Image 01 Image 02 Image 03 Image 03

Kė po e pengon shamia?

Autor: Adem Avdiu E hėne 30 Gusht 2010 12:28 PM

 

Kohët e fundit shqiptarët muslimanë në Kosovë po diskriminohen, madje në mënyrë institucionale. Kjo situatë është shqetësuese dhe një mesazh për votuesit, që shtron përpara pyetjen se për kë kanë votuar deri tani. Situata aktuale që po na shoqëron na pasqyron një të kaluar jo të largët të monizmit, por tani me gëzofin e demokracisë, që më kujton thënien ujk me lëkurë qengji. Ndalimi i shamisë dhe lejimi i minifundeve e veshjeve provokuese në shkolla, të cilat nxisin pasione amoralo-satanizuese jo vetëm tek nxënësit por edhe tek mësimdhënësit, sinjalizon diskriminim ndaj motrave muslimane, të cilat zbatojnë me dashuri e bindje parimin dhe urdhrin Kur’anor- mbulesën fetare. Me këtë veprim institucionet përkrahin dekadencën dhe shthurjen morale si dhe propagandën skajshmërisht antiislame, që kohët e fundit ka pushtuar faqet e internetit dhe mediat. Kjo duhet të zgjojë ndërgjegjen, e cila bëhet pioniere për mbrojtjen e vlerave morale të shoqërisë tonë, të cilën e ka kapluar një mjegullinë e djallëzuar që dërgon drejt një kulture skajshmërisht antihumane, aspak morale dhe tepër degjeneruese e siç shprehet populli, ujku do mjegull. Nuk është vetëm ndalimi i shamisë problemi që na shqetëson, pasi problemet kanë filluar edhe më herët, kurse ndalimi i shamisë është sinjal skajshmërisht i qartë se muslimanet po diskriminohen, prandaj kjo duhet të aktivizojë drejtësinë për të mbrojtur të drejtat fetare në jetën publike të popullatës shumicë muslimane në Republikën e Kosovës.

Të mbrohen parimet fondamentale të fesë islame është domosdoshmëri që rrezaton Islamin autentik dhe jo “vehabizëm”, ashtu siç shprehen disa autorë në gazeta të përditshme. Ç’është më e keqja dhe që tregon naivitetin, arrogancën, idiotizmin e antiislamizmin e tyre, ata mundohen të na interpretojnë Islamin me injorancën dhe ideologjinë e tyre të satanizuar, me të cilën shprehin rrezikshmëri kundër muslimanëve si dhe thirrje për deislamizim më tepër sesa propaganda e Geert Wilderit.

Në disa debate kundërshtarët e urdhrit Kur’anor (shamisë) deklarojnë shumë lehtë e thjeshtë: “Nëse doni shami, hapni shkollat private dhe vendosni rregullat tuaja, shkollat publike janë laike dhe jo fetare”.

Së pari, kjo më kujton ekstremistin serb Sheshelin, kur në një debat për lejimin e shqiptarëve që të mësojnë në objektet shkollore pati deklaruar se nëse duan shqiptarët të shkollohen në objekte shkollore, atëherë le të ndërtojnë shkollat e tyre, por jo të shkollohen në objektet shkollore të shtetit tonë.

Së dyti, në Republikën laike të Shqipërisë janë të mbrojtura femrat me shami dhe u lejohet shkollimi, kurse ata që i pengojnë gjobiten. Lind pyetja: Çfarë laicizmi na qenka ky i shtetit tonë të dashur, Kosovës, kur edhe Shqipëria është shtet laik?! Përgjigjja është më se e qartë. Kemi të bëjmë me njerëz që e urrejnë Islamin të cilët dëshirojnë deislamizimin e shoqërisë sonë. Kjo ndoshta ju duket e çuditshme, por do ta kuptoni shumë shpejtë e sidomos nëse i bëni vetes pyetjen se çfarë ka pas ndalimit të shamisë...

Vallë mos po përsëritet historia e komunizmit sa i përket Islamit, ndërsa për besimet e tjera demokraci me standarde më të avancuara? A e meritojnë muslimanët këtë diskriminim e sidomos Bashkësia Islame e Kosovës, e cila po i shërben shtetit tonë në mënyrën më të mirë të mundshme, sidomos interesave të komunitetit musliman. Bashkësia Islame edhe në të kaluarën ka qenë në shërbim të popullit, veçanërisht në shërbim të Ministrisë së Arsimit, kur kësaj ministrie iu ndalua të zhvillonte mësimin në objektet shkollore. Ajo i shndërroi xhamitë në shkolla. Në medresenë Alaudin u mbajtën mbledhjet më të rëndësishme për çështjen kombëtare në kohën regjimit millosheviçian. Kjo kohë ende e shoqëron popullin tonë me kujtime rrëqethëse, emocionale e presione psikike. Sa e sa hoxhallarë dhanë jetën për hir të Zotit në luftën e Kosovës?! Si sot më kujtohet lajmi që dëgjova në TVSH për heroizmin e hoxhë Januz Zejnullahut, Zoti e mëshiroftë, i cilësuar si Mic Sokoli, që viktimizoi triumfalisht snajperistët serb në istikamen e tyre dhe ra heroikisht! Sa xhami u dogjën e u shkatërruan nga okupatori serb?! Vallë e meritojmë diskriminimin?! A nuk është diskriminim që në kryeqytetin e shtetit tonë muslimanët falen në rrugë e trotuare në mungesë të një qendre islamike, për shkak se nuk lejohet të ndërtohet, kurse në anën tjetër ndërtohet katedralja për një përqindje shumë të vogël besimtarësh katolikë, për të cilët ekziston kisha ku mund t’i kryejnë ritualet fetare?! Nuk ka dyshim se kjo ndihmon prishjen e tolerancës ndërfetare dhe njëkohësisht ekstremizmin katolik, i cili po funksionon nën propagandën e rrejshme të tolerancës, demokracisë e laicizmit. Në realitet ata me këto veprime po e kundërshtojnë laicizmin e pretenduar. Nëse një femre që zbaton urdhrin kur’anor mbulesën fetare i ndalohet shkollimi për shkak se ajo me atë shami propagandon Islamin në një objekt që është publik, atëherë si do t’i përgjigjen popullit që logjikon e gjykon drejt këta që i kanë shndërruar sheshet e qyteteve të Kosovës në simbole të katolicizmit duke ndërtuar përmendore të Gonxhe Bojaxhiut?! Ajo i shërbeu katolicizmit dhe jo vendit e kombit. Me shprehjen jo vendit mendoj se jam i qartë me lexuesin, ngase Gonxhe Bojaxhiu nuk i shërbeu katolicizmit në vendin e vet, por katolicizmit në Kalkutë.

Në fund, motrat të cilat zbatojnë urdhrin kur’anor për t’u mbuluar shfaqin kulturën dhe civilizimin hyjnor dhe jo atë arab. Edhe nënat shqiptare muslimane në të kaluarën ishin me mbulesa fetare, por atë ua largoi me dhunë komunizmi i egër. Disa prej tyre u burgosën dhe u keqtrajtuan. As mjekra nuk është simbol i binladenianëve terroristë, por është urdhër fetar që ka qenë i njohur edhe tek stërgjyshërit tanë kur atëherë “Usama bin Ladeni” nuk ka ekzistuar fare. Prej stërgjyshërve tanë kishte që dhënë jetën për këtë fe, siç ishte rasti i Lugut të Baranit, ku brohoritjet e fundit të shqiptarëve para Savë Batares, i cili i ekzekutoi barbarisht, ishin duam xhami e nuk duam kishë. Kjo ngjarje e paharruar reflekton sloganin nuk flijohet jeta për fenë që është pranuar me dhunë, por për atë që është pranuar me dëshirë e bindje.

Opinionet e autorėve nuk paraqesin domosdoshmėrisht edhe opinionin e redaksisė sė portalit www.mesazhi.com

Komentet

Nuk ka komente per kete artikull
REGULLAT E KOmentIMIT
  1. Komenti te kete lidhje me temen.
  2. Ndalohet perdorimi i fjalorit ofendues.
  3. Redaksia e portalit mesazhi.com mbane te drejten e fshirjes se komenteve te papershtatshme.
karaktere te mbetura.

Arkivi i autoreve