Një gjë që nuk munden sllavët ta bëjnë me dekada e shekuj, tani po e bëjmë ne shqiptarët
“Ai që i mbyll sytë, vetëm vetes i bën terr”.
Historik i shkurtër për xhaminë “Sulltan Murat” të Shkupit
Xhamia Sulltan Murat në Shkup është e ndërtuar në vitin 1436. Është djegur një herë në vitin 1537 dhe herën e dytë është djegur nga mbreti i Austro-Hungarisë, Nikollo Pikollomini në vitin 1689, atëherë kur e djeg Shkupin. Në vitin 1711 Sulltan Ahmedi i Tretë sërish e ndërton këtë xhami dhe kjo xhami konsiderohet një nga xhamitë më të bukura të Rumelisë.
Sahat Kulla është ngritur në vitet 1566-1573. Është Sahat Kulla e parë në territorin e Rumelisë. Pjesa e epërme e kullës ishte prej druri, ndërsa në vitin 1902-1903 nga Selaniku janë sjellë tulla, e më pas sahat kulla është ndërtuar me to. Katër orët për kullën janë sjellë nga Sigeti. Orët origjinale janë vjedhur gjatë Luftës së Parë Ballkanike...
Minareja i ka 114 shkallë (aq sa sure janë në Kur’an).
Përkujdesja ndaj objekteve dhe trashëgimisë kulturore islame të qytetit tonë?
Tanimë ka disa vite që në Shkup po bëhet një rrëmujë kulturore me përmasa shkatërruese dhe në dëm të kulturës shqiptare, asaj islame dhe në përgjithësi qytetëruese. Në njërën anë të qytetit vendosen idhuj modern të “maqedonizmit”, në kodër të kalasë së Shkupit gjurmohet lashtësia e një populli që asnjëherë nuk ka ekzistuar, ndërsa gjurmët ilire e osmane mbulohen dhe falsifikohen...
Po ashtu, në çarshinë e vjetër gjithnjë e më tepër po hapen lokale ku shkijet pijnë birra deri në orët e hershme të mëngjesit - po në atë çarshi të cilën Evlija Çelebiu e krahasoi me çarshinë e Bursës dhe të Kajros... Për të gjitha këto do të thonim se “s’kemi çfarë të bëjmë, sepse shteti është i atillë”.
Po mirë, të kthehemi në anën tjetër, atje në kodrën ku gjendet Sahat Kulla e parë në Ballkan - pranë xhamisë së Sulltan Muratit! Çfarë po ndodh aty?
Është e vërtetë e njohur se tanimë askush, ama askush nuk ia vë veshin e askujt nuk ia vret syrin ai grumbull i objekteve dhe ndërtesave të cilat në mënyrë të pamëshirshme e ngufatin pikërisht Sahat Kullën e xhamisë së Sulltan Muratit. Ngriten dyqane, shtëpi private, e pikërisht aty dy-tre hapa afër Sahat Kullës bile ngritet edhe një objekt 3-5 kate për të cilin është thënë se po u ndërtoka një “konvikt për studentë”! Konvikt për studentë dy-tre metra larg Sahat Kullës së parë në Rumeli (Ballkan)!!!
Ndonjëherë më shkon mendja te një thënie e Profetit Muhammed (a.s.) ku ka thënë se “ndër shenjat e Kijametit është edhe kur beduinët këmbëzbathur do të garojnë në ndërtimin e shtëpive të larta”.
Beduinë, bile më tej beduinëve!
Kush duhet të kujdeset për këtë? Pse nuk kujdesen ata përgjegjës të monumenteve kulturore islame? E tëra kjo që po ndodh tek ne dhe rreth nesh në lidhje me qytetërimin dhe kulturën shqiptare dhe islame, është pasojë e neglizhencës të faktorit “njeri i kulturuar”.
Ajo që më brengosi më tepër dhe që më shtyu t’a shkruaj këtë tekst, është pikërisht koha e namazit të jacisë të ditës së martë (27.09.2011).
Në mbrëmjen e të martës, duke u ngjitur shkallëve përpjetë drejt xhamisë së Sulltan Muratit ku vendosa që të dal dhe ta fal namazin e jacisë, e mbaja kokën lartë duke i numëruar katet e “konviktit të studentëve”. Ndërtesë prej katër apo pesë kate. Ndërtesë kjo e cila e ngufatë një nga shenjat më të mëdha të kulturës islame të Shkupit, Sahat Kullën dhe xhaminë e Sulltan Muratit.
Me t’u afruar afër portës së xhamisë më shkoi mendja se këtu po bëhet një kulturocid bashkëkohor pikërisht nga disa myslimanë të “kulturuar”... Ndoshta kjo që po e them është e tepërt, por e vërteta është kjo. Bëhet një ngufatje e Xhamisë së Sulltan Muratit dhe e pamjes së Sahat Kullës më të bukur të trojeve të Rumelisë, edhe atë për një objekt ndoshta edhe të panevojshëm. Madje edhe nëse do të ishte i nevojshëm ky objekt, atëherë do të mund të gjendej ndonjë lokacion tjetër...
Hyra në oborrin e xhamisë. Takoj vetëm mikun tim Abdurrahimin i cili njëkohësisht është fqinj i atyhit, e i cili thotë se kjo gjë ndodh shpeshherë që të mos del askush për ta hap xhaminë!
Xhamia e mbyllur. Erdhi koha e jacisë. Ora ishte 19:54 min. Abdurrahimi e thërriti ezanin, ndërsa dyert e xhamisë qëndrojnë të mbyllura. I falëm sunetet, e më pas farzet. Njëri prej nesh doli imam, e tjetri myezin. U falëm aty jashtë, në hajatin e xhamisë. Sikur të ishim në ndonjë fshat të braktisur nga njerëzit, e jo në qytet, edhe atë në qytetin më të madh në rajon dhe në xhaminë më të madhe të Ballkanit, në xhaminë Sulltan Murat të Shkupit...
Pas kryerjes së namazit miku im i dëshpëruar më tregon se një gjë e këtillë është pothuajse normale, dhe shpeshherë ndodh që kjo xhami e bukur të mbetet e mbyllur. Ndoshta dikush nga përgjegjësit e xhamisë do të na thonë se nuk u bë nami?! Jo, nami nuk bëhet, sepse për këto gjëra ka paralajmëruar Muhammedi (s.a.v.s.), edhe atë me rastin pasi që ishte kthyer nga Miraxhi ku tregon se kishte kaluar pranë një njeriu i cili kishte mbledhur aq dru sa që nuk mundej t’i bartë, madje tubonte edhe më tepër, e kështu (i Dërguari a.s.) kishte pyetur: “Kush është ky o Xhibril”? Ai u përgjigj: “Ai është një njeri nga ummeti yt të cilit iu është ofruar funksioni shoqëror (amaneti i njerëzve), të cilin ai nuk është në gjendje t’a kryejë, e pranë asaj pranon edhe funksione tjera”.
Natyrisht, ajo kohë dhe ata njerëz janë tek ne dhe përreth nesh. Nëse do të pohonim se imami i kësaj xhamie nuk mban përgjegjësi, do të ishte me vend, pasi që kjo xhami edhe nuk ka imam të caktuar, por vetëm hatib (ligjërues për të premten). E kush e mban përgjegjësinë për mos-hapjen dhe mos-funksionimin e kësaj xhamie ashtu siç është rendi dhe siç duhet!?
Nëse hatibi i xhamisë është vetëm për xhumanë, atëherë ai ndoshta edhe nuk mban përgjegjësi për kohët tjera, e më pak për kohën e jacisë, edhe pse xhamia qëndron mbyllur...
Assesi nuk kisha thënë që përgjegjësia bie mbi Bashkësinë Islame. Përkundrazi, përgjegjësia është mbi ata që e kanë marrë amanetin nga BI për funksionimin e kësaj xhamie, e këtu përgjegjësia është mbi ata që i mbajnë çelësat e xhamisë, siç janë këshilltarët e xhamisë dhe të gjithë ata që më së shpeshti janë të lidhur me atë Shtëpi të Zotit.
Parashtrojmë pyetjet:
1. Kujt i konvenon që arkitektura dhe pamja e Sahat Kullës së parë në Ballkan dhe xhamia e Sulltan Muratit të Shkupit të ngufatet nga disa ndërtesa, gjoja konvikte për studentë, apo etj...?
2. Kujt i konvenon që xhamia më e madhe në Ballkan të mos ketë imam të rregullt dhe imam të mirë e të pajisur me dituri islame dhe me njohje të reja shkencore e kulturore?
3. Kujt i konvenon që kjo xhami të mos ketë xhamat të rregullt dhe njerëz aty pranë, e kështu shpeshherë të mbahet e mbyllur?
Çfarë do të thoshte Sulltan Murati po të ishte e mundur që ta informonim atë se ja çfarë po ndodh me xhaminë e madhe të cilën ai e ndërtoi për besimtarët myslimanë!?
Është e udhës që këtu ta paraqesim një hiqaje (rrëfim) që ka të bëjë pikërisht me çështjen në fjalë.
Në një rast një njeri i devotshëm e kishte parë në ëndërr Sulltan Muratin duke qëndruar i mërzitur dhe në kujtime në një kopsht të bukur.
Iu afrua njeriu dhe i tha: “Çfarë ke o Sulltan”?
Ai u përgjigj dhe tha: “Jam duke menduar se si xhamia të cilën e ndërtova në Shkup iu bëri ballë grabitqarëve të huaj kur edhe ia vodhën orët sahat kullës gjatë Luftës së Parë Ballkanike, i bëri ballë dhe i shpëtoi periudhës shkatërrimtare të sllavëve komunistë, ndërsa sot po ballafaqohet edhe më vështirë dhe nuk mund t’iu bëjë ballë ngufatjeve nga ndërtesat falso dhe nga portierët me çelësa në dorë e që pretendojnë se janë përgjegjës për to... Madje, shtiren si rojtarë të kulturës islame, ndërsa xhaminë e mbajnë të mbyllur në kohët e namazit! Habitem se si atë që nuk mundën ta bëjnë komunistët sllavë, sot në një mënyrë mjaft perfide e bëjnë disa shqiptarë muslimanë shkurtapamës dhe pa kurrfarë ëndje kulturore e historike islame”!?
Njeriu i devotshëm i tha: “Ndoshta orët në sahat kullë nuk i nevojiten askujt më, e më pak shqiptarëve myslimanë, sepse ata më së paku punojnë me orë e orar! E kështu s’ka gjë edhe nëse mbulohet sahat kulla dhe orët e saj nga ato “konvikte” të larta aty pranë”!
Sulltani: “Po, por kjo do të thotë mbytje e kulturës islame dhe kulturocid ndaj atij objekti, madje nuk është thënë së koti se njeriu është armik i vetvetes”.
Pas kësaj bisede të shkurtër, sulltani u fut në kopsht duke porositur që “këtë gjë të mos e harrojmë pa i’a paraqitur Rexhep Taip abisë kur të vijë në Shkup, se ndoshta ai mund të bëjë ndonjë gjë”.
Njeriu i devotshëm pas kësaj ëndrre u zgjua dhe ja, koha e namazit të sabahut. Mori abdes dhe doli në xhami. Por jo në xhaminë e mëhallës, shkoi në xhaminë e Sulltan Muratit, por s’di a kishte qenë xhamia e hapur apo jo.
Muhamed Murtezi
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Mr. Bashkim Aliu
Mr. Muhidin Ahmeti
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Opinione te lexuesve
Hamdi Nuhiju
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Mr. Iljasa Salihu
Hamdi Nuhiju
Reklama 228 x 90.png)
Komentet
Nuk ka komente per kete artikull