1.
Sulmi i datës 20 shkurt ndaj dy komandove shqiptarë të Kontigjentit “Eagle-4” në Kandahar të Afganistanit, ku si pasojë e një sherri mes ushtarësh, njëri u vra e tjetri u plagos, duket se ka qënë një lajm i mezipritur për elitën politike të Tiranës. Klasa politike që sundon sot Shqipërinë është një prej grupeve më servile dhe të bindura në radhën e vendeve që Amerika kontrollon sot nëpër botë. Frika dhe bindshmëria e klasës politike shqiptare ndaj amerikanëve mund të krahasohet me bindshmërinë që Aleanca e Veriut në Afganistan tregon ndaj amerikanëve apo me nënshtrimin që pushtetarët e ish-republikës sovjetike të Abkhazisë kanë ndaj Rusisë. Po ndërsa në rastin e Afganistanit dhe Abkhazisë, përulja e këtyre dy grupeve politike ndaj amerikanëve dhe rusëve bëhet për shkaqe ekzistenciale, në rastin e Shqipërisë, servilizmi i klasës sonë politike ndaj amerikanëve vjen si pasojë e natyrës legene që shqiptarët zhvilluan gjatë kohës së sundimit komunist, ku bindja ndaj Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës, i ktheu elitat intelektuale shqiptare në puthadorë ndaj pushtetit dhe të fortit.
2.
Personat që kanë patur mundësinë të lexojnë raportet e ambasadës amerikane në Tiranë në Wikileaks do të kenë mbetur të tmerruar kur kanë kuptuar sesi në Shqipëri, amerikanët kanë instaluar jo një regjim të lirë dhe demokratik siç pretendohet nëpër botë, por një regjim të kontrolluar nga ambasadorët e Uashingtonit. Ambasadorët e pazgjedhur amerikanë që qëndrojnë në rrugën e Elbasanit në Tiranë, nuk i ngjajnë përfaqësuesëve të paanshëm të vendeve demokratike. Por në të kundërt, ambasada e tyre është një qendër okulte pushteti nga ku ambasadorët i japin fetva njerëzve me pushtet të Tiranës dhe u tregojnë se ç’duhet të bëjnë dhe mos bëjnë. Raportet e Wikileaksit tregojnë që ambasadorët fuqiplotë të Amerikës në Tiranë u diktojnë qeverive shqiptare pothuajse çdo send. Ata çertifikojnë vlefshmërinë e zgjedhjeve, aprovojnë qeveritë, justifikojnë apo sulmojnë pushtetarët te drejtuesit e Shtëpisë së Bardhë, ndajnë para për atë që ata konsiderojnë “shoqëri civile”, spiunojnë, merren me thashetheme e zënka politikanësh e në disa raste edhe me muhabete grashë. Raportet e Wikileaksit i tregojnë ambasadorët amerikanë të Tiranës si disa guru më fuqi magjike apo si pashallarët e kohës së Turqisë, të cilët kanë fuqi të bëjnë sus sa Ramën aq edhe Berishën, edhe në rastet kur ata i ndërsehen njëri tjetrit me kodoshë e me zagarë për të djegur Shqipërinë.
Kur përpara disa muajsh lexova raportet e Wikileaksit për Shqipërinë, përveç se u tremba, në të njëjtën kohë, më duhet të pranoj, që edhe u magjepsa ndërsa i bëja pyetje vetes nga ku e fitonin gjithë këtë fuqi këta ambasadorë të zinj apo të bardhë që i kemi peshqesh nga Amerika? Mesa unë di, amerikanët, Shqipërinë nuk e mbajnë të pushtuar me tanke dhe me avionë dhe as që e bombardojnë më drone siç bëjnë fjala bie ne Afganistan apo Libi. E as nuk e mbajnë me bukë, siç besonim ne në barcaletat e kohës së Mehmet Shehut. E kur nuk bëhet një gjë e këtillë, pyetja që më mundonte ishte të dija se çfarë marifetesh përdorin këta guru që poshtërojnë kaq shumë krerët e vendit tonë, të cilët, nëpër libra shkollorë që ne kemi në Shqipëri. thonë se rrjedhin nga një rracë trimash, e janë kreshnikë ilirë e pellazgë?
3.
Personat që kanë lexuar kabllogramet e ambasadorëve amerikanë në Tiranë, një gjë e kanë të qartë; pushteti i palimituar i tyre te ne nuk vjen si pasojë e ndonjë presioni kush e di se çfarë i tyre. Në shumicën e rasteve vetë shqiptarët janë ata që si pasojë e servilizmit që kanë për të tradhëtuar njëri tjetrin, i fuqizojnë të parët duke u dhënë statusin e supermenit. Në raportet e Wikileaksit dikush mund të lexojë fjala bie spiunllëqet që Ben Blushi bënte kundër Edi Ramës. Apo si nënkryetari i Komunitetit Musliman spiunonte shokët e tij dhe besimtarët muslimanë, apo si ambasadori amerikan raportonte në Uashington sesa pilaf e mish hallall hanin myslymanët për Ramazan, apo edhe sesi Rama dhe Berisha i kanë kthyer ambasadorët në guru e fallxhorë për tu ankuar e gjetur derman.
Lexuesit që duan të kuptojnë sesa servilë janë politikanët shqiptarë ndaj amerikanëve u mjafton të lexojnë kabllin e datës 14 qershor 2006 numër 06TIRANA743. Në këtë raport lexuesi ska si të mos skandalizohet kur lexon servilizmin e Sali Berishës ndaj ambasadores Marcy Ries. Berisha i kërkon pothuajse me përgjërim që të rrisë numrin e mercenarëve shqiptarë në Afganistan dhe po të jetë e mundur të dërgojë trupa edhe në Darfur të Sudanit. Ambasadorja Ries e cila çuditej nga përgjërimi i Berishës për të çuar sa më shumë ushtarë edhe në vende ku atyre nuk u kërkohej një gjë e këtillë e pyet e habitur “po në Darfur pse kërkon të çosh trupa”. Berisha, si një kone e lumtur i përgjigjet "We want to be anywhere you are" – “Ne duam të jemi kudo ku ju jeni.” Në komentet cinike që ambasadorja Ries i bën këtij servilizmi të ulët të vasalit shqiptar, konkludon si e zënë në hall duke thënë se “ndërsa kryeministri, në shumicën e rasteve, thotë gjërat që duhet të thotë… disa nga iniciativat që qeveria ndërmerr janë shkel-e-shko… megjithatë ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me qeverinë që t’ia drejtojmë zellin në drejtimin e duhur…”
Servilizmi i klasës politike shqiptare ndaj amerikanëve dhe dëshira për të çuar nizamë nuk mungon as në rrëfimet që kryetari i socialistëve, Edi Rama, bën përpara ambasadorëve amerikanë. Në kabllon 07TIRANA1067 ambasadori Uithers tregon sesi Rama, ndërsa ishte i tërbuar me sundimin e Berishës, i xhelozohej amerikanëve se duke e futur Shqipërinë në NATO në kohën që Berisha është në krye të qeverisë, kreditet për këtë do i fitonte Berisha dhe jo ai. Pra si ndërmjet Ramës “socialist” ashtu edhe Berishës “të djathtë” nuk kishte asnjë kundërshtim ideologjik për futjen e Shqipërisë në NATO. Halli i vetëm që kishin të dy kryepalikarët e ambasadorëve ishte se kush do të shihej si legeni më i bindur i Amerikës; Rama apo Berisha?
Kabllot e Wikileaksit janë shumë të dobishme për tu lexuar, pasi ato shpjegojnë hapur dhe troç se ç’politikë bëhet me fatet e popullit në Shqipëri dhe sesi përfshirja e Shqipërisë në konfliktet e Amerikës në Sudan, Afganistan, Irak, Libi, Siri e kudo gjetkë nuk bëhet as për liri e as për demokraci siç gënjen narrativa jonë zyrtare. Mercenarizmi dhe dërgimi i ushtarëve tanë “përtej urës së Qabesë” bëhet thjeshtë për ti bërë qejfin ambasadorit nga i cili varet fati i vasalëve të tij shqiptarë.
4.
Kur në Prill të vitit 2009, Shqipëria mori ftesën për në NATO, unë rastisa të isha në Tiranë. Ndryshe nga vendet e tjera të Evropës, ku një pjesë e mirë e elitës intelektuale, e sidomos e majta e urren inkuadrimin e vendeve të tyre në aleanca militariste dhe imperialiste si NATO, në Tiranë nuk kishte aspak opozitë për këtë hap që Shqipëria po ndërmerrte. Nuk kundërshtonin as muslimanët mjekërroshë të xhamisë Dine Hoxha në Tiranë, të cilët i ka zbutur e trembur SHIK-u aq shumë saqë i thanë Bushit “Welcome” kur ai erdhi në Tiranë. Nuk kundërshtonin as ortodoksët, të cilët, siç dihet Nato synon që një ditë t’u mundi Rusinë Ortodokse. E nuk kundërshtonin as katolikët, kryeprifti i të cilëve, Rrok Mirdita mban flamurin amerikan në zyrë; e nuk kundërshtonte as shoqëria civile, pasi siç të gjithë e dinë, në Tiranë nuk ka shoqëri civile jashtë suazave të USAID-it. Në këtë situatë fantastike bindje për në NATO unë pata rastin të takoj edhe një hoxhë me mjekër të madhe nga Kavaja, i cili ishte i lumtur që Shqipëria po hynte në NATO pasi mendonte se NATO ishte Bashkimi Evropjan dhe pas kësaj shqiptarët do të hanin me lugë florini.
I vetmi debat që bëhej në media dhe në qytet ishte ndërmjet Berishës me Partinë Demokratike dhe Edi Ramës me PS-në, ku secili klan kishte ndërsyer militantët e tij, që futjen në NATO ta tregonte si vepër të doktorit apo të piktorit. Mbaj mend që në ato ditë, kur pyesja shumë qytetarë nëpër autobuzë, shkolla dhe rrugë përse ishin aq të lumtur që po hynin në NATO, përgjigja që merrja ishte se “tani do marrim lekë nga Amerika”, “morrën fund hallet tona”, “tani do na hajë m. serbi dhe greku”, dhe anekdoda të këtij lloji. Këto mite urbane që populli besonte nxiteshin edhe nga qeveria dhe mediat militante. Në parrullat që Berisha kishte vënë nëpër Tiranë shkruhej “Shqipëria në NATO, This is a miracle of freedom (kjo është mrekullia e lirisë)”, “Shqipëria në NATO, sigurojmë lirinë, të ardhmen tonë.”
Po se ç’lidhje kishte Nato-ja me mrekullinë e lirisë apo me ardhjen e parave në Shqipëri, një Allah e di. Çfarë Shqipëria ka fituar që nga futja e saj në NATO, është që vendi ynë është bërë pjesë e bllokut agresiv ushtarak i cili sillet me botën më keq se Traktati i Varshavës në kohën e Bashkimit Sovjetik. NATO-ja është fajtore për një seri agresionesh sot në botë; që me djegjen e Libisë e vrasjen e liderit të saj, pushtimin e Afganistanit, rrethimin e Sirisë dhe vrasjen e qindramijë njerëzish të pafaj. Si pasojë e futjes në këtë organizatë militariste, Shqipëria harxhon me miliona dollarë nga buxheti i saj për të çuar nizamë që të vdesin e vrasin muslimanë për amerikanët në shkretëtirat arabe dhe afgane. E për faj të NATO-s vendi ynë ka fituar pamjen e një vendi mercenar të Amerikës. Merhumi Feti Vogli që u vra në Afganistan në 20 shkurt është po ashtu viktimë e futjes sonë në një aleancë të pakuptimtë dhe mëkatare e cila vret njerëz e bën luftë që nga Sudani e deri në Afganistan.
5.
Vrasja dhe plagosja e ushtarëve shqiptarë në Afganistan ka qënë një lajm i mezipritur dhe do të thoja, i mrekullueshëm, për klasën politike shqiptare. Tamam si në filmin “Wage the Dog” Robert De Nirot e politikës shqiptare mezi presin që të vriten ushtarë në luftime, pasi këta heroizojnë kombin dhe heqin vëmendjen e publikut nga varfëria, i ftohti, uria, mungesa e dritave dhe shkatërrimi politik dhe social.
Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta, Jozefina Topalli, Arben Imami etj, duket, se mezi e kanë pritur vrasjen e një shqiptari në Afganistan për ta përdorur si kartë besnikërie ndaj amerikanëve. Edi Rama i cili ishte i pari të reagojë me yrysh në emër të Partisë Socialiste e të gjithë opozitës, pas hapjes së lajmit të gabuar të vrasjes së “dy shqiptarëve në Afganistan,” ka shprehur ngushëllimet ndaj “dy familjeve të zakonshme”. Rama i rrëfen të rinjtë si patriotë dhe dëshmorë të Shqipërisë të cilët i janë bashkangjitur “mijëra e mijëra dëshmorëve të NATO-s në luftën e universit demokratik me forcat e një errësire kërcënuese.” Duke qënë se Rama është kaur me soj e me sorrollop, vdekjen e “dy shqiptarëve” e ka përshkruar si një epope biblike; si ato të përrallës së sakrificës së Jezu Krishtit për mëkatin e botës. Ky flijim sipas Ramës tregohet të jetë bërë për “kauzën e madhe të botës së lirë në luftën me një të keqe që synon asgjësimin e vetë lirisë së botës”. Rënien e “dëshmorëve të kombit” Rama, tamam si në filmin e De Niros ku amerikanët bërtasin “Courage Mom” e tregon si një arsye më shumë për të mbajtur Shqipërinë në NATO “krah për krah me Shtetet e Bashkuara e me të gjitha forcat e NATO-s, kundër fashizmit të këtij shekulli.” Fjalimi Ramës, të cilin unë “vë bast” se ia ka shkruar ose fanatikja katolike Ledia Shamku Shkreli, ose misionari protestant Erion Velija ose ortodoksi Ben Blushi, është një fjalim patriotik-teologjik të cilin do e kishte zili edhe Xhorxh Bushi. Ndërsa dy të vrarët shpallen patriotë të “Shqipërisë së vogël”, luftën që NATO bën në Afganistan, Rama e rrëfen si luftë “Mes botës së lirë (Krishtërimit) dhe “botës së palirë” (Islamit), “mes universit demokratik’ (Krishtërimit) dhe “errësirës kërcënuese” dhe mes “fashizmit të këtij shekulli“ (Islamit). Vizioni që Rama i ka dhënë kurbanizimit të shqiptarëve në Afganistan është jashtëzakonisht interesant dhe teologjik. Në paragrafin përmbyllës, ai Shqipërinë e tregon si një vend të rreshtuar “krah për krah me aleatët tanë të mëdhenj” të “universit demokratik” kundër të cilëve qëndrojnë “forcat djallëzore të së keqes” dmth. ajo që Bushi përshkruante si “Axis of Evil” - muslimanët (dhe për Ramën muslimanët variojnë që nga Berisha e deri të Mullah Omari).
Po ndërsa kauri Edvin Rama, luftën pushtuese të NATO-s e ka përshkruar si luftë mes Jezu Krishtit e Satanait (lexo Krishtërimit kundër Islamit), myslymani Berisha, vdekjen e ka rrëfyer si vepër heroike të një ushtari të kombit i cili ka qënë në një “mision të rëndësishëm paqeje” por që është sulmuar nga një “sulm i pabesë”. Arben Imami, kapiten Fetiun e ka rrëfyer si një “trim”, i cili vdiq “siç vdesin burrat shqiptarë” e si “një hero”, “ushtarak i shkëlqyer karriere,” dhe “çmim i shtrenjtë që populli paguan për lirinë dhe sigurinë e tij dhe paqen dhe sigurinë në botë.” Ndërsa president Topi i cili u ka dhënë dy ushtarëve ‘Medaljen e Artë të Shqiponjës’, në prononcimin e parë që bëri ndaj lajmit të “rënies në krye të detyrës të paqeruajtësve shqiptarë, Kapiten Voglit dhe Nëntetar Peçit”, martirizimin e tyre e ka përshkruar si “vepër heroike”, “vetëmohim dhe heroizëm… në mbrojtje të vlerave të lirisë e demokracisë në botë, në luftën pakompromis kundër terrorizmit ndërkombëtar krah për krah me partnerët tanë të Aleancës më të madhe të paqes e sigurisë në botë”. Në valën e glorifikimit të herojve të vrarë e plagosur të kombit ka hyrë edhe kryeparlamentarja Jozefina Topalli e cila vdekjen e kapitan Voglit e ka përshkuar si rënie në krye të “një detyre të madhe dhe fisnike në Afganistan” nga ku kapiten Vogli “donte të projektonte paqen për fëmijët e popullit afgan.” Në përmbyllje të gjithë këtyre përlëvdimeve, Ministria e Mbrojtjes kapiten Voglin e ka dekoruar pas vdekjes me statusin “Dëshmor i Atdheut”. Varrimi i tij është njoftuar që do të bëhet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit dhe siç pritet, ardhja e tij do të kthehet në një ceremoni mburrje kombëtare dhe hakërrimi mes pozitës dhe opozitës, ku secila palë do mundohet që ti dëshmojë amerikanëve kurbanin që Tirana, Shqipëria, Rama dhe Berisha u ofruan atyre në Afganistan. Robert De Niro do e kishte zili ceremoninë mortore që pritet të ndodhë në Tiranë.
6.
Vdekja e kapiten Feti Voglit dhe plagosja e Aleksandër Pecit janë dy incidente tragjikë, ama jo në sensin e heroizmit të luftës për mbrojten e kombit shqiptar apo të luftës kundër terrorizmit. Talebanët, tani që Amerika po mundet e zbythet nga Afganistani, po kthehen në miq të Amerikës, ashtu siç ishin deri në vitin 2001 kur amerikanët i sollën në pushtet. Amerikanët sot janë në bisedime me talebanët dhe janë në aleancë me Al-Kaedën në Siri dhe në Libi. Për punë pak muajsh, Mulla Omari, ka shumë mundësi të shpallet hero i kombit amerikan dhe Bamir Topi do të urdhërohet nga ambasadori amerikan që të shkoj në Kandahar dhe të pijë çaj me atë.
Siç raporton CNN-i, kapiten Feti Vogli dhe Aleksandër Peci nuk janë sulmuar nga talebanët apo nga forcat armike. Si pasojë ata nuk janë as heronj të Natos dhe as të Nënës Shqipëri. Mediat amerikane raportojnë që ushtarët shqiptarë janë sulmuar nga vetë policet afganë të forcave të Hamit Karzait për sherre ordinere. Por edhe pse CNN-i tregon që kapiten Vogli dhe Peci janë vrarë dhe plagosur për çështje ordinere, sërisht fati i tyre duhet të na brengosë. Kapiten Vogli dhe Peci ashtu si disa mijëra shqiptarë që kanë shkuar nëpër misione të NATO-s nëpër botë, e kanë bërë këtë jo për ideologji, por pse janë fukarenj dhe pse kështu u kërkon politika e Tiranës. Vogli dhe Peci kanë shkuar në Afganistan si mercenarë, siç bënin shqiptarët në kohë të turkut, pra për të marrë një rrogë të mirë. Sikur Peci dhe Vogli të ishin çuna të Edi Ramës apo Berishës ata nuk do të shkonin në shkretëtirat e Afganistanit të shoqëronin agjentët e USAID-it nëpër Kandahar e të rriheshin e vriteshin me afganë. Sikur të ishin çuna të Edi Ramës, Berishës, Jozefina Topallit apo Ben Imamit ata tani do të ishin diku në Paris, Romë apo te Blloku në Tiranë duke bërë kokrrën e qejfit. Por për fat të keq Feti Vogli që jetonte në Baldushk e Aleksandër Peci i Bathores janë disa nga qytetarët më të varfër të Shqipërisë, të cilët, shesin veten si nizamë të Natos, Ramës dhe Berishës nga që nuk kanë bukë të hanë. Ata shkuan në Afganistan për të fituar disa para për të bërë një jetë më të mirë dhe jo për të luftuar me afganët apo përhapur misionin pushtues të NATO-s nëpër botë. Sikur Shqipëria të mos ishte në NATO dhe ato para që ajo harxhon për të çuar nizamë ti investonte në Shqipëri për të hapur vende pune për miletin, Peci dhe Vogli tani do të ishin me ne në Tiranë, duke punuar dhe qënë të lumtur pranë familjeve të tyre. Por për fat të keq, sot, Shqipëria sundohet nga një klasë politike hajdutësh e rrugaçësh të cilët e kanë futur atë në NATO dhe çojnë shqiptarë nëpër botë që të luftojnë e vrasin popuj që atyre nuk u kanë bërë kurrë keq. Vdekja e kapiten Fetiut duhet ti shërbejë shoqërisë shqiptare si një shtysë morale dhe qytetare, për ti kërkuar pushtetarëve tanë që të ndalojnë mercenarizmin e tyre për interesa të një shteti të huaj, ndaj të cilit ne nuk kemi ndonjë borxh. Qytetarët e Shqipërisë duhet ti kërkojnë pushtetarëve tanë që ta nxjerrin Shqipërinë nga NATO, mos ti bëjnë me zorr heroj të kombit dhe Natos këta djem fukarej, dhe ti japin fund sundimit të vendit tonë nga ambasadorët e pazgjedhur amerikanë të rrugës së Elbasanit. Vetëm në këtë mënyrë ne nuk do të kemi viktima të reja, nga disa luftëra që për ne nuk kanë as sens dhe as kuptim.
Muhamed Murtezi
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Mr. Bashkim Aliu
Mr. Muhidin Ahmeti
Mr. Ajni Sinani
Nexhmedin Spahiu
Opinione te lexuesve
Hamdi Nuhiju
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Opinione te lexuesve
Mr. Iljasa Salihu
Hamdi Nuhiju
Reklama 228 x 90.png)
Komentet
Ky artikull eshte komentuar 20 hereMendoj qe mesazhi.com duhet te heqe Olsin nga rubrika e autoreve, dhe te shtoje nje rubrike te re ne faqe e cila do te quhej PA KOMENT ne te cilen duhet vendose Olsin
Ndoshta i vetmi shqipetar qe e thote te verteten pa frike dhe pa lakese,hallall i qofte se po me duket ndonjehere si mohikani i fundit qe lufton per drejtesi pa kurfar perkrahje .......selam Olsi vec perpara......
selam alejkum nuk pajtohem me autorin ku eshte i brengosur per rastin e Libis dhe siris nuk mund ti qujsh lider diktaturat ku me hun mbajt pushtetin gadafin e vran vet Libiane sa i perket rethimit te siris a mendon ti se daLja pi rethimit do ti bej dobi popullit te vuajtur sirian apo pushtetit te hekurt qe e kan i perdhos edhe xhamiat librin e Allahut
Te lumte Olsi. shkrim fantastik. dhashte Zoti qe shqiptaret te vetdijesohen.
shum gat breh po shkrun ky olsi merzi po e kom me lexu edhe pse shkrun me vend
Olsi, je i mrekullueshem por edhe konfuz, tregoju shqiptareve atehere me ke te bejne aleance, por cfare e mendon shqiperine, kosoven, shtete shume milioneshe, super fuqi, me industri te rende, apo cfare. A nuk e sheh me ke gravitojne shqiptaret, kush u ndihmoi shqiptareve te clirohen nga zgjedha e kasapit te ballkanit...na thuaj Olsi, shkurt dhe shqip, cfare te bejme, cilet jane miqte dhe armiqet tane. A mos valle Rusia dhe Kina jane miqet e shqiptareve, Esadi, Gadafi apo kush...
I THEMI OLSIT SOO NE TIRANE E PRISHTINE SKA VEND PER SHIJAT E IRANIT VEQ DO MUSLIMAN PA DIJE PO I HAJNE KETO FORE E DHASHTE ZOTI TA MESOJ NJEHER E MIRE KY POPULL HAKUNTE VERTETEN
nje analize e qelluar dhe njerzore une do ta shkruaj nje thenje .,,. armiku i armikut tuaj eshte miku im qe do te thote se dyfytyresia dhe shumefytyresia dhe hipokrizia sundojne ne mbare boten qe 5000 vjete,,....
E lexova shkrimin me kujdes, gjithashtu lexova edhe disa debate tuaja ne nje forum. Kam pas shprese per ju por vertete e keni shfaqe nje fetyre te dyshimt. Nese te dhimbet Gadafi e Asadi dhe ndien kenaqesi per vrasjen e me shume se 50 000 femij gra pleq e te rinje te pafajshem musliman ateher cfar mund te thuhet per ty. Ti argat i kujt na je?
Olsi, a je i sigurte qe muslimanet e Dine Hoxhes e kane pritur me WELCOME Bushakun? Ndoshta dikush e ka vene nje cope karton apo beze me ate shkrim diku afer kesaj xhamie dhe mjekroshat paqesore, jo nga frika por nga toleranca , nuk e kane levizur nga vendi. Ky eshte mendimi im. E dyta, spo e kuptoj kete fjalen mjekrosha! Dhe e treta, shkrimet e tuaja, pervec kesaj qe shpreha me siper qe realisht nuk me pelqeu, te tjerat e kane emrin : REALITET. Por, Une si nje dashamires i sinqerte i yti, do te prpozoja qe sa me shpejt te krijoje dhe te drejtoje Ti personalisht Partine e Drejtesise dhe te mos rrezikoje ndoshta jeten tende duke demaskuar tere eliten politike te kohes ne Shqiperi. Sepse Ti je nje kollos i se drejtes por i pambrojtur fizikisht. Gjithsesi , Ty te mjafton mbrojtja e Zot.
Respaktoj mendim tyaj por absolutisht jam kunder asaj qe ju proklamoni. Mjatf ushtar te huaj kane shkuar kurban per lirin tone ,andaj eshte koha edhe ne te kontribojm per lirin e popujve te robruar dhe te shtypur me mundesit tona te limituara.Nuk eshte mire ti perkrahim diktatoret dhe grupet qe shkatrroj popujt e tyre te mjer, sepse askush nuk ka te drejt te shtyp,torturoj dhe mundohet te shfaros ata qe nuk mendojn si ai, e ne vecanti askush nuk ka TAPI na Zoti qe te merr jete ne emer te Tij, te keqperdoret feja dhe besimi per shantazhime, devalvime si dhe eliminime te njerzve kinse dikush ka mandat nga Perendia per gjera te tilla.Te lutem mos i ndaj shqiptaret dhe mos perdor terma te vrazhdkauri per njerezit tane, ne ndarje te tilla nuk paten sukses as armiqet tane shekullor
Te lumte se shume mire i ki shtjellu ngjarjet,me deshire qe te shkruash me shume ne kete faqe qe ti kuptojm gjerat ma mire
Gjerate jane edhe aq te thjeshta sa sa me i thone Ok komplet ketij shkrimi te Olsit...edhe Mjekrroshat e Dino Hoxhes edhe te Kosoves duhet me i thone Welcome Bushit pse mos me i thone kurAmerikanet na e cliruane Kosoven per derisa Ju te nenes shipni na i keni shite edhe armet e prishta...Besimtari duhet te jete mirenjohes...Welcom duhet me i thone edhe Obames ne Libi...Egjipt..Tunis e se shpejti edhe ne Siri...e IRAN.
O Haris he pis! Ne ne Shipni nuk ju kena shit armet e prishta por jua kemi dhurue me luftu neper skutat ku jeni fsheh si minjte frikacak Neve edhe ju kemi strehu e e kem nda kafshaten pergjys por Ju jeni mosmirenjohesit me te medh te ketij shekulli Fjala eshte per shumicen prej jush e sidomos per sojin e sorrollopin e kallepit tend. Ju mbase nuk keni ditur edhe me i perdor armet sepse skishit pare arme kurr ne kohen e serbit sepse dhjefshit gjak nga frika! Por nejse ska gjo e rendesishme eshte per tu ditur ato qe jeni ne fakt jo ne pakice Jeni mosmirenjohes. Dhe njerezi si puna yte edhe spiunj Bushi pse nuk u cliroi me perpara? Qe po i qenke mirenjohes Bushit i cili per interesa te Amerikes nderhyri pasi u bo gjaku ngju e u masakruen e u zhduken me mijera! haris he pis! Ameriknom
Sqiptaret... Bujrum I kane thone Sulltanit...Bitteschen Gjermonit...Wellcom Amerikanit...Trimeri kemi tregu kur kunder njeri tjetrit kemi luftue...Ne krenohemi me njerzit qe kane kontribue-kane thone Pare-Leke per me ble Arme ne Shipni...e ata qe jane Vdeke-Vrare duke i sjelle Armet e Blera i kemi shpallur Heronje per Trimerin qe kane Tregue...per ne u kone edhe ma keq mos me na i pas Shite nese ti je Njeri prej atyre te Falenderoj...eshte veshtire me pranue realitetin por eshte realitet...nese ti me shane si Pise une ta kthej JO me pis...por je vllau jem.
Po folem ne perqindje si andej si ketej kufirit...kemi te bejme me shumice jo falenderues dhe perfitues,zemrate dhe dyerte na i kane qelur shqiptaret ne maqedoni se juve shumices ua kemi pague edhe qerane per magaret qe i kan bartur ato se leri armet,po ofendon pa te drejt o ti qe nuk e ke thone as emrin me tu drejtu.
Mosmirenjohes , tek Serbi do veni se Ay u rehaton Juve dhe harram e paci buken dhe strehen o te pabese. Nuk mund ta imagjinoje dot qe Juve te ini muslimane! E crendesi ka emri im ta dije nje mosmirenjohes?
He me daku po ketu tek keto komentat po shikoj se e kemi zgjidh ceshtjen e Sirise dhe te Libise, gjithashtu ka dhe vend per tu mare me ndonje vend tjeter... Se ne nuk e shohim dot trungun qe kemi para syvet po jemi dhe te afte te dallojme fijen e kashtes ne mes te shkretetires... Ah cpaskemi qene ne shqiptaret, mire qe nuk jemi dhe aq shume se dynjon gazep do e kishim bo kurse venin tone ene mo keq. shqiptari thot se ka fe shqiptarin e jo dinin pranaj ka met kshu.
olsi qenka i vetmi shqiptar te cilit i dhemet populli i tij i vetmi shqiptar qe ka gjak shqiptari qe si tremet syri prej qyqrve qe na udhheqin neve shqiptarve kudo qe jemi OLSI po se pate perkrahjen e njerzve do te kesh perkrah jen e zotit zoti te ndimofto shqiptari i pa tremshem.
Olsi elexova ket vaqe nete cilen ki treguar te verteten mbi shqiprin dhe shqiptaret. Tė menqurit ekuptojn hakun, elus All-llahun qė tė monsoj ta kuptosh edhe hakun. pėr ta kuptuar hakun duhesh terish me shok tė hakut dhe tė lexosh libra te dijatarve tė hakut ivetmi je tene Shqiptarėt qė etregon Hakuunmos Ke frik All-llahu ėsht me ata qe etregojn hakun edhe nėse oshtė nė dėm teti All-llahu te Ruajt.