Në shikim të parë, titulli i këtij artikulli, logjikisht, mund të na duket si i çuditshëm, qesharak, e, mbi të gjitha, naiv dhe banal. Por, nëse flasim ashtu sikur na shohin sytë, atëherë ky konstatim na del plotësisht i saktë. Për çka është fjala, në të vërtetë? Pas Brukselit, më duket se Prizreni është qyteti i dytë në Evropë, i cili, në njërin prej shesheve të veta më kryesore ka përmendore monumentale kushtuar NATO-s, aleancës më të madhe dhe më të fuqishme ushtarake në botë. Ky monument është përuruar sivjet dhe gjendet në pjesën më të frekuentuar të qytetit, “Te rrethi”, siç orientohen prizrenasit, rruga në dalje të qytetit, në drejtim të Prishtinës. Po të kalosh pranë saj, do të vëresh se ajo, përpos si përmendore dedikuese që simbolikisht shpreh kujtesën, respektin dhe falënderimin tonë të përhershëm ndaj kontributit të madh të kësaj aleance për çlirimin e Kosovës, e ndërtuar me një arkitekturë të qëlluar, ajo si e tillë, edhe më shumë e zbukuron dhe hijeshon atë pjesë të qytetit.
Përmendorja në fjalë është e projektuar kryesisht si hapësirë e gjelbëruar me hartën e madhe të Kosovës prej betoni në mes, mbi të cilën nga metali ngrihet lart simboli i madh i NATO-s, ndërsa përballë saj gjenden shtizat ku janë të vendosur të gjithë flamujt e shteteve anëtare të kësaj aleance ushtarake. Apo, thënë edhe më saktësisht, duhet të ishin të vendosura të gjithë flamujt e shteteve anëtare, sepse, faktikisht dhe fatkeqësisht, aty mungon flamuri i një shteti anëtare - Shqipërisë! Meqë, mua më bie të kaloj disa herë në ditë pranë këtij monumenti, fillimisht mendoja se kjo mungesë e rastit mund të jetë si pasojë e ndonjë lëshim teknik – formal dhe se shpejt do të evitohet nga kompetentët komunalë prizrenas. Por, me kohë, gradualisht bindesha se nuk ishte ashtu. Kaluan më shumë se një muaj dhe sot e kësaj dite, as që i bie ndër mend ndokujt që ta përmirësoj këtë lëshim. Ata sillen kështu, ndoshta mu pse në këtë rast është në pyetje mungesa e flamurit të Shqipërisë (për mua i shqiptarëve). Po të ishte fjala për flamurin e ndonjë shteti tjetër, zëvendësimin e kishin bërë brenda nate. I kam këto dyshime në vete, sepse jam i bindur se vërtet këta politikanë tanë lokalë janë shumë të ndjeshëm ndaj flamujve të shteteve tjera. Këtë “virtyt” të tyre ”internacionaliste”, ata e treguan edhe më 10 qershor të këtij viti, kur nga policia lokale e Prizrenit me ngulm kërkuan që t’i burgosë disa të rinj të lëvizjes “Vetëvendosje”, të cilët, për nder të 10 Qershorit, përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nga shtyllat e qytetit, kishin hequr flamuj të shteteve tjera. Shteteve tona mike, siç thonë ata.
Një ditë, një shitës i lokalit pranë përmendores, më tha në shaka: - Në fillim, kur më 12 qershor të këtij viti, u promovua ky monument, aty ka qenë flamuri i Shqipërisë. Për këtë mund ta pyetni edhe Hashim Thaçin i cili atë ditë ishte në prerjen e shiritit. Por, nëse saktësisht dëshironi ta dini të vërtetën, po ju tregoj. Atë rrugës e ka vjedhur një dasmor, të cilit i ishte kërcënuar miku se nuk do t’ia japë nusen nëse vjen me e marrë me flamurin e Kosovës?! A është bërë kjo punë me qëllim apo pa qëllim nga dikush, t’ ju them sinqerisht, nuk e di. Edhe unë si të tjerët vetëm mund të paragjykoj. Por, le të më thotë dikush që sadopak është shqiptar (apo kosovar), se si ishte ndjerë, nëse, ta zëmë, te monumenti i NATO-s në Bruksel, pranë gjithë flamujve të eksponuar të shteteve tjera (anëtare të NATO-s) , nuk do ta vërente aty flamurin e Shqipërisë?!!
Se si e kishin përjetuar emocionalisht të tjerët këtë moment, nuk jam i sigurt, por, se si në atë çast ishte ndjerë një burokrat komunal prizrenas, e di shumë mirë: Indiferent! Sepse, sigurisht nuk e kishte vërejtur fare se aty mungon Flamuri Shqiptar. Logjikisht, kjo nënkuptohet vetvetiu. Si mund ta diktojë këtë mangësi ky politikani ynë babaxhan komunal në Bruksel, kur, së pari, atë, nuk e vëren në qytetin e vet…?!!!
Muhamed Murtezi
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Mr. Bashkim Aliu
Mr. Muhidin Ahmeti
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Opinione te lexuesve
Hamdi Nuhiju
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Mr. Iljasa Salihu
Hamdi Nuhiju
Reklama 228 x 90.png)
Komentet
Nuk ka komente per kete artikull