërimeve profetike; “ Se do të vijë dita kur për qështje fundamentale do të flasin njerëzit jo kompetentë”.

Sfida më e madhe qëndron në përpjekjen e profitit të kredibilitetit të konsumuar me diletantizëm të kamufluar dhe akumuluar. Sipa kësaj teoria; “ kundërshto që të njihesh” po vie në shprehje nga “Intelektualët” të cilët nuk kanë mundur të njihen pa kundështuar !?.

Janë pikërishtë këta njerëz të cilë fatëkeqësisht në çdo projekt të tyre të nisur apo (pa) përfunduar kanë dështuar madje edhe dështimin.........., me një fjalë ku kanë nisur diçka kan bërë llugë gjithçka.

 

- Rrugëdalja për intelektualin e tillë:

Kjo gjendje e mjerueshme e këtij intelektuali të kujton thënien e I.S. Turgenievi: “Kompetenti e përjashton diletantizmin: të jesh diletant do të thotë të jesh i pafuqishëm”.

-Intelektuali i mirëfilltë do të arrijë të bëhet kompetent kur të baraspeshon kritikën koncize me kriticizmin meskin.

- Kur të kupton se, nuk prosperohet në kurriz të armiqësisë, urrejtjes patologjike dhe diskreditimit retorik.

- Kur të kupton se, fjala ka peshën e gurit kur thuhet me vend, por edhe helmin e neperkës dhe tehun e shpatës, e posaqërisht fjala publike-mediatike duhet matur mirë përmasat dhe reflektimet e saj.

- Kur të kupton se, nuk pengohen proceset institucionale dhe të organizuara mbi frymën e hyjnorës, paqës, universales dhe tradicionalës, përmes fjalë me halë.

- Kur të kupton se, burrëria nuk matet me retorikë dhe as guximi me paragjykim, por burrëri e vërtetë është kur tejkalohen kufinjtë ndaj vet-vetes.

- Kur të kupton se, “Nuk është trimëri mundja e kundërshtarit në fushëbetejë por sfidimi i zemërimit.

- Kur të kupton se, të pendohesh për gabimin dhe lëshimin është kulmi i mençurisë dhe modestisë, ndërsa këmbëngulja tekanjoze në superegon-unin është pasim i djallëzisë.

- Kur të kupton se, të falësh është hyjnore ndërsa të ndëshkosh është tokësore.

- Kur të kupton se, nuk ecët në jetë me hapin e krimbit por me syrin e shqiponjës.

- Kur të kupton se, paragjykimi është gënjeshtër i cili buron nga injoranca dhe shtrembërimi.

- Kur të kupton se, verifikimi dhe argumentimi i mendimeve bëhen para se të thuhen e jo anasjelltas.

- Kur të kupton se, dobia e përgjithshme e mundë stuhinë e meskinitetit personal.

- Kur të kupton se, dituria dhe e vërteta nëse thuhen dhe mbrohen për Hatër të Zotit, duhet edhe të mos thuhet padituria dhe e pavërteta për Hatër të Tij.

- Kur të kupton se, gjelozia dhe urrejtja fillojnë me pronarin dhe pastaj kthehen e mbysin vet atë.

- Kur të kupton se, dëmi i plagës së fjalës është më i madh se vet plaga

- Dhe mbi të gjitha, kur të kupton se, nëse ai ka fjalë edhe të tjerët kanë fjalë, nëse ai ka gabime edhe të tjerët kanë sy.

- Për fund kur të kupton se, çdo gjë duhet të ketë fund. Pra edhe injoranca e tij. Të kthjelloj mendjen. Të përtërijë qëllimin. Të përtërijë qasjen e tij ndaj vetvetës e posaqërisht ndaj të tjerëve.

 

Me një fjalë “të bjerë në tokë të bukës"!

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com
Mesazhi

Komentet

Nuk ka komente per kete artikull
REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i autoreve